Postuar më : 08 Shkurt 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 08 Shkurt 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 08 Shkurt 2017
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SHTESAT E VARREZAVE PUBLIKE SHARRË”, TIRANË 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Shtesat e varrezave publike Sharrë”, Tiranë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall”, “arë” dhe “vresht”, me një vlerë të përgjithshme prej 25 670 656 (njëzet e pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 25 670 656 (njëzet e pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë.
7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.546, DATË 27.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL, PËR NDËRTIMIN E STACIONIT TË TRANSFERIMIT TË MBETJEVE TË BASHKISË POGRADEC”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
                                                                        
V E N D O S I:
 
1. Në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.546, datë 27.7.2016, të Këshillit të Ministrave, fshati “Çërravë” zëvendësohet me fshatin “Leshnicë” dhe zona kadastrale “nr.1387” zëvendësohet me zonën kadastrale “nr.2420”.
2. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Qarkut Korçë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Pogradec dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
PЁRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PRODHIMIN, SHPËRNDARJEN DHE PAJISJEN E UDHËTARËVE ME BILETA TRANSPORTI RRUGOR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21/2, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. RREGULLA TË PËRGJITHSHME
 
1. Çdo udhëtar pajiset me biletë për udhëtimin e përshkruar, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar.
2. Pajisja e udhëtarëve me biletat e transportit është e detyrueshme për të gjitha llojet e shërbimit në transportin rrugor për të tretë, përjashtuar taksitë 4+1 dhe 8+1 vende, të cilat duhet të jenë të pajisura me taksimetër.
3. Biletat e transportit të udhëtarëve mund të jenë në format letër, me çmim të parashtypur ose elektronik, por, në çdo rast, përmbajnë të paktën të dhëna për:
a) gjatësinë e udhëtimit në km;
b) çmimin për km;
c) numrin e serisë;
ç) emrin e operatorit të transportit;
d) datën dhe kohën e nisjes;
dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit.
4. Modeli i biletave të transportit rrugor të udhëtarëve për shërbimin qytetas, rrethqytetas e ndërqytetas, si dhe në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve, si për biletat në format letër, me çmim të parashtypur edhe për biletat elektronike, është sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.
5. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore të secilës bashki, sipas kërkesës, për qëllime të identifikimit të linjave të transportit, në përputhje me modelin e miratuar, përcakton ngjyrën/at e biletave, kur ajo ndryshon sipas linjave.
6. Çmimi i biletave në format letër me çmim të parashtypur ose elektronik, i cili përmban edhe vlerën e TVSH-së për transportin qytetas/rrethqytetas, caktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim, me vendim të këshillit të njësive të vetëqeverisjes vendore/marrëveshje ndërmjet bashkive. 
7. Për udhëtarët, që përfitojnë lehtësi me ligje të veçanta, çmimi i biletave për transportin qytetas dhe rrethqytetas caktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim, me vendim të këshillit të njësive të vetëqeverisjes vendore.
8. Në shërbimet e rastit/turistike të organizuara brenda vendit ose ndërkombëtare, si dhe në shërbimet e rregullta të specializuara, udhëtarët nuk pajisen me bileta, por agjencia e transportit i lëshon faturën tatimore organizatorit/shoqërisë përfitues/e të shërbimit. Në këto raste, drejtuesi i mjetit duhet të ketë gjatë udhëtimit listën e udhëtarëve dhe faturën tatimore, të lëshuar nga agjencia e transportit.
9. Shoqëritë rezidente shqiptare, të licencuara në transportin ndërkombëtar dhe të autorizuara për të operuar në linja të rregullta, detyrohen të pajisin me bileta udhëtimi të gjithë udhëtarët sipas itinerarit të udhëtimit, përkatësisht, vajtje, ardhje ose vajtje-ardhje.
10. Strukturat përkatëse tatimore ushtrojnë kontroll ndaj shoqërive rezidente shqiptare, të licencuara, për llojet e ndryshme të transporteve, për pajisjen me bileta të udhëtarëve ose faturë tatimore, vetëm apo në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për transportin dhe strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me kompetencat dhe detyrat e tyre funksionale.
 
11. Agjencia e udhëtarëve për transportin ndërkombëtar rrugor, përpara kalimit të kufirit, harton dhe depoziton në pikën e kalimit kufitar, në tri kopje, listën e udhëtarëve, sipas formatit të përcaktuar bashkëlidhur këtij vendimi.
12. Një kopje e listës së udhëtarëve depozitohet në zyrën e policisë kufitare dhe tërhiqet rregullisht çdo muaj, pasi nënshkruhet nga punonjësi i policisë së kalimit kufitar, nga drejtoria rajonale tatimore, me autorizim të drejtorit të kësaj drejtorie. Një kopje e nënshkruar i kthehet shoqërisë transportuese, pasi është verifikuar dhe konfirmuar përputhshmëria e listës përkatëse me udhëtarët e transportuar nga shoqëria dhe një kopje mbahet nga punonjësi i policisë së kalimit kufitar.
 
II. BILETAT NË FORMAT LETËR ME ÇMIM TË PARASHTYPUR
 
1. Shtypja e biletave në format letër me çmim të parashtypur realizohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, të ndryshuar.
2. Tërheqja e biletave për transportin rrugor të udhëtarëve, për transportin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe transportin ndërkombëtar rrugor, realizohet nga shoqëritë e licencuara për këto lloje transporti apo nga përfaqësuesi i agjencisë së transportit. Tërheqja e biletave kryhet pranë drejtorive rajonale tatimore, kundrejt kostos së prodhimit të tyre.
3. Në fund të çdo viti kalendarik, shoqëritë e transportit ose përfaqësuesi i agjencisë së transportit paraqesin pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku janë regjistruar si subjekte tatimpaguese, parashikimet e tyre për sasinë e biletave, për vitin e ardhshëm fiskal. Në rastet e sasive shtesë, këto shoqëri dhe agjencitë në shërbim të tyre duhet të bëjnë kërkesa shtesë, të paktën tre muaj më parë.
4. Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për çdo vit kalendarik, i jepet fondi i përcaktuar për përballimin e shpenzimeve të prodhimit të biletave të transportit rrugor, në zbatim të këtij vendimi. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në përputhje me formatin, ngjyrën e miratuar të biletave sipas pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, si dhe nevojat sipas porosive të shoqërive të transportit koordinon dhe menaxhon procesin e shtypjes së biletave me çmim të parashtypur të transportit rrugor të udhëtarëve, për transportin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe transportin ndërkombëtar.
 
III. BILETAT NË FORMAT ELEKTRONIK
 
1. Përveç rasteve kur udhëtarët pajisen me biletë me çmim të parashtypur sipas kreut II, të këtij vendimi, për shërbimin e transportit rrugor udhëtarët mund të pajisen me biletë elektronike.
2. Ministria përgjegjëse për transportin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore administrojnë vetë ose me të tretë, të cilët janë subjekte të licencuara/të autorizuara/të kontraktuara në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, biletat elektronike dhe sistemin e biletimit elektronik, përkatësisht në linjat e transportit ndërqytetas/ndërkombëtar të udhëtarëve dhe në linjat e transportit qytetas/rrethqytetas të udhëtarëve.
3. Modeli, përfshirë elementet e sigurisë së biletave elektronike dhe parametrat që duhet të përmbushin sistemet e biletimit elektronik që emetojnë këto bileta, duhet të jenë sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.
4. Procedurat për zgjedhjen e subjekteve të përmendura në pikën 2, të këtij kreu, subjekte publike ose private, kryhen nga ministria përgjegjëse për transportin ose njësia e vetëqeverisjes vendore, sipas fushës përkatëse të përgjegjësisë dhe në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
5. Subjekti i licencuar/i autorizuar/i kontraktuar për administrimin e sistemit të biletimit elektronik:
a) është përgjegjës për të planifikuar dhe menaxhuar kërkesat e biletave elektronike, sipas fushës së transportit që ka në kompetencë;
b) përballon shpenzimet për emetimin e biletave të transportit të udhëtarëve deri në momentin e shitjes së tyre te përdoruesit e shërbimit të transportit në linja;
c) shpërndan bileta elektronike sipas fushës përkatëse të transportit, në përputhje me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
 
6. Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministria përgjegjëse për transportin, të paktën 3 muaj përpara fillimit të aplikimit të biletës elektronike, duhet të njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në mënyrë që të planifikojë dhe të rakordojë kërkesat për biletat me çmim të parashtypur.
7. Përveçse, kur për qëllime të transportit rrugor të udhëtarëve, përdoren biletat me çmim të parashtypur, të cilat prodhohen dhe shpërndahen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si në kreun II, të këtij vendimi, përdorimi i biletimit elektronik për qëllime tatimore i nënshtrohet dispozitave të legjislacionit tatimor në fuqi.
 
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
 
1. Për biletat e transportit rrugor të udhëtarëve me çmim të parashtypur do të vazhdojë të përdoret modeli aktual, deri në hyrjen në fuqi të udhëzimit të ministrit përgjegjës për transportin, në përputhje me nenin 21/2, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar.
2. Vendimi nr.643, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për prodhimin, shpërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve me bileta transporti rrugor”, të ndryshuar, dhe udhëzimet në zbatim të tij, shfuqizohen.
3. Ngarkohet ministria përgjegjëse për transportin për hartimin e udhëzimit për kriteret/rregullat e dhënies së licencës/autorizimit ose për kontraktimin e subjektit publik ose privat, që do të marrë të drejtën për prodhimin dhe shpërndarjen e biletave elektronike (sistemin e biletimit në tërësi).
4. Ngarkohen Ministria e Transportit, Ministria e Financave dhe Ministria e  Punëve të Brendshme, pikat e kalimit të kufirit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi. 
 
   Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 56 e 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në aneksin 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, hiqen kodet sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
HEQJEN NGA FONDI PYJOR E KULLOSOR PUBLIK DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQEVE PYJORE E KULLOSORE PUBLIKE QË DO TË PËRDOREN NGA SHOQËRIA TAP-AG PËR NDËRTIMIN E SEKSIONIT TOKËSOR TË GAZSJELLËSIT TAP, PËR SEKTORËT 5B DHE 5C, NË QARQET KORÇË DHE BERAT 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.116/2013, “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “TAP-AG””, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Sipërfaqja pyjore prej 26 ha, që do të përdoret nga shoqëria “TAP-AG” për ndërtimin e seksionit tokësor të Gazsjellësit TAP, për sektorët 5B dhe 5C, në qarqet Korçë e Berat, të hiqet nga fondi pyjor e kullosor publik, të pakësohet në volum dhe të çregjistrohet nga regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja 1, me të dhënat për sipërfaqet pyjore e kullosore që pakësohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor e kullosor publik, sipas bashkive, dhe harta topografike me gjurmën e ndërtimit të tubacionit, i bashkëngjiten këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore, produkteve të tjera pyjore dhe investimeve të kryera në vite, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria “TAP-AG”, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”, të ndryshuar. Vlera derdhet në llogarinë bankare përkatëse të bashkisë, sipas vendndodhjes territoriale administrative të fondit pyjor dhe kullosor.
3. Shoqëria “TAP-AG”, brenda dy viteve, të pyllëzojë me fondet e veta 34 806 ha me drurë pyjorë dhe të përmirësojë një sipërfaqe kullosore prej 10.280 ha, sipas përcaktimeve në marrëveshjen e lidhur ndërmjet shoqërisë “TAP-AG” dhe Ministrisë së Mjedisit.
4. Sipërfaqet pyjore dhe kullosore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të bëjnë çregjistrimin e sipërfaqes pyjore e kullosore, të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore dhe kullosore” dhe ta regjistrojnë në kategorinë “Tokë e zënë, objekt ndërtimi i Gazsjellësit TAP”.
6. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, bashkitë Korçë, Skrapar, Poliçan, Berat dhe shoqëria “TAP-AG”, zyra për Shqipërinë, për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË NDRYSHIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË VEPRON NËPËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DHE TRANS ADRIATIC PIPELINE AG, NË LIDHJE ME MARRËVESHJEN ME QEVERINË E VENDIT PRITËS 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, që vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, në lidhje me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË PASURISË ME NR.2/292, VOL.35., FQ.3, ZK.8160, ME EMËRTIMIN “PARKU I LOJËRAVE PËR FËMIJË NË RRUGËN E ELBASANIT”, AKTUALISHT NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, e të neneve 10, 12, 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë me nr.2/292, vol.35, fq.3, zk.8160, me emërtimin “Parku i lojërave për fëmijë në rrugën e Elbasanit”, me sipërfaqe 3 186 (tre mijë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë) m², në administrim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, sipas dokumentacionit bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të ushtrimit të veprimtarive në fushën e përgjegjësisë së këtij institucioni, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia Tiranë si dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIMI DHE ASFALTIMI I RRUGËS SË GAZIT”, BASHKIA DIVJAKË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës së gazit”, Bashkia Divjakë. 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Divjakë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “tokë arë”, me sipërfaqe 30 (tridhjetë) m², me vlerë të përgjithshme prej 10 920 (dhjetë mijë e nëntëqind e njëzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 10 920 (dhjetë mijë e nëntëqind e njëzet) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Divjakë, planifikuar në buxhetin e saj.  
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Divjakë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Divjakë të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 30 (tridhjetë) m², për realizimin e projektit “Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës së gazit” të bëhet në favor të Bashkisë Divjakë.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë dhe Bashkia Divjakë për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË DORËZIMIT VULLNETAR TË ARMËVE TË ZJARRIT TË ÇDO LLOJI DHE TRAJTIMIN E TYRE NGA STRUKTURAT E POLICISË SË SHTETIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.141/2016, “Për dhënie amnistie”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. STRUKTURAT PËRGJEGJËSE PËR NDJEKJEN DHE ADMINISTRIMIN E PROCESIT TË DORËZIMIT VULLNETAR TË ARMËVE TË ZJARRIT TË ÇDO LLOJI
 
1. Policia e Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është përgjegjëse për grumbullimin, evidentimin, administrimin e armëve e të materialeve të tjera luftarake, të dorëzuara vullnetarisht nga personat. Përkatësisht, në Policinë e Shtetit, strukturat përgjegjëse për ndjekjen e procesit të dorëzimit vullnetar, marrjes në dorëzim dhe administrimin e armëve të zjarrit, të lëndëve plasëse e të materialeve të tjera luftarake janë:
 
a) Në Drejtorinë e Policisë së Shtetit:
 
i. Drejtoria e Rendit Publik, në Drejtorinë e Përgjithshme për Sigurinë Publike, për monitorimin e procesit të dorëzimit vullnetar, për zbatimin e procedurave gjatë marrjes në dorëzim të armëve të zjarrit e të materialeve të tjera luftarake;
ii. Sektori i marrëdhënieve me publikun, në Drejtorinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Marrëdhënieve me Publikun, për komunikimin me institucionet e tjera, mediat dhe publikun;
iii. Drejtoria Ekonomike, në Drejtorinë e Përgjithshme për Shërbimet Mbështetëse, për evidentimin, magazinimin, administrimin, deri në dorëzimin në magazinat e Forcave të Armatosura;
iv. Salla e komandimit, në Drejtorinë e Përgjithshme për Sigurinë Publike, për grumbullimin e informacionit nga drejtoritë vendore të policisë, përpunimin e rezultateve dhe raportimin në komunikatën ditore të Policisë së Shtetit.
b) Në drejtoritë vendore të policisë:
i. Sektori i rendit publik, në Drejtorinë Vendore të Policisë, për monitorimin e procesit të dorëzimit vullnetar, për zbatimin e procedurave gjatë marrjes në dorëzim nga qytetarët në banesat e tyre, duke u mbështetur edhe nga të gjithë sektorët e tjerë në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë;
ii. Sektori i marrëdhënieve me publikun, në Drejtorinë Vendore të Policisë, për komunikimin me institucionet e tjera, mediat dhe publikun në juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë;
iii. Sektori ekonomik, në Drejtorinë Vendore të Policisë, për evidentimin, magazinimin, administrimin e armëve e të materialeve të tjera luftarake, deri në dorëzimin në magazinat e Forcave të Armatosura;
iv. Salla e komandimit, në Drejtorinë Vendore të Policisë, për grumbullimin e informacionit nga strukturat në varësi të saj, përpunimin e rezultateve dhe raportimin në komunikatën ditore të Drejtorisë Vendore të Policisë, në sallën  e komandimit, në Drejtorinë e Përgjithshme për Sigurinë Publike të Policisë së Shtetit;
v. Komisariatet/stacionet e policisë në varësi të drejtorive vendore të policisë, të cilat do të punojnë në terren, duke trokitur derë më derë te qytetarët dhe do të bëjnë thirrje për dorëzimin vullnetar të armëve e të municioneve luftarake.
 
2. Ministria e Mbrojtjes, e cila është përgjegjëse për marrjen në dorëzim të armëve e të materialeve të tjera luftarake, të grumbulluara nga Policia e Shtetit, dhe trajtimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi.
 
II. PROCEDURAT QË DO TË NDIQEN GJATË PROCESIT TË DORËZIMIT VULLNETAR TË ARMËVE TË ZJARRIT TË ÇDO LLOJI
 
3. Procedura e njoftimit/deklarimit nga personat në strukturat e Policisë së Shtetit:
 
3.1.  Personat, që disponojnë armë zjarri dhe materiale të tjera luftarake pa leje dhe që shprehin dëshirën për t’i dorëzuar vullnetarisht ato, njoftojnë paraprakisht në strukturën më të afërt të drejtorisë, komisariatit, stacionit të Policisë së Shtetit, në një nga mënyrat e mëposhtme:
 
a) Telefonojnë direkt në numrat e telefonit 112 (për Tiranën) ose 129 të sallave të komandimit pranë drejtorive vendore të policisë/ komisariateve të policisë/stacioneve të policisë, duke dhënë adresën e saktë se ku e mban armën e zjarrit apo materiale të tjera luftarake që dëshiron të dorëzojë, sasinë, llojin që disponon dhe orën kur janë të gatshëm për t’i dorëzuar vullnetarisht ato;
b) Paraqiten personalisht pranë zyrave të shërbimit të qytetarëve/shërbimin e informacionit pranë strukturës vendore policore më të afërt, duke plotësuar një deklaratë me të dhënat dhe adresën e saktë të tij, vendin, sasinë dhe llojin e armës apo materialeve të tjera luftarake që dëshiron të dorëzojë vullnetarisht.
c) Në rrugë elektronike, duke dërguar e-mail në adresat elektronike të Policisë së Shtetit (policiaeshtetit@gmail.com)  apo komisariatit dixhital.
3.2.  Në momentin e deklarimit, punonjësi i policisë udhëzon personin që nuk duhet të qarkullojë me armën e zjarrit apo materiale të tjera luftarake, deri në paraqitjen e punonjësit të policisë për marrjen në dorëzim të tyre.
3.3.  Shtetasi, që ka deklaruar në strukturat e policisë për disponimin e armës së zjarrit të çdo lloji apo materialeve të tjera luftarake, i mban ato në ambientin që ka deklaruar, deri në momentin e marrjes në dorëzim nga punonjësi i policisë sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
4. Marrja në dorëzim e armës së zjarrit dhe materialeve të tjera luftarake nga punonjësi i Policisë së Shtetit:
4.1.  Policia e Shtetit, pas marrjes së informacionit nga personi se ai disponon një armë zjarri, municione luftarake, lëndë plasëse apo materiale të tjera luftarake pa lejen e organeve kompetente, të cilat dëshiron t’i dorëzojë, organizon masat për dorëzimin e tyre, si më poshtë vijon:
a) Brenda 24 orëve në adresën e dhënë nga personi paraqitet punonjësi i policisë (ndihmësspecialisti i policimit në komunitet);
b) Punonjësi i policisë (ndihmësspecialisti i policimit në komunitet) përpilon procesverbalin e marrjes në dorëzim të armës/materialeve të tjera luftarake, i cili mbahet në dy kopje dhe pasi nënshkruhet një kopje e tij i jepet personit;
c) Në raste të veçanta, kur shtetasi që disponon armë zjarri apo materiale të tjera luftarake dëshiron t’i dorëzojë ato, por kërkon të mos nënshkruajë procesverbalin e dorëzimit, duhet të jenë prezent jo më pak se dy punonjës policie, të cilët nënshkruajnë procesverbalin dhe pasqyrojnë refuzimin e nënshkrimit nga personi;
ç)  Punonjësi i policisë, i cili ka marrë në dorëzim armën apo materiale të tjera luftarake, i dorëzon menjëherë në magazinën e armatimit të strukturës vendore të Policisë së Shtetit, të shoqëruar me procesverbalin, duke informuar sallën e komandimit. 
5. Gjetja e armëve të zjarrit dhe materialeve të tjera luftarake në ambiente të ndryshme: 
5.1. Në rast të konstatimit të armëve të zjarrit apo materialeve të tjera luftarake në vende/ambiente të ndryshme, strukturat e Policisë së Shtetit do të kryejnë veprimet procedurale sipas Kodit të Procedurës Penale. 
6. Ekspertimi balistik i armëve të zjarrit të dorëzuara vullnetarisht: 
6.1. Të gjitha armët e zjarrit të dorëzuara vullnetarisht i nënshtrohen ekspertimit balistik sipas procedurave standarde për këtë qëllim.
 
III. REGJISTRIMI, ADMINISTRIMI I ARMËVE TË ZJARRIT TË ÇDO LLOJI DHE MATERIALEVE TË TJERA LUFTARAKE TË DORËZUARA
 
7. Struktura përgjegjëse për magazinimin, administrimin, grumbullimin dhe asgjësimin e armëve e të materialeve të tjera luftarake:
7.1.  Ministria e Punëve të Brendshme (Drejtoria e Policisë së Shtetit) është përgjegjëse për grumbullimin, evidentimin, administrimin e armëve e të materialeve të tjera luftarake, të dorëzuara vullnetarisht. Administrimi i armëve dhe i materialeve të tjera luftarake bëhet në magazinat e armatimit, në kolonë të veçantë si armë të dorëzuara nga shtetasit. Regjistrimi i tyre bëhet në regjistra dhe në sistemin elektronik të regjistrimit të armëve.
7.2.  Armatimi dhe materialet e tjera luftarake të grumbulluara nga Ministria e Punëve të Brendshme i dorëzohen Ministrisë së Mbrojtjes, e cila bën trajtimin e mëtejshëm të tyre, sipas legjislacionit në fuqi.
 
IV. BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET, MEDIAN DHE PUBLIKUN
 
8. Njoftimi për rezultatet e procesit të dorëzimit të armëve të zjarrit dhe materialeve të tjera luftarake:
8.1. Të gjitha armët e zjarrit apo materialet e tjera luftarake të grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit do të evidentohen dhe do të raportohen çdo ditë në komunikatën e Policisë së Shtetit.
8.2. Policia e Shtetit në nivel qendror dhe vendor komunikon me publikun për procesin dhe rezultatet e evidentuara.
9. Bashkëpunimi me institucionet, median dhe publiku:
9.1.  Në procesin e sensibilizimit dhe dorëzimit vullnetar të armëve të zjarrit e të materialeve të tjera luftarake, drejtuesit vendorë të policisë bashkëpunojnë me prefektin e qarkut, kryetarin e bashkisë, drejtuesit e njësive administrative, drejtoritë arsimore, institucione të tjera shtetërore, organizatat e të drejtave të njeriut, institucionet fetare, ato të shoqërisë civile dhe mediat, të cilat ngarkohen ose jo me detyra në këtë  proces.
 
V. DISPOZITA TË FUNDIT
 
10. Miratimi i modelit të deklaratës dhe i procesverbalit për dorëzimin e armës së zjarrit dhe materialeve të tjera luftarake:
10.1. Drejtori i Policisë së Shtetit, brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, miraton modelin e deklaratës dhe të procesverbalit që përpilojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në procesin e dorëzimit vullnetar të armëve të zjarrit e të materialeve të tjera luftarake.
11. Magazinimi i armëve të zjarrit dhe materialeve luftarake:
11.1.  Armatimi dhe materialet e tjera luftarake, të grumbulluara nga Ministria e Punëve të Brendshme, dorëzohen në vendin e përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA VLORË, TË DISA OBJEKTEVE DHE TË DISA SIPËRFAQEVE NGA TRUALLI FUNKSIONAL I PRONËS NR.904, ME EMËRTIM “AKADEMIA E DETARISË”, ME VENDNDODHJE NË SKELË, VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE  TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Vlorë, të disa objekteve dhe të sipërfaqeve truall funksional prej 22 009 (njëzet e dy mijë e nëntë) m² dhe prej 3 690 (tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 25 699 (njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m², brenda territorit të pronës nr.904, me emërtim “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për nevoja urbanistike, për zbatimin e projekteve për ndërtimin e rrugës “Lungomare” dhe për ndërtimin e unazës së qytetit Vlorë.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, nga prona nr.904, me emërtim “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas planvendosjes, të hiqen sipërfaqet truall funksional prej 22 009 (njëzet e dy mijë e nëntë) m² dhe prej 3 690 (tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 25 699 (njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m², përfshirë objektet, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Vlorë. 
3. Bashkisë Vlorë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqeve të pronës, të përcakuara në pikën 1, të këtij vendimi, ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve.
4. Para fillimit të punimeve, Bashkia Vlorë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, duke i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme dhe për këtë, ndërmjet Bashkisë Vlorë dhe Komandës së Forcës Detare Durrës të hartohet një aktmarrëveshje. 
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Vlorë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. 
 
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA SHIJAK, TË PRONËS NR.1131, ME EMËRTIM  “ISH-SPITALI”, ME VENDNDODHJE NË SHIJAK, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR,  DHE NË VENDIMIN NR.839, DATË 22.7.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHIJAK, TË QARKUT TË DURRËSIT”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Shijak, të pronës nr.1131, me emërtim “Ish-spitali”, me vendndodhje në Shijak, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e një qendre të shërbimeve të integruara, për realizimin e funksioneve dhe të shërbimeve administrative, ekonomike, socialkulturore, të shëndetit publik dhe për kryerjen e funksioneve të veta, në interes të komunitetit në territorin e Bashkisë Shijak.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.1131, me emërtim “Ish-spitali”, me vendndodhje në Shijak, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore publike, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Shijak, me vendimin nr.839, datë 22.7.2009, të Këshillit të Ministrave. 
3. Bashkisë Shijak i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës nr.1131, me emërtim “Ish-spitali”, me vendndodhje në Shijak, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Shijak për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË PËR PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15/1, pikat 1, 3, e 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë, në favor të subjekteve përfituese, për 977 (nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Kalimin e së drejtës së pronësisë, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë:
 
a) Për Qarkun Elbasan (ZVRPP-të Elbasan, Librazhd dhe Gramsh), numri i parcelave ndërtimore është 113 (njëqind e trembëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 30 587 (tridhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e shtatë) m².
b) Për Qarkun Kukës (ZVRPP-të Tropojë dhe Has), numri i parcelave ndërtimore është 106 (njëqind e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme  34 175 (tridhjetë e katër mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) m².
c) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP-ja Shkodër), numri i parcelave ndërtimore është 15 (pesëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 4 915 (katër mijë e nëntëqind e pesëmbëdhjetë) m².
ç) Për Qarkun Korçë (ZVRPP-të Korçë, Devoll dhe Kolonjë), numri i parcelave ndërtimore është 12 (dymbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 3 486 (tre mijë e katërqind e tetëdhjetë e gjashtë) m².
d) Për Qarkun Durrës (ZVRPP-ja Durrës), numri i parcelave ndërtimore është 530 (pesëqind e tridhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 181 197 (njëqind e tetëdhjetë e një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e shtatë) m².
dh) Për Qarkun Tiranë (ZVRPP-të Tiranë dhe Kavajë), numri i parcelave ndërtimore është 140 (njëqind e dyzet), me sipërfaqe të përgjithshme 37 115 (tridhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë) m².
e) Për Qarkun Gjirokastër (ZVRPP-të Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë), numri i parcelave ndërtimore është 58 (pesëdhjetë e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 13 715 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) m².
ë) Për Qarkun Berat (ZVRPP-ja Berat), numri i parcelave ndërtimore është 2 (dy), me sipërfaqe të përgjithshme 338 (treqind e tridhjetë e tetë) m².
 
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi:
 
a) Masa e kompensimit është 14 548,8 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzet e tetë presje tetë) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 180 127 544,2 (njëqind e tetëdhjetë milionë e njëqind e njëzet e shtatë mijë e pesëqind e dyzet e katër presje dy) lekë.
b) Vlera e miratuar e kompensimit financiar për:
 
i. pasurinë nr.7/632, në zonën kadastrale 8180, sipas seksionit të veçantë të shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi, vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
ii. pasurinë nr.6/524, në zonën kadastrale 8310, pasi të ketë përfunduar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm, vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, sipas pikës 13, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
4. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Elbasan, Librazhd, Gramsh, Tropojë, Has, Shkodër, Korçë, Devoll, Kolonjë, Kavajë, Durrës, Tiranë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë dhe Berat të regjistrojnë, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 dhe 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.204, DATË 19.2.2009, NR.616, DATË 11.6.2009, NR.1039, DATË 14.10.2009, NR.389, DATË 19.5.2010, NR.435, DATË 24.4.2013, NR.494, DATË 19.6.2013, NR.685, DATË 16.8.2013, NR.760, DATË 5.9.2013, NR.869, DATË 10.12.2014, NR.258, DATË 25.3.2015, NR.449, DATË 27.5.2015, NR.616, DATË 7.7.2015, NR.801, DATË 30.9.2015, NR.910, DATË 11.11.2015, NR.220, DATË 23.3.2016, NR.378, DATË 25.5.2016, NR.529, DATË 20.7.2016, DHE NR.563, DATË 29.7.2016, “PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të  ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “c”, dhe 5, pika 2, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.204, datë 19.2.2009, nr.616, datë 11.6.2009, nr.1039, datë 14.10.2009, nr.389, datë 19.5.2010, nr.435, datë 24.4.2013, nr.494, datë 19.6.2013, nr.685, datë 16.8.2013, nr.760, datë 5.9.2013, nr.869, datë 10.12.2014, nr.258, datë 25.3.2015, nr.449, datë 27.5.2015, nr.616, datë 7.7.2015, nr.801, datë 30.9.2015, nr.910, datë 11.11.2015, nr.220, datë 23.3.2016, nr.378, datë 25.5.2016, nr.529, datë 20.7.2016, dhe nr.563, datë 29.7.2016, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, bëhen ndryshime në pronat nga 1 deri në 42, si më poshtë vijon:
 
1. Zona kadastrale 8340, pasuria nr.9/227;
2. Zona kadastrale 8330, pasuria nr.5/357;
3. Zona kadastrale 8330, pasuria nr.5/330;
4. Zona kadastrale 8330, pasuria nr.5/331;
5. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.1/109;
6. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.1/111;
7. Zona kadastrale 8330, pasuria nr.5/503;
8. Zona kadastrale 8340, pasuria nr.4/250;
9. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.5/282;
10. Zona kadastrale 8250, pasuria nr.5/194;
11. Zona kadastrale 8515, pasuria nr.8/254;
12. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.8/824;
13. Zona kadastrale 8230, pasuria nr.2/448;
14. Zona kadastrale 8230, pasuria nr.2/338;
15. Zona kadastrale 8310, pasuria nr.6/509;
16. Zona kadastrale 8160, pasuria nr.3/1103;
17. Zona kadastrale 8230, pasuria nr.2/338;
18. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.5/291;
19. Zona kadastrale 8380, pasuria nr.7/549;
20. Zona kadastrale 8380, pasuria nr.7/549;
21. Zona kadastrale 8320, pasuria nr.2/35;
22. Zona kadastrale 8170, pasuria nr.11/194;
23. Zona kadastrale 8330, pasuria nr.5/330;
24. Zona kadastrale 8527, pasuria nr.1362/8/1;
25. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.8/460;
26. Zona kadastrale 8340, pasuria nr.7/257;
27. Zona kadastrale 8260, pasuria nr.1/365;
28. Zona kadastrale 8260, pasuria nr.5/287;
29. Zona kadastrale 3072, pasuria nr.412/2;
30. Zona kadastrale 3292, pasuria nr.116/22;
31. Zona kadastrale 3292, pasuria nr.116/2/1;
32. Zona kadastrale 8170, pasuria nr.1/363;
33. Zona kadastrale 8330, pasuria nr.5/357;
34. Zona kadastrale 8260, pasuria nr.1/365;
35. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.1/145;
36. Zona kadastrale 8230, pasuria nr.2/128;
37. Zona kadastrale 8270, pasuria nr.8/941;
38. Zona kadastrale 8230, pasuria nr.2/128;
39. Zona kadastrale 2704, pasuria nr.54/18;
40. Zona kadastrale 8605, pasuria nr.39/193;
41. Zona kadastrale 8120, pasuria nr.2/257;
42. Zona kadastrale 8526, pasuria nr.2174/1.
 
II. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ANGAZHIMIT PËR ZHVILLIMIN E TREGUT TË GAZIT DHE TË MARRËVESHJES PËR PËRFITIMET VENDASE, TË LIDHURA NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, E CILA VEPRON NËPËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DHE TRANS ADRIATIC PIPELINE AG, LIDHUR ME PROJEKTIN E GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të  ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së angazhimit për zhvillimin e tregut të gazit dhe të marrëveshjes për përfitimet vendase, të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
 
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik