Postuar më : 03 Shkurt 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Shkurt 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Shkurt 2017
 
 
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN E PJESËMARRJES SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, SI BASHKËTHEMELUES NË FONDACIONIN “KINOSTUDIO” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 54 e në vijim, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 11, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave, si bashkëthemelues me shtëpinë kinematografike “Orafilm”, në krijimin e fondacionit “Kinostudio”.
 
2. Në aktin e krijimit të fondacionit “Kinostudio”, përcaktohen pas emrave të themeluesve e qëllimit të fondacionit edhe përbërësit e pasurisë (sende të luajtshme dhe të paluajtshme), burimet dhe mënyra e financimit, organet drejtuese, kompetencat e tyre, si dhe emrat e anëtarëve të administratës.
 
3. Veprimtaria e fondacionit “Kinostudio”, të jetë sipas objektit të përcaktuar në aktin e krijimit dhe statutin e tij, miratuar në gjykatë sipas legjislacionit në fuqi për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut, akte të cilat të përcaktojnë që:
 
a) përbërësit e pasurisë së themeluesve të fondacionit “Kinostudio”, sipas akteve të krijimit, do t’i transferohen këtij fondacioni në pronësi, pas fitimit të personalitetit juridik, me qëllim arritjen e objektit të veprimtarisë së fondacionit;
b) transferimi faktik i përbërësve të pasurisë së themeluesve, në të gjitha rastet e mësipërme, të bëhet vetëm pas vlerësimit të tyre, sipas legjislacionit në fuqi;
c) pasuritë e luajtshme dhe paluajtshme, që do t’i transferohen fondacionit “Kinostudio” nga themeluesit, sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, nuk mund të përdoren jashtë objektit të veprimtarisë së fondacionit.
 
Në rast shpërndarjeje të fondacionit, gjykata vendos për destinimin e pasurisë që mbetet pas shpërndarjes së tij, duke pasur parasysh interesin publik, destinacionin e tyre dhe qëllimin themelor për të cilin është themeluar fondacioni.
 
4. Ministria e Arsimit dhe Sportit, autorizohet të përfaqësojë Këshillin e Ministrave, me tagër të plotë për:
 
a) vlerësimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme publike, që do t’i transferohen fondacionit, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi; 
b) nënshkrimin e aktit të themelimit dhe statutit të fondacionit “Kinostudio”; si dhe 
c) të çdo akti tjetër të nevojshëm për kryerjen e veprimeve, në emër dhe për llogari të Këshillit të Ministrave, për themelimin dhe regjistrimin e fondacionit pranë gjykatës sipas ligjit dhe në përputhje me këtë vendim.
 
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Kulturës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË  DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR VËRTETIMIN E PERIUDHAVE TË SIGURIMIT PËR REALIZIMIN E SË DREJTËS PËR PENSION
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e së drejtës për pension, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.58, DATË 21.1.2015, “PËR TRAJTIMIN E DISA FAMILJEVE QË PREKEN NGA ZBATIMI  I PROJEKTIT “LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME SUPERSTRADËN FIER-VLORË”, ME PROGRAME SOCIALE TË STREHIMIT”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Pika 1, e vendimit nr.58, datë 21.1.2015, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
Fjalët  “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e qirasë për një periudhë dy vjeçare...”, zëvendësohen me “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e qirasë për një periudhë tre vjeçare...”.
 
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI 
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN E PAKETAVE TË PAJISJEVE MJEKËSORE TË RIMBURSUESHME
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Paketa e pajisjeve mjekësore të rimbursueshme, si pjesë e paketave të shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm, financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas legjislacionit në fuqi.  
 
2. Lista e pajisjeve mjekësore hartohet nga komisioni teknik i listës së pajisjeve mjekësore të rimbursueshme i cili ngrihet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit.
 
3. Komisioni përfshin në listën e pajisjeve të rimbursueshme, pajisje të cilat janë të regjistruara dhe plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për pajisjet mjekësore.
4. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, brenda datës 30 shtator të çdo viti, i dërgon Ministrisë së Shëndetësisë, listën e pajisjeve mjekësore të importuara dhe të prodhuara gjatë vitit kalendarik si dhe subjektet përkatëse importuese e prodhuese. 
 
5. Ministri i Shëndetësisë, brenda datës 15 tetor të çdo viti, i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave çmimet e deklaruara nga subjektet importuese të regjistruara të pajisjeve mjekësore gjatë vitit kalendarik.
6. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, brenda 20 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës për informacion, dërgon pranë Ministrisë së Shëndetësisë çmimet e deklaruara nga importuesit dhe prodhuesit e regjistruar të pajisjeve mjekësore gjatë vitit kalendarik.
 
7. Ministria e Shëndetësisë i dërgon Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor informacionin për pajisjet mjekësore, importuesit dhe prodhuesit si dhe çmimet e importit, të mbledhura nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore e Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti.  
 
8. Lista e pajisjeve mjekësore, e përfunduar nga komisioni, i paraqitet për miratim Këshillit Administrativ të Fondit.
 
9. Marzhet e tregtimit me shumicë dhe pakicë në rrjetin e hapur farmaceutik si dhe marzhet e tregtimit të rrjetit spitalor, përcaktohen çdo vit, bashkë me listën përkatëse vjetore.
 
10. Lista e pajisjeve mjekësore të rimbursuara, e miratuar nga Këshilli Administrativ i Fondit, i dërgohet Ministrisë së Shëndetësisë për të vijuar procesin e miratimit pranë Këshillit të Ministrave.
 
11. Për vitin 2017, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, do të dërgojnë informacionin e përcaktuar në këtë projektvendim në Ministrinë e Shëndetësisë, brenda datës 28 shkurt 2017.
 
12. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR 
 
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT, PËR VITIN 2017, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESËTË SHËRBIMIT CIVIL 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2017 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, është gjithsej   1 082, i ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
 
a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 10;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 85; 
c) Për kategorinë e ulët drejtuese        312;
ç)  Për kategorinë ekzekutive        675.
 
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë:
- Shkenca juridike;
- Shkenca kompjuterike;
- Audit i brendshëm;
- Shkenca ekonomike;
- Shkenca ekonomike/juridike;
- Shkenca shoqërore;
- Shkenca sociale;
- Histori-filologji;
- Veterinari;
- Agronomi;
- Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
- Kimi; 
- Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
- Shkenca inxhinierike;
- Arkitekturë;
- Arkeologji dhe restaurime;
- Artet e bukura;
- Gjeodezi;
- Shkenca ekzakte;
- Shkenca edukimi;
- Mësuesi;
- Arsim i lartë ushtarak/policor;
- Arsim i lartë.
 
3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2017, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
 
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2017
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2017, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.743, DATË 16.10.2012, TË KËSHILLIT   TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MBROJTJEN E PUBLIKUT NGA RREZATIMET JOJONIZUESE””
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10469, datë 13.10.2011, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në pikat 4.3 dhe 4.9, të rregullores “Për mbrojtjen e publikut nga rrezatimet jojonizuese”, bashkëlidhur vendimit nr.743, datë 16.10.2012, të Këshillit të Ministrave, afati “... 30 ditë pune ...” zëvendësohet me “... 60 ditë pune ...”.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT MBI NJË NDRYSHIM NË MARRËVESHJEN, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË DUKATIT TË MADH TË LUKSEMBURGUT, PËR SHMANGIEN E TAKSIMIT TË DYFISHTË DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL LIDHUR ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN, NËNSHKRUAR NË TIRANË MË 14 JANAR 2009
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të protokollit mbi një ndryshim në marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin, nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI 
***
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM, SISTEMIM DHE ASFALTIM I RRUGËVE E TROTUAREVE”, NË BASHKINË E HASIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave                                                                                                                                                                               
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtim, sistemim dhe asfaltim i rrugëve e trotuareve”, në Bashkinë e Hasit.
 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Hasit.
 
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 473 (katërqind e shtatëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 1 074 183 (një milion e shtatëdhjetë e katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekësh.
 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 074 183 (një milion e shtatëdhjetë e katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Hasit, planifikuar në buxhetin e saj.  
 
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Hasit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Hasit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
 
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 473 (katërqind e shtatëdhjetë e tre) m2, “truall”, për realizimin e projektit “Ndërtim, sistemim dhe asfaltim i rrugëve e trotuareve”  të bëhet në favor të Bashkisë së Hasit.
 
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Has dhe Bashkia e Hasit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I SHËTITORES “ALI PASHA”, RESTAURIM I FASADAVE, NDRIÇIM, SISTEMIM TROTUARESH”, BASHKIA TEPELENË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave                         
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i shëtitores “Ali Pasha”, restaurim i fasadave, ndriçim, sistemim trotuaresh”, Bashkia Tepelenë.
 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tepelenë.
 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “ndërtesë”, me sipërfaqe 227.9 (dyqind e njëzet e shtatë pikë nëntë) m2, me vlerë të përgjithshme prej  2 013 023 (dy milionë e trembëdhjetë mijë e njëzet e tre) lekësh.
 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 013 023 (dy milionë e trembëdhjetë mijë e njëzet e tre) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Tepelenë, planifikuar në buxhetin e saj.  
 
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Tepelenë.
 
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Tepelenë të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
 
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 227.9 (dyqind e njëzet e shtatë pikë nëntë) m2, “ndërtesë”, për realizimin e projektit “Rikonstruksion i shëtitores “Ali Pasha”, restaurim i fasadave, ndriçim, sistemim trotuaresh” të bëhet në favor të Bashkisë Tepelenë.
 
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tepelenë dhe Bashkia Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI DHE ASFALTIMI I RRUGËVE TË LAGJEVE NË KODËR-VORË, LOTI 1”, BASHKIA VORË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
10. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni dhe asfaltimi i rrugëve të lagjeve në Kodër-Vorë, loti 1”, Bashkia Vorë.
 
11. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vorë.
 
12. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “tokë truall”, me sipërfaqe 276 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë) m2 , dhe për pasurinë “objekt”, me sipërfaqe 42 (dyzet e dy) m2, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 2 025 498 (dy milionë e njëzet e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) lekësh.
 
13. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 025 498 (dy milionë e njëzet e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Vorë, planifikuar në buxhetin e saj. 
 
14. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Vorë.
 
15. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
16. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Vorë të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
 
17. Regjistrimi i ri i pasurive “tokë truall”, me sipërfaqe 276 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë) m², dhe “objekt”, me sipërfaqe 42 (dyzet e dy) m2 për realizimin e projektit “Rikonstruksioni dhe asfaltimi i rrugëve të lagjeve në Kodër-Vorë, loti 1” të bëhet në favor të Bashkisë Vorë.
 
18. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vorë dhe Bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI 
***
V E N D I M            
PËR 
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, ME NR.PASURIE 7/160, NË ZONËN KADASTRALE 8270, QË PREKET NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI DHE NDRYSHIMI I DESTINACIONIT TË ISH-LABORATORIT HIDRAULIK NË QENDËR ARTI – SKENA E RE”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.2, DATË 9.9.2015, TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT  
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga zbatimi i projektit “Rikonstruksioni dhe ndryshimi i destinacionit të ish-laboratorit hidraulik në qendër arti – skena e re”, miratuar me vendimin nr.2, datë 9.9.2015, të Këshillit Kombëtar të Territorit.
 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Kulturës.
 
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme me nr.pasurie 7/160, në zonën kadastrale 8270, që shpronësohet, z. Sotir Tasho, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për pasurinë truall, me sipërfaqe 65 (gjashtëdhjetë e pesë) m2, me një vlerë të përgjithshme prej 4 352 985 (katër milionë e treqind e pesëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 352 985 (katër milionë e treqind e pesëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
 
5. Shpronësimi të fillojë në datën 9.2.2017.
 
6. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Ministria e Kulturës.
 
7. Pronari i konfirmuar nga ZVRPP-ja të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Ministrisë së Kulturës.
 
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar nga Ministria e Kulturës, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në emër të Republikës së Shqipërisë dhe me shënimin në përdorim të Ministrisë së Kulturës.
 
9. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Financave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Paurive të Paluajtshme Tiranë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, BASHKIA ELBASAN
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike”, Bashkia Elbasan.
 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “tokë arë”, me sipërfaqe 14 500 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind) m2, me vlerë të përgjithshme prej 3 219 000 (tre milionë e dyqind e nëntëmbëdhjetë mijë) lekësh.
 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 219 000 (tre milionë e dyqind e nëntëmbëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Elbasan, planifikuar në buxhetin e saj.  
 
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Elbasan.
 
 
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Elbasan të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
 
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 14 500 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind) m2 “tokë arë” për realizimin e projektit “Zgjerimi i varrezave publike” të bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
 
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË PROCEDURAVE PËR NGRITJEN E ORGANIZIMIN E SHËRBIMEVE DHE STRUKTURAVE SHËNDETËSORE UNIVERSITARE 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, datë 22.7.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Strukturat shëndetësore universitare realizojnë funksione diagnostikuese e trajtuese në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar si dhe funksione mësimore e kërkimore, shkencore, për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë.
 
2. Strukturat shëndetësore universitare plotësojnë kërkesat e legjislacionit për institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë. Strukturat shëndetësore spitalore universitare publike përbëhen nga shërbimet shëndetësore/mjekësore universitare, të cilat krijohen në bazë specialiteti. 
 
3. Strukturat shëndetësore spitalore universitare janë të përgjithshme ose të profilizuara, në varësi të shërbimeve që ofrojnë.
 
4. Struktura Shëndetësore Spitalore Universitare e Përgjithshme duhet të ofrojë të paktën këto shërbime shëndetësore universitare:
 
a) Shërbimin e urgjencës polivalente;
b) Shërbimin e mjekësisë interne, ku përfshihen të gjitha specialitetet e sëmundjeve të brendshme, në varësi të programit akademik që ofron institucioni i arsimit të lartë;
c) Shërbimin e laboratorit mjekësor;
ç) Shërbimin e imazherisë;
d) Shërbimin e kirurgjisë;
dh) Shërbimin e pediatrisë;
e) Shërbimin e terapisë intensive.
 
5. Struktura Shëndetësore Spitalore Universitare e Profilizuar ofron shërbim shëndetësor universitar në një profil të caktuar shërbimi.
 
6. Pranë strukturave shëndetësore spitalore universitare organizohen dhe funksionojnë edhe njësi mjekësore, të cilat nga natyra e specialitetit mjekësor/klinik që trajtojnë, kanë lidhje funksionale me shërbimet shëndetësore universitare. Këto njësi realizojnë shërbime shëndetësore, funksione diagnostikuese e trajtuese. Njësitë mjekësore duhet të jenë të pajisura me jo më pak se 10 shtretër. Hapja dhe mbyllja e njësive mjekësore publike bëhen me miratimin e ministrit të Shëndetësisë, ndërsa ato jopublike hapen dhe mbyllen sipas legjislacionit në fuqi për licencimin e institucioneve shëndetësore.
 
7. Organet drejtuese të Strukturës Shëndetësore Universitare janë:
 
a) Bordi i Strukturës Shëndetësore Universitare;
b) Drejtoria e Përgjithshme;
c) Komisioni Mjekësor i Strukturës Shëndetësore Universitare.
 
8. Mënyra e funksionimit të Strukturës Shëndetësore Universitare publike përcaktohet në statutin e saj, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin e sportin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
 
9. Bordi i Strukturës Shëndetësore Universitare publike përbëhet nga 5 anëtarë, si më poshtë vijon:
 
a) Përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe sportin;
b) Përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
c) Përfaqësues nga institucioni i arsimit të lartë mjekësor;
ç) Kryetari i Komisionit Mjekësor;
d) Përfaqësues nga institucioni që financon kujdesin shëndetësor.
 
Kryetar i Bordit është përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
 
10. Bordi i Strukturës Shëndetësore Universitare publike ka këto funksione kryesore:
 
a) Miraton projektbuxhetin, strukturën administrative, strukturën shëndetësore universitare dhe numrin e personelit të shërbimeve shëndetësore universitare;
b) Miraton raportin e veprimtarisë shëndetësore dhe kërkimore shkencore të shërbimeve shëndetësore universitare;
c) Miraton raportin vjetor të veprimtarisë financiare; 
ç) Miraton rregulloret e funksionimit të Strukturës Shëndetësore Universitare;
d) Miraton rregullat dhe procedurat e punësimit të Strukturës Shëndetësore Universitare dhe kërkon raport nga drejtori i Përgjithshëm për zbatimin e tyre.
 
Përgjegjësitë e veçanta të Bordit miratohen në statutin e institucionit shëndetësor.
 
11. Detyrat dhe kompetencat e drejtorit të Përgjithshëm dhe të Komisionit Mjekësor përcaktohen në statutin e institucionit. 
 
12. Drejtori i Përgjithshëm i Strukturës Shëndetësore Universitare publike emërohet nga ministri i Shëndetësisë sipas legjislacionit në fuqi. Ai administron aktivitetin e përgjithshëm të institucionit sipas shërbimeve shëndetësore/mjekësore/e njësive dhe siguron zbatimin e objektivave të institucionit bazuar në strategjinë e zhvillimit të tij, nëpërmjet strukturave në varësi. Drejtori i Përgjithshëm ka të drejtë të jetë pjesëmarrës në çdo mbledhje të Bordit të institucionit shëndetësor, pa të drejtë vote.
 
13. Shërbimi shëndetësor spitalor universitar organizohet dhe funksionon në bazë të kritereve të mëposhtme:
 
a) Të ketë një normativë 70% të shfrytëzimit të shtratit në shërbimin spitalor me shtretër;
b) Të mbulojë minimumi 50% të nevojave për kujdes shëndetësor/mjekësor, bazuar në të dhënat e aktivitetit të institucionit; 
c) Të ketë në përbërje të tij jo më pak se dy anëtarë efektivë si personel akademik ku njëri prej tyre me kohë të plotë për secilin shërbim, që duhet të zotërojë gradë shkencore “Doktor” ose titull shkencor.
ç) Të plotësojë standardet e ofrimit të shërbimit spitalor; 
d) Të plotësojë standardet e miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe sportin për realizimin e procesit të mësimdhënies në fushën e shëndetësisë.
 
14. Strukturë Shëndetësore Universitare është edhe Instituti i Shëndetit Publik, i cili ofron shërbim shëndetësor parandalues dhe funksione mësimore e kërkimore shkencore. Organet drejtuese të Institutit të Shëndetit Publik janë sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”.
 
15. Strukturë Shëndetësore Universitare është edhe Klinika Stomatologjike Universitare, e cila ofron shërbime shëndetësore stomatologjike publike për popullatën dhe funksione mësimore e kërkimore shkencore.
 
16. Strukturë Shëndetësore Universitare është edhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, e cila ofron shërbime shëndetësore dhe funksione mësimore e kërkimore shkencore në fushën e mjekësisë transfuzive.
 
17. Vendimi nr.764, datë 12.11.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të shërbimeve në qendrat spitalore universitare”, shfuqizohet.
 
18. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
NIKO PELESHI
 
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik