Postuar më : 08 Mars 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 08 Mars 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 08 Mars 2017
 
 
V E N D I M
PËR
 
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 10.11.2016, PËR ÇËSHTJEN “ÇELA DHE PETRELA KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.15373/15 DHE KËRKESËN NR.3604/16)
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.11.2016, për çështjen “Çela dhe Petrela kundër Shqipërisë”, për kërkesat nr.15373/15 dhe nr.3604/16, në shumën 4 400 (katër mijë e katërqind) euro për kërkuesin, z. Qazim Çela (aplikimi nr.48693/08), dhe në shumën 4 700 (katër mijë e shtatëqind) euro për kërkuesin, z. Albi Petrela, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror si dhe kostot e shpenzimet, duke i përjashtuar nga çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
 
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
 
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, z. Qazim Çela dhe z. Albi Petrela, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.11.2016, për çështjen “Çela dhe Petrela kundër Shqipërisë” (kërkesat nr.15373/15 dhe nr.3604/16).
 
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesve, z. Qazim Çela dhe z. Albi Petrela, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
 
5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e sipërpërmendura paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
 
6. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
 
7. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 10.11.2016, PËR ÇËSHTJEN “DINO KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.49976/13)
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
8. Ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.11.2016, për çështjen “Dino kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.49976/13, në shumën 6 600 (gjashtë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror si dhe kostot e shpenzimet, duke e përjashtuar nga çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
 
9. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
 
10. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, z. Thanas Dino, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.11.2016 (përfundimtar), për çështjen “Dino kundër Shqipërisë”, (kërkesa 49976/13).
 
11. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, z. Thanas Dino, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor, brenda afatit 3-mujor, nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
 
12. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
 
13. Efekti financiar i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
 
14. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
 
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 8.12.2016, PËR ÇËSHTJEN “GRABOVA KUNDËR SHQIPËRISË”, KËRKESA NR.35844/14
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
15. Ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 8.12.2016, për çështjen “Grabova kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.35844/14, në shumën 53 (pesëdhjetë e tre) euro, për kërkuesin, z. Durim Grabova, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, duke e përjashtuar nga çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
 
16. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
 
17. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, z. Durim Grabova, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 8.12.2016, për çështjen “Grabova kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.35844/14.
18. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, z. Durim Grabova, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
 
19. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
 
20. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
 
21. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 6.10.2016, PËR ÇËSHTJEN “SHEHU KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR ANKIMIN NR.33704/09)
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 6.10.2016, për çështjen “Shehu kundër Shqipërisë”, për ankimin nr.33704/09, në shumën 3 300 (tre mijë e treqind) euro, në lidhje me dëmin jopasuror, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
 
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë ekzekutimit të vendimit të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
 
3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses, znj. Përparime Shehu, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 6.10.2016, bërë përfundimtar në datën e shpalljes së tij, për çështjen “Shehu kundër Shqipërisë”, (aplikimi nr.33704/09).
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses, znj. Përparime Shehu, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor, brenda 3 muajve nga dita që vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
 
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
 
6. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
 
7. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR HARMONIZIMIN E LEGJISLACIONIT EKONOMIK DHE TREGTAR ME AKTET LIGJORE TË BE-SË”
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Mbështetje për harmonizimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar me aktet ligjore të BE-së”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR HARMONIZIMIN E LEGJISLACIONIT EKONOMIK DHE TREGTAR ME AKTET LIGJORE TË BE-SË”
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Mbështetje për harmonizimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar me aktet ligjore të BE-së”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKëMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK PËR PROJEKTIN “ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE RAJONAL, NXITJA E PUNËSIMIT DHE ARSIMI PROFESIONAL”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi profesional”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKëMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK PËR PROJEKTIN “ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE RAJONAL, NXITJA E PUNËSIMIT DHE ARSIMI PROFESIONAL (SHTIM FONDESH)”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi profesional (shtim fondesh)”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
 
MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË JOPUBLIK “KOLEGJI PROFESIONAL, PRIVAT, “NEW GENERATION””, TIRANË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit të arsimit të lartë jopublik “Kolegji Profesional, privat, “New Generation””, Tiranë, dhe mbylljen e të gjitha detyrimeve lidhur me veprimtarinë mësimore shkencore në ciklin e studimit ku ushtron veprimtarinë dhe për të gjitha programet e studimit të ofruara.
 
2. Institucioni i arsimit të lartë jopublik “Kolegji Profesional, privat, “New Generation””, Tiranë, të arkivojë të gjithë dokumentacionin mësimor, administrativ dhe financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në përputhje me kuadrin ligjor mbi arkivat, brenda datës 31 mars 2017. 
 
3. Vula e institucionit të arsimit të lartë jopublik “Kolegji Profesional, privat, “New Generation””, Tiranë, të asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.
 
4. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e këtij institucioni jopublik të arsimit të lartë, në zbatim të këtij vendimi, të përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik privat që i përfaqëson. Institucioni i arsimit të lartë “Kolegji Profesional, privat, “New Generation””, Tiranë, duhet të kthejë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, në rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentëve. 
 
5. Për studentët që nuk kanë përfunduar programet përkatëse të studimit, institucioni i arsimit të lartë jopublik “Kolegji Profesional, privat, “New Generation””, Tiranë, të përgatisë, për çdo student, dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve, dhe ta vërë atë në dispozicion të studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda një kohe sa më të shpejtë.
 
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Agjencia Kombëtare e Provimeve, Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe institucioni i arsimit të lartë jopublik “Kolegji Profesional, privat, “New Generation””, Tiranë, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1,  TË MARRËVESHJES SË KREDISË PËR EKSPORT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,  QË VEPRON NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PËRFAQËSOHET NGA MINISTRIA E FINANCAVE,  DHE UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, LIDHUR ME FINANCIMIN E PROJEKTIT “MODERNIZIMI I SISTEMIT ARSIMOR NË SHQIPËRI NËPËRMJET E-EDUKIMIT”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.79/2014 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1, të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UniCredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit”, të ratifikuar me ligjin nr.79/2014, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.149, DATË 18.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 33, pika 5, 75, pika 3, të ligjit nr.70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.149, datë 18.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
   
a) Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit operacional me grada të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”,  që përmendet në pikën 1 të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
b) Lidhja nr.2, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit pa grada dhe mbështetës”, që përmendet në pikën 5 të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.  
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.165, DATË 2.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR GRUPIMIN E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, PËR EFEKT PAGE, DHE CAKTIMIN E KUFIJVE TË PAGAVE TË FUNKSIONARËVE TË ZGJEDHUR E TË EMËRUAR, TË NËPUNËSVE CIVILË E TË PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, shkronja “c”, 4, shkronja “d”, e 5, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të neneve 46, 54, 65, 71 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.165, datë 2.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
a) nivelet e pagave, për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të vetëqeverisjes vendore, të përmendur nga  shkronja “b” deri në shkronjën  “e”, të pikës 1, të vendimit, ndryshojnë si vijon:
 
“b) Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 200 001– 400 000 dhe me mbi 400 000 banorë:
- Kryetari 130 000 – 162 750 lekë;
- Nënkryetari 100 000 –138 000 lekë.
 
c)  Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 100 001– 200 000 banorë:
- Kryetari 110 000 – 150 000 lekë;
- Nënkryetari 70 000 – 125 725 lekë.
 
ç) Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 50 001–100 000 banorë:
- Kryetari 70 000 – 125 725 lekë;
- Nënkryetari 60 000 – 101 650 lekë.
 
d) Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 20 001– 50 000 banorë:
- Kryetari 60 000 –101 650 lekë;
- Nënkryetari 45 000 –86 100 lekë.
 
dh) Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me deri në 20 000 banorë:
- Kryetari 45 000 – 86 100 lekë;
- Nënkryetari 28 300 – 75 500 lekë.
 
e) Për Këshillin e Qarkut:
- Kryetari 87 000 –150 000 lekë;
- Nënkryetari 57 600 –101 650 lekë.”. 
 
b) Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në Bashkinë e Tiranës”, që përmendet në pikën 2, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.1, me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
 
c)  Lidhjet nr.2, 3, 4, 5 e 6, “Struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në bashkitë e tjera”, që përmenden në pikën 3, të vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
 
ç) Lidhja nr.7, “Struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në këshillin e qarkut”, që përmendet në pikën 4, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
 
d) Në paragrafin e parë të pikës 9, mbas fjalëve   “Shkenca kompjuterike”, shtohen “Teknologji informacioni”, “Informatikë ekonomike” dhe “Inxhinieri matematike informatike”. 
 
dh) Në fund të pikës 9, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: 
 
“Miratimi i këtyre shtesave bëhet rast pas rasti nga këshillat përkatës, pas verifikimit nga njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, për llojin e diplomës dhe për përshkrimin e pozicionit të punës.”.   
 
e) Lidhja nr.8, “Kufijtë e pagave për punonjësit e policisë bashkiake, pranë bashkive”, që përmendet në pikën 12, të këtij vendimi, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
ë) Në pikën 13, bëhen këto ndryshime: 
i.   Fjalët “Lidhja nr.7”, zëvendësohen me “Lidhja nr.10”;
ii. Lidhja “Struktura dhe kufijtë e pagave për administratorët e njësive administrative”, zëvendësohet me lidhjen nr.10, me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
f) Kufiri maksimal i pagës, i përcaktuar në pikën 18, të vendimit, nga 36 000 lekë që është aktualisht, bëhet 39 000 lekë. 
 
g) Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore të përcaktuar në pikën 19, të vendimit, ndryshojnë dhe bëhen nga 30 000 në 39 000 lekë në muaj.
 
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga të ardhurat e veta të organeve/njësive të vetëqeverisjes vendore.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.546, DATË 18.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PAGAVE DHE SHTESAVE MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË PËRFAQËSIVE DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA, TË ATASHEVE USHTARAKË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PERSONELIT CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES, QË SHËRBEJNË NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI NËPUNËS NDËRLIDHËS PRANË QENDRËS SECI, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME HOMOLOGE TË SHTETEVE TË NDRYSHME TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9210, datë 12.2.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit” dhe, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I: 
 
1. Në vendimin nr.546, datë 18.8.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
 
a) Lidhja nr.1, që përmendet në pikën 2, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Lidhja nr.2, që përmendet në pikën 3, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Lidhja nr.2/1, që përmendet në pikën 3/1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;   
ç) Lidhja nr.3, që përmendet në pikën 4, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
d) Lidhja nr.4, që përmendet në pikën 5, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
dh) Lidhja nr.5, që përmendet në pikën 6, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.   
 
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2017 të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave. 
  
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.  
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.561, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT SIPAS GRADAVE PËR PUNONJËSIT, OFICERË DHE NËNOFICERË, TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405,                             datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 34, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Lidhja nr.1, “Paga bazë sipas gradës për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, e përmendur në pikën 1, të vendimit nr.561, datë 16.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
 
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.  
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.881, DATË 20.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR FUNKSIONET DREJTUESE DHE PËR STRUKTURËN E NIVELET E PAGAVE NË MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ligjit nr.23/2015, “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.881, datë 20.12.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
 
a) Titulli i vendimit të ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Për përcaktimin e kritereve për funksionet drejtuese dhe përcaktimin e kategorisë së pagës të nëpunësve me grada diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.”.  
 
b) Lidhja nr.1, që përmendet në pikën 1, të zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.    
 
c) Pika 1/1 dhe lidhja nr.2, që përmendet në këtë pikë, shfuqizohen.   
 
ç) Pika 5 të ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“5. Elementët e pagës për secilën kategori të përcaktuar në lidhjen nr.1, si dhe vlerat për secilin element, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë.”. 
 
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2017, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave. 
  
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.  
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 
DHËNIEN E NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE PUNONJËSIT TË POLICISË, NË RAST TË DËMTIMIT TË RËNDË TË PRONËS, PËR SHKAK TË DETYRËS
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1, shkronja “dh” dhe 2, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.9936,   datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare në masën 100 për qind të vlerës së pronës së dëmtuar, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.
 
2. Punonjësi i policisë e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, kur dëmtimi i pronës së paluajtshme ose të luajtshme, vlerësohet më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë.
 
3. Për të përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, punonjësi i policisë duhet të ketë titull pronësie, bashkëpronësie të pronës së dëmtuar, apo të provojë që këtë pronë e ka në proces legalizimi.
 
4. Punonjësit të policisë i jepet ndihmë e menjëhershme financiare, sipas këtij vendimi, vetëm në rast se nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.
 
5. Punonjësi i policisë e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur:
 
a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit të policisë për shkak të detyrës, dhe për rastin është referuar në Prokurori; 
b) prona i është dëmtuar aksidentalisht, gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë, për përmbushjen e detyrave zyrtare.  
 
6. Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, punonjësi i policisë parashtron faktin e dëmtimit dhe dorëzon zyrtarisht dokumentacionin, pranë titullarit të institucionit policor ku ai shërben.
 
7. Drejtori i Policisë së Shtetit urdhëron ngritjen e komisionit për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Urdhri për ngritjen e komisionit i komunikohet zyrtarisht punonjësit të policisë që ka kërkuar ndihmë të menjëhershme financiare.
 
8. Komisioni për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit drejtohet nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit dhe përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 1 specialist finance dhe 1 jurist.  
 
9. Komisioni verifikon faktin e dëmtimit të pronës, bën vlerësimin paraprak të dëmit të shkaktuar dhe shikon përputhshmërinë me kriteret për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, sa më shpejt, por jo më vonë se 10 ditë pune nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion Drejtorit të Policisë së Shtetit përfundimet e arritura. 
 
10. Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
 
11. Bashkëlidhur urdhrit të Drejtorit për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare në çdo rast duhet të jenë, si më poshtë:
 
a) Kërkesa me shkrim e punonjësit të policisë që përfiton ndihmën;
b) Kopje të shkresës së strukturës policore për referimin e veprës penale në Prokurori, ose procesverbalit që evidenton ngjarjen aksidentale;
c) Dokumentacioni që provon titullin e punonjësit të policisë mbi pronën e dëmtuar;
ç) Procesverbali i hartuar nga komisioni, si dhe çdo dokument i prodhuar apo administruar nga komisioni për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit.
 
12. Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë që ka përfituar ndihmë të menjëhershme financiare është i detyruar të kthejë në masën 100 për qind shumën e përfituar.
 
13. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.
 
14. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M 
PËR
 
TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE MËSIMORË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihet trajtimi me pagë për mësuesit/edukatorët në:
a) arsimin parashkollor;
b) arsimin fillor;
c) arsimin e mesëm të ulët;
ç) arsimin e mesëm të lartë;
d) institucionet arsimore për përkudesjen për kategori të veçanta të nxënësve. 
 
2. Për punonjësit mësimorë dhe drejtues në institucionet arsimore, sipas përcaktimit në pikën 1, të këtij vendimi, në bazat didaktike pranë shkollave teknike e profesionale, në konviktet e arsimit parauniversitar si dhe në qendrat kulturore të fëmijëve, skema e strukturës së pagës është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
 
3.  Struktura e pagës mujore përbëhet nga:
 
3.a   paga e grupit, (kolona 2 e lidhjes nr.1) që është paga për nivelin arsimor të kërkuar, vlera e së cilës përcaktohet sipas lidhjes nr.2, “Paga për nivelin arsimor”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
 
3.b   shtesa për vjetërsi pune, (kolona 3 e lidhjes nr.1) që aplikohet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se 25 vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi pagën e grupit. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudha e trajtimit me pagesë papunësie.
 
3.c   shtesa për kualifikim, (kolona 4 e lidhjes nr.1) që jepet sipas dëshmisë së kualifikimit individual dhe llogaritet mbi pagën e grupit, në përqindje, si më poshtë vijon:
a) 5% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues i kualifikuar”;
b) 10% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues specialist”;
c) 20% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues mjeshtër”.
 
3.ç   shtesa e pozicionit, (kolona 5 e lidhjes nr.1) që është e përcaktuar për çdo vend pune, sipas emërtesës përkatëse të pozicionit të punës.
 
4. Përveç pages, si më sipër, punonjësit mësimorë, që punojnë larg vendbanimit, përfitojnë një kompensim në masën, si më poshtë vijon: 
 
4.a Kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 2 700 (dy mijë e shtatëqind ) lekë në muaj. 
4.b Kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 6 000 (gjashtë mijë) lekë në muaj.
 
Në të dyja rastet, kompensimi për largësi nga vendbanimi nuk aplikohet për periudhën gjatë së cilës punonjësi mësimor kryen pushimet vjetore të pagueshme.
 
5. Punonjësit mësimorë efektivë, të cilët për nevoja të procesit mësimor japin orë mësimi mbi normën e lejuar mësimore, paguhen për çdo orë mësimore shtesë, si më poshtë vijon:
 
- Në shkollat e arsimit të mesëm të lartë 350 lekë/për orë;
- Në shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët 275 lekë/për orë.
 
6. Punonjësit e jashtëm, të specialiteteve të ndryshme, që japin mësim në shkollat e arsimit të mesëm të lartë, në shkollat teknike e profesionale si dhe në kurset e ndryshme (me përjashtim të kurseve që ngrihen pranë shkollave të larta dhe institucioneve të tjera të kualifikimit të punonjësve mësimorë), për çdo orë mësimore paguhen në të njëjtën masë me punonjësit mësimorë efektivë, si më sipër. 
 
7. Vendimi nr.194, datë 22.4.1999, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”, i ndryshuar, shfuqizohet. 
 
8.  Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e politikës për rritjen e pagave, të përcaktuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”.
 
9. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik