Postuar më : 26 Prill 2017

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Prill 2017

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Prill 2017 
 
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.69/2012, “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
Neni 1
Në pikën 2, të nenit 20, lidhëza “ose” zëvendësohet me “dhe”.
 
Neni 2
Në nenin 28 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
1. Titulli i nenit 28 bëhet “Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore”.
2. Në pikën 2, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje: 
“d) Punësimi, menaxhimi dhe largimi nga detyra i mësuesve dhe i mësuesve ndihmës të arsimit parashkollor, sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimet e ministrit.”.
 
Neni 3
Në pikën 4, të nenit 29, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Paragrafi i parë i pikës 4 ndryshohet, si më poshtë:
“Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga 13 anëtarë me këtë përbërje:”.
2. Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë:
“b)  përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.”.
3. Shkronja “c”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë:
“c)  përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për çështjet e mirëqenies sociale.”.
4. Shkronja “d”, e pikës 4, shfuqizohet. 
 
Neni 4
Në nenin 49, pikat 1 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë:
“1. Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, provimit të arsimit bazë dhe provimit të maturës shtetërore. Formë tjetër e vlerësimit të jashtëm është ai me një numër të caktuar nxënësish.
3. Hartimi i testeve, administrimi dhe vlerësimi në provimet kombëtare dhe në vlerësimin e arritjeve të nxënësve në arsimin fillor kryhen nga mësues të certifikuar. Pagesa e tyre bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi.”.
 
Neni 5
Neni 50 ndryshohet, si më poshtë:
“Neni 50
    Provimet kombëtare dhe vlerësimi i arritjeve në arsimin bazë
1 .Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.
2. Në vlerësimin e arritjeve nxënësit do të vlerësohen për njohuritë dhe për kompetencat e fituara në arsimin fillor.
3. Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj.
4. Organizimi dhe zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe të provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit.”.
 
Neni 6
Në nenin 55 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Drejtori i institucionit të arsimit parashkollor emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë përkatëse, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë:
“2. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të jetë i certifikuar për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor. Organizimi dhe zhvillimi i procesit të certifikimit të drejtuesve të institucionit arsimor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.”.
 
Neni  7
Neni 57 ndryshohet, si më poshtë: 
“Neni 57
       Profesioni i mësuesit
1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.
2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor. 
3. Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë dhe diplomë të ciklit të dytë “Master”, me 120 ECTS në fushën/lëndën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë. 
4. Mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar.
5. Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të cikilit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku, 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni, në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, përcaktohen me udhëzim të ministrit. 
6. Mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diploma të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, e ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
 
Neni 8
Në nenin 63, pika 3, ndryshohet, si më poshtë: 
“3. Nxënësve që nuk dëgjojnë e nuk flasin u garantohet e drejta e edukimit në gjuhën e shenjave, ndërsa atyre që nuk shikojnë përdorimi i shkrimit Brail.”.
  
Neni 9
Dispozita kalimtare
Përcaktimet sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 7, të këtij ligji, për fushën dhe kohëzgjatjen e programeve të studimit, zbatohen për studentët që nisin studimet në vitin akademik 2017-2018.
 
Neni 10
Aktet nënligjore
Aktet nënligjore në zbatim të pikës 2, të nenit 6, miratohen brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Aktet nënligjore në zbatim të neneve 2, 5, 6 dhe 7, miratohen brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
 
Neni 11
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR  META 
 
### 
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT  “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.69/2012,  “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN  E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të pikës 1, të nenit 81 dhe të nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
### 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2011, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INFRASTRUKTURËS KOMUNALE III””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 100, të Kushtetutës si dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2011, për projektin “Programi i infrastrukturës komunale III””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
### 
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2011, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INFRASTRUKTURËS KOMUNALE III”
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 121, pika 1, të Kushtetutës si dhe  të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2011, për projektin “Programi i infrastrukturës komunale III”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
 
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META 
 
### 
 
V E N D I M
     
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2012, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INFRASTRUKTURËS KOMUNALE IV””
 
Në mbështetje të nenit 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2012, për projektin “Programi i infrastrukturës komunale IV””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
### 
 
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2012, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INFRASTRUKTURËS KOMUNALE IV”
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, dhe të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2012, për projektin “Programi i infrastrukturës komunale IV”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
 
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META 
 
 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik