Postuar më : 01 Mars 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 01 Mars 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 01 Mars 2017
 
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MARRJEN E MASAVE PËR EVIDENTIMIN DHE VLERËSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA LËKUNDJET E TOKËS NË NJËSITË ADMINISTRATIVE ZHARRËZ, PATOS (FSHATI DUKAS), BASHKIA PATOS, DHE KUMAN, BASHKIA ROSKOVEC
 
Në  mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”,  me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave  
 
V E N D O S I:
 
1. Ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës, në vijim GNP, brenda 5 ditëve nga miratimi i këtij vendimi, për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e lëkundjeve të tokës në Njësinë Administrative Zharrëz, Bashkia Patos, në fshatin Dukas, Njësia Administrative Patos, Bashkia Patos, dhe në Njësinë Administrative Kuman, Bashkia Roskovec, të përbërë me përfaqësues nga: 
a) Enti Kombëtar i Banesave;
b) ALUIZNI;
c) përkatësisht, bashkitë Patos dhe Roskovec.
2. Grupet ndërinstitucionale të punës drejtohen nga përfaqësues të Entit Kombëtar të Banesave, të cilët koordinojnë gjithë procesin e vlerësimit e të përpunimit elektronik të dokumentacionit.
3. Vlerësimi i dëmeve kryhet, si më poshtë vijon:
a) Për banesat e shkatërruara plotësisht, sipas kostos mesatare të ndërtimit të banesave në Qarkun Fier, miratuar me udhëzimin nr.4, datë 30.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2015”.
b) Për kategoritë e tjera të dëmeve në banesa, llogaritja do të bëhet sipas zërave të punimeve të ndërtimit, miratuar për Qarkun Fier, për vitin 2016, të Entit Kombëtar të Banesave.
4. Brenda 30 ditëve, nga ngritja e tyre, GNP-të përgatisin listën përfundimtare emërore të kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda, shoqëruar me vlerën e dëmit përkatës. Masa e ndihmës financiare do të jetë 100 për qind e vlerës së dëmit të shkaktuar, e cila paguhet menjëherë, bazuar në listat përfundimtare dhe vlerësimin e paraqitur nga GNP-të.
5. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i shtetit, sipas përcaktimeve të vendimit nr.329, datë 16.5.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore”, dhe i angazhimit të kompanisë Bankers Petroleum Albanian (BPAL), sipas marrëveshjes hidrokarbure me ministrinë e linjës.
6. Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në banesa, afati i vlerësimit nga GNP-të është 4 muaj, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
7. Listat emërore përfundimtare të kryefamiljarëve, me vlerat përkatëse të dëmeve, sipas pikave 4 e 6, të këtij vendimi, konfirmohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe dërgohen pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Urban, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, institucioni i Prefektit të Qarkut Fier si dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
 
  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR KONTROLLIN E LARTË TË SHTETIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Kontrollin e Lartë të Shtetit, të shtohet fondi prej 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekësh, në zërin shpenzime kapitale, që do të të përdoret nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për ndjekjen dhe likuidimin e kontratës së zbatimit të punimeve, mbikëqyrjes dhe kolaudimit, për rikonstruksionin e godinës, sipas përcaktimeve të bëra në vendimin nr.872, datë 14.12.2016, të Këshillit të Ministrave dhe marrëveshjen me Ministrinë e Zhvillimit Urban, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe subjektin zbatues dhe të mbikqyrjes së punimeve.
2. Fondi sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Financave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.815, DATË 29.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SHTESË TË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR GARDËN E REPUBLIKËS”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.815, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe  ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Gardën e Republikës, shtohen pronat me numër rendor 1 dhe 2, sipas formularëve që i bashkëlidhen këtij vendimi;
b) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, përmasat e pronave me numër rendor 3, 4, 7 dhe 11 zëvendësohen me përmasat e përcaktuara sipas formularëve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Lista përbëhet gjithsej nga 9 (nëntë) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
 
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Garda e Republikës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. 
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
                                                                                    
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.634, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR VLERËSIMIN DHE DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT TË PUNËVE PUBLIKE DHE SHËRBIMEVE PËR NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE REHABILITIMIN E RRUGËVE NACIONALE”, TË NDRYSHUAR
 
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe të neneve 5, pika 1, shkronja “j”, dhe 2, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infastrukturës, Kёshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I.  Në tekstin “Rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 3, e nenit 9 , ndryshon dhe bëhet:
“3. Projekti, që përmbush të gjitha kushtet e pikës 1, të këtij neni, më tej paraqitet për miratim në Ministrinë e Financave, e cila e shqyrton dhe vlerëson nëse është i nevojshëm edhe miratimi i saj, në përputhje me nenin 42, të ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Ministria e Financave shprehet brenda 10 ditëve pune nëse projekti ka ose jo efekte financiare.  Në rast se konfirmimi nuk paraqitet brenda 10 ditëve pune, atëherë ai quhet i dhënë dhe autoriteti vazhdon procedurat vijuese.”.
 
2. Në  pikën 3, të nenin 10, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Shkronja “a” shfuqizohet;
b) Shkronja “b” ndryshon dhe bëhet:
“b) formë të zhvilluar me analiza teknike, ekonomike dhe financiare, sipas nenit 9, të këtyre rregullave.”.
 
3. Neni 11 ndryshon dhe bëhet:
“Neni 11
Propozimi i pakërkuar në formë të zhvilluar
Propozimi i pakërkuar, i paraqitur në këtë formë të zhvilluar, përmban:
a) përshkrimin e situatës aktuale, vlerësimin e të metave kryesore, kontekstin e zhvillimit dhe, nëse është e përshtatshme, një panoramë të tregut;
b) parashikimet afatmesme dhe afatgjata të nevojave;
c) përshkrim të përgjithshëm të projektit;
ç) përfitimet strategjike dhe operacionale, që priten nga projekti;
d) bashkërendimin me politikat e investimeve të përgjithshme, sektoriale apo rajonale;
dh) analizat teknike, sipas nenit 5, të këtyre rregullave;
e) ndikimet mjedisore dhe sociale, sipas nenit 6, të këtyre rregullave;
ë) analizat ekonomike dhe financiare, sipas nenit 7, të këtyre rregullave.”.
 
4. Pika 6, e neni 12,  ndryshon dhe bëhet:
“6. Rezultatet e të dhënave paraprake materializohen në një studim paraprak. Periudha për përfundimin e studimit duhet të jetë jo më shumë se 60 ditë nga data e paraqitjes së propozimit. Gjatë kësaj periudhe, autoriteti kontraktues mund të kërkojë informacione shtesë nga propozuesi.”.
 
5. Në nenin 13 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Pika 2 ndryshon dhe bëhet:
“2. Komisioni i koncesionit/PPP mund të përdorë të gjitha ose një pjesë të informacionit të propozimit të pakërkuar për të hartuar studimin e fisibilitetit.”.
b) Pika 6 ndryshon dhe bëhet:
 
“6. Afati për përfundimin e studimit të fisibilitetit, në rastin e një propozimi të pakërkuar, fillon nga data e dhënies së vendimit, siç parashikohet në pikën 8, të nenit 12.”.
c) Pika 7, shfuqizohet.
 
6. Neni 15 ndryshon dhe bëhet:
“Neni 15
Dhënia e bonusit
1. Në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, propozuesit i jepet një bonus për rezultatin tekniko-financiar të arritur gjatë procedurës konkurruese deri në një maksimum prej 10% të pikëve totale të garës.
2. Këshilli i Ministrave, në bazë të propozimit të Autoritetit Kontraktues, miraton me vendim pikët që jepen si bonus për propozuesin.”.
 
7. Pika 3, e nenit 18, ndryshon dhe bëhet:
“3. Ministria e Financave shprehet në mënyrë të argumentuar për miratimin ose refuzimin e projektit, jo më vonë se 40 ditë nga dita e marrjes së dokumentacionit të plotë, nëse autoriteti kontraktues nuk ka marrë ndonjë kërkesë për plotësimin apo shpjegimin e dokumentacionit. Në rast se Autoriteti Kontraktues ka marrë një kërkesë të tillë, atëherë afati zgjatet me 15 ditë, nga dita kur është marrë informacioni.”. 
 
8. Pika 2, e nenit 22, ndryshon dhe bëhet:
“2. Autoriteti Kontraktues, përpara dërgimit për miratim në Ministrinë e Financave të një projekti për partneritet publik privat që kërkon mbështetje financiare, duhet të garantojë që kostot përkatëse të projektit janë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar nga Kuvendi, si dhe brenda tavaneve të shpenzimeve për periudhën afatmesme, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
9. Në nenin 24 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Paragrafi i parë i nenit 24 shfuqizohet;
b) Në shtojcën 9, të aneksit nr.1, që përmendet në paragrafin e dytë, “Dokumentet standarde të koncesionit/partneritetit publik privat të punëve publike dhe shërbimeve, për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, në pikën 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit”, pika 1, nënndarja “Kapaciteti tenik” ndryshon dhe bëhet:
“Kapaciteti teknik:
- Ofertuesi duhet të ketë kryer punë dhe/ose shërbime të ngjashme me objektin e procedurës konkurruese, të cilat janë zbatuar ose janë finalizuar me sukses, në 10 vitet e fundit. Si dëshmi për përvojën e mëparshme kërkohen vërtetime ku të shënohen vlera, koha dhe natyra e punës dhe/ose shërbime të bëra dhe/ose çdo lloj dokumenti tjetër që parashikohet në legjislacionin në fuqi, për të vërtetuar përmbushjen e suksesshme të punëve dhe/ose shërbime.”.
 
10. Neni 27 shfuqizohet. 
 
11. Neni 30 ndryshohet dhe bëhet:
“Neni 30
Komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat
1. Për shqyrtimin dhe dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat, Autoriteti Kontraktues krijon komisionin e koncesionit/partneritetit publik privat me përfaqësues nga Autoriteti Kontraktues, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Financave.
2. Anëtarët e komisionit duhet të jenë me profesion jurist, ekonomist, inxhinier dhe teknik nga fusha të tjera përkatëse, në varësi të objektit dhe karakteristikave të koncesionit/partneritetit publik privat.
3. Numri i anëtarëve në komisionin e dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat është tek, por jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 9 veta. 
4. Kreu i komisionit përzgjidhet nga anëtarët e lartë të Autoritetit Kontraktues dhe është përgjegjës për punën e komisionit. 
5. Anëtarët e komisionit të koncesionit/partneritetit publik privat, në përmbushje të detyrave si anëtarë të këtij komisioni, nuk duhet të kenë interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë privat në asnjërin prej  aktiviteteve që përbëjnë konflikt interesi, të cilin ata e konfirmojnë me nënshkrimin e një deklarate që garanton se nuk kanë konflikt interesi, sipas parashikimeve në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
6. Komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat kryen këto detyra: 
a) Harton studimin e fisibilitetit për koncesionin/partneritetin publik privat, përcakton procedurën e zbatueshme për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat dhe harton dokumentacionin e tenderit;
b)  Shqyrton e vlerëson ofertat e pranuara dhe/ose kërkesat për pjesëmarrje, që janë dorëzuar;
c) Formulon propozimin e përzgjedhjes së ofertës së suksesshme ose propozimin e vendimit për ndërprerjen e procedurës së prokurimit, si dhe një shpjegim të tyre;
ç)  Kryen të gjitha aktivitetet e tjera që kërkohen për zbatimin e procedurës së koncesionit/partneritetit publik privat, në përputhje me rregulloret në fuqi.
7. Komisioni i dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat mban procesverbale për pasqyrimin e punës së tij, të cilat duhet të nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komisionit.”.
 
12. Në të gjitha pikat e neneve 31 dhe 32, fjalët “...Komisioni i Vlerësimit të   Ofertave...” zëvendësohen me “...Komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat...”. 
 
13.  Pika 2, e nenit 32, ndryshon dhe bëhet:
“2. Një ofertues ka të drejtën të ankimojë në Komisionin e Prokurimit Publik brenda 10 ditëve kalendarike nga data e publikimit të ofertuesit fitues dhe të renditjes së ofertuesve nga Autoriteti Kontraktues.”.
 
14.  Pas pikës 4, në nenin 34, shtohet pika 5, me këtë përmbajte: 
“5. Kontrata e Koncesionit/PPP do të hyjë në fuqi pas miratimit nga Këshilli i Ministrave.”.
 
II. DISPOZITA KALIMTARE
Dispozitat e këtij vendimi do të zbatohen edhe për projektet e koncensionit/PPP që aktualisht janë paraqitur pranë Autoritetit Kontraktues, por nuk kanë përfunduar fazën e vlerësimit paraprak. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR PLOTËSIMIN  DHE DETAJIMIN E PROJEKTIT TË RIKUALIFIKIMIT URBAN TË PAZARIT TË RI, MARKATËS SË MISHIT, FRUTA-PERIMEVE DHE SHESHIT  ‘AVNI RUSTEMI’, TIRANË”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, dt.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për plotësimin dhe detajimin e projektit të rikualifikimit urban të Pazarit të Ri, markatës së mishit, fruta-perimeve dhe sheshit  ‘Avni Rustemi’, Tiranë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 10 952 976 (dhjetë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 10 952 976 (dhjetë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë. 
8.Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Financave, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E STANDARDEVE TË PROJEKTIMIT TË KOPSHTEVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e standardeve të projektimit të kopshteve, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Këto standarde janë të detyrueshme në projektimin e kopshteve publike apo private që do të ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen institucionet shtetërore dhe subjektet private, të përfshira në procesin e projektimit, të miratimit të lejeve të ndërtimit dhe të inspektimit të kopshteve, për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.  
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E NUMRIT TË PRAKTIKANTËVE PËR KRYERJEN E PRAKTIKËS PROFESIONALE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR PERIUDHËN 1 JANAR  DERI MË 15 QERSHOR 2017 DHE 15 SHTATOR DERI MË 31 DHJETOR 2017, PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 11, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën 1 janar - 15 qershor 2017 dhe për periudhën 15 shtator - 31 dhjetor 2017, i cili të jetë 1 500 praktikantë.
2. Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme sipas njësive arsimore vendore dhe afati kohor i kontraktimit të praktikantëve përcaktohen në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Praktikantët gjatë periudhës së kryerjes së praktikës profesionale përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi (njësitë arsimore vendore) pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në masën 27.9%. Njësitë arsimore vendore (Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore), gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale realizojnë çdo muaj pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në emër të punëdhënësit, në masën 16.7% si dhe në emër të punëmarrësit për sigurimet shoqërore e shëndetësore, në masën 11.2%, të përllogaritur. 
4. Masa mujore e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përllogaritet në bazë të pagës minimale mujore, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e  pagës minimale në shkallë vendi reflektohen menjëherë në masën e pagesës që punëdhënësi paguan çdo muaj për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
5. Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2017, të përllogaritur në emër të punëdhënësit e të punëmarrësit, në shumën 82 863 000 (tetëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2017, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.409, DATË 1.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGUSHTIMIN E DIFERENCAVE NË MASËN E PENSIONEVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.409, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, të vendimit, bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “dh” ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“dh) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.4.1996 deri më 31.12.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”, nga 3 682 (tre mijë e gjashtëqind tetëdhjetë e dy) lekë deri në 5 420 (pesë mijë e katërqind e njëzet) lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 089 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e nëntë) lekë deri në 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj;”
b) Fjalia e fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shuma individuale e pensionit, e rillogaritur sipas kësaj pike, paraqitet në tabelat A1, A2, A3-1, A3-2, A4, A5-1, A5-2 dhe A6, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.
 
2. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“3. Pensionet e pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave që kanë punuar në punët e kategorisë së parë e të dytë, të caktuara sipas nenit 97, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur llogariten si pensione të plota, pavarësisht kohës kur kanë kaluar si të tilla, përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë me datë fillimi në harkun kohor 1.10.1993 - 31.12.1996, përfshirë edhe rritjen e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar si të plotë të këtij pensioni.”.
 
3. Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore të vitit 2016 dhe 2017.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.6.2016.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1455, DATË 21.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME, PËR GARDËN E REPUBLIKËS, TË DISA MJEDISEVE, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Përmasat e pronës që i bashkëlidhet vendimit nr.1455, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me përmasat e pronës me numër rendor 5 (pesë), sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Formulari përbëhet, gjithsej, nga 1 (një) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
 
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Garda e Republikës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
                                                                                     
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM,  TË MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR RRITJEN E BASHKËPUNIMIT PËR PARANDALIMIN E UDHËTIMIT TË TERRORISTËVE DHE LUFTËN KUNDËR MIGRACIONIT TË PALIGJSHËM DHE KRIMEVE TË RËNDA QË LIDHEN ME TO
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rritjen e bashkëpunimit për parandalimin e udhëtimit të terroristëve dhe luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimeve të rënda që lidhen me to, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË GREQISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG V-B BALLKAN-MESDHE, 2014-2020
     
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg V-B Ballkan-Mesdhe, 2014-2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK  DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 99 HA NË OBJEKTIN “MAÇ-PEROLLAJ”,  TË QARKUT TË KUKËSIT, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “BLERIMI KOSTURR 2010”, SH.P.K. PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË KROMIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Sipërfaqja pyjore dhe kullosore publike prej 99 ha, pjesë e ngastrave 1b, 2, 3b dhe 4b në objektin “Maç-Perollaj”, të ekonomisë pyjore “Krumë”, në Qarkun e Kukësit, që do të përdoret nga shoqëria “Blerimi Kosturr 2010”, sh.p.k. për shfrytëzimin e mineralit të kromit të hiqet nga fondi pyjor e kullosor publik, të pakësohet në volum dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja 1, me të dhënat për sipërfaqen pyjore dhe kollosore, dhe harta topografike, me koordinatat e sipërfaqes objekt minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor dhe të produkteve të tjera pyjore e kullosore, në sipërfaqen objekt minerar, paguhen nga shoqëria “Blerimi Kosturr 2010”, sh.p.k. në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Blerimi Kosturr 2010”, sh.p.k. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet në përdorim sipas kushteve të lejeve mjedisore dhe, brenda dy viteve, të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe pyjore prej 7 ha dhe të përmirësojë 184 ha sipërfaqe kullosore në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit.
4. Sipërfaqja pyjore dhe kullosore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbetet pronë publike e shtetit dhe regjistrohet në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore e kullosore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore dhe kullosore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.
6. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit nga shoqëria “Blerimi Kosturr 2010”, sh.p.k., sipas lejes mjedisore, sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik.
7. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe shoqëria “Blerimi Kosturr 2010”, sh.p.k. për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
VENDIM
 
PËR
 
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK  DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 8.3 HA  NË OBJEKTIN “HIJA E ZOGAJVE”, TË QARKUT KUKËS,  QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “NNT.PRO-ING”, SH.P.K. PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË KROMIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Sipërfaqja pyjore publike prej 8.3 ha, që shtrihet në ngastrën nr.75, në  objektin “Hija e Zogajve”, të ekonomisë pyjore “Stoberdë”, në qarkun e Kukësit, e cila përdoret nga shoqëria “NNT.PRO-ING”, sh.p.k. për shfrytëzimin e mineralit të kromit, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik, të pakësohet në volum dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja 1, me të dhënat për sipërfaqen pyjore, dhe harta topografike, me koordinatat e sipërfaqes objekt minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor dhe të produkteve të tjera pyjore e kullosore, në sipërfaqen objekt minerar, paguhen nga shoqëria “NNT.PRO-ING”, sh.p.k. në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe  kullotave”, të ndryshuar. 
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “NNT.PRO-ING”, sh.p.k. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet në përdorim sipas kushteve të lejes mjedisore dhe, brenda vitit të parë, të pyllëzojë me fondet e veta një sipërfaqe pyjore prej 8.3 ha në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit.
4. Sipërfaqja pyjore dhe kullosore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbetet pronë publike e shtetit dhe regjistrohet në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore dhe kullosore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.
6. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, nga shoqëria “NNT.PRO-ING”, sh.p.k., sipërfaqja pyjore e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik.
7. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe shoqëria “NNT.PRO-ING”, sh.p.k. për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 44.7 HA  NË OBJEKTIN “BLINISHT”, TË QARKUT TË LEZHËS, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “BALKAN BASALT”, SH.P.K. PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË BAZALTEVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Sipërfaqja pyjore dhe kullosore publike prej 44.7 ha, që shtrihet në ngastrat 12a, 13b, 50a, 51a, 51b, 52a, 52b në objektin “Blinisht”, të ekonomisë pyjore “Spaç”, në qarkun e Lezhës, e cila përdoret nga shoqëria “Balkan Basalt”, sh.p.k. për shfrytëzimin e mineralit të bazaltit, të hiqet nga fondi pyjor e kullosor publik, të pakësohet në volum dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja 1, me të dhënat për sipërfaqen pyjore, dhe harta topografike, me koordinatat e sipërfaqes objekt minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor dhe të produkteve të tjera pyjore e kullosore, në sipërfaqen objekt minerar, paguhen nga shoqëria “Balkan Basalt”, sh.p.k., në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Balkan Basalt”, sh.p.k. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet në përdorim sipas kushteve të lejes mjedisore dhe, brenda tre viteve të para, të pyllëzojë me fondet e veta një sipërfaqe pyjore prej 35.95 ha në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit.
4. Sipërfaqet pyjore dhe kullosore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore dhe kullosore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.
6. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, nga shoqëria “Balkan Basalt”, sh.p.k., sipërfaqja pyjore e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik.
7. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Bashkia Mirditë dhe shoqëria “Balkan Basalt”, sh.p.k. për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PËRGJEGJËS QË ADMINISTRON PIKËN E VETME TË INFORMACIONIT PËR OFRIMIN E INFORMACIONIT MINIMAL PËR RRJETET E INFRASTRUKTURËS NË NIVEL KOMBËTAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr.120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe sigurimin e të drejtës së kalimit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Përcaktimin e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), si autoritet përgjegjës që administron pikën e vetme të informacionit për ofrimin e informacionit minimal për rrjetet e infrastrukturës në nivel kombëtar.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
 
 
 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik