Postuar më : 09 Nëntor 2016

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Nëntor 2016

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Nëntor 2016

 
V E N D I M 
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1299,  DATË 16.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, TË ORGANIKËS DHE TË NUMRIT TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË GJENDJES CIVILE NË BASHKI/NJËSI BASHKIAKE/ KOMUNA DHE NË DEGËT E QARQEVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 62, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I: 
 
 
1. Në pasqyrën nr.2, të vendimit nr.1299, datë 16.12.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
a) Në tabelën e organikës së shërbimit të gjendjes civile për Qarkun Durrrës, Bashkia Durrës, pas nënndarjes me numër 6, shtohet nënndarja 6/1, me këto të dhëna: 
“6/1.  Durrës;  Durrës, Rajoni 6;  1.”.
 
b) Në tabelën e organikës së shërbimit të gjendjes civile për Qarkun Korçë, Bashkia Kolonjë, hiqet Njësia Administrative Barmash nga rreshti me numër rendor 3 dhe shtohet në rreshtin me numër rendor 2, në të njëjtën rubrikë.
 
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS SË DURRËSIT, NË QYTETIN E FUSHË-KRUJËS”, NË BASHKINË E KRUJËS
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i Rrugës së Durrësit, në qytetin e Fushë-Krujës”, në Bashkinë e Krujës. 
 
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Krujë.
 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall” me sipërfaqe 117,02 (njëqind e shtatëmbëdhjetë presje zero dy) m², dhe “objekt” me një sipërfaqe 40,7 (dyzet presje shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit 3 346 779 (tre milionë e treqind e dyzet e gjashtë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë.
 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 346 779 (tre milionë e treqind e dyzet e gjashtë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Krujë.  
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Krujë.
 
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë e Krujës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
 
8. Regjistrimi i ri i pasurive “tokë truall” me sipërfaqe 117,02 (njëqind e shtatëmbëdhjetë presje zero dy) m², dhe “objekt” me sipërfaqe 40,7 (dyzet presje shtatë) m2, për realizimin e projektit “Rikonstruksioni i Rrugës së Durrësit, në qytetin e Fushë-Krujës”, të bëhet në favor të Bashkisë Krujë.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI DHE RIKONSTRUKSIONI I BULEVARDIT “FAN NOLI””, NË BASHKINË E KORÇËS
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
10. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi dhe rikonstruksioni i bulevardit “Fan Noli””, në Bashkinë e Korçës. 
 
11. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Korçë.
 
12. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “tokë truall”, me sipërfaqe 82,24 (tetëdhjetë e  dy presje njëzet e katër) m², me vlerë të përgjithshme të shpronësimit 702 083 (shtatëqind e dy mijë e tetëdhjetë e tre) lekë.
 
13. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 702 083 (shtatëqind e dy mijë e tetëdhjetë e tre) lekësh, të përballohet buxheti i Bashkisë Korçë.
 
14. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Korçë.
 
15. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
16. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë e Korçës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
 
17. Regjistrimi i ri i pasurisë “tokë truall”, prej 82,24 (tetëdhjetë e dy presje njëzet e katër) m², për projektin “Zgjerimi dhe rikonstruksioni i bulevardit “Fan Noli””, të bëhet në favor të Bashkisë Korçë. 
18. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I  
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR NDËRTIMIN DHE SHFRYTËZIMIN E IMPIANTIT ME RIKUPERIM TË ENERGJISË NGA TRAJTIMI I MBETJEVE URBANE, NË QYTETIN E ELBASANIT, SHOQËRISË “ALBTEK ENERGY”, SH.P.K. 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I: 
 
1. Dhënien e miratimit për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit me rikuperim të energjisë nga trajtimi i mbetjeve urbane, në qytetin e Elbasanit, shoqërisë “Albtek Energy”, sh.p.k., sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren  zyrtare”.  
            
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN E NIVELIT TË PAGAVE TË SPECIALIZANTËVE QË KANË LIDHUR KONTRATË ME MINISTRINË E DREJTËSISË, SIPAS PËRCAKTIMEVE TË VENDIMIT NR.763, DATË 12.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT E PRANIMIT DHE TARIFAT  E SHKOLLIMIT NË PROGRAMET E SPECIALIZIMEVE AFATGJATA,  TË CIKLIT TË TRETË TË STUDIMEVE NË FUSHËN E MJEKËSISË,  PËR VITIN AKADEMIK  2014-2015”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
  
V E N D O S I:
 
1. Për kuotat e mbuluara, të parashikuara në pikën 13, të vendimit nr.763, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në programet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë të studimeve në fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2014-2015”, studentët, të cilët kryejnë specializimin dhe që kanë lidhur kontratë me Ministrinë e Drejtësisë, paguhen në masën 80 për qind të pagës së mjekut të fushës në të cilën kryhet specializimi.
 
2. Shpenzimet për këta specializantë përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2017.
 
3. Për likuidimin e detyrimeve të mbartura të specializantëve të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, për vitet 2015 dhe 2016, bëhet shtesë fondi në programin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në masën 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekë, dhe në programin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në masën 7 000 000 (shtatë milionë) lekë.
 
4. Ky vendim i shtrin efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi të vendimit nr.763, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SHKOLLËS “KOSOVA””, TIRANË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të  ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i shkollës “Kosova””, Tiranë.
 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të  kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme 165 312 977 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e treqind e dymbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë.
 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 165 312 977 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e treqind e dymbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. 
 
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
 
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
 
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë.
 
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
 
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
 
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT  “ASFALTIM I RRUGËVE DHE TROTUARIT PRANË STADIUMIT ‘QEMAL STAFA’, TIRANË”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008,  “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të  ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e  ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
11. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Asfaltim i rrugëve dhe trotuarit pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, Tiranë ”.
 
12. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
 
13. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 183 626 878 (njëqind e tetëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh.
 
14. Vlera totale e shpronësimit, prej 183 626 878 (njëqind e tetëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. 
 
15. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban. 
 
16. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
 
17. Pronarët e listës që i bashkëlidhen këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë. 
 
18. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
 
19. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
 
20. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
NDRYSHIMIN E STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE TRUALL”, TË PASURISË  NR.44/27, NË ZONËN KADASTRALE 2636, BASHKIA FIER, TË PASURIVE NR.64/25 DHE NR.64/27, ZONA KADASTRALE 3743,  BASHKIA PATOS, TË PASURISË NR.586/13, ZONA KADASTRALE 1724, BASHKIA LUSHNJË, DHE TË PASURISË NR.20/1, ZONA KADASTRALE 3195, BASHKIA BERAT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
 
1. Miratimin e ndryshimit të kategorisë së resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane truall”, të pasurisë nr.44/27, në zonën kadastrale 2636, njësia administrative Mbrostar, Bashkia Fier, të pasurive nr.64/25 dhe nr.64/27, zona kadastrale 3743, njësia administrative Zharrës, Bashkia Patos, të pasurisë nr.586/13, zona kadastrale 1724, njësia administrative Krutje, Bashkia Lushnjë, dhe të pasurisë nr.20/1, zona kadastrale 3195, njësia administrative Roshnik, Bashkia Berat, sipas lidhjes 1 bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
2. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës përkatësisht në qarqet e Fierit e të Beratit të pasqyrojnë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e kategorisë së resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane tuall”, të pasurisë nr.44/27, zona kadastrale 2636, njësia administrative Mbrostar, Bashkia Fier, të pasurive nr.64/25 dhe nr.64/27, zona kadastrale 3743, njësia administrative Zharrës, Bashkia Patos, të pasurisë nr.586/13, zona kadastrale 1724, njësia administrative Krutje, Bashkia Lushnjë, dhe të pasurisë nr.20/1, zona kadastrale 3195, njësia administrative Roshnik, Bashkia Berat. 
 
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Qarkut Fier, Këshilli i Qarkut Berat dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, Lushnjë e Berat për zbatimin e këtij vendimi. 
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 500 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10251, DATË 11.3.2010 
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, pika 3, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 500 000 (pesëqind mijë) eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10251, datë 11.3.2010, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 10 750 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10250, DATË 11.3.2010
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, pika 3, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 10 750 000 (dhjetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10250, datë 11.3.2010, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KILOVOLT E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 37 750 000 EUROSH, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10249, DATË 11.3.2010
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, pika 3, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”, nëpërmjet një huaje prej 37 750 000 (tridhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, të ratifikuar me ligjin nr.10249, datë 11.3.2010, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
 
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I:
 
 
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në zërin “Shpenzime korrente”, të shtohet fondi prej 4 907 000 (katër milionë e nëntëqind e shtatë mijë) lekësh, me qëllim organizmin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të Bashkisë Kolonjë.
 
2. Efekti financiar i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016. 
 
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. 
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES DHE RASTET E SHKARKIMIT  TË ANËTARËVE SI DHE RREGULLAT E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË BORDIT TË MBIKËQYRJES PUBLIKE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 9, e 60, pika 1, të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. QËLLIMI
 
Ky vendim ka si qëllim përcaktimin e kritereve e të procedurave transparente të përzgjedhjes, të emërimit e të shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike (në vijim bordi) si dhe të rregullave të funksionimit të bordit për të siguruar funksionimin e duhur të tij, sipas legjislacionit në fuqi. 
 
Ky vendim synon garantimin e profesionalizmit, pavarësisë dhe integritetit të lartë moral të anëtarit të bordit.  
 
II. PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES DHE RASTET E SHKARKIMIT TË ANËTARËVE TË BORDIT
 
1. Bordi është organ kolegjial, i përbërë nga pesë anëtarë jopraktikues, të emëruar nga ministri i Financave, për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, jo më shumë se dy herë.
 
2. Kryetari dhe tre anëtarët e bordit, që propozohen nga ministri i Financave, duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, të  ligjit nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar (këtu e në vijim “ligji”).
 
3. Kandidati që përzgjidhet nga institucionet publike të arsimit të lartë të licencuara dhe të akredituara sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, duhet të plotësojë kriteret e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, të ligjit, dhe të jetë pjesë e stafit të përhershëm të institucionit publik të arsimit të lartë.
 
4. Anëtari i pestë i bordit, i propozuar nga Komisioni Parlamentar përgjegjës për Ekonominë dhe Financat, duhet të përmbushë kriteret e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, të ligjit.   
 
5. Njoftimi për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, mënyra e vlerësimit të kandidatëve bazuar në kriteret e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, të ligjit, dhe vendi e afati i dorëzimit të dokumentacionit caktohen me urdhër të ministrit të Financave. 
 
6. Njoftimi i konkurrimit për anëtar të bordit përmban këto të dhëna:
 
a) Një përshkrim të shkurtër të kompetencave e të funksionit që do të mbulojë anëtari;
b) Kërkesat për pranimin e kandidatëve;
c) Listën e dokumenteve që duhet të paraqiten, vendin ku do të paraqiten dhe afatin deri kur do të paraqiten dokumentet;
ç) Mënyrën dhe kohën kur do të shpallet lista e kandidatëve që do të kualifikohen. 
Njoftimi publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.
7. Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të bordit, sipas pikës 2, të këtij kreu, kryhet nga një komision ad-hoc i ngritur me urdhër të ministrit të Financave, i cili ka për detyrë të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur dhe të hartojë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore.
 
8. Kandidatët, që aplikojnë për anëtarë të bordit, dorëzojnë në Ministrinë e Financave dokumentacionin e mëposhtëm:
 
a) Kërkesën me shkrim;
b) Kopje të pasaportës ose të kartës së identitetit (ID);
c) Curriculum vitae;
ç) Dy vlerësimet e fundit vjetore, në rast se kandidati vjen nga institucionet publike;
d) Kopje të noterizuar të librezës së punës;
dh) Kopje të noterizuar të diplomës;
e) Vetëdeklarim mbi konfliktin e interesit sipas përcaktimeve të pikës 4/d të këtij kreu;
ë) Kopje të noterizuara të dëshmive e të certifikatave të trajnimeve e të kualifikimeve pasuniversitare; 
f) Dëshminë e penalitetit.
 
Dokumentet e përcaktuara në shkronjën “ë”, të përfituara jashtë vendit, duhet të jenë të legalizuara, sipas legjislacionit në fuqi.
 
9. Afati i dorëzimit të dokumentacionit është brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga data e shpalljes së njoftimit.
 
10. Komisioni ad-hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit, shqyrton dokumentacionin dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e pikës 4, të nenit 4, të ligjit, të shoqëruar me një relacion përmbledhës, i cili i paraqitet për miratim ministrit të Financave.
Në relacion, komisioni i rekomandon ministrit të Financave emërimin e kandidaturave.
 
11. Në rastin e anëtarit të bordit që përzgjidhet nga Komisioni Parlamentar përgjegjës për Ekonominë dhe Financat, Ministria e Financave paraqet pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për paraqitjen e kandidaturës përkatëse. 
 
III. LIRIMI DHE SHKARKIMI I ANËTARËVE TË BORDIT 
 
1. Anëtari i bordit lirohet nga detyra në rastet kur:
 
mbaron mandati;
jep dorëheqjen;
përfundon marrëdhënia e punës me institucionin që ai përfaqëson, në rastet kur anëtari i bordit vjen nga institucionet publike.
 
2. Ministri i Financave ka të drejtë të shkarkojë një anëtar të bordit:
 
a) kur nuk merr pjesë, pa arsye, në mbledhjet e bordit për më shumë se katër herë radhazi;
b) kur veprimet apo mosveprimet e tij kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë dhe emrin e bordit;
c) kur nuk përmbush funksionet e parashikuara nga ligji dhe ky vendim;
ç) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) kur ushtron veprimtarinë në kushtet e konfliktit të interesit;
dh) për shkak të sëmundjeve fizike ose mendore, që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara;
e) nëse, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, vepron në kundërshtim me interesat e bordit.
 
3. Ministri i Financave, në rastet kur anëtari i bordit lirohet, shkarkohet, dorëhiqet apo vdes, duhet të caktojë zëvendësuesin e tij brenda një afati prej 30 (tridhjetë) ditësh pune, duke filluar nga data e njoftimit të lirimit, shkarkimit, dorëheqjes apo vdekjes, në përputhje me procedurat e përzgjedhjes, të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi. Në rastin e anëtarëve të emëruar me propozim të Komisionit Parlamentar përgjegjës për Ekonominë dhe Financat, propozimi për anëtarin zëvendësues bëhet nga ky institucion. 
 
4. Mandati i zëvendësuesit llogaritet i plotë nga dita e emërimit të tij. 
 
5. Kryetari i bordit, 30 (tridhjetë) ditë përpara përfundimit të mandatit, për rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të këtij kreu, njofton, me shkrim, ministrin e Financave për përfundimin e mandatit të anëtarit/anëtarëve.
 
     Procedura e  zgjedhjes  së  anëtarëve  të  rinj  realizohet sipas dispozitave  dhe afateve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi.
 
IV. RREGULLAT E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË BORDIT
 
1. Bordi e zhvillon veprimtarinë në bazë të një programi vjetor pune, i cili i paraqitet për njohje ministrit të Financave, së bashku me raportin për veprimtarinë njëvjeçare, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës, i cili publikohet në faqen zyrtare të internetit të bordit.
 
2. Mbledhjet e bordit zhvillohen në vendin e përcaktuar në shkresën e thirrjes. Bordi, si rregull, zhvillon një mbledhje në muaj, por mund të mblidhet sa herë që ka çështje të rëndësishme, që duhet të shqyrtohen.
 
3. Thirrja e mbledhjes bëhet nga kryetari i bordit, i cili vendos datën, rendin e ditës dhe orën. Në mungesë të tij, me miratim dhe porosi të kryetarit, mbledhja thirret nga anëtari më i vjetër në detyrë dhe, në mungesë të tij, nga anëtari më i vjetër në moshë.
 
4. Kryetari është i detyruar të thërrasë mbledhjen e bordit, kur kjo kërkohet me shkrim nga, të paktën, 1/3 e anëtarëve, duke përcaktuar çështjet për të cilat thirret kjo mbledhje. Lajmërimet për thirrjen e mbledhjes, në këtë rast, bëhen brenda 10 (dhjetë) ditëve pune pas paraqitjes së kërkesës nga 1/3 e anëtarëve dhe, të paktën, brenda 5 (pesë) ditëve pune para datës së caktuar për mbledhje.
    Lajmërimi për thirrjen e mbledhjes duhet të tregojë qartë dhe me hollësi çështjet, që do të diskutohen dhe dokumentacionin përkatës. Çdo ndryshim në datën dhe kohën e vendosur për mbledhjet i njoftohet çdo anëtari të bordit jo më vonë se 2 (dy) ditë pune përpara zhvillimit të mbledhjes.
 
5. Mbledhja e bordit është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve. Në rastin kur në hapjen e mbledhjes nuk janë të pranishëm shumica e anëtarëve, kryetari vendos thirrjen e saj në një ditë tjetër, të paktën, 24 (njëzet e katër) orë pas së parës.
 
6. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në rast barazie votash, vota e kryetarit është vendimtare. Komisioni merr vendime vetëm për çështje të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes.
 
7. Vendimet nënshkruhen nga të gjithë anëtarët. Ato duhet të jenë të argumentuara dhe, në çdo rast, vendimet kundër duhet të shpjegohen.
 
8. Në çdo mbledhje mbahet një procesverbal, me shkrim, i cili përmban një përmbledhje të të gjithë procesit, por pa u kufizuar në opinione të anëtarëve, të dhëna për datën dhe vendin e mbledhjes, anëtarët që morën pjesë, çështjet që u diskutuan, arsyetimin, vendimet që u morën, si dhe rezultatin e votimeve. Procesverbali mbahet nga struktura mbështetëse e bordit dhe duhet të paraqitet për nënshkrim te të gjithë anëtarët në përfundim të mbledhjes ose në fillim të mbledhjes pasardhëse.
 
9. Bordi mund të përcaktojë rregulla të hollësishme për procedurat specifike të punës për raste e çështje të caktuara.
 
10. Bordi i dërgon ministrit të Financave një herë në vit, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës, një raport me shkrim, ku jepen me hollësi problemet e profesionit të audituesit ligjor, zgjidhjet e dhëna dhe vendimet e marra.
 
11. Anëtarët e bordit, gjatë ushtrimit të detyrës, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave dhe informacionin që sigurohet prej tyre dhe të mos i përdorin ato për interesa personale.
 
12. Kryetari dhe anëtarët e bordit shpërblehen në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.
 
13. Për aq sa nuk parashikohet në këtë vendim, procedura e zhvillimit të mbledhjeve të bordit rregullohet nga parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”. 
 
V. DISPOZITA TË FUNDIT
 
1. Ngarkohet ministri i Financave, që, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të emërojë anëtarët e bordit, sipas propozimeve të bëra nga autoritetet e parashikuara në këtë vendim.
 
2. Bordi thërret mbledhjen e parë, brenda 1 (një) muaji nga konstituimi i tij.
 
3. Vendimi nr.874, datë 12.8.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike të Ekspertëve Kontabël, të Regjistruar”, i ndryshuar, shfuqizohet.
 
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË GREQISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR GREQI - SHQIPËRI 2014-2020
 
     
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Komisionit Evropian, për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Greqi - Shqipëri 2014-2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.23, DATË 20.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2016 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.23, datë 20.1.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon: 
 
1. Në pikën 1, të vendimit, numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet “...2210 veta ...”.
 
2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, të vendimit, në ndarjen “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”, shtohet nënndarja sipas tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
 
3. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij dhe përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Drejtësisë.
 
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.  
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
 
 MËNYRËN DHE KRITERET E LLOGARITJES SË SHPENZIMEVE TË NDËRHYRJES PËR SHUARJEN E ZJARREVE NË OBJEKTET E SIGURUARA NGA ZJARRI DHE ADMINISTRIMIN E PËRDORIMIN E TË ARDHURAVE, PËR LLOGARI TË SHËRBIMIT VENDOR TË MZSH-SË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 35, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Tarifa e ndërhyrjes për shuarjen e zjarreve nga shërbimi i MZSH-së në objektet e siguruara nga zjarri nga shoqëritë e sigurimit është në vlerën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për orë ndërhyrjeje.
 
2. Për efekt të përllogaritjes së kostove të shërbimit, të ofruar nga shërbimi i MZSH-së në nivel vendor, koha e ndërhyrjes llogaritet nga momenti i daljes së personelit të shërbimit të MZSH-së nga stacioni zjarrfikës dhe përfundon me largimin e tij nga vendi i ngjarjes.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit informon zyrtarisht kryetarët e bashkive për listën e objekteve të siguruara në territorin nën juridiksionin e tyre.
 
4. Shumat e arkëtuara nga shoqëritë e sigurimit, që kërkojnë ndërhyrje për shuarjen e zjarreve në objektet e siguruara, derdhen në llogaritë e bashkisë përkatëse që ka ofruar shërbimin.
 
5. Të ardhurat, që krijohen sipas pikës 4, të këtij vendimi, administrohen nga bashkia përkatëse që ka ofruar shërbimin e MZSH-së dhe përdoren për mbulimin e shpenzimeve të kryera, financimin e veprimtarive kryesore, shpenzime operative, rinovim të automjeteve e të pajisjeve zjarrfikëse, për investime dhe shpërblimin e punonjësve të shërbimit vendor të MZSH-së.
 
6. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik