Postuar më : 19 Prill 2017

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Prill 2017

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Prill 2017 

P R O J E K T L I GJ

PËR

ZONAT E MBROJTURA 


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti dhe fusha e zbatimit

1.    Ky ligj ka për objekt shpalljen, ruajtjen, administrimin, menaxhimin, përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura mjedisore dhe të burimeve të tyre natyrore e biologjike, në bazë të parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, për të garantuar përmbushjen e funksioneve mjedisore, ekonomike, sociale kulturore, në interes të të gjithë shoqërisë, si dhe përcaktimi i përgjegjësive të institucioneve publike dhe personave fizikë/juridikë  privatë për ruajtjen dhe administrimin e qëndrueshëm të tyre, nëpërmjet:

a)    evidentimit, përcaktimit dhe shtimit të zonave të mbrojtura mjedisore ose zgjerimit të atyre ekzistuese;
b)    sigurimit, ruajtjes, rehabilitimit dhe ripërtëritjes së ekosistemeve të habitateve natyrore, të llojeve, të rezervave dhe të peizazheve natyrore brenda zonave të mbrojtura mjedisore;
c)    përdorimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura mjedisore, duke integruar elementë të tij në strategjitë, planet, programet dhe vendimmarrjet e të gjitha niveleve.

2.    Dispozitat e këtij ligji zbatohen për sipërfaqet e përfshira brenda kufijve të zonave të mbrotjura mjedisore në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë mbrojtje të veçantë të zonave të mbrojtura mjedisore dhe përbërësve të rëndësishëm të biodiversitetit dhe të natyrës në to, nëpërmjet:

a)    shpalljes së zonave të mbrojtura mjedisore, me rëndësi të veçantë për vlerat e tyre natyrore, ekonomike apo sociale, si pjesë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të mjedisit;
b)    zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura mjedisore, pasurive kombëtare me rëndësi të veçantë për vlerat e rralla e të pazëvendësueshme të ekuilibrave natyrorë, biodiversitetit si detyrim në interes të brezave të sotmëm dhe të ardhshëm;
c)    lehtësimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e vlerësimin e shërbimeve të ekosistemeve (mjedisore);
d)    informimin dhe edukimin e publikut për gjendjen dhe dobishmërinë e zonave të mbrojtura mjedisore.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:

1.    “Administrata e zonës së mbrojtur” (AZM), organi vendor përgjegjës për ruajtjen dhe menaxhimin e një zone të mbrojtur.

2.    “Administrata rajonale e zonave të mbrojtura” (AdZM), organi lokal përgjegjës, në nivel qarku, për ruajtjen dhe menaxhimin e zonës/zonave të mbrojtura në territorin e këtij qarku.

3.    “Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura” (AKZM), institucioni publik qendror që drejton dhe administron veprimtarinë e ruajtjes e të menaxhimit të të gjitha zonave të mbrojtura mjedisore në Republikën e Shqipërisë.

4.    “Biokorridor” (korridor ekologjik), segmenti i peizazhit, që lidh bioqendrat dhe mundëson migrimin e organizmave e të bashkësive të tyre, si dhe shkëmbimin e të dhënave gjenetike ndërmjet tyre.

5.    “Bioqendër” (qendra e biodiversitetit), pjesa e peizazhit, ku sigurohen kushte afatgjata për riprodhimin dhe veprimtaritë jetësore të organizmave dhe për zhvillimin natyror të bashkësive të tyre.

6.    “Ekosistem”, një kompleks dinamik, i përbërë nga komitete të bimëve, kafshëve e mikroorganizmave, si dhe mjedisi jo i gjallë, të cilat ndërveprojnë ndërmjet tyre si një njësi funksionale.

7.    “Habitat”, mjedisi i disa individëve bimorë ose shtazorë, i popullatave ose i bashkësive të tyre.

8.    “Habitate natyrore”, sipërfaqet tokësore ose detare, të dallueshme për nga tiparet gjeografike, abiotike dhe biotike, natyrore ose gjysmënatyrore.

9.    “Habitat i një lloji”, një mjedis që përcaktohet nga faktorë specifikë, biotikë dhe abiotikë, ku lloji jeton në çdo fazë të ciklit biologjik të tij.

10.    “Lloje me interes për komunitetin evropian”, lloje që, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, plotësojnë njërën nga kushtet e mëposhtme:

a)    Janë të rrezikuara, me përjashtim të atyre llojeve, shtrirja natyrore e të cilave është e parëndësishme në territor;
b)    Janë të prekshme, që do të thotë se ka të ngjarë të bëhen pjesë e kategorive “të rrezikuara” në një të ardhme të afërt, nëse faktorët shkaktarë vazhdojnë të veprojnë;
c)    Janë të rralla, që do të thotë se janë lloje me numër të kufizuar, të cilat, edhe pse për çastin nuk janë të rrezikuara apo të prekshme, ndodhen në situatë kritike;
ç) Janë endemike dhe kërkojnë vëmendje të posaçme për shkak të natyrës së veçantë të habitatit të tyre dhe/ose ndikimit të mundshëm të shfrytëzimit në habitatin përkatës dhe/ose ndikimit të mundshëm të shfrytëzimit të tyre mbi statusin e ruajtjes.

11.    “Lloje prioritare”, llojet me interes për komunitetin evropian, të rrezikuara, për ruajtjen e të cilave Republika e Shqipërisë, për sa i përket shtrirjes së tyre natyrore, ka përgjegjësi të veçantë.

12.    “Ministri”, ministri që drejton ministrinë përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore.

13.    “Ministria”, ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore.

14.    “Kurorë e gjelbër” përbëhet nga territore ose zona relativisht të vogla, që janë pronë e bashkive dhe plotësojnë masën e gjelbër të qyteteve në zonat periferike urbane.

15.    “Park Natyror Bashkiak” përbëhet nga territore ose zona relativisht të vogla, që janë pronë e bashkive dhe që strehojnë elemente dhe vlera të natyrës së egër, si pyje, kullota, rezervuarë, ligatina, sipërfaqe ujore, detare e bregdetare.

16.    “Peizazh”, një pjesë territori, ashtu siç konceptohet prej vetë popullatave, karakteri i të cilit varet nga veprimi i faktorëve natyrorë dhe/apo njerëzorë, si dhe nga ndërveprimi i tyre.

17.    “Ranger”, punonjësi i AZM-së, me pozicionin e një ruajtësi e menaxheri të drejtpërdrejtë të zonës së mbrojtur mjedisore.

18.    “Ruajtja”, tërësia e masave që ndërmerren për të mbajtur ose rivendosur në një status të favorshëm habitatet natyrore dhe popullatat e llojeve të florës dhe faunës së egër.

19.    “Rrjeti i zonave të mbrojtura”, sistemi i zonave të mbrojtura mjedisore me interes kombëtar në vendin tonë, që përzgjidhen për vlerat e ekosistemeve, habitateve dhe peizazheve kryesore e përfaqësuese të vendit.

20.    “Rrjeti ekologjik”, sistemi i zonave të mbrojtura mjedisore dhe atyre me interes komunitar, sipas kategorive të shpallura në bazë të procedurave të këtij ligji dhe të lidhura me biokorridore.

21.    “Rigjenerim”, procesi i rehabilitimit/restaurimit të ekosistmeve natyrore, i cili sigurohet në rrugë natyrale dhe/ose nëpërmjet ndërhyrjes me përdorim selektiv (të përzgjedhur) të habitateve brenda zonës së mbrojtur mjedisore.

22.    “Shëndetësimi”, procesi i trajtimit të pyllit silvikultural nëpërmjet ndërhyrjeve me metoda teknike, duke eliminuar drurët të cilët shfaqin shenja të dëmtimit natyral dhe/ose artificial, të prekur nga sëmundje dhe/ose të dëmtuar për shkaqe natyrore, dhe duke garantuar vijimësinë e grumbullit nëpërmjet drurëve të shëndetshëm brenda zonës së mbrojtur mjedisore.

23.    “Status i favorshëm i ruajtjes së një ekosistemi, habitati ose peizazhi” nënkuptohet se:

a)    shtrirja natyrore dhe sipërfaqet brenda kësaj shtrirjeje janë të qëndrueshme ose në rritje;
b)    struktura dhe funksionet e veçanta, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen afatgjatë, ekzistojnë dhe mund të vazhdojnë të ekzistojnë për të ardhmen e afërt;
c)    llojet e veta tipike kanë një status të favorshëm ruajtjeje.

24.    “Tipa habitati natyror, me interes për komunitetin evropian”, ato habitate, që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që plotësojnë njërën nga kushtet e mëposhtme:

a)    Janë në rrezik zhdukjeje në shtrirjen e tyre natyrore;
b)    Kanë një shtrirje të vogël natyrore, si pasojë e regresit të tyre ose  sipërfaqes së tyre të kufizuar;
c)    Përfaqësojnë shembuj të jashtëzakonshëm të karakteristikave tipike të rajoneve biogjeografike, alpine dhe mesdhetare.

25.    “Tipat prioritarë të habitateve natyrore”, habitate natyrore, me interes për Komunitetin Evropian, në rrezik zhdukjeje, të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen e të cilave Republika e Shqipërisë ka përgjegjësi referuar akteve/marrëveshjeve/protokolleve të posaçme.

26.    “Ujëvarë natyrore”, një formacion ku uji, nën veprimin e forcave të natyrës, pa ndërhyrjen e njeriut, bie në shtratin e vet lumor nga një lartësi jo më pak se          1 m.

27.    “Zonë”, sipërfaqja e përcaktuar gjeografikisht, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi në aktin e shpalljes së saj si e tillë.

28.    “Zonë e mbrojtur”, një hapësirë tokësore, ujore, detare e bregdetare, e përcaktuar qartë gjeografikisht, e njohur, me kufij të qartë fizikë dhe e menaxhuar përmes mjeteve ligjore apo mjeteve të tjera të efektshme, për të arritur ruajtjen/mbrojtjen afatgjatë të natyrës, e lidhur me shërbimet e ekosistemit dhe të vlerave kulturore.

29.    “Zonë e Mbrojtur Detare”, çdo sipërfaqe detare, bregdetare e nënujore, shtrati i detit dhe ishujt, së bashku me ujin, florën, faunën, habitatet e peizazhin dhe karakteristikat historike, kulturore e arkeologjike, që shpallet zonë e mbrojtur detare në njërën prej kategorive të përcaktuara në këtë ligj.

30.    “Zonë buferike”, hapësira e kufizuar, në periferi të zonës së mbrojtur mjedisore, që shërben për parandalimin ose zbutjen e ndikimeve ekologjikisht të dëmshme në mjediset dhe elementet e rëndësishme të zonës së mbrojtur.

31.    “Zonë me interes për komunitetin evropian”, zona, e cila në rajonet biogjeografike ose në rajonet të cilave u përket kontribuon dukshëm në ruajtjen ose rivendosjen  në një status të favorshëm ruajtjeje të një tipi habitati natyror ose lloji për ruajtjen e diversitetit biologjik brenda rajonit biogjeografik ose rajoneve në fjalë.

32.    “Zona të veçanta ruajtjeje”, zona me rëndësi për komunitetin evropian, të përcaktuara si të tilla nga Republika e Shqipërisë me një akt nominal, ku përcaktohen masat e nevojshme të ruajtjes me qëllim ruajtjen ose rivendosjen në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore ose të popullatave të llojeve, për të cilat është përcaktuar zona.

33.    “Zona me rëndësi për biodiversitetin”, zonat që kontribojnë në mënyrë themelore për ruajtjen e biodiversitetit dhe përfaqësojnë territoret më të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit në shkallë botërore dhe që identifikohen në nivel kombëtar duke përdorur kriteret e standardizuara.

34.    “Sistemi kombëtar i territorit të zonave të mbrojtura”, tërësia e të dhënave për administrimin dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura mjedisore, nën administrim të ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore.

35.    “Shkallë e parë mbrojtjeje (strikte)”, shkalla e mbrojtjes që ka si funksion ruajtjen tërësore të biodiversitetit dhe sigurimin e një zone natyrore të pashqetësuar.

36.    “Shkallë e dytë mbrojtjeje”, shkalla e mbrojtjes që ka si funksion ruajtjen parësore të biodiversitetit dhe sigurimin e një zone natyrore pak të shqetësuar nga veprimtaritë tradicionale dhe ekoturistike.

37.    “Shkallë e tretë mbrojtjeje”, shkalla e mbrojtjes që ka si funksion ruajtjen e natyrës dhe të biodiversitetit në harmoni me zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike e turistike, të infrastrukturës për banorët e zonës dhe komunitetin e biznesit.

Neni 4
Parimet

Menaxhimi e ruajtja e zonave të mbrojtura mjedisore realizohet nëpërmjet zbatimit të parimeve, si më poshtë:

a)    Parimi i zhvillimit të qëndrueshëm. Nëpërmjet planifikimit dhe menaxhimit të kujdesshëm, burimet e tokës, përfshirë ajrin, ujin, florën dhe faunën, ruhen për të mirën e brezave të sotëm dhe të ardhshëm nëpërmjet zhvillimit që plotëson nevojat e tanishme pa kërcënuar nevojat e brezave të ardhshëm.
b)    Parimi i integrimit. Integrimi i politikave të mbrojtjes së mjedisit në ato të zhvillimit ekonomik pasi zhvillimi i mjedisit është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit.
c)    Parimi “ndotësi paguan”. Subjektet, që me veprimet apo mosveprimet e tyre ndotin dhe/apo dëmtojnë mjedisin brenda e jashtë zonës së mbrojtur, paguajnë për rehabilitimin e tij.
ç) Parimi i parandalimit dhe i marrjes së masave paraprake. Me anë të politikave dhe bazës ligjore përkatëse shteti merr masa paraprake për parandalimin e ardhjes së pasojave negative në mjedis nga aktiviteti njerëzor dhe faktorët natyrorë.

KREU II
SISTEMI KOMBËTAR I ZONAVE TË MBROJTURA
ZONAT E MBROJTURA, SHPALLJA E TYRE DHE KATEGORITË

Seksioni I
SISTEMI KOMBËTAR I ZONAVE TË MBROJTURA

Neni 5
Sistemi kombëtar i zonave të mbrojtura

1.    Tërësia e zonave të mbrojtura mjedisore përbën sistemin kombëtar të territoreve të mbrojtura, të shpallura me anë të legjislacionit të veçantë.

2. Në kategorizimin e zonave të mbrojtura mjedisore dhe në përcaktimin e statusit për secilën prej tyre, institucionet përgjegjëse në Republikën e Shqipërisë mbështeten në kriteret e Unionit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës (IUCN).

3.    Ministria, në bashkëpunim me AKZM-në, bashkërendon punën për ngritjen dhe administrimin e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura.

4.    Planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi për ngritjen e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura mjedisore specifikohet në Planin Specifik të tërësisë së   zonave, dokument ky i cili përfshin:

a) objektivat e tërësisë së zonave të mbrojtura mjedisore;
b) kontributin e secilës zonë të mbrojtur mjedisore në arritjen e objektivave të tërësisë dhe atyre të rrjetit ekologjik;
c) mangësitë në mbulimin e të gjitha zonave me vlerë në këtë sistem;
ç) planin e veprimit për të zbatuar dhe zhvilluar më tej sistemin.

5. Plani Specifik hartohet nga ministria në përputhje me dokumentin e politikave strategjike të mbrojtjes së biodiversitetit dhe miratohet me urdhër të ministrit e publikohet në “Fletoren zyrtare”. Përditësimi i tij bëhet çdo 5 vjet dhe bëhet i aksesueshëm për publikun në faqen zyrtare elektronike të ministrisë.

6. Kostot e ngritjes, ruajtjes dhe administrimit të sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura mjedisore financohen nga buxheti i shtetit dhe donacionet.

Seksioni II
LLOJET E ZONAVE TË MBROJTURA, PRONËSIA DHE FORMAT E QEVERISJES

Neni 6
Llojet e zonave të mbrojtura

Zonat e  mbrojtura mjedisore sipas llojit të interesit për të cilin ka marrë statusin e mbrojtjes janë:

a)    Zona të mbrojtura me interes kombëtar;
b)    Zona të mbrojtura me interes ndërkombëtar ku bëjnë pjesë:

i.    Zonat “Ramsar”;
ii.     Zonat me interes për Komunitetin Evropian (SACs), ku bëjnë pjesë zonat e veçanta të ruajtjes të habitateve dhe të shpendëve (SCI dhe SPAs);
iii.  Zonat me interes të veçantë ruajtjeje (zonat e rrjetit Emerald);
iv.  Zonat “Rezervë të biosferës”;
v.   Zonat e trashëgimisë natyrore.

Neni 7
Pronësia në zonat e mbrojtura

1. Zonat e mbrojtura mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë janë pasuri kombëtare.

2. Pronësia mbi pasuritë e paluajtshme në zonat e mbrojtura mjedisore është:

a)    shtetërore;
b)    private.

Neni 8
Format e administrimit/menaxhimit të zonave të mbrojtura

1.    Forma e administrimit/menaxhimit mbi zonat e mbrojtura mjedisore është:

a)    shtetërore;
b)    private;
c)    bashkiake;
ç)  të kombinuara.

2.    Forma e administrimit/menaxhimit për çdo zonë konkrete përcaktohet në vendimet e Këshillit të Ministrave që miraton krijimin e zonës, ndryshimin e statusit apo ndryshimin e sipërfaqes së saj.

3.    Propozimi i formës së administrimit/menaxhimit, që propozohet për miratim, bëhet pasi është marrë mendimi i komunitetit të zonës, i pronarëve privatë, është konsultuar me aktorë të ndryshëm të interesuar dhe është marrë pëlqimi paraprak i kryetarit të bashkisë përkatëse, ku shtrihet zona.

4.    Në secilën formë të administrimit/menaxhimit, menaxhimi dhe ruajtja e zonës mbështetet dhe zbaton parime, rregulla e kërkesa të njëjta që saktësohen në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

Seksioni III
OBJEKTIVAT, KRITERET, PROCEDURA E SHPALLJES, ZONIMI

Neni 9
Objektivat e shpalljes së territoreve si zona të mbrojtura

Territoret shpallen zona të mbrojtura mjedisore për të përmbushur objektivat e përgjithshëm, si më poshtë:

a)    Të mbrojë drejtimet e zhvillimit të tanishëm dhe të ardhshëm të pasurive kombëtare  nëpërmjet ruajtjes dhe menaxhimit të ekosistemeve, habitateve e peizazheve përfaqësuese, si dhe integrimin e administrimit të tyre në politikat, planet, programet dhe veprimtaritë shtetërore, në nivel kombëtar e bashkiak;
b)    Të sigurojë përdorimin e qëndrueshëm të elementeve të diversitetit biologjik, nëpërmjet përfshirjes së bashkive në vendimmarrje dhe veprimtari të tjera që lidhen me zonat e mbrojtura, që përfshijnë caktimin dhe përvijëzimin e zonave, hartimin e planeve të administrimit të integruar dhe drejtimin e zonave të mbrojtura;
c)     Të përcaktojë qartë objektivat e ruajtjes/mbrojtjes për zonën e mbrojtur duke përcaktuar shkakun e moslejimit të aktiviteteve në të;
ç)    Të përjashtojë nga shfrytëzimi ose zënia me aktivitete intensive nga ana e njeriut;
d) Të mos lejojë shfrytëzimin e tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;
dh)     Të ndalojë rritjen dhe shpërndarjen e kafshëve dhe bimëve jovendase, kur ato sjellin ndryshime në biodiversitetin e zonës;
e)     Të ndalojë ndërtimin e zonave urbane, si autostradave, hekurudhave, linjave të tensionit të lartë, veprave të mëdha hidrike dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë;
ë)     Të ndalojë ndryshimin e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura;
f)     Të ndalojë çdo aktivitet që bie ndesh me objektivat e mbrojtjes së zonës.

Neni 10
Shpallja e zonave të mbrojtura

1.    Identifikimi dhe administrimi i zonave të mbrojtura bëhen në përputhje me Planin Specifik të zonave të mbrojtura dhe planin e administrimit të rrjetit ekologjik të vendit si dhe dokumente të tjera strategjike të fushës së mbrojtjes së natyrës.

2. Zonat e mbrojtura mjedisore shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura.

3.    Në vendimin për shpalljen e zonës së mbrojtur mjedisore përcaktohen emërtimi, kategoria, sipërfaqja, institucioni menaxhues, objektivat e ruajtjes së zonës dhe shkalla e mbrojtjes së nënzonave të zonës së mbrojtur.

4.    Shpallja e një zone të mbrojtur mjedisore bëhet në përputhje me planin kombëtar të zonave të mbrojtura, pas marrjes së mendimit të institucioneve akademike e shkencore në vend, të bashkisë brenda territorit administrativ të të cilës ndodhet zona, të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, të komunitetit të zonës dhe të pronarëve privatë, pronat e të cilëve do të përfshihen në zonën e mbrojtur.

5. Shpallen zona të mbrojtura mjedisore, me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së shumëllojshmërisë biologjike, të peizazhit, të trashëgimisë natyrore e kulturore, të cilat menaxhohen me rrugë ligjore sipas njërës prej kategorive të caktuara në këtë ligj, territore që përfshijnë:

a)    pjesë tokësore, bujqësore, pyjore e kullosore;
b)    sipërfaqe ujore, liqene, laguna, lumenj, ujëmbledhës, bregdetare, detare e nëndetare, të cilat përmbajnë disa ekosisteme apo habitate karakteristike ose përfaqësuese;
c)    vlera unike të trashëgimisë natyrore biologjike dhe/ose lloje të florës e të faunës së egër të kërcënuar;
ç)  trashëgimi të veçanta  gjeologjike e gjeomorfologjike;
d)    qendra rurale, turistike e sportive, me karakter të rëndësishëm tradicional, ekologjik, estetik, me vlerë kulturore, arkeologjike, shpirtërore, edukative, rekreative dhe me mundësi hyrjeje për vizitorët si dhe për kërkime shkencore.

6.    Në propozimin për të shpallur një zonë të mbrojtur mjedisore përfshihen të paktën:

a)    argumentimi për krijimin e zonës së mbrojtur që mbështet objektivat e planit kombëtar të rrjetit përfaqësues të këtyre zonave, epërsitë dhe mangësitë e krijimit të zonës, zonimin e saj, si dhe shkallët e mbrojtjes, të propozuara për secilën zonë;
b)    rezultatet e procesit të këshillimit me komunitetin lokal e shoqërinë civile, veçanërisht miratimin me shkrim nga bashkia, brenda dhe rreth zonës së propozuar;
c)    një hartë e formatit GIS të vendit të propozuar;
ç) një vlerësim i ndikimit në mjedis, duke përfshirë identifikimin e proceseve dhe të kategorive të veprimtarive, të cilat mund ta kërcënojnë diversitetin biologjik dhe atribute të tjera të vendit të propozuar, përfshirë zonat përreth;
d)    një vëzhgim i ndikimit social dhe ekonomik të popullatës vendore, që përfshin situatën e përdorimit të territorit të propozuar dhe ndikimin e mundshëm të zonës së mbrojtur në këto përdorime;
dh)    një përshkrim i masave kompensuese, që mund të nevojiten të merren për të adresuar transferimin e pronësisë dhe të të drejtave për përdorimin e elementeve të diversitetit biologjik;
e) pjesë e dokumentit të planifikimit për zonën përkatëse;
ë) miratimi i Këshillit Kombëtar të Territorit mbi kufirin e zonës së mbrojtur dhe zonimin e brendshëm të saj.

7.    Çdo person fizik a juridik ka të drejtë t’i kërkojë ministrisë që territori i vet privat ose pjesë e territotrit në pronësi të tij të shpallen zonë e mbrojtur mjedisore ose të përfshihen në njërën nga kategoritë e zonave të mbrojtura.

8. Bashkia, brenda territorit administrativ të të cilit ndodhet zona, dhe pronarët (kur prona është private), merr masa të përkohshme për mbrojtjen dhe administrimin e zonës gjatë kohës që shqyrtohet propozimi për miratimin e saj.

Neni 11
Kriteret për shpalljen e një zone të mbrojtur

Për t’u shpallur “zonë e mbrojtur mjedisore”, territori duhet të plotësojë, të paktën, njërën prej kritereve të mëposhtme:

a)     Të ketë diversitet të lartë të llojeve dhe/ose të habitateve;
b)     Të ketë dendësi të ulët të llojeve dhe/ose habitateve;
c)     Të ketë përfaqësueshmëri;
ç)     Të ketë minimumin kritik të madhësisë së ekosistemit;
d)     Të ketë natyralitet, trashëgimi dhe integritet;
dh)     Të ketë vlera shkencore;
e)     Të karakterizohet nga prekshmëria ekologjike/llojet e prekshme;
ë)     Të karakterizohet nga papërsëritshmëria/llojet endemike;
f)     Ka rrezikshmëri të lartë të kërcënohet nga ndërhyrjet e veprimtarive njerëzore;
g)     Mund të ofrojë mundësi për ruajtjen e jetës së egër.

Neni 12
Procedurat për shpalljen e zonave të mbrojtura

1.    Procedura për shpalljen e një zone të mbrojtur mjedisore është, si më poshtë vijon:

a)    Ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore përgatit planin e shpalljes së zonave të mbrojtura, ku përcaktohen zonat që synohen të shpallen të tilla, statusi, kufijtë dhe shkalla e mbrojtjes së secilës prej tyre.
b)    Plani hartohet në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, ministrinë përgjegjëse për rregullimin e territorit dhe ministrinë përgjegjëse për turizmin, ministrinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, me organet e qeverisjes vendore, me institutet kërkimore-shkencore përkatëse dhe shoqërinë civile.
c)    Çdo organ e institucion shtetëror, qendror ose vendor, person juridik ose fizik, shoqatë jofitimprurëse ose komunitet, ka të drejtë të paraqesë pranë ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura propozime për shpalljen e zonave të mbrojtura për ndryshimin ose heqjen e statusit të çdo zone të mbrojtur për zgjerimin ose zvogëlimin e kufijve të zonës dhe për zonimin e brendshëm të tyre.
ç)    Për shpalljen e zonave të mbrojtura mjedisore merret parasysh rrjeti ekzistues i zonave të mbrojtura, i paraqitur në strategjinë dhe planin e veprimit për biodiversitetin.
d)    Plani i shpalljes së zonave të mbrojtura mjedisore publikohet në faqen zyrtare të  ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe në bashkinë apo qarkun ku ndodhet zona që propozohet të shpallet.
dh)    Brenda një muaji nga dita e shpalljes së planit të zonave të mbrojtura, të interesuarit mund të bëjnë vërejtje e sugjerime, të cilat i paraqiten ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura. Me kalimin e këtij afati dhe nëse nuk ka pasur vërejtje e kundërshtime, plani quhet i miratuar dhe në bazë të tij, ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura fillon procedurat për përgatitjen dhe paraqitjen e projektvendimit për shpalljen e zonave të mbrojtura mjedisore.

2.     Për shpalljen e një zone të mbrojtur mjedisore përcaktohen, paraprakisht, statusi i saj, kufijtë dhe zonimi i brendshëm, zona buferike rreth saj, administrata e ruajtjes së zonës dhe varësia e saj, mundësitë e përpunimit e të shfrytëzimit të zonës, të ardhurat që mund të krijohen dhe përdorimi i tyre në dobi të zonës.

3.     Ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore njofton publikun në faqen zyrtare të internetit të saj për zonat e mbrojtura të miratuara, për monumentet natyrore, për llojet e bimëve dhe të kafshëve veçanërisht të mbrojtura, për gjetjet minerare dhe paleontologjike, duke përcaktuar me hollësi kushtet për mbrojtjen e tyre.

4. Pas hartimit të propozimit për shpalljen e zonës së mbrojtur nga ana e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, referuar nenit 10, të këtij ligji, ministri propozon projektvendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e zonës.

Neni 13
Ndarja në nënzona i territorit të zonës së mbrojtur kombëtare

1.    Territori i zonës së mbrojtur mjedisore për zonat e mbrojtura të kategorive “Park Kombëtar”, “Rezervë natyrore e menaxhuar” dhe “Peizazh i mbrojtur” ndahet në nënzona, sipas rëndësisë së habitateve dhe të ekosistemeve që bëjnë pjesë në to, ndërsa për zonat e mbrojtura të kategorive “Rezervë strikte e mbrojtur” dhe “Monumentet e natyrës” nuk do të ketë nënzona, por zonë buferike.

2. Zonimi i brendshëm përmban:

a)    nënzonën qendrore;
b)    nënzonën e përdorimit tradicional dhe të qëndrueshëm;
c)    nënzonën e rekreacionit;
ç) nënzonën buferike;
d) nënzonën e trashëgimisë dhe peizazhit kulturor.

3.    Zonimi përputh shkallën e mbrojtjes me veçoritë e nënzonës, duke mbajtur parasysh natyrën e zonës, llojet e veprimtarive njerëzore që zhvillohen në të dhe ndikimin e tyre në mjedis.

a)    Në nënzonën qendrore (që ka si funksion ruajtjen tërësore të biodiversitetit dhe siguron një zonë natyrore të pashqetësuar) përdoret shkalla e parë e mbrojtjes (strikte).
b)    Në nënzonat e përdorimit tradicional dhe të qëndrueshëm (që ka funksion ruajtjen parësore të biodiversitetit dhe siguron një zonë natyrore pak të shqetësuar nga veprimtaritë tradicionale dhe ekoturistike) përdoret shkalla e dytë e mbrojtjes.
c)    Në nënzonat e rekreacionit (që ka funksion ruajtjen e natyrës dhe të biodiversitetit në harmoni me zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike e turistike, të infrastrukturës për banorët e zonës dhe komunitetin e biznesit) përdoret shkalla e tretë e mbrojtjes.

4. Nënzonimi brendshëm i një zone bëhet në përputhje me planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur, në bazë të kërkesave për mënyrën e zonimit të territorit të një zone të mbrojtur, të miratuar me udhëzim të ministrit.

5. Me qëllim parandalimin ose zbutjen e ndikimeve ekologjikisht të dëmshme në mjediset dhe elementet e rëndësishme të një “Rezerve strikte të mbrojtur” dhe “Monumentet e natyrës”, përreth shpallet edhe një zonë buferike.

6.    Zonimi i brendshëm i zonave të mbrojtura miratohet edhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), me propozimin e ministrit, përpara hyrjes në fuqi të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave që e shpall të mbrojtur zonën mjedisore konkrete, që do t’i miratohet zonimi i brendshëm.

Seksioni IV
KATEGORITË E ZONAVE TË MBROJTURA

Neni 14
Kategoritë e zonave të mbrojtura

Kategoritë e zonave të mbrojtura mjedisore janë:

a)    “Rezervë strikte natyrore/rezervat shkencor (kategoria I)”;
b)    “Park Kombëtar (kategoria II)”;
c)    “Monument natyror (kategoria III)”;
ç) “Rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (kategoria IV)”;
d) “Peizazh i mbrojtur (kategoria V)”;
dh) “Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara (kategoria VI)”.
e) “Park natyror bashkiak (kategoria IV)”;
ë) “Kurorë e gjelbër (kategoria V)”.

Neni 15
Rezerva strikte natyrore (kategoria I)

1.    “Rezervë strikte natyrore” shpallen territore ose zona, që zotërojnë disa ekosisteme të veçanta, karakteristike ose përfaqësuese, dhe/ose lloje të florës dhe/ose të faunës me rëndësi shkencore, të përshtatshme për kërkime shkencore dhe/ose monitorim dhe që janë pak ose aspak të shqetësuara nga njeriu. Kjo kategori përbëhet nga dy nënkategori kryesore:

a)    Nënkategoria A: që është “zona e mbrojtur”, e menaxhuar kryesisht për qëllime shkencore ose “rezervat shkencor”, që ruhet dhe menaxhohet për qëllime shkencore dhe mbrojtjen tërësore të botës së gjallë;
b)    Nënkategoria B, që është “zonë e mbrojtur”, e menaxhuar kryesisht për mbrojtjen e natyrës së egër ose “rezervë strikte natyrore”, që ruhet e menaxhohet në mënyrë të atillë që të ruajnë gjendjen e tyre natyrore.

2. Në rezervën strikte natyrore zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes, pasi në të janë të ndaluara të gjitha aktivitetet njerëzore që mund ta dëmtojnë dhe ku objektivat kryesorë janë:

a)    Ruajtja e biodiversitetit të zonës duhet të jetë e arritshme nëpërmjet mbrojtjes dhe të mos kërkojë menaxhim aktiv ose manipulim të habitateve;
b)    Të minimizohen çrregullimet dhe shqetësimet nëpërmjet planifikimit të kujdesshëm të realizimit të kërkimit shkencor dhe të aktiviteteve të tjera të miratuara;
c)    Të kufizohen kontaktet e publikut me zonën dhe të përjashtohet përdorimi i saj për pushim e çlodhje;
ç) Të lejohet prania e vizitorëve pa mjete të motorizuara në atë nivel që t’i shërbejë sa më mirë mirëqenies fizike dhe shpirtërore të tyre dhe të ruhet cilësia e natyrës së egër të zonës për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Neni 16
Parku kombëtar (Kategoria II)

1. “Park Kombëtar” shpallen territoret e gjera, zakonisht jo më të vogla se 1 000 ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, që ruhen dhe menaxhohen për mbrojtjen e ekosistemeve, llojeve, për edukim dhe rekreacion (çlodhje e argëtim), që rregullojnë përdorimin e qëndrueshëm nga ana e njeriut të burimeve natyrore.

2. Në “Parkun Kombëtar” zbatohet shkalla e mbrojtjes mjedisore të zonës që ka si objektiv të mbajë territorin në gjendje natyrore, ku të ruhen komunitetet biotike, të resurseve gjenetike dhe llojeve për të siguruar stabilitetin ekologjik dhe diversitetin dhe ku:

a)    përjashtohet njeriu nga shfrytëzimi ose zënia me aktivitete intensive;
b)    nuk lejohet shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;
c)    janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë;
ç)    nuk lejohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura;
d)    çdo aktivitet që bie ndesh me objektivat e mbrojtjes së zonës dhe që përcaktohen në planin e menaxhimit.

3. Në këtë zonë mund të ushtrohen veprimtari që sigurojnë krijimin e mundësive shpirtërore, shkencore, edukative, çlodhëse të vizitorëve, në përputhje me kërkesat mjedisore, kulturore dhe të planit të menaxhimit, por vetëm pasi të pajisen me miratimin e institucioneve shtetërore, që synojnë:

a)    ruajtjen e zonës në një gjendje natyrore ose sa më afër natyrës;
b)    respektimin e vlerave ekologjike, gjeomorfologjike, objekteve të shenjta ose estetike, për të cilat zona merret në mbrojtje;
c)    marrjen në konsideratë që banorët lokalë kanë të drejta, të tilla si, peshkimin, kullotjen dhe drutë e zjarrit, deri në atë masë sa ato të mos dëmtojnë objektivat e tjerë të menaxhimit.

4. Me propozim me shkrim dhe të arsyetuar të administratës së ruajtjes së zonës, AKZM-ja mund të miratojë:

a)    kullotjen dhe kalimin e kafshëve shtëpiake dhe ngritjen e objekteve të lehta ose të përkohshme për mbajtjen e tyre;
b)    vendosjen e stendave, tabelave të të dhënave, reklamave, shenjave dhe posterave;
c)    vozitjen me barka, kanoe dhe mjete të tjera lundrimi jomotorike, gjithmonë në rastin kur për aktivitete të tilla nuk nevojiten investime paraprake të cilat kërkojnë që të ndryshojë sasia e ujit apo flukset e rrjedhave ujore në vendin e propozuar;
ç) fluturime joushtarake me helikopterë, balona, deltaplane etj;
d) lëvizje dhe parkim automjetesh jashtë rrugëve dhe vendeve të caktuara;
dh) ngjitje alpine, ski, kampingje dhe ndezje zjarri jashtë pikave të caktuara;
e) mbledhje bimësh, frutash, farash e kërpudhash;
ë)    ushtrim veprimtarish të strukturave turistike sezonale që nuk kërkojnë zënie përfundimtare të tokës.

5. Kur administrata e ruajtjes së parkut vëren se cenohet qëllimi për të cilin zona është shpallur “Park Kombëtar”, mund të kufizojë ose të ndalojë përkohësisht lëvizjen e mjeteve të transportit, peshkimin dhe veprimtari të tjera të lejuara.

6.    Me propozimin e AKZM-së, ministri miraton udhëzimin për procedurat e ndalimit të përkohshëm të veprimtarive të miratuara kur po cenohet qëllimi për të cilin është shpallur zona e mbrojtur mjedisore.

7. Në planin e menaxhimit për parkun, sipas nënzonave të administrimit, caktohen qartasi dhe në mënyrë të detajuar veprimtaritë e lejuara, të ndaluara dhe ato për të cilat kërkohet leje e lëshuar nga organet kompetente, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 17
Monument natyror (Kategoria III)

1.    “Monument natyror” shpallet formacioni natyror (përfshirë edhe elemente të veçanta biologjike) formacioni i veçantë gjeologjik dhe gjeomorfologjik, një depozitë mineralesh ose një habitat i një lloji të rrallë e të kërcënuar ose me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike.

2.    Në një “Monument natyror” zbatohet shkalla e mbrojtjes, e njëjtë me “Rezervën strikte”. Zona mbrohet e menaxhohet për ruajtjen e karakteristikave dhe dukurive të veçanta natyrore, kulturore, historike e arkeologjike, për të cilat është shpallur monument.

3. Monumentet natyrore rrethohen nga zona buferike me gjerësi deri në 200 metra nga perimetri i monumentit.

4.    Në përputhje me shkallën e mbrojtjes së monumentit dhe me potencialet turistike e rekreacionin e zonës, ministri miraton me urdhër rregulla të veçanta për vizitat ose kalimin e vizitorëve a të turistëve, për afate të shkurtra kohore.

5. Rivlerësimi i listës së monumenteve të natyrës realizohet nga AKM-ja çd 5 (pesë) vjet dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 18
Shpellat, kanionet e ujëvarat si monumente natyrore

1. Shpellë është një zgavër/hapësirë nëntokësore, më e gjatë se 5 m, e krijuar në kushte natyrore nën veprimin e faktorëve me origjinë joorganike, e cila shpallet “Monument natyror”. Kur zgavra/hapësira nëntokësore është vertikale quhet shpellë vertikale.

2. Kanioni është fenomeni gjeomorfologjik në formën e një gryke të thellë, me shpate të mprehta, të krijuara nga proceset fiziko-natyrore, në bazën e së cilës, përgjithësisht, rrjedhin ujërat sipërfaqësore sipas rëndësisë së evidentuar në propozimin e ministrit për t’u shpallur. Për kanionet merret si njësi për matjen gjatësia e kanionit.

3. Procedura e shpalljes realizohet pas kryerjes së studimit paraprak shkencor për plotësimin e kushteve nga kanionet dhe ujëvarat që ato të shpallen “Monument natyre”.

4. Hyrja në shpella, eksplorimi dhe studimi i tyre nga subjekte të specializuara, vendase ose të huaja, bëhen me miratimin paraprak me shkrim të AKZM-së, pasi ajo është konsultuar me institucionet shtetërore, me institucionet shkencore me organizatat jofitimprurëse të specializuara dhe me bashkinë përkatëse.

5. Rregullat e hyrjes, eksplorimit dhe studimit të shpellave miratohen me udhëzim të ministrit.

6. Zbulimi i shpellave të reja i njoftohet ministrisë dhe AKZM-së me raporte të hollësishme nga subjekti që e ka zbuluar. AKZM-ja bën njoftimet për zbulimin dhe publikon të dhënat e studimeve që gjykon se mund t’u interesojnë grupeve të interesit. Eksploruesve u njihet dhe u sigurohet e drejta e autorësisë së zbulimit referuar legjislacionit në fuqi për të drejtën e autorit.

7.    Rregullat, kriteret dhe procedurat për përdorimin e shpellave për qëllime turistike miratohen me vendim të  Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore dhe ministrit përgjegjës për turizmin.

8. Për shpellat, kanionet e ujëvarat zbatohet shkalla më e lartë e mbrojtjes, duke mos cenuar mundësinë e vizitimit të tyre për qëllime turistike e shkencore.

Neni 19
“Rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (kategoria IV)”

1.    “Rezervat natyror i menaxhuar ose park natyror” shpallen territoret, që përfaqësojnë zona me ndërhyrje aktive të njeriut për qëllime menaxhimi të llojeve dhe habitateve, në mënyrë që të garantohet ruajtja e habitateve dhe të plotësohen kërkesat specifike të llojeve me rëndësi rajonale e vendore, si dhe zonat që përdoren për qëllime studimore, edukative dhe kulturore.

2.    Objektivi i shpalljes së rezervatit natyror të menaxhuar është:

a)    sigurimi dhe ruajtja e kushteve të habitatit, të domosdoshme për mbrojtjen e llojeve të rëndësishme, grup-llojeve, komuniteteve biotike ose karakteristikave fizike të mjedisit, që kërkojnë ndërhyrje të veçantë për një menaxhim optimal;
b)    lehtësimi i kërkimit shkencor dhe monitorimi mjedisor si aktivitete parësore të lidhura me menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore;
c)     dhënia e  mundësisë popullsisë lokale të përfshirë brenda zonës të sigurojë përfitime ekonomike si një nga objektivat e menaxhimit;
ç)     ngritja e zonave të kufizuara për edukimin mjedisor të publikut, vlerësimin e karakteristikave të habitateve dhe të punës për menaxhimin e llojeve në natyrë.

3.    Në “Parkun natyror” nuk lejohet të zhvillohen aktivitetet e mëposhtme:

a) Ndryshimet e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore;
b) Shfrytëzimi dhe zënia e zonës me aktivitete që bien ndesh me qëllimet për të cilat ajo është marrë në mbrojtje.

4.    Duke marrë miratimin paraprak me shkrim të administratës së zonës së mbrojtur, në këto zona mund të ushtrohen veprimtaritë e mëposhtme:

a) Lëvizja dhe parkimi i automjeteve jashtë rrugëve publike dhe vendeve të caktuara për parkim;
b)    Mbledhja e bimëve, gjetjeve poleontologjike dhe e gurëve që nuk dëmtojnë habitatin natyror;
c) Ngritja dhe funksionimi i objekteve për qëllime ushtarake dhe mbrojtjeje;
ç)    Vendosja e stendave, tabelave të të dhënave, reklamave, shenjave dhe posterave, me përjashtim të atyre që japin të dhëna për objektivat e mbrojtjes së rezervatit;
d) Skitë, kampingjet dhe ndezja e zjarreve jashtë pikave të caktuara.

5. Rregullat për kalimet e vizitorëve e të turistëve për afate të shkurtra kohore, me qëllim respektimin e masave mbrojtëse të përcaktuara në planin e menaxhimit miratohen me udhëzim të ministrit, me propozimin e AKZM-së.

6.    Në planin e menaxhimit për RNM/PN-të, sipas nënzonave të administrimit, caktohen qartasi dhe në mënyrë të detajuar veprimtaritë e lejuara, të ndaluara dhe ato për të cilat kërkohet leje e lëshuar nga organet kompetente, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 20
“Peizazh i mbrojtur (kategoria V)”

1.    “Peizazh i mbrojtur” shpallen territore të mëdha, me peizazh harmonik e të formuar mirë, me reliev të zhvilluar karakteristik, me larmi ekosistemesh, detare ose tokësore, sipërfaqet brenda të cilave mund të ketë edhe qendra banimi që zhvillojnë aktivitete, si bujqësia, pemëtaria, pylltaria e peshkimi.

2.    “Peizazhi i mbrojtur” menaxhohet për mbrojtjen e vlerave peizazhistike të zonës, diversiteti biologjik, si dhe për çlodhje e argëtim. Kjo kategori përfshin tokë/det/ujë në pronësi publike ose private.

3.    Në një “peizazh të mbrojtur” zbatohet shkalla e mbrojtjes që ka si objekt kryesor:

a)    fuqizimin e ndërveprimit harmonik të natyrës me kulturën për mbrojtjen e cilësisë të peizazhit, përdorimit tradicional të tokës, praktikave ndërtimore dhe manifestimeve sociale e kulturore, karakteristike të zonës;
b)    mbështetjen e atyre mënyrave të jetesës dhe aktiviteteve ekonomike që janë në harmoni me natyrën dhe ruajtjen e konstitucionit shpirtëror dhe kulturor të popullsisë lokale;
c)    eliminimin, ku është e domosdoshme, dhe parandalimin e përdorimit të tokës dhe kryerjen  e aktiviteteve që janë të papërshtatshme në përmasa dhe/ose përmbajtje;
ç)    krijimin e mundësive për kënaqësi të publikut përmes çlodhjes dhe turizmit, në përputhje me karakterin dhe përmasat e karakteristikave thelbësore të zonës;
d)    nxitjen e aktiviteteve shkencore dhe edukative, të cilat ndihmojnë në zhvillimin dhe mirëqenien për një kohë të gjatë të popullsisë lokale dhe në sigurimin e mbështetjes së gjerë publike për mbrojtjen e mjedisit të zonave të mbrojtura të tilla;
dh)    sjelljen e përfitimeve ekonomike dhe dhënien e kontributit në rritjen e mirëqenies së popullsisë lokale përmes shfrytëzimit të produkteve natyrore, si pyje dhe prodhimi i peshkut, dhe shërbimeve, si uji i pastër ose të ardhura që vijnë nga format e përshtatshme të turizmit.

4.    Veprimtaritë, që ndryshojnë përdorimin e territorit si ndërtimet, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane, si dhe veprimtari të ngjashme me këto, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon të kryejë veprimtarinë është pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

5.    Për ushtrimin e veprimtarive të poshtëshënuara është i mjaftueshëm miratimi me shkrim i administratës së zonës së mbrojtur mjedisore:

a) Përdorimi i kimikateve e i pesticideve për tokat bujqësore;
b) Ndezja e zjarreve jashtë vendeve e pikave të caktuara;
c) Lëvizja me mjete transporti jashtë rrugëve dhe vendeve të caktuara. Ky rregull nuk zbatohet për automjetet dhe makineritë shtetërore, bujqësore e pyjore, të zjarrfikësve, autoambulancave, makinerive të shërbimeve veterinare dhe atyre të menaxhimit të ujërave;
ç) Organizimi i garave me automjete, motoçikleta e biçikleta;
d) Praktika të përdorimit unik apo tradicional të tokës dhe organizime sociale që shprehen në vendbanime njerëzore, zakonet lokale dhe besimet fetare, pas pajisjes me leje mjedisi.

6. Në planin e menaxhimit për PM-të, sipas nënzonave të administrimit, caktohen qartasi dhe në mënyrë të detajuar veprimtaritë e lejuara, të ndaluara dhe ato për të cilat kërkohet leje e lëshuar nga organet kompetente, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 21
“Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara (kategoria VI)”

1. “Zona të mbrojtura mjedisore të burimeve të menaxhuara” shpallen territore të gjera, relativisht të izoluara dhe të pabanuara ose pak të populluara.

2. Këto zona përmbajnë kryesisht sisteme natyrore, që përcaktohen si të tilla që mbarështimi të sigurojë mbrojtje afatgjatë dhe ruajtje të diversitetit biologjik, në të njëjtën kohë.

3. Në një zonë të mbrojtur mjedisore të burimeve të menaxhuara zbatohet shkalla e mbrojtjes me qëllim:

a)    mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik dhe të vlerave të tjera të zonës për një kohë të gjatë;
b)    dhënien e kontributit në zhvillimin rajonal dhe kombëtar;
c)    nxitjen e praktikës mbarështruese për qëllime të zhvillimit të qëndrueshëm;
ç)    mbrojtjen e burimeve gjenetike ose sistemeve drufrutore me karakteristika natyrore;
d)    mbrojtjen e burimeve natyrore bazë nga përdorimet për qëllime të tjera të tokës që mund të jenë dëmtuese për diversitetin biologjik të zonës.

Neni 22
Zona të mbrojtura detare

1. “Zonë e mbrojtur detare” shpallet çdo sipërfaqe detare, bregdetare e nënujore, shtrati i detit dhe ishujt, së bashku me florën, faunën, habitatet e peizazhin dhe karakteristikat historike, kulturore e arkeologjike, e destinuar për:

a)    mbrojtjen e biodiversitetit, të ekosistemeve, habitateve dhe llojeve të rrezikuara dhe veçanërisht të kërcënuara në mënyrë kritike, të llojeve autoktone dhe atyre migratore të faunës detare apo të shumëllojshmërisë gjenetike;
b) mbrojtjen e cilësisë së ujit, parandalimin dhe shkatërrimin e ndotësve;
c) mbrojtjen e  peizazhit dhe të pasurive nënujore, bregdetare e funddetit;
ç) ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike të gjallesave;
d)    mbrojtjen e natyrës dhe mbijetesën e llojeve gjatë zhvillimit të turizmit detar, bregdetar e nënujor, duke ruajtur habitatet e llojet;
dh) restaurimin dhe rivendosjen e llojeve të kërcënuara e të ekosistemeve të degraduara, veçanërisht për peshkimin, dhe të gjallesave të tjera si rrjedhojë e veprimtarive me ndikim negativ dhe ndaj ndryshimeve klimatike;
e)    përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, detare e bregdetare, ruajtjen afatgjatë dhe praktikat e peshkimit të qëndrueshëm tradicional;
ë)    zhvillimin e veprimtarive me qëllim ruajtjen dhe menaxhimin e integruar të zonës;
f) kërkimin dhe monitorimin për qëllime shkencore.

2. “Zona e mbrojtur detare” trajtohet sipas kategorive të paraqitura në nenin 14, të këtij ligji. Në zonat e mbrojtura detare zbatohen shkallët e mbrojtjes, të specifikuara në nenet përkatëse të kategorive të zonave të mbrojtura dhe që përkojnë me objektivat e mbrojtjes.

3. Në këto zona janë të ndaluara të gjitha veprimtaritë të cilat:

a) shfrytëzojnë, tjetërsojnë apo modifikojnë habitatet dhe llojet e gjallesave bregdetare e detare;
b)    nxjerrin ose mbledhin  elemente natyrore detare si të koraleve, bivalvoreve dhe të pasurive të tjera biologjike e jobiologjike natyrore nënujore;
c) dëmtojnë shpellat dhe habitatet nënujore;
ç) marrin çfarëdolloj kampioni detar, gjetje minerare dhe paleonotologjike, pastrojnë  territore apo marrin shkëmbinj dhe rërë nga funddeti për qëllime të ndryshme nga ato shkencore, kërkimore apo të inventarizimit/evidentimit;
d)    ndërtojnë mbi e nën sipërfaqen e ujit impiante të akuakulturës dhe shfrytëzimit të peshkimit;
dh) hedhin  inerte dhe mbetje urbane, derdhin ujëra të zeza të patrajtuara dhe kimikate e hidrokarbure;
e)    marrin apo zhvendosin objekte me vlera natyrore, historike e arkeologjike, me qëllim këmbimin apo tregtimin e këtyre objekteve;
ë)    tjetërsojnë territorin e habitateve apo të peizazhit me ndërtime të përhershme si dhe aktivitete minerare apo të shfrytëzimit të gazit e të naftës;
f) dëmtojnë pasuritë e trashëgimisë kulturore.

4.    Në planin e menaxhimit për zonat e mbrojtura detare dhe bregdetare, sipas nënzonave të administrimit, caktohen qartasi dhe në mënyrë të detajuar veprimtaritë e lejuara, të ndaluara dhe ato për të cilat kërkohet leje e lëshuar nga organet kompetente, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 23
Kurora e gjelbër

1. “Kurorë e gjelbër” shpallet me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit,  në kuptim të zonës së mbrojtur pyjore, një sipërfaqe brenda territorit administrativ të bashkisë me qëllim mbrojtjen e kurorave të gjelbra të çdo bashkie në Republikën e Shqipërisë dhe është detyrim për çdo bashki.

2. “Kurora e gjelbër” siguron përdorim të qëndrueshëm të territorit dhe zhvillim të veprimtarive, që i përshtaten karakterit të zonës dhe që lidhen ekskluzivisht me nevojat e komunitetit.

3. Miratimi i kritereve dhe procedurave të shpalljes së “Kurorës së gjelbër” dhe përcaktimi i rregullave dhe i përgjegjësive në lidhje me administrimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kurorës bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit që mbulon mjedisin.

4. Planet e menaxhimit të “Kurorës së gjelbër” miratohen me urdhër të ministrit dhe i dërgohen për zbatim bashkive.

Neni 24
Parqet natyrore bashkiake

1. “Park natyror bashkiak” shpallet me vendim të Këshillit Bashkiak, në kuptim të zonës së mbrojtur mjedisore, e njësuar me kategoritë IV të ligjit, brenda territorit administrativ të një ose më shumë bashkive, pas dhënies së miratimit paraprak që bëhet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura.

2. Parqet natyrore bashkiake sigurojnë përdorim të qëndrueshëm të territorit dhe zhvillimin e veprimtarive, që i përshtaten karakterit të zonës dhe që lidhen ekskluzivisht me nevojat e komunitetit.

3.    Miratimi i kritereve, procedurave të shpalljes dhe administrimit të parqeve natyrore bashkiake bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.

4. Planet e menaxhimit të parqeve bashkiake miratohen me urdhër të ministrit dhe i dërgohen për zbatim bashkive menjëherë sapo miratohet zona e parkut.

5.    Parqet natyrore bashkiake përfshihen në Rrjetin Kombëtar të Zonave të Mbrojtura, pas miratimit të planit të menaxhimit nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.

Neni 25
Zonë e mbrojtur ndërkufitare

1. “Zona e mbrojtur ndërkufitare” është pjesa e tokës dhe/apo ajo ujore, e shtrirë në më shumë se një shtet, që integrohet në menaxhimin e përbashkët sipas dispozitave ligjore në fuqi të secilit vend dhe në bazë të konventave e të udhëzimeve ndërkombëtare, të pranuara nga të dyja palët, për krijimin e rrjetit të zonave të mbrojtura dhe për të gjitha veprimtaritë ekonomike, shoqërore, kulturore, historike e argëtuese njerëzore, që ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve e të jetesës së komuniteteve ndërkufitare.

2. Objektivat kryesorë të mbrojtjes ndërkufitare janë:
a) Mbrojtja dhe mirëmbajtja e natyrës, peizazhit dhe të biodiversitetit;
b) Bashkëpunimi ndërkombëtar;
c) Promovimi i vlerave natyrore, kulturore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm;
ç)    Përdorimi i qëndrueshëm dhe i balancuar i tokës dhe i burimeve natyrore e biologjike;
d) Zbutja e varfërisë dhe rritja e mirëqenies së popullatave ndërkufitare;
dh) Integrimi ndërkufitar ekonomik, social dhe kulturor;
e)    Ruajtja e sigurisë, e paqes dhe e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet popullatave ndërkufitare.

3.    Për mirëmenaxhimin e këtyre zonave krijohen komitete të përbashkëta. Përbërja dhe funksionimi i tyre përcaktohen në marrëveshjet e përbashkëta që hartohen për këtë qëllim.

Seksioni V
Zona të Mbrojtura me interes ndërkombëtar
Neni 26
Zonë veçanërisht e mbrojtur si habitat i llojeve të shpendëve ujorë

(Zonat “Ramsar”) dhe “Zonat e rëndësishme për zogjtë” (IBA)
1. Ligatinat, kënetat, moçalishtet, sipërfaqet ujore natyrore me ujë të ëmbël, të njelmët ose të kripur, të përhershme apo të përkohshme, që përfaqësojnë bioqendra e biokorridore me rëndësi rajonale e kombëtare për vlerat e tyre biologjike, ekonomike, sociale dhe si pasuri të trashëgimisë natyrore shpallen “Zonë veçanërisht e mbrojtur si habitat i llojeve të shpendëve ujorë” dhe përfshihen në listën e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare.
2. Një zonë veçanërisht e mbrojtur mjedisore për ruajtjen e habitateve të llojeve gëzon të paktën një nga veçoritë e mëposhtme:

a) Të jetë përfaqësues i rrallë ose shembull unik i një lloji natyror, i gjetur brenda rajonit përkatës biogjeografik;
b) Të konsiderohet i rëndësishëm në qoftë se mbështet plotësisht mbrojtjen e llojeve të rrezikuara ose të rrezikuara në mënyrë kritike apo të kërcënuara të komuniteteve ekologjike;
c) Të jetë  i rëndësishëm në qoftë se mbështet popullata të bimëve dhe/ose të  kafshëve për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike të një rajoni të veçantë biogjeografik;
ç)    Të ofrojë kushte ripërtëritjeje natyrore, qetësi, strehimi, folenizimi dhe shumimi për llojet bimore dhe/ose llojet e kafshëve gjatë fazave në ciklet e tyre të jetës;
d)    Të ofrojë rregullisht praninë e individëve në një popullatë të një lloji ose nënllojeve të shpendëve ujorë dimërues e folenizues;
dh)    Kur është një burim i rëndësishëm për ushqim për peshqit, të ofrojë vendosjen e vezëve dhe/ose rrugët e migrimit të tyre.

3. Kërkesat për mbrojtjen e habitateve, të llojeve të kërcënuara dhe endemike, të rrugëve të shtegtimit dhe kushteve të shumimit kryhen në përputhje me dispozitat e ligjislacionit në fuqi për mbrojtjen e biodiversitetit dhe të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e faunës së egër.

4.    Ligatinat dhe tokat e lagëta si ekosisteme të trashëgimisë natyrore janë të patjetërsueshme dhe në to ushtrohen vetëm veprimtaritë tradicionale të bujqësisë, peshkimit, pyjeve dhe turizmi mjedisor, me miratim edhe të AKZM-së.

4.    Në “zonën veçanërisht të mbrojtur mjedisore si habitat i shpendëve ujorë”:

a)    çdolloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor ose veprimtari të tjera të çfarëdolloji në një largësi 1 500 m nga vija e ujit, duke përjashtuar ndërtimet me konstruksion të lehtë druri apo materiali tjetër miqësor ndaj mjedisit, duhet miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit;
b)    janë të ndaluara veprimtaritë që sjellin dëmtime apo shqetësime për llojet e kafshëve e të shpendëve të egra dhe të peshqve me banim të përhershëm, të përkohshëm dhe në rrugëkalimet e shpendëve shtegtarë e të emigrimit të peshqëve.

5. Për zonat “Ramsar” hartohen plane menaxhimi sipas kërkesave të këtij ligji.

Neni 27
Rezervat e biosferës

1.    “Rezerva të biosferës” shpallen zonat relativisht të mëdha me ekosisteme tokësore, ujore, bregdetare dhe detare, në të cilat, nëpërmjet menaxhimit të duhur të tokës, ruajtjes së ekosistemit dhe të biodiversitetit, ndërthuret shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore për përfitim të komuniteteve lokale. Këto zona bazohen në rregullat dhe principet e programit “Njeriu dhe biosfera” të konventës së  UNESCO-s.

2. Tri qëllimet kryesore të “Rezervave të biosferës” janë:

a)    ruajtja e shumëllojshmërisë natyrore dhe kulturore;
b)    sigurimi i modeleve të zhvillimit të qëndrueshëm, i cili mbështet bashkekzistencën e popullsisë lokale me mjedisin prej të cilit varet jeta e tyre;
c)    kërkimi, monitorimi, edukimi dhe trajnimi.

3. “Rezervat e biosferës” bazohen në tre komponentë të ndarjes territoriale:

a) Zonat kufizuese të mbrojtura strikte;
b) Zonat buferike që rrethojnë ose vijojnë pas zonës kufizuese ku lejohen vetëm aktivitetet konservuese të përshtatshme;
c) Një zonë e ndërmjetme fleksibël ku kryhen praktika të mbarështimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

4. Në rastet kur në sipërfaqen e “Rezervës së biosferës” përfshihen edhe territore të zonave të mbrojtura, merret në konsideratë zonimi i territorit të miratuar për to.

Neni 28
Zonat e veçanta të ruajtjes së rrjetit ekologjik të zonave me interes për komunitetin evropian

1.    “Zona të veçanta ruajtjeje” shpallen zonat ku strehohen tipat e habitateve natyrore me interes për komunitetin evropian dhe të habitateve të llojeve me interes për këtë komunitet. Këto zona janë pjesë e rrjetit ekologjik kombëtar dhe mund të përfshijnë edhe zona të mbrojtura brenda rrjetit të zonave të mbrojtura, si dhe ekosisteme, habitate e peizazhe jashtë këtij.

2. Zona, rajoni biogjeografik apo llojet, që ndikojnë dukshëm në mirëmbajtjen apo rivendosjen e tipit të habitatit natyror, me interes për komunitetin evropian ose me një status ruajtjeje të favorshëm, brenda rajonit apo rajoneve biogjeografike në fjalë, shpallen “zona të veçanta ruajtjeje” me qëllim vendosjen e masave të nevojshme mbrojtëse për mbajtjen ose rivendosjen në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore ose të popullatave të llojeve, për të cilat është përcaktuar zona. Këto zona mund të jenë pjesë e rrjetit ekologjik brenda zonave të mbrojtura ose të lidhura me biokorridore me zonat e mbrojtura.

3. Në rrjetin e zonave me interes për komunitetin evropian përfshihen zona të veçanta të ruajtjes për:

a) habitatet dhe/ose llojet;
b) shpendët.

Neni 29
Kriteret e vlerësimit dhe të shpalljes së zonave me interes për komunitetin evropian

1.    Vlerësimi i rëndësisë së zonave për çdo habitat natyror, përfshirë tipat e habitateve natyrore kryesore dhe llojet kryesore, bëhet sipas këtyre kritereve:

A.    Kritereve të vlerësimit të zonës për një tip të caktuar habitati natyror, me interes për komunitetin evropian, si:

a)    shkalla e përfaqësueshmërisë së tipit të habitatit natyror në zonën përkatëse;
b)    sipërfaqja e zonës së mbuluar nga tipi i habitatit natyror në raport me sipërfaqen e përgjithshme, të mbuluar nga ai tip habitati natyror, brenda territorit kombëtar;
c)    shkalla e ruajtjes së strukturës dhe funksioneve të tipit të habitatit natyror në fjalë dhe mundësitë e ripërtëritjes;
ç)    vlerësimi në nivel ndërkombëtar i vlerës së zonës për ruajtjen e tipit përkatës të habitatit natyror.

B.    Kritereve të vlerësimit të zonës për një lloj, me interes për komunitetin evropian, si:

a) madhësia dhe dendësia e popullatës së llojit të pranishëm në zonë në raport me popullatat e pranishme brenda territorit kombëtar;
b)    shkalla e ruajtjes së tipareve të habitatit, të cilat janë të rëndësishme për llojin në fjalë dhe mundësitë e ripërtëritjes;
c) shkalla e izolimit të popullatës së pranishme në zonë në raport me shtrirjen natyrore të llojit;
ç) vlerësimi global i vlerës së vendit për ruajtjen e llojit përkatës.

2. Në bazë të kritereve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, dhe të të dhënave përkatëse shkencore, ministri përgjegjës për mjedisin miraton me urdhër listën e zonave shqiptare, duke përcaktuar tipat e habitateve natyrore, me interes për komunitetin evropian dhe llojet, me interes për këtë komunitet, autoktone për territorin shqiptar e që ndodhen në zonë. Në listë identifikohen ato zona, ku gjenden një ose disa tipa habitatesh natyrore përparësore ose lloje përparësore.

3. Për llojet e kafshëve, që gjenden në sipërfaqe të gjera, zonat përputhen me vendet brenda shpërndarjes natyrore të këtyre llojeve dhe përfaqësojnë faktorët fizikë dhe biologjikë, thelbësorë për jetën dhe riprodhimin e tyre.

4. Për llojet ujore, që gjenden në sipërfaqe të gjera, zonat propozohen vetëm në rastet kur janë qartësisht të identifikueshme dhe përfaqësojnë faktorët fizikë dhe biologjikë, të domosdoshëm për jetën dhe riprodhimin e tyre.

5. Lista dhe të dhënat përkatëse për çdo zonë i dërgohen Komisionit Evropian. Në këto të dhëna përfshihen harta e zonës, emri, vendndodhja, shtrirja dhe të dhëna të tjera, si rezultat i zbatimit të kritereve të përmendura në pikën 2, të këtij neni.

6. Rregullat për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propzim të ministrit.

Neni 30
Objektivat dhe elementet e rrjetit ekologjik të zonave me rëndësi për komunitetin evropian

1.    Rrjeti ekologjik i zonave me rëndësi për komunitetin evropian (SCIs) përbëhet nga rrjeti i zonave të mbrojtjes dhe ka objektiv mbajtjen ose rivendosjen e një statusi të favorshëm ruajtjeje për ekosistemet, habitatet dhe peizazhet. Ky rrjet  konsiston në Zonat e Rëndësisë së Veçantë sipas direktivës së habitateve dhe Zonat e Mbrojtjes sipas direktivës së shpendëve.

2. Rrjeti ekologjik formohet nga:
a)    zona qendrore, me rëndësi evropiane për ruajtjen e diversitetit biologjik, ku përfshihen ekosisteme natyrore e gjysmënatyrore, habitate dhe peizazhe;
b)    korridoret për të përmirësuar lidhjen e zonave qendrore, duke mbështetur lëvizjen e llojeve;
c)    zonat buferike për të mbështetur dhe mbrojtur rrjetin ekologjik nga ndikimet e jashtme dhe ku brenda tyre të promovohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe ekologjik.

Neni 31
Zhvillimi, planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi i rrjetit

1. Ministria bashkërendon punën për ngritjen dhe funksionimin e rrjetit ekologjik të zonave me rëndësi për komunitetin evropian.

2.    Planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi i rrjetit ekologjik të zonave me rëndësi për komunitetin evropian specifikohen në planin e administrimit të rrjetit, i cili ripunohet periodikisht dhe vihet në dispozion të organeve shtetërore dhe shoqërisë civile.

3. Në planin e administrimit të rrjetit përcaktohen:
a) objektivat e rrjetit;
b) kontributi i secilit element të rrjetit për të arritur këta objektiva;
c) mangësitë e rrjetit;
ç) planveprimi për të arritur objektivat.

Neni 32
Menaxhimi i zonave të veçanta të ruajtjes

1. Ministria përgatit database-ën e shoqëruar me hartat GIS për zonat e veçanta që duhet të shpallen të mbrojtura.

2.    Për “zonat e veçanta të ruajtjes”, ministria merr masa mbrojtëse, ku përfshihen planet menaxhuese të hartuara për zonat ose të integruara në plane të tjera zhvillimi, si dhe masa juridike, administrative, teknike, në përputhje me kërkesat ekologjike të tipave të habitateve natyrore dhe të llojeve, me interes për komunitetin evropian. 

Seksioni VI
VEPRIMTARITË EKONOMIKE NË ZONAT E MBROJTURA
Neni 33
Veprimtaritë që lejohen pasi të jenë pajisur me miratim paraprak

1.Veprimtaritë që lejohen të ushtrohen në zonat e mbrojtura mjedisore pasi të jenë pajisur me miratimin paraprak të organit brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore të të cilit është veprimtaria e mëposhtme:

a) Çdo veprimtari tjetër në përputhje me Planin e Menaxhimit;
b)    Monitorime të gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike;
c) Ndërhyrjet e nevojshme për rigjenerimin dhe shëndetësimin;
ç)    Struktura në përputhje me përcaktimet e Planit të Menaxhimit në shërbim të aktiviteteve turistike;
d) Çdo veprimtari tjetër në përputhje me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.

2.    Në zonat e mbrojtura detare, liqenore dhe lumore lejohen të ushtrohen veprimtaritë e mëposhtme pasi të jenë pajisur me miratimin paraprak:

a)    Monitorimet e gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike;
b)    Zhytjet dhe turizmi nënujor i qëndrueshëm me metoda miqësore ndaj mjedisit;
c)    Ndërtimet turistike të përkohshme, sezonale me konstruksione të lehta, miqësore ndaj mjedisit;
ç) Çdo veprimtari tjetër në përputhje me Planin e Menaxhimit;
d) Çdo veprimtari tjetër në përputhje me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.

3. Përjashtim nga kërkesa për miratim paraprak bëjnë veprimtaritë ushtarake, të cilat mund të ushtrohen pasi të jenë pajisur me leje mjedisore.

Neni 34
Peshkimi në zonat e mbrojtura detare e bregdetare

1. Në zonat e mbrojtura detare e bregdetare është i ndaluar peshkimi për qëllime tregtimi, referuar dispozitave të ligjislacionit në fuqi për peshkimin dhe akuakulturën. Peshkimi tregtar lejohet vetëm në zonat e mbrojtura detare e bregdetare, pjesë e kategorive IV, V dhe VI, pas miratimit me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKZM-së të kushteve që duhet të zbatojë peshkimi në këtë zonë.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, peshkimi në zonat e mbrojtura detare dhe bregdetare dhe peshkimi në ujërat e brendshme, i cili rregullohet me dispozitat e ligjislacionit në fuqi për peshkimin dhe akuakulturën, përpara se të miratohet si aktivitet, merr miratimin me urdhër të ministrit. Në rastet kur aktiviteti është duke u kryer sepse është miratuar apo është kontraktuar më parë, rregullat do të përcaktohen në marrëveshjen midis subjektit që ushtron veprimtarinë e peshkimit dhe AdZM-së që mbulon zonën e mbrojtur detare a bregdetare, në bazë të objektivave të mbrojtjes së zonës, kërkesave të planit të menaxhimit të saj dhe lejes së dhënë për peshkimin. 

KREU III
NDRYSHIMI I ZONAVE TË MBROJTURA

Neni 35
Heqja dhe ndryshimi i statusit të zonës së mbrojtur

1. Një zone të mbrojtur i hiqet ose i ndryshohet statusi i mbrojtjes, sipas këtij ligji, kur kanë ndryshuar rrethanat dhe qëllimi për të cilat ajo e fitoi këtë status.

2. Heqja e statusit të një zone të mbrojtur kombëtare bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, pas marrjes së mendimit nga ministria/itë që mund të ketë/kenë propozuar heqjen ose ndryshimin e statusit nga bashkia, ekspertë të florës dhe faunës, institucionet kërkimore - shkencore, shoqëria civile dhe nga pronarët privatë kur në zonën e mbrojtur janë përfshirë edhe pronat e tyre, si dhe nga subjektet që kryejnë veprimtari në zonë, të pajisur me leje mjedisi.

3.    Në propozimin për heqjen e statusit të një zone të mbrojtur mjedisore përfshihen:

a) argumentimi për heqjen e statusit;
b)    vlerësimi i ndikimit në mjedis, që pasqyron ndikimin në kategorizimin ekzistues të zonës së mbrojtur në biodiversitetin dhe në popullatat ose bashkësitë vendore;
c) përshkrimi i masave zbutëse;
ç)    rezultatet e proceseve të bashkërendimit dhe këshillimit me grupet e interesit të shoqërisë civile, veçanërisht me popullatat ose bashkësitë brenda dhe përreth zonës së mbrojtur, duke përfshirë një përmbledhje të komenteve të marra dhe reflektimin në propozim. 

Neni 36
Ndryshimi i sipërfaqes

1. Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore.

2. Propozimi për ndryshimin e sipërfaqes së zonës konsultohet paraprakisht me komunitetin vendas, me pronarët, pronat e të cilëve, sipas rastit, përfshihen ose hiqen nga sipërfaqja e zonës, me subjektet që ushtrojnë veprimtari brenda zonës, me institucionet shkencore, me organet e qeverisjes vendore ku shtrihet zona dhe argumenton nevojën e ndryshimit. 

KREU IV
STRUKTURAT E MENAXHIMIT TË ZONAVE TË MBROJTURA

Neni 37
Ministria 

1.    Ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore është institucioni qendror politikëbërës për mbrojtjen dhe administrimin e zonave të mbrojtura në Republikën e Shqipërisë.

2.    Ministria është institucioni përgjegjës për propozimin e shpalljes së krijimit, ndryshimit dhe heqjes së zonave të mbrojtura, miratimin e hartimin e planeve të menaxhimit të tyre, zonimin, rritjen e sipërfaqes, rishikimin e statusit të ZM-ve. 

3.    Detyrat kryesore të ministrisë janë:

a)    identifikimi i masave që lidhen me administrimin e zonave të mbrojtura ekzistuese, klasifikimin e tyre, të rrjetit ekologjik, të zonave “Ramsar”, identifikimin e zonave të reja dhe procedurat për shpalljen e tyre;
b)    koordinimi i punës për kryerjen e studimeve, konsultimeve dhe hartografimit për shpalljen e zonave të reja të mbrojtura;
c)    koordinimi i punës për identifikimin dhe vlerësimin e habitateve me interes ruajtjeje për llojet e faunës së egër;
ç) sigurimi dhe përgatitja e politikave kombëtare për menaxhimin e rrjetit të zonave të mbrojtura të Shqipërisë;
d)    propozimi për shtimin e zonave të mbrojtura dhe përfshirjen e tyre në rrjetin kombëtar;
dh)    dhënia e kontributit dhe koordinimi i punës për përgatitjen e planeve të menaxhimit për zonat e mbrojtura për zbatimin e tyre;
e)    miratimi dhe publikimi i planit të zonave që do të shpallen të mbrojtura në vitin pasardhës;
ë)    miratimi i objektivave për monitorimin e zonave të mbrojtura dhe koordinimi i punës për realizimin e tyre. 

Neni 38
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura

1. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) është institucioni qendror shtetëror përgjegjës për zonat e mbrojtura, në varësi të ministrit, dhe ka për detyrë administrimin e kontrollin e tyre në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. AKZM-ja ka statusin e Drejtorisë së Përgjithshme, në nivel qendror, ndërsa në nivel vendor organizohet në bazë qarku, sipas administratave rajonale të zonave të mbrojtura.

3. Funksionet, përbërja, përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrat e Agjencisë, si organ qendror i specializuar për zonat e mbrojtura dhe institucioneve të varësisë së saj parashikohen shprehimisht në këtë ligj si dhe miratohen me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

4.    Struktura dhe organigrama e AKZM-së dhe institucioneve të varësisë së saj miratohen me urdhër të Kryeministrit.

5. Në detyrat kryesore të AKZM-s përfshihen:

a)    udhëheqja, drejtimi, organizimi dhe kontrolli i vazhdueshëm i strukturave të zonave të mbrojtura që ka në varësi;
b)    aktualizimi dhe dinamizimi i përmbajtjes së mbrojtjes e të menaxhimit të zonave, nëpërmjet kultivimit të koncepteve, praktikave e skemave bashkëkohore që përdoren nga vendet e përparuara në punën me zonat e mbrojtura;
c)    menaxhimi dhe administrimi i rrjetit të zonave të mbrojtura, habitateve dhe llojeve natyrore e gjysmënatyrore me interes të ruajtjes, në përputhje me legjislacionin mjedisor shqiptar në fuqi, si dhe me konventat e marrëveshjet ndërkombëtare mjedisore;
ç)    krijimi dhe zbatimi i sistemit dokumentar të formatuar e të standardizuar me të cilin punojnë strukturat menaxhuese të zonave të mbrojtura në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
d)    krijimi i Skedarit, Portalit dhe Databazës Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, si pjesë e veçantë e Portalit, Skedarit Kombëtar të Mjedisit;
dh)    kryerja e analizave dhe përgjithësimeve periodike për problemet bazë të zonave të mbrojtura dhe informimi i vazhdueshëm i ministrit;
e)    krijimi dhe zbatimi i metodologjisë për hartimin e planeve të menaxhimit të zonave të mbrojtura;
ë)    gjallërimi i edukimit mjedisor dhe ndërgjegjësimi i komuniteteve lokale e të publikut në tërësi për zonat e mbrojtura;
f)    promovimi i formave, metodave, mënyrave racionale për grumbullimin regjistrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit për zonat e mbrojtura;
g)    Miratimi i veprimtarive në zonat e mbrojtura, si pjesë e procesit të pajisjes me leje mjedisi për veprimtaritë që kanë ndikim në mjedis në zonat e mbrojtura;
gj)    mbështetja dhe zhvillimi i aktiviteteve të qëndrueshme ekonomike brenda zonave të mbrojtura në bashkëpunim me Komisionin e Ndihmës Shtetërore;
h)    menaxhimi financiar i rrjetit të zonave të mbrojtura.

6.    Rregullorja e brendshme e organizimit dhe funksionimit të AKZM-së dhe institucioneve të varësisë së saj miratohen me urdhër të ministrit. 

Neni 39
Administratat rajonale të zonave të mbrojtura

Administratat rajonale të zonave të mbrojtura (AdZM) janë institucione, në varësi të AKZM-së me seli në çdo qark dhe përbëjnë rrjetin institucional vendor të specializuar, që zbatojnë detyrat për mbrojtjen dhe zhvillimin e zonave të mbrojtura mjedisore që ndodhen në qark. 

Neni 40
Bashkitë

1. Bashkitë zbatojnë kërkesat e këtij ligji dhe të ligjeve të tyre organike në lidhje me zonat e mbrojtura brenda territorit administrativ ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

2. Gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre bashkitë në lidhje me zonat e mbrojtura bashkëpunojnë me administratën rajonale të zonave të mbrojtura dhe me administratën e zonave përkatëse.

3.    Për të zbatuar me efektivitet kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit mjedisor në fuqi, bashkitë, sipas hapësirave që u krijon ligji organik dhe mundësive praktike, në përbërje të administratës së tyre krijojnë njësinë e mbrojtjes së mjedisit të saj.

4.    Njësia e mbrojtjes së mjedisit pranë bashkisë ka të drejtë t’u kërkojë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në territorin e saj që:

a)    të zbatojnë me përpikëri kërkesat e legjislacionit mjedisor në veprimtarinë që ushtrojnë;
b) të respektojnë normat dhe standardet e shkarkimeve në mjedis;
c) të ruajnë me përparësi zonat e mbrojtura bashkiake me të gjithë përbërësit e vet nga ndikimet e mundshme negative të veprimtarisë që ushtrojnë;
ç)    të hartojnë dhe të përditësojnë planet e programet për përballimin e aksidenteve e të emergjencave, si dhe të sqarojnë publikun se si të veprojë në raste aksidentesh që mund të ndodhin në veprimtarinë e tyre;
d)    t’i japin në vijimësi informacione dhe të dhëna publikut të zonës për veprimtarinë që ushtrojnë;
dh) të përgatitin dhe të dorëzojnë në njësi, brenda afateve dhe modeleve të caktuara, të dhëna e informacione që kërkohen prej saj.

Neni 41
Komitetet e menaxhimit

1. Për të ndjekur zbatimin e planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura ngrihen komitetet e menaxhimit, me përbërje nga bashkia/bashkitë brenda territorit administrativ të të cilit/cilave ndodhet zona e mbrojtur, AKZM-ja, nga institucionet vendore që kanë lidhje direkte me to, si të bujqësisë, të turizmit, të infrastrukturës, shoqërisë civile, përfaqësues nga pronarët e pyjeve e kullotave që gjenden në ZM  dhe drejtohen nga prefekti.

3.    Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton vendimin për përbërjen, funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e komiteteve të menaxhimit të zonave të mbrojtura mjedisore.

4. Komiteti ka funksion mbikëqyrës për zbatimin e planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura mjedisore dhe funksionon sipas rregullores që miratohet nga vetë ai dhe rolin e sekretariatit teknik për të e luan administrata e zonës së mbrojtur, e cila administron gjithë dokumentacionin që pasqyron punën e Komitetit.

KREU V
PLANET E MENAXHIMIT

Neni 42
Hartimi dhe miratimi i planit të menaxhimit të zonës së mbrojtur

1. Ministria, në bashkëpunim me ministritë e linjës, me bashkitë, me publikun e interesuar, shoqërinë civile dhe me pronarët privatë, pronat e të cilëve shtrihen brenda territorit të zonës së mbrojtur, miraton për secilën zonë të mbrojtur planin e menaxhimit të saj, të hartuar nga AKZM-ja.

2.    Objektivat dhe kërkesat e politikave, planeve dhe programeve sektoriale që lidhen me to merren parasysh gjatë hartimit të planeve të menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe integrohen në vendimmarrjet kombëtare, rajonale e vendore që prekin zonat e mbrojtura.

3. Në planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur mjedisore përfshihen të paktën:

a) objektivat e menaxhimit të zonës së mbrojtur;
b) mekanizmat dhe autoriteti drejtues;
c)    proceset dhe kategoritë e veprimtarive që janë kërcënuese për zonën e mbrojtur, përfshirë edhe zonat rrethuese;
ç)    masat rregullatore ose administrative që nevojiten për të shmangur ose pakësuar kërcënimet e identifikuara;
d) veprimtaritë e lejuara brenda zonës së mbrojtur;
dh)    veprimtaritë e duhura për zonat përreth, duke përfshirë ato në zonat buferike;
e) kushtet për zhvillimin e shërbimeve të tjera;
ë)    të dhënat për pronësinë e mëparshme të truallit dhe të drejtat për të përdorur elementet e diversitetit biologjik brenda tij, duke përfshirë veprimtaritë tradicionale për jetesën e popullatës të bashkësisë vendore;
f) kushtet për të zhvilluar veprimtari tradicionale për jetesë të zonës ose të elementeve të diversitetit biologjik brenda saj, nëse ato nuk bien ndesh me objektivat e administrimit të zonës së mbrojtur;
g)    kushtet për të ndarë përfitimet nga krijimi dhe administrimi i zonës së mbrojtur, veçanërisht me bashkësitë dhe popullatat vendore;
gj)    kushtet për kërkim shkencor, inventarizim dhe monitorim;
h) burimet financiare, përfshirë ato që sjellin fitim;
i)     masat për informimin e publikut dhe përfshirjen e tyre në qeverisjen e zonës;
j)  kushte të tjera të veçanta për zonën në fjalë.

4.    Struktura e planit të menaxhimit, përmbajtja dhe kriteret e rishikimit të tij miratohen me udhëzim të ministrit. Planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur mjedisore janë 10-vjeçare.

5. Në planin e menaxhimit, sipas nënzonave të administrimit, caktohen qartë dhe në mënyrë të detajuar veprimtaritë e ndaluara, ato që mund të ushtrohen pasi të pajisen me leje mjedisi apo që duan miratim të administratës së zonës.

Neni 43
Zbatimi i planit të menaxhimit

1. Plani i menaxhimit është dokumenti bazë për ruajtjen e zhvillimin e zonës dhe zbatohet nga administrata e zonës së mbrojtur. Ai është i detyrueshëm për pronarët privatë, pronat e të cilëve janë përfshirë në zonën e mbrojtur, për subjektet që ushtrojnë veprimtari të miratuar në zonë, për komunitetin lokal, si dhe për çdo person fizik a juridik, vendas apo të huaj, veprimtaria e të cilit mund të ushtrojë ndikim në zonë.

2. Zbatimi i elementeve të planeve të menaxhimit mund të realizohet nga persona fizikë/juridikë, publikë ose privatë, vendas ose të huaj, shoqëria civile, duke zbatuar rregullat dhe procedurat e legjislacionit, në bazë të kritereve teknike të miratuara me udhëzim të ministrit, referuar pikës 4, të nenit 42, të këtij ligji.

3. Procesi i zbatimit të planit të menaxhimit synon harmonizimin maksimal të kërkesave ligjore për ruajtjen e zonave të mbrojtura me interesat e bashkësive dhe të popullatave vendore për të përfituar në vijimësi prej tyre.

Neni 44
Skedimi dhe shënimi i zonave të mbrojtura

1. Forma e sinjalistikës së një zone të mbrojtur mjedisore dhe mënyra e shënimit të zonave të mbrojtura në terren e në harta miratohen me urdhër të ministrit.

2.    Ministria njofton organet përkatëse gjeodezike dhe kartografike për çdo shpallje, ndryshim ose heqje të statusit të çdo zone të mbrojtur mjedisore.

Neni 45
Portali Qendror i zonave të mbrojtura

1.    Zonat e mbrojtura mjedisore regjistrohen në portalin dhe Bazën e të Dhënave Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që hartohet dhe administrohet nga ministria. Rregullat për hartimin, përmbajtjen, administrimin, përditësimin dhe formatin e tij miratohen me udhëzim të ministrit, bazuar në ligjin nr.10325/2010.

2. Regjistri Kombëtar është i aksesueshëm për publikun nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë. 

Neni 46
Pyjet, kullotat, ujërat dhe pasuritë e tjera natyrore brenda zonave të mbrojtura

1.    Pyjet në zonat e mbrojtura mjedisore përjashtohen nga klasifikimi si pyje prodhuese.

2.    Të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për rigjenerimin dhe shëndetësimin e ekosistemeve të ndryshme realizohen vetëm në rast se janë parashikuar në planin e menaxhimit ose vijnë si pasojë e emergjencave natyrore, sipas projektit teknik dhe me miratim të AKZM-së.

3.    Ndërhyrjet e nevojshme për rigjenerimin dhe shëndetësimin kryhen nga  banorët e zonave të mbrojtura me qëllim përballimin e nevojave të tyre për ngrohje, në bazë të miratimit paraprak nga AdZM-ja të projektit teknik e të listës emërore të banorëve të zonës, të konfirmuar nga administratori i njësisë së qeverisjes lokale. 

4. Menaxhimi i pyllit dhe i pasurive pyjore, i ujërave e pasurive ujore, si dhe i pasurive të tjera, pronë publike dhe private, që ndodhen brenda një zone të mbrojtur, bëhen nga administrata e ruajtjes së zonës dhe në përputhje me planin e menaxhimit të zonës. Administrata i ushtron këto veprimtari drejtpërdrejt, nëpërmjet komunitetit lokal dhe/ose një subjekti të autorizuar prej saj.

5. Kur këto pasuri janë pronë private, ato menaxhohen e përdoren nga pronari ose përdoruesi i ligjshëm vetëm në përputhje me planin e menaxhimit të zonës dhe me miratimin paraprak të administratës së ruajtjes së zonës.

KREU VI
ZONIMI DHE NËNZONIMI

Neni 47
Zonimi i territorit të zonës së mbrojtur 

1.    Për të rritur efektshmërinë e menaxhimit dhe mbrojtjes, territori i zonës së mbrojtur ndahet në nënzona, sipas rëndësisë së habitateve dhe të ekosistemeve që bëjnë pjesë në të.

2. Zonimi i brendshëm mund të përmbajë zonën qendrore, zonën e rekreacionit dhe të përdorimit tradicional dhe zonën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe është pjesë e vendimit të Këshillit të Ministrave që shpall zonën e mbrojtur. Sistemi i zonimit të territorit të një zone të mbrojtur përdoret për kategoritë: “Park Kombëtar”, “Rezervat natyror i menaxhuar/Park natyror” dhe “Peizazh i mbrojtur”.

3. Kriteret dhe mënyra e zonimit të territorit të një zone të mbrojtur mjedisore miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Zonimi përputh objektivat e mbrojtjes me veçoritë e nënzonës, duke mbajtur parasysh natyrën e zonës, llojet e veprimtarive njerëzore që zhvillohen në të dhe ndikimin e tyre në natyrë.

5.    Në vendimin e Këshillit të Ministrave, që shpall zonën e mbrojtur mjedisore, përcaktohen emërtimi, sipërfaqja dhe shkalla e mbrojtjes së nënzonave të saj.

Neni 48
Nënzona qendrore

1. Në nënzonën qendrore të një zone të mbrojtur mjedisore zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes. Nënzona ndahet në dy nivele.

2. Në nivelin A janë të ndaluara:

a)  prerja e drurëve dhe e shkurreve;
b)  përdorimi i kimikateve dhe i plehrave kimike;
c)  ndërtime të çdo lloji;
ç)  nxjerrja e mineraleve dhe e torfave;
d)  ndezja e zjarreve;
dh)  kullotja, kalimi i kafshëve shtëpiake dhe ndërtimi i objekteve për mbajtjen e tyre;
e)  ngritja e objekteve çlodhëse, argëtuese dhe sportive;
ë)  kalimi nëpër shtigje, me përjashtim të pronarit ose të përdoruesit të tokës;
f) lëvizja me mjete motorike të çdo lloji, me përjashtim të makinave të administratës së ruajtjes së rezervatit dhe të zjarrfikësve;
g) vozitja me barka, kanoe dhe mjete të tjera lundrimi;
gj) riprodhimi intensiv i llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

3. Në nivelin B janë të ndaluara:

a)    shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;
b)    neutralizimi i mbetjeve me origjinë jashtë territorit të “Parkut Kombëtar”;
c) shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase, kur ato sjellin ndryshime në biodiversitetin e zonës;
ç) riprodhimi intensiv, me përjashtim të riprodhimeve shpëtuese;
d)    ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, hidrocentraleve, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë;
dh) larja dhe spërkatja e rrugëve me kimikate;
e) mbjellja e pyjeve monokulturë;
ë) ndezja e zjarreve jashtë vendeve e pikave të caktuara;
f) lëvizja e mjeteve të transportit jashtë rrugëve të caktuara;
g)    nxjerrja e mineraleve, gurëve, torfave me përjashtim të gurëve dhe rërës për mirëmbajtjen e parkut;
gj) veprimtari masive sportive, turistike, jashtë pikave të caktuara;
h) organizimi i garave me automjete e motoçikleta.

Neni 49
Nënzona e përdorimit tradicional dhe të qëndrueshëm

Në nënzonën e përdorimit tradicional dhe të qëndrueshëm të një zone të mbrojtur mjedisore zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, ku janë të ndaluara:

a) ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura;
b) depozitimi i kimikateve;
c) lëvizja dhe parkimi i automjeteve jashtë rrugëve publike dhe vendeve të caktuara për parkim;
ç) mbledhja intensive e bimëve, mineraleve, gjetjeve poleontologjike dhe e gurëve;
d)    vendosja e stendave, tabelave të të dhënave, reklamave, shenjave dhe posterave, me  përjashtim të atyre që japin të dhëna për objektivat e mbrojtjes së rezervatit;
dh)    ngjitjet alpine, skitë, kampingjet dhe ndezja e zjarreve jashtë pikave e shtigjeve të caktuara.

Neni 50
Nënzona e rekreacionit

1. Në nënzonën e përdorimit të qëndrueshëm dhe të rekreacionit të një zone të mbrojtur mjedisore zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, ku janë të ndaluara:

a) mbjellja e pyjeve monokulturë;
b) neutralizimi i mbetjeve dhe ndezja e zjarreve jashtë vendeve e pikave të caktuara;
c) shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase;
ç) ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane;
d) lëvizja me mjete transporti jashtë rrugëve dhe vendeve të caktuara.

2. Në këtë nënzonë lejohet rekreacioni me karakter turistik e çlodhes për qëllim argëtimi dhe që nuk tjetërson sipërfaqen e nënzonës për qëllime të tjera ekonomike, pas miratimit nga institucionet e kërkuara në këtë ligj.

Neni 51
Gjuetia

Gjuetia është e ndaluar në të gjitha kategoritë e zonave të mbrojtura mjedisore.

KREU VII
PRONËSIA DHE TË DREJTAT NË ZONAT E MBROJTURA

Neni 52
Pronësia mbi zonat e mbrojtura

1.    Zonat e mbrojtura mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë janë pasuri kombëtare.

2.    Zonat e mbrojtura në Republikën e Shqipërisë janë pasuri e paluajtshme, pronë publike ose private.

3.    Monumentet natyrore janë pasuri të paluajtshme, pronë publike, dhe janë të patjetërsueshme.

Neni 53
Pronësia private brenda zonave të mbrojtura

1. Për interes të mbrojtjes së natyrës e të biodiversitetit, në përbërje të zonave të mbrojtura përfshihen edhe toka, pyje, kullota e të tjera prona të paluajtshme private, duke marrë, në çdo rast, pëlqimin e tyre paraprak.

2.    Territoret dhe objektet private, të përfshira në zonat e mbrojtura mjedisore, mbeten në pronësi private. Ato administrohen e përdoren prej pronarit-ve/bashkëpronarëve ose prej përdoruesit të ligjshëm, vetëm sipas kërkesave të planit të menaxhimit të zonës dhe zonimit të miratuar.

3.    Pronarët dhe përdoruesit e territorit, që do të shpallet zonë e mbrojtur mjedisore, si dhe çdo person ose autoritet, që ka interesa në zonë, kanë të drejtë të  ngrenë kundërshtime ndaj synimit për ta shpallur zonë të mbrojtur. Kundërshtimet paraqiten me shkrim brenda 30 ditëve nga data e publikimit të synimit për të shpallur zonën e mbrojtur ose për të zgjeruar sipërfaqen e zonës ekzistuese në ministri.

4. Ministri ia njofton kundërshtimet KKT-së dhe kundër vendimit të kësaj të fundit, të interesuarit kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative, referuar legjislacionit në fuqi.

5. Nga data e njoftimit të propozimit për shpalljen e një territori “zonë e mbrojtur mjedisore” e deri në hyrjen në fuqi të vendimit që e shpall atë zonë të mbrojtur, pronarëve dhe përdoruesve të tokës, pyjeve, kullotave u ndalohen ndërhyrjet që ndryshojnë ose dëmtojnë gjendjen dhe vlerat natyrore të territorit, të propozuar për mbrojtje.

Neni 54
E drejta e kompensimit

1.    Pronarëve privatë, prona e të cilëve përfshihet brenda territorit të zonës së mbrojtur mjedisore, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u njihet e drejta e administrimit dhe përdorimit të saj, sipas kërkesave të planit të menaxhimit. Në rast se pronari nuk është dakord, ai gëzon të drejtën të kërkojë kompensimin me një sipërfaqe tjetër jashtë zonës ose shpronësim për interes publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2.    Pronarët privatë, pronat e të cilëve janë përfshirë në zonën e mbrojtur mjedisore, si dhe përdoruesit e këtyre pronave marrin pjesë në planifikimin, ruajtjen dhe përdorimin e burimeve natyrore të zonës. Ata bashkëpunojnë me administratën e zonës dhe zbatojnë rregullat e caktuara, planet e menaxhimit dhe programet e hartuara për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Neni 55
Regjistrimi i sipërfaqeve të zonave të mbrojtura

Në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave, që miratojnë zonat e mbrojtura mjedisore, AKZM-ja bën regjistrimin e sipërfaqes së tyre në Skedarin Kombëtar të Zonave të Mbrojtura dhe në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, duke formuar fondin e sipërfaqeve të mbrojtura në shkalle qarku e republike. 

Neni 56
Veprimtaritë në zonat e mbrojtura

1.    Në zonat e mbrojtura mjedisore mund të zhvillohen veprimtari ekonomike, shoqërore, turistike, kërkimore-shkencore dhe çdolloj veprimtarie tjetër e parashikuar në planin e menaxhimit dhe që nuk ndalohet shprehimisht nga ky ligj.
2.    Ministria, AKZM-ja dhe pushteti lokal nxitin dhe përkrahin nisma, projekte, programe e veprimtari, që synojnë përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të një zone të mbrojtur mjedisore ose që ndikojnë pozitivisht në to.

3.    Në zonat e mbrojtura mjedisore, veprimtaritë mund të ushtrohen vetëm pasi të jetë marrë më parë leja e mjedisit ose pasi të jetë marrë miratimi me shkrim i organit të mbrojtjes së zonës, në rastet kur kjo kërkohet shprehimisht nga ky ligj.

4.    AKZM-ja dhe AdZM-ja hartojnë rregullore për vizitorët, e cila publikohet e shpallet në vende të dukshme të zonës. 

Kreu VIII
MENAXHIMI FINANCIAR

Neni 57
Burimet e financimit dhe administrimi

1. Menaxhimi i zonave të mbrojtura mjedisore financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme.

2.    AKZM-ja është përgjegjëse për administrimin e të gjitha të ardhurave të realizuara nga aktiviteti ekonomik në territorin e zonave të mbrojtura mjedisore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera, ligjore e nënligjore, në fuqi.

3.    Përjashtim nga pika 2, e këtij neni, bëjnë  rastet kur pjesë të zonave të mbrojtura administrohen nga institucionet në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore pasi ruajnë e dëshmojnë dhe përfaqësojnë vlera të trashëgimisë kulturore.

4.    Me propozim të AKZM-së, ministri miraton udhëzimin për rregullat e përdorimit e të gëzimit të shërbimeve që ofron zona e mbrojtur mjedisore dhe për pagimin e çmimeve për to.

Neni 58
Përdorimi i të ardhurave të siguruara në zonat e mbrojtura

1.    Për veprimtaritë e sipërpërmendura, që kryhen brenda zonave të mbrojtura mjedisore, paguhet tarifë vjetore.

2.Të ardhurat e siguruara në zonat e mbrojtura mjedisore, sipas pikës 1, të këtij neni, dhe të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 1, të nenit 57, janë të ardhurat nga:

a)    tarifat që paguajnë vizitorët e turistët që vizitojnë zonën;
b)    tarifat që paguhen për ushtrimin e veprimtarive që kryhen në zonat e mbrojtura;
c)    vlerat monetare të zhdëmtimeve që paguajnë dëmtuesit e zonës;
ç)  donacionet e ndryshme;
d)    tarifat që paguhen nga transporti në territoret e tyre dhe në raste jo të parashikuara në ligj.

3.Të ardhurat e administruara sipas pikës 2, të këtij neni, përdoren nga AKZM-ja për:

a)    investimet në zonat e mbrojtura;
b)    përballimin e shpenzimeve për punësime sezonale për aktivitete brenda zonave të mbrojtura;
c) hartimin e planeve të menaxhimit e inventarizimit të pyjeve, kullotave, florës e faunës së egër, të zjarreve;
ç) projektet e pyllëzimit, për përmirësimet, luftimin nga gërryerjet, shtigjet në zonat e mbrojtura;
d) luftimin e sëmundjeve e të dëmtuesve;
dh) masat për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri;
e) mbarështrimin, ushqimin dhe sigurimin e kushteve të jetesës për faunën e egër;
ë) masat për parandalimin dhe luftimin e erozionit;
f) ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës brenda zonave të mbrojtura për komunikimin, pritat malore, gardhimet, ndërtesat;
g)    blerjet e mjeteve të komunikimit e transportit, mobilimin dhe për përmirësimin e kushteve të punës së AdZM-ve dhe punës në terren;
gj)    publikimet, ndërgjegjësimin, edukimin dhe informimin e publikut të gjerë;
h)    rehabilitimin e habitateve, largimin dhe menaxhimin e specieve invazive të huaja;
i) mbështetjen e aktiviteteve tradicionale të komuniteteve lokale.

4.`Të ardhurat e gjeneruara nga tarifat, masa dhe kriteret e përdorimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

5.    Financimi i veprimtarive të përmendura në pikën 1, të këtij neni,  nuk i nënshtrohet rregullave për prokurimin publik dhe për të zbatohen dispozitat e këtij ligji.

Neni 59
Fondi i Veçantë për Zonat e Mbrojtura

1. Në llogari të AKZM-së krijohet Fondi i Veçantë për Zonat e Mbrojtura me fondet e siguruara nga të ardhurat dhe nga kontributi i donatorëve, i cili përdoret me miratim të ministrit për përballimin e emergjencave, për rehabilitimin e pasojave të zjarreve apo të përmbytjeve, të fatkeqësive natyrore, të infeksioneve në bimë a në kafshët e egra për zbutjen e efekteve negative të ndryshimeve klimatike në zonat e mbrojtura për ndërhyrjet e detyrueshme ndaj llojeve të huaja.

2. Me propozim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat, Këshilli i Ministrave miraton vendimin për masën e Fondit e Veçantë për Zonat e Mbrojtura mjedisore, për burimet e krijimit dhe rregullat e përdorimit të tij.

KREU IX
PJESËMARRJA E PUBLIKUT, INFORMIMI, MONITORIMI DHE KËRKIMI/STUDIMI SHKENCOR

Neni 60
Monitorimi i veprimtarisë në zonat e mbrojtura

1.    Monitorimi i veprimtarisë së zonave të mbrojtura mjedisore ushtrohet nga administrata rajonale e zonave të mbrojtura dhe nga subjektet e angazhuara prej saj në monitorim.

2.    Subjektet, që kryejnë veprimtari të lejuar në zonat e mbrojtura mjedisore, vetëmonitorojnë aktivitetin që ushtrojnë, sipas kërkesave të specifikuara nga AKZM-ja në zbatim të programit të monitorimit të zonës dhe ia njoftojnë AdZM-së përkatëse të dhënat që dalin nga vetëmonitorimi.

3. AKZM-ja është përgjegjëse për drejtimin, organizimin, monitorimin e zbatimit të planit, mbikëqyrjen periodike vjetore, rezultatet e monitorimit të tij, si dhe për administrimin e publikimin në faqen zyrtare elektronike të saj të të dhënave përkatëse.

4. Plani i monitorimit dhe i vetëmonitorimit të zonave të mbrojtura është pjesë e monitorimit të gjendjes së mjedisit dhe është pjesë e rrjetit kombëtar të monitorimit të gjendjes së mjedisit, sipas ligjit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.

5.    Në zbatimin e programeve të monitorimit, AKZM-ja mund të angazhojë institucione kërkimore-shkencore, si dhe subjekte publike ose private, të specializuara në këtë fushë, në bazë të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik.

Neni 61
Programet kërkimore kombëtare në zonat e mbrojtura

1.    Ministria mbështet dhe promovon programet kërkimore kombëtare pranë zonave të mbrojtura mjedisore kur këto janë në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe me legjislacionin për ndihmën shtetërore dhe atë për trashëgiminë kulturore.

2. Me propozim të ministrit, Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kriteret e ushtrimit, miratimit dhe të monitorimit të veprimtarive kërkimore-shkencore në zonat e mbrojtura mjedisore.

Neni 62
Procesi i edukimit brenda zonave të mbrojtura

1. AdZM-të, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me shkollat në afërsi të zonës së mbrojtur, bashkitë, organizon trajnime dhe fushata sensibilizimi me komunitetet lokale, me nxënësit dhe me subjektet që ushtrojnë veprimtari në zonat e mbrojtura mjedisore.

2. AdZM-të kryesisht dhe/ose në bashkëpunim me shoqërinë civile informojnë dhe sensibilizojnë publikun nëpërmjet fushatave ndërgjegjësuese mbi të drejtat dhe detyrimet për zonat e mbrojtura mjedisore.

Neni 63
E drejta e publikut për pjesëmarrje aktive në planifikimin e përdorimit të burimeve natyrore të zonës së mbrojtur

1.    Përdorimi i burimeve natyrore, burimeve të trashëgimisë kulturore që përfshihen në zonat e mbrojtura mjedisore bëhet sipas kërkesave të këtij ligji dhe të legjislacionit mjedisor, të legjislacionit për trashëgiminë kulturore në fuqi, që saktësohen në planet e menaxhimit e në programet e mbrojtjes së zonës.

2.    Për planifikimin dhe përdorimin e burimeve natyrore të zonës së mbrojtur mjedisore, kushdo që ka një interes legjitim, ka të drejtë të japë propozimin e tij kur hartohen planet e menaxhimit dhe programet e mbrojtjes në një pronë private si dhe merret miratimi paraprak i pronarit. 

Neni 64
Detyrimi i publikut për të ruajtur zonat e mbrojtura

Të gjithë kanë detyrimin të respektojnë rregullat dhe kufizimet e vendosura nga administrata e ruajtjes së zonës, të cilat janë në përputhje me këtë ligj, kuadrin ligjor për bujqësinë, rregullimin e territorit, turizmin, trashëgiminë kulturore, qeverisjen vendore, institutet kërkimore-shkencore dhe t’i mbrojnë këto zona.

Neni 65
Mbledhja e materialeve biologjike dhe mostrave nga mjediset në zonat e mbrojtura

1.    Aksesi, mbledhja dhe përdorimi i materialeve biologjike dhe mostrave nga mjediset e zonave të mbrojtura lejohet vetëm në rastet kur janë në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

2. Me propozim të ministrit, Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kriteret e rregullat dhe për miratimin e lejes për mbledhjen, aksesin dhe përdorimin e materialeve e të mostrave nga mjediset e zonave të mbrojtura mjedisore.

KREU X
INSPEKTIMI DHE SANKSIONET

Neni 66
Inspektimi

1.    Inspektimi i zonës së mbrojtur realizohet nga:

a)    Inspektorati i Policisë Pyjore, brenda detyrave dhe përgjegjëve të caktuara në dispozitat ligjore në fuqi, i cili kryen funksionet kontrolluese në zonat e mbrojtura, pavarësisht nga forma e pronësisë së administrimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij;
b)    administrata e zonës së mbrojtur, e cila është përgjegjëse për kryerjen e  funksioneve kontrolluese në territorin e zonës së mbrojtur, që ka në administrim.

2.    Detyrat dhe të drejtat e inspektoratit përcaktohen nga aktet ligjore organike përkatëse, duke përfshirë edhe këto detyra:

a)    Kontrollon zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për zonat e mbrojtura dhe veprimtaritë e tjera që zhvillohen në zonat e mbrojtura;
b)    Parandalon, zbulon dhe ndëshkon rastet e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretimit dhe degradimit të zonave të mbrojtura;
c)    Merr masa, në rastet e shfrytëzimit dhe të tregtimit të paligjshëm të materialit drusor, të prodhimeve pyjore e jopyjore, të florës e faunës së egër, të bimëve mjekësore, aromatike, eterovajore e tanifere natyrore, të prodhimeve pyjore e jopyjore të zonave të mbrojtura, si dhe çdo veprimtari tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj;
ç) Bën kallëzim penal për shkeljet që parashikohen në Kodin Penal si vepra penale në fushën e zonave të mbrojtura me funksion të veçantë;
d)    Vendos dënimin administrativ me gjobë, dënimet plotësuese dhe pezullon veprimtarinë e ushtruar nga çdo kundërvajtës;
dh)Bashkëpunon dhe mbështet veprimtarinë e administratës së zonës së mbrojtur;
ë)    Raporton periodikisht, çdo muaj, pranë AKZM-së, për rezultatet e inspektimit, sipas formularëve të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i AKZM-së.

3.    Inspektorët e Policisë Pyjore, gjatë kryerjes së detyrës, gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore.

4.    Administrata e zonës së mbrojtur:

a)    kontrollon zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për zonat e mbrojtura, florën e faunën e egër dhe veprimtaritë e tjera që zhvillohen në zonën e mbrojtur nga subjektet private e publike, juridike e fizike, si dhe i propozon drejtorit të Përgjithshëm të AKZM-së heqjen e certifikatës/zgjidhjen e kontratës në rastet kur subjektet veprojnë në kundërshtim me këto dispozita;
b)    parandalon, zbulon dhe ndëshkon në bashkërendim me Inspektoratin e Policisë Pyjore në rastet e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretimit dhe degradimit të zonave të mbrojtura brenda territorit të tij administrativ;
c)    bashkëpunon me strukturat e ngarkuara me këtë ligj dhe ligje të posaçme, për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve;
ç)     parandalon dhe merr masa në rastet e shfrytëzimit e të tregtimit të paligjshëm të materialit drusor, të prodhimeve pyjore e jopyjore, të florës e faunës së egër, të bimëve mjekësore, aromatike, eterovajore e tanifere natyrore, të prodhimeve pyjore e jopyjore të zonës së mbrojtur, si dhe çdo veprimtari tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj;
d)    bën kallëzim penal për shkeljet që parashikohen në Kodin Penal si vepra penale në zonat e mbrojtura me funksion të veçantë;
dh) bashkëpunon në veprimtarinë e tij me Inspektoratin e Policisë Pyjore;
e)    bashkëpunon dhe bashkërendon me inspektoratet e tjera, me Policinë e Shtetit dhe me organet e qeverisjes vendore për parandalimin, kontrollin e kundërvajtësve në zonat e mbrojtura.

5. Drejtorët e AdZM-ve dhe përgjegjesit e sektorit të monitorimit në AdZM dhe AKZM-së gjatë kryerjes së detyrës, gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore.

6. Administrata e zonave të mbrojtura pajiset me uniformë me shenja dalluese, me dokument identifikimi dhe me mjete të tjera teknike, të nevojshme për kryerjen e detyrës. Caktimi i rregullave për mbajtjen, përbërjen, afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKZM-së.

7.    Proceduarat e inspektimit bazohen në ligjin për inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi. 
Neni 67
Kundërvajtjet administrative

1.    Kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative, të cilat grupohen, si më poshtë:

a)    Për ndotjen dhe dëmtimin e zonës së mbrojtur nga shkarkimet mbi normë të veprimtarive që zhvillohen jashtë zonës, por në afërsi të saj, subjekti dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
b)    Për zhvillimin në zonë të veprimtarive që nuk janë pajisur me leje mjedisi, subjekti dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë;
c)    Për mospërmbushje dhe mosrespektim të kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.
ç)    Për dëmtim të zonave të mbrojtura nga pronarët e pasurive private që ndodhen brenda zonës, subjekti dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 80 000 lekë.
d) Për dëmtim të zonave të mbrojtura nga përdoruesit e zonës, me gjobë nga 50 000 deri në 80 000 lekë.

2.    Krahas dënimit me gjobë i parashikuar në shkronjat “a” dhe “d”, të pikës 1, të këtij neni, Inspektorati i Policisë Pyjore dhe administrata e zonave të mbrojtura mund t’i propozojnë ministrit heqjen e lejes së mjedisit dhe mbylljen e të gjithë veprimtarisë apo të pjesëve të saj përgjithmonë ose për një kohë të caktuar, referuar ligjislacionit në fuqi për lejet e mjedisit.

3. Grupi i inspektimit mund të ndërmarrë sanksionet e parashikuara në këtë nën në çdo kohë, por jo më vonë se pesë vite kalendarike nga data e kryerjes së shkeljes, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

4.    Vendimi për dënimin me gjobë, ankimi dhe ekzekutimi rregullohen nga legjislacioni në fuqi për kundërvajtjet administrative.

5. Përmbajtja dhe modeli i procesverbalit për kundërvajtjet në zona të mbrojtura miratohet me urdhër të ministrit.

6. Të ardhurat që vijnë nga ekzekutimi i vendimit të dënimit me gjobë derdhen në buxhetin e shtetit.

Neni 68
Vlerësimi i dëmit

1. Personi juridik ose fizik, publik ose privat, që dëmton ose rrezikon dëmtimin me anë të veprimit apo mosveprimit të tij të një zone apo një pjesë të një zone të mbrojtur sipas kuptimit të këtij ligji, përgjigjet për dëmtimet, si dhe përballon kostot e riparimit të dëmit e të rehabilitimit të zonës e të kthimit të saj në gjendjen e mëparshme.

2. Kryerja e vlerësimit të dëmit të shkaktuar në zonë të mbrojtur mjedisore është detyrë e administratës së zonës së mbrojtur.

3. Vlera e dëmit të shkaktuar në zonat e mbrojtura mjedisore, mënyra e vlerësimit, mbledhjes dhe administrimit të saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Neni 69
Vendimi për kundërvajtjet

1.    Inspektori i Policisë Pyjore dhe/ose administrata e zonës së mbrojtur merr vendimin për dënimin administrativ për kundërvajtjet e parashikuara në nenin 67, të këtij ligji, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

2.    Vendimi për kundërvajtjen administrative përmban dënimin me gjobë për kundërvajtësin/t dhe dënime plotësuese, si më poshtë vijon:

a)    Sekuestrimin e mjeteve dhe automjeteve që kanë shërbyer për kryerjen e kundërvajtjes;
b)    Sekuestrimin e çdo vlere monetare dhe materiali, lëndë drusore e jodrusore, bimë medicinale, florë dhe faunë, të përfituar nëpërmjet kundërvajtjes;
c)    Pezullimin e veprimtarisë dhe çmontimin e instalimeve.

3.    Inspektorati i Policisë merr në ruajtje të përkohshme mjetet dhe materialet e sekuestruara, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, derisa vendimi për kundërvajtjen administrative merr formë të prerë.

4.    Mjetet dhe materialet e sekuestruara sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, pasi vendimi për kundërvajtjen administrative lihet në fuqi me vendim të formës së prerë, kalojnë në administrim të administratës së zonës së mbrojtur dhe administrohen prej tyre, sipas legjislacionit në fuqi.

5.    Dorëzimi i mjeteve dhe materialeve të sekuestruara bëhet me procesverbal, të nënshkruar nga palët.

Neni 70
Ankimi dhe ekzekutimi i sanksioneve administrative

1.    Ndaj vendimit të dhënë në zbatim të nenit 69, të këtij ligji, bëhet ankim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

2.    Procedurat e ekzekutimit të vendimit të dënimit me gjobë bëhen në përputhje me ligjin përkatës për kundërvajtjet administrative.

KREU XI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 71
Aktet nënligjore

1.    Ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë aktet nënligjore në zbatim të pikës 2, të nenit 8; të pikës 7, të nenit 18; të pikës 3, të nenit 23; të pikës 3, të nenit 24; të pikës 6, të nenit 29; të pikës 3, të nenit 41; të pikës 3, të nenit 47; të pikës 4, të nenit 58; të pikës 2, të nenit 59; të pikës 2, të nenit 61, dhe të pikës 2, të nenit 65, të këtij ligji, brenda dy vjetësh nga hyrja e tij në fuqi.

2. Ngarkohet ministri të miratojë aktet nënligjore në zbatim të pikës 6, të nenit 16; të pikës 5, të nenit 19; të pikës 4, të nenit 42; të pikës 1, të nenit 45; të pikës 3, të nenit 57, brenda dy vjetësh nga hyrja e tij në fuqi.

Neni 72
Shfuqizime

1.    Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, si dhe ligji nr.9868, datë 4.2.2008, “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura””, shfuqizohen.

2.    Vendimet e Këshillit të Ministrave, që kanë miratuar krijimin, zgjerimin dhe zonimin e secilës zonë të mbrojtur mjedisore në zbatim të kërkesave të ligjeve që shfuqizohen sipas pikës 1, të këtij neni, vazhdojnë të jenë në fuqi sepse nuk vijnë në kundërshtim me këtë ligj.

3.    Aktet e tjera nënligjore, veç atyre që cilësohen në pikën 2, të këtij neni, vazhdojnë të mbeten në fuqi deri sa të dalin aktet që i zëvendësojnë sipas këtij ligji, por jo më vonë se 2 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 

Neni 73
Të drejtat e fituara

1.    Personat fizikë e juridikë, që kanë fituar të drejta të ushtrojnë veprimtari të caktuara në zonat e mbrojtura, duke lidhur marrëveshje, kontrata apo janë pajisur me leje mjedisi për to, do të vazhdojnë t’i kryejnë normalisht veprimtaritë, për derisa ato nuk ndalohen shprehimisht nga ky ligj apo nuk vijnë haptas në kundërshtim me të.

2.    Kur ky ligj e ndalon shprehimisht një veprimtari të pajisur me leje mjedisi apo kur ajo vjen haptas në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji, brenda tre muajsh nga hyrja e tij në fuqi, AKZM-ja njofton zyrtarisht subjektin të mbyllë veprimtarinë për arsye ligjore dhe të rehabilitojë mjedisin ku është ushtruar veprimtaria.

3.    Kur vërtetohen rrethanat e pikës 2, të këtij neni, fillimisht subjekti mund t’i paraqesë AKZM-së, brenda tre muajsh nga njoftimi, propozimet e tij për mundësinë e ndryshimit të vendit ku mund të ushtrohet veprimtaria, për përmirësime të domosdoshme teknologjike, për zvogëlim kapacitetesh, për ndryshim të lëndëve të para apo të energjisë, me qëllim që veprimtaria të bëhet e pranueshme dhe mund të vazhdojë të ushtrohet.

4.    AKZM-ja i shqyrton brenda një muaji nga dorëzimi propozimet e subjektit dhe, nëse i gjen në pajtim me ligjin, e njofton atë më shkrim që ta pajisë veprimtarinë me leje të re mjedisi, duke respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore të procesit të pajisjes me leje mjedisi.

5.    Kur propozimet e subjektit nuk mund të pranohen, atij i lihet gjashtë muaj deri në një vit kohë për ta hequr veprimtarinë dhe për të bërë rahabilitimet e kërkuara me shkrim nga AKZM-ja.

6.    Nëse subjekti nuk kryen ato që i kërkohen dhe nuk respekton afatet, ai kualifikohet dëmtues i zonës së mbrojtur dhe përgjigjet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 74
Dispozita kalimtare

1.    Brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, çdo administratë rinovon dhe paraqet për miratim në AKZM programin operativ të veprimeve të menjëhershme, përmbajtja e të cilit miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.

2.    Brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, AKZM-ja harton programin kombëtar të publikimit të informacionit për zonat e mbrojtura, përmbajtja e të cilit miratohet me urdhër të ministrit.

3.    Zonat e miratuara me akt specifik përpara hyrjes në fuqi këtij ligji si “Parqe natyrore rajonale” do të shpallen automatikisht pas hyrjes në fuqi të këtij ligji si “Parqe natyrore bashkiake”.

Neni  74
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ZONAT E MBROJTURA”

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për zonat e mbrojtura”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ

PËR

FALJEN E DETYRIMEVE NDAJ FONDIT TË SIGURIMEVE SHOQËRORE TË PERSONAVE NË PENSION INVALIDITETI, SIPAS LIGJIT NR.7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR,  DHE TË PERSONAVE NË PENSION, SIPAS LIGJIT NR.150/2014,   “PËR PENSIONET E PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA, NË NËNTOKË”, TË KRIJUARA PËR SHKAK TË PUNËSIMIT GJATË KOHËS SË PËRFITIMIT TË PENSIONIT

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Falen detyrimet ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të personave që kanë marrë pension sipas dispozitave të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, në përputhje me gjendjen e papaguar në datën 31.12.2016, të cilat kanë rezultuar si shkak i punësimit të tyre gjatë kohës që përfitonin pensionin e invaliditetit apo pension si punonjës që ka punuar në miniera, në nëntokë.
Procedurat e zbatimit të faljes së detyrimeve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe zbatohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Neni 2

Falja, sipas nenit 1, të këtij ligji, përfshin edhe detyrimet e njohura me vendim të gjykatave, ndërsa çështjet në proces gjykimi nuk përbëjnë objekt konflikti gjyqësor dhe pushohen.

Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të evidentojë dhe të zbatojë të gjitha procedurat administrative dhe dokumentare të evidentimit të detyrimeve të falura.
Detyrimet e personave të përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji, të cilat mund të krijohen për shkak të punësimit pas datës 1.1.2017, nuk falen.

Neni 3

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e nenit 1 të tij.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I

ILIR META
***
V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR FALJEN E DETYRIMEVE NDAJ FONDIT TË SIGURIMEVE SHOQËRORE TË PERSONAVE NË PENSION INVALIDITETI, SIPAS LIGJIT NR.7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR, DHE TË PERSONAVE NË PENSION, SIPAS LIGJIT NR.150/2014, “PËR PENSIONET E PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA, NË NËNTOKË”, TË KRIJUARA PËR SHKAK TË PUNËSIMIT GJATË KOHËS SË PËRFITIMIT TË PENSIONIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:


Propozimin e projektligjit “Për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të personave në pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të krijuara për shkak të punësimit gjatë kohës së përfitimit të pensionit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik