Postuar më : 12 Prill 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Prill 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Prill 2017

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT TË KOMPLETIMIT DHE NDËRTIMIT TË RRUGËS SË ARBRIT


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 6, të nenit 25, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikave 1 e 2, të nenit 15, “Dhënia e bonusit”, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, të miratuara me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e bonusit prej 10 (dhjetë) % të pikëve, që i jepet shoqërisë “Gjoka konstruksion”, sh.a., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat për kompletimin dhe ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

2.    Ngarkohet Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


 K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË DEKLARATËS SË SYNIMIT (SOI – STATEMENT OF INTENT), TË REPUBLIKËS SË FRANCËS   PËR T’U BËRË PJESË E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMANDËS SUPREME TË FORCAVE ALEATE NË EVROPË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, LIDHUR ME MBËSHTETJEN E SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE DHE STËRVITJEVE TË NATO-S

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të deklaratës së synimit (SOI – Statement of Intent), të Republikës së Francës për t’u bërë pjesë e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, lidhur me mbështetjen e shtetit pritës për kryerjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK PËR PROJEKTIN “FONDI PËR STUDIME DHE EKSPERTË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave,

V E N D O S I:


Miratimin në parim të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për  bashkëpunim teknik për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 

EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT PËR VLERËSIMIN E MASAVE PËR IMPORTET 


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 3, të nenit 4, të ligjit nr.9790, datë 19.7.2007, “Për masat mbrojtëse në importe”, si dhe të nenit 25, të ligjit nr.9796, datë 23.7.2007, “Për masat antidumping dhe kundërbalancuese”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Emërimin e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e masave për importet, si më poshtë vijon:

-    Znj. Milva Ekonomi, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;  
-    Z. Ardian Maçi, drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;
-    Z. Sajmir Laçej, drejtor në Ministrinë e Financave; 
-    Z. Flamur Laze, drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave;
-    Znj. Silvana Leskaj, përgjegjëse sektori në Ministrinë e Punëve të Jashtme;
-    Znj. Ines Muçostepa, kryetar i  Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë;
-    Znj. Mirela Meko, zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

2.    Anëtarët e komisionit janë, kryesisht, juristë dhe/ose ekonomistë.
3.    Vendimi nr.429, datë 8.4.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e masave për importet”, i ndryshuar, shfuqizohet.

4.    Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR


 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E SHTESËS SË MARRËVESHJES SË KONCESIONIT, NDËRMJET MINISTRISË SË ENERGJISË DHE INDUSTRISË, SI AUTORITET KONTRAKTUES, DHE NESKO METAL SAN.TIC.A.Ş, SI KONCESIONARI, PËR DISA OBJEKTE TË INDUSTRISË SË BAKRIT DHE TË KROMIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 8.2, të marrëveshjes së koncesionit, të ratifikuar me ligjin nr.8761, datë 2.4.2001, “Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit të formës “BOT”, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe shoqërisë të së drejtës turke “Ber-Oner” për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit, si dhe për dhënien e disa stimujve e garancive për koncesionarin e kësaj marrëveshjeje”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoritet kontraktues, dhe NESKO METAL SAN.TIC.A.Ş, si koncesionari, për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2016, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR RINOVIMIN E KONVIKTEVE NË KAMPUSIN UNIVERSITAR TË TIRANËS SIPAS PARIMIT TË EFIÇENCËS ENERGJETIKE, FAZA II”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave,

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjetike, faza II”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR


NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.640, DATË 7.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E SPORTELEVE TË FONDIT TË SIGURIMIT TË DETYRUESHËM NË ADMINISTRIM TË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 3, të nenit 50, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit në sportel të shërbimeve publike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave 


V E N D O S I:


Në pikën 1, të vendimit nr.640, datë 7.9.2016, të Këshillit të Ministrave, pas fjalëve “...në bashkitë Kavajë e Fier...”, shtohen fjalët “...Tiranë, Krujë dhe Gjirokastër...”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.828, DATË 23.11.2016,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË AFATEVE PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË, PA PAGESË, MBI TRUALLIN DHE OBJEKTET E NDËRTUARA PËR FAMILJET E SHPËRNGULURA  NGA NDËRTIMI I UJËMBLEDHËSIT TË BOVILLËS” 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 39/1, pika 5/1, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.828, datë 23.11.2016, të Këshillit të Ministrave, fjalia e dytë e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë:
 “Sipërfaqja e truallit që përfitohet, pa pagesë, është sipas evidentimit faktik në terren, deri në masën e 500 metrave katrorë.”.

      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1086, DATË 14.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR PËRMIRËSIMIN E NIVELIT TË ARKËTIMEVE DHE ULJEN E NIVELIT TË HUMBJEVE NË SISTEMIN E SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

Në pikën 6, të vendimit nr.1086, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “... deri më 30 qershor 2017...”, zëvendësohen me “... deri më 31 dhjetor 2017...”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR ASISTENCËN TEKNIKE PËR PROJEKTIN   E RRUGËVE DYTËSORE DHE LOKALE NR.2 - MBËSHTETJE PËR ZBATIMIN DHE QËNDRUESHMËRINË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të   ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për asistencën teknike për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale nr.2 - mbështetje për zbatimin dhe qëndrueshmërinë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

STATUSIN DHE TRAJTIMIN E VEÇANTË TË PERSONELIT AKADEMIK


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 58, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Personeli akademik gëzon status dhe trajtim të veçantë, që konsiston në liritë akademike, të drejtat ekonomiko–financiare, detyrimet e përgjegjësitë si dhe garancitë juridike e civile në zbatim të tyre.

2.    Personeli akademik gëzon liri akademike në këto drejtime të veprimtarisë së tij, në:
a)    mësimdhënie;
b)    punë kërkimore-shkencore;
c)    kontribut institucional;
ç)     kontribut profesional.

3.    Liria akademike ushtrohet në kuadrin e përgjegjshmërisë pedagogjike e shkencore dhe nuk presupozon përjashtimin nga vlerësimi i performancës së personelit akademik.
     Personeli akademik nuk mund të penalizohet për shkak të qëndrimeve të tij ndaj politikave të institucionit. Në të gjitha rastet, personeli akademik vepron brenda normave të etikës, në respekt të institucionit dhe kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi. 

4.    Personeli akademik e humbet statusin kur përfundon/zgjidhet kontrata.

5.    Anëtarët e personelit akademik nuk mund të penalizohen nga institucioni i arsimit të lartë për shkak të rezultateve të vlerësimit të punës së tyre kërkimore-shkencore, të kryera në përputhje me fushën përkatëse dhe misionin e institucionit të arsimit të lartë.

6.    Në rast se anëtari i personelit akademik konstaton se i është cenuar liria akademike, dinjiteti profesional apo ka një qëndrim joetik ndaj tij, i drejtohet Këshillit të Etikës të IAL-së, për këtë çështje. Procedura e trajtimit të ankesave kryhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit lartë. Vendimi i Këshillit të Etikës është gjithnjë i ankimueshëm në rrugë gjyqësore.

7.    Anëtarët e personelit akademik të kategorive “Profesor” dhe “Lektorë”, punësohen në IAL nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të pacaktuar. Anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Asistentë-lektorë”, punësohen në IAL nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të caktuar. Të treja këto kategori mund të punësohen me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme. 

8.    Personeli akademik nuk mund të largohet apo të zëvendësohet, pa miratimin e tij, gjatë kryerjes së punës kërkimore–shkencore në një projekt të ndjekur prej tij, përveç rasteve të shkeljeve të rënda të vërtetuara, të parashikuara në Kodin e Punës dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit të lartë.

9.    Koha normale e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1 536 orë në vit. Ngarkesa mësimore e personelit akademik parashikohet në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.

10.    Leja vjetore e personelit akademik është jo më pak se 40 ditë pune (56 ditë kalendarike). Në rast se kjo leje nuk konsumohet nga personeli akademik, si pasojë e nevojës së institucionit dhe me propozimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe me miratimin e Bordit të Administrimit, jepet shpërblimi përkatës në të holla. 

11.    Personeli akademik, brenda kohës efektive të punës, mund të kryejë detyra akademike, shkencore ose në mbështetje institucionale ndaj të tretëve, në përputhje me statutin dhe rregulloret e IAL-së. 

12.    Personeli akademik, për aktivitete që lidhen me drejtimet e punës së tij, sipas pikës 2, të  këtij vendimi, ka të drejtën e përfitimit të një leje deri në dy javë, me miratim nga drejtuesi i njësisë kryesore, që informon, në çdo rast, rektorin. Për kohëzgjatje mbi dy javë, leja merret nga rektori. Në të gjitha rastet, kërkesat për leje duhet të jenë të dokumentuara dhe të justifikuara. Personeli akademik raporton përpara departamentit mbi aktivitetin e kryer gjatë lejes.

13.    Personeli akademik mund të kryejë detyra të larta në administratën publike, vendase apo të huaj, për jo më shumë se 5 vjet, pa ndërprerje, duke ruajtur statusin e tij. Në funksion të ruajtjes së vendit të punës, sipas profilit akademik, nënshkruhet një marrëveshje e posaçme me rektorin e institucionit. Pas kësaj periudhe, anëtari i personelit akademik, me kërkesën e tij, rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlefshëm.

14.    Personelit akademik i lindin edhe këto të drejta të tjera:

a)    Të përparojë në karrierën akademike, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi; 
b)    Të trajnohet, të kualifikohet në institucionet akademike e kërkimore shkencore, brenda dhe jashtë vendit, sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me profilin;
c)    Të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e IAL-së, duke kryer aktivitete zgjedhore në përputhje me statutin dhe rregulloret e tjera të  IAL-së.

15.    Personeli akademik ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a)    Të njohë, të respektojë, të zbatojë dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi;
b)    Të respektojë kohën në funksion të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, sipas orarit te punës dhe ta shfrytëzojë vetëm për kryerjen e detyrave. Koha e punës dhe e mësimdhënies përcaktohet nëpërmjet kontratës së punës;
c)    Të rrisë aftësitë profesionale akademike dhe të marrë pjesë në veprimtari formuese për këtë qëllim;
ç)    Të mos kërkojë ose pranojë asnjë përfitim pasuror, për kryerjen e detyrave akademike, me përjashtim të pagës dhe privilegjeve të tjera, të përcaktuara me ligj, akte nënligjore dhe aktet e brendshme të IAL-së;
d)    Të mbajë përgjegjësi të plotë për veprimet e tij, gjatë kryerjes së detyrës si personel akademik në IAL dhe institucionin kërkimor shkencor;
dh)    Të zbatojë etikën institucionale në respektim të imazhit të institucionit të arsimit të lartë dhe figurës profesionale.
e)    Të zbatojë kodin e etikës në veshje e sjellje, gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit akademik.

16.    Personeli akademik, me kohë të plotë apo të pjesshme, nuk mund të ushtrojë asnjë funksion administrimi në institucionin e arsimit të lartë ku është punësuar, me përjashtim të zgjedhjes anëtar në Bordin e Administrimit.
17.    Pagat e personelit akademik të të gjitha kategorive përcaktohen nga Bordi i Administrimit, pasi ka marrë mendimin e Senatit Akademik, por jo më shume se kufijtë maksimalë të pagës për funksion/titull, të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit akademik të institucioneve publike të arsimit të lartë”.

18.    Personeli akademik përfiton kompensim e rimbursim financiar, kur punon për aktivitetet e parashikuara në drejtimet e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, në masën dhe sipas procedurave të përcaktuara nga Bordi i Administrimit dhe kuadrit ligjor në fuqi. 

19.    Personeli akademik mund të kërkojë leje, pa të drejtë page, për arsye shëndetësore apo familjare. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.

20.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

           Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R i
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
***
V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË TIRANËS DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës, sipas hartës së zonifikimit bashkëlidhur këtij vendimi.

2.     Miratimin e rregullores për administrimin e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe zonës së mbrojtur përreth, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

3.    Vendimi nr.180, datë 13.4.2000, i Këshillit të Ministrave, “Shpallja Ansambël Monument Kulture i aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”, shfuqizohet.

4.     Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE PRIORITARE  PËR PROKURORIN E PËRGJITHSHËM, NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 103, të ligjit nr.97, datë 6.10.2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm, në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2017, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.    Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’i përcjellë, menjëherë, Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet prioritare, si dhe t`ua bëjë ato të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve, në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se një muaj nga data e miratimit.

3.    Ngarkohet ministri i Drejtësisë të ndjekë në vazhdimësi mënyrën e zbatimit të këtyre rekomandimeve, sipas legjislacionit në fuqi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 


RISHPËRNDARJEN, NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT URBAN NË DISA NJËSI TË QEVERISJES QENDRORE, TË FONDIT  TË FINANCIMIT PËR PROJEKTET E REJA, THIRRJA I, PËR VITIN 2017, TË GRANTIT “INFRASTRUKTURA VENDORE DHE RAJONALE”, PROGRAMI I ZHVILLIMIT TË INFRASTRUKTURËS VENDORE DHE RAJONALE, SHTYLLA I, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.12, DATË 21.3.2017, TË KOMITETIT PËR ZHVILLIMIN E RAJONEVE  

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Fondet buxhetore, të miratuara në buxhetin e vitit 2017, për Ministrinë e Zhvillimit Urban, në programin “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, rishpërndahen në disa institucione qendrore, për financimin e projekteve të reja, të miratuara me vendimin nr.12, datë 21.3.2017, të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, “Për shpërndarjen e financimit për projektet e reja, thirrja I, për vitin 2017, të grantit “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, Programi i Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale, shtylla I”, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Financave, Agjencia për Zhvillimin Rajonal 2, Agjencia për Zhvillimin Rajonal 3 dhe Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 

 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS SË QYTETIT KOPLIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i qendrës së qytetit Koplik”.
2.    Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Malësi e Madhe.
3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 42 580 307 (dyzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatë) lekësh.
4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 42 580 307 (dyzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. 
5.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6.    Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7.    Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Malësi e Madhe. 
8.    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Malësi e Madhe, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9.    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10.    Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Malësi e Madhe për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 ***
V E N D I M
PËR 

MIRATIMIN E SHTESËS SË MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE DHE QEVERISË  SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR DHËNIEN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR PROJEKTIN E TRANSMETIMIT DHE SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (PTDP) 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të   ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e shtesës së marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Konfederatës Zvicerane dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për dhënien e asistencës financiare për projektin e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike (PTDP), të miratuar me vendimin nr.140, datë 4.3.1996, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STANDARDEVE TË PROJEKTIMIT TË SHKOLLAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e standardeve të projektimit të shkollave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2.    Këto standarde janë të detyrueshme në projektimin e shkollave publike apo private, që do të ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3.    Ngarkohen institucionet shtetërore dhe subjektet private të përfshira në procesin e projektimit, miratimit të lejeve të ndërtimit dhe inspektimit të shkollave për zbatimin e këtij vendimi. 

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.  


K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA   E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” TRUALL, TË PASURISË ME NUMRIN 31/4, ZONA KADASTRALE 2255, BASHKIA SHIJAK, TË PASURIVE ME NUMRAT 106/9, 106/12 E 106/13, ME SIPËRFAQE 10 500 M2, TË SIPËRFAQES PREJ 705 M2 NGA PASURIA ME NUMRIN 106/4, ZONA KADASTRALE 3385, FSHATI SHKALLNUR, NJËSIA ADMINISTRATIVE RRASHBULL, BASHKIA DURRËS 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave  

V E N D O S I:

1.    Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në  “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numrin 31/4, zona kadastrale 2255, Bashkia Shijak, të pasurive me numrat 106/9, 106/12 e 106/13, me sipërfaqe prej 10 500 (dhjetë mijë e pesëqind) m2, në zonën kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, sipas lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2.    Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të një pjese të sipërfaqes së pasurisë me numrin kadastral 106/4, të sipërfaqes 515 (pesëqind e pesëmbëdhjetë) m2, ku do të zhvillohet struktura “Stallë”, dhe të sipërfaqes 190 (njëqind e nëntëdhjetë) m2, ku do të zhvillohet struktura “Kantinë”, zona kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, sipas lidhjes 2, bashkëlidhur këtij vendimi. 
3.    Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e kategorisë së resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 31/4, zona kadastrale 2255, Bashkia Shijak, të pasurive me numrat 106/9, 106/12 e 106/13, në zonën kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, dhe të pasurisë me numrin 106/4, zona kadastrale 3385, fshati Shkallnur, njësia administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, vetëm për sipërfaqen ku do të zhvillohen strukturat “Stallë” dhe “Kantinë”, sipas hartës së miratuar me vendimin nr.11, datë 28.7.2016, të Këshillit Kombëtar të Territorit.   
4.    Ngarkohet Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të realizojë ndarjen e pasurisë me numrim 106/4 në tri pasuri, sipas hartës së miratuar me vendimin nr.11, datë 28.7.2016, të Këshillit Kombëtar të Territorit. 
5.    Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Qarkut Durrës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi. 

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik