Postuar më : 15 Mars 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Mars 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Mars 2017 
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KREDIVE TE MINISTRIA E FINANCAVE, PËR DEGËN E THESARIT SARANDË, TË NJË AMBIENTI NË PRONËN NR.13/125-M7, NË ZONËN KADASTRALE 8641, ME VENDNDODHJE NË ADRESËN “LAGJJA NR.1”, NË QYTETIN E SARANDËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.513, DATË 15.8.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË FINANCAVE PËR AGJENCINË E TRAJTIMIT TË KREDIVE” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Agjencia e Trajtimit të Kredive te Ministria e Financave, për Degën e Thesarit Sarandë, të një ambienti me sipërfaqe 25 m2, me numër pasurie 13/125-M7, në zonën kadastrale 8641, me vendndodhje në adresën “Lagjja nr.1”, në qytetin e Sarandës, sipas planvendosjes dhe hartës treguese që i bashkëlidhen këtij vendimi. 
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit e miratuar me vendimin nr.513, datë 15.8.2007, të Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Kredive dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
 
       Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E AUTORIZIMIT TË NDËRTIMIT TË CENTRALIT ELEKTRIK EOLIK, DHËNË SHOQËRISË “ALB-BUILDING”, SH.P.K.
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 49, të  ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe në vijim të nenit 31, të   vendimit nr.822, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e autorizimit të ndërtimit të centralit elektrik eolik, dhënë shoqërisë “ALB-BUILDING”, sh.p.k., sipas tekstit dhe koordinatave të zonave të përcaktuara në hartën përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 2573, INDEKS HARTE KO-MAL-C-5 DHE NUMËR PASURIE 1-114, PËR PAJISJEN   E SUBJEKTIT “PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË” ME NDËRTESË, PËR DEGËN VENDORE TË PARTISË SOCIALISTE MALIQ
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 3, 10, 13 e 14, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 22, shkronja “b” e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme të pronës së paluajtshme shtetërore ndodhur në zonën kadastrale 2573, indeks harte Ko-Mal-C-5 dhe numër pasurie 1-114, me qëllim pajisjen e subjektit “Partia Socialiste e Shqipërisë” me ndërtesë, për degën vendore të Partisë Socialiste Maliq.
2. Ministri i Punëve të Brendshme të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin “Partia Socialiste e Shqipërisë”, në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 22, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, të ndryshuar, për periudhën derisa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në këtë nen.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI AGJENCISË PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK RAJONAL TË GODINAVE DHE TRUALLIT FUNKSIONAL TË TYRE, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8210, ME NUMËR PASURIE 3/74, ME SIPËRFAQE 5 044.85 M2 , DHE ME NUMËR PASURIE 3/183, ME SIPËRFAQE 1 580.89 M2
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal të godinave dhe truallit funksional të tyre, ndodhur në zonën kadastrale 8210, me numër pasurie 3/74, me sipërfaqe 5 044.85 (pesë mijë e dyzet e katër pikë tetëdhjetë e pesë) m2 dhe me numër pasurie 3/183, me sipërfaqe 1 580.89 (një mijë e pesëqind e tetëdhjetë pikë tetëdhjetë e nëntë) m2, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi, me qëllim zhvillimin e projektit “Qendra multifunksionale e shërbimeve për sipërmarrjet e reja “Betahaus Tirana””.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.                                 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KOLONJË, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE MOLLAS, TË PRONËS ME NUMËR PASURIE 321, NË ZONËN KADASTRALE 2691,ME SIPËRFAQE 19350 M2, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1087, DATË 23.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË KOMUNËN MOLLAS, TË QARKUT TË KORÇËS”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të  ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “e”, 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Kolonjë, në njësinë administrative Mollas, të pronës me numër pasurie 321, e ndodhur në zonën kadastrale 2691, me sipërfaqe 19 350 (nëntëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëdhjetë) m2, sipas planrilevimit dhe formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve të ngurta dhe të varrezave publike.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.1087, datë 23.7.2008, të Këshillit të Ministrave, të shtohet prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi. 
3. Bashkisë Kolonjë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Në vendimin nr.1087, datë 23.7.2008, të Këshillit të Ministrave, në titull dhe kudo në përmbajtjen e tij, fjalët “…në komunën Mollas…”   zëvendësohen me “…në njësinë administrative Mollas, Bashkia Kolonjë…”.
5. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Kolonjë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
           
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PËRCAKTIMIN E MËNYRAVE, FORMAVE, KRITEREVE DHE RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN E LOJËRAVE TË FATIT PROMOCIONALE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, pika 5, e 70, pika 5, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. FORMAT DHE RREGULLAT PËR ORGANIZIMIN E LOJËRAVE TË FATIT PROMOCIONALE
1. Lojërat e fatit promocionale mund të organizohen nga subjekte publike ose private, të cilat kërkojnë të promovojnë produkte apo shërbime të biznesit/veprimtarisë së tyre, duke i ofruar fituesit të lojës një çmim/bonus të caktuar në mjete monetare ose në ndonjë formë tjetër shpërblimi.
2. Subjekteve, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre organizimin e lojërave të fatit, nuk u lejohet të organizojnë lojëra fati promocionale.
3. Për të siguruar pjesëmarrjen në lojë, në varësi të formës së organizimit të lojës së fatit promocionale, personat e interesuar mund të parapaguajnë një shumë të caktuar në mjete monetare ose në ndonjë formë tjetër pagese, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
4. Lojërat e fatit promocionale mund të organizohen nga organizatorët nëpërmjet formave të mëposhtme:
a) Duke ofruar falas produktin/shërbimin që do të promovohet;
b) Duke ofruar produktin/shërbimin me çmimin e shitjes. Produkti mund të shoqërohet edhe me:
i. një kupon;
ii. një biletë;
iii. mundësinë për të gërvishtur në ambalazhin e produktit të blerë;
iv. çdo mënyrë tjetër, të parashikuar nga organizatori, por pa kosto të tjera shtesë për klientin. 
5. Pas përfundimit të lojës, organizatori shpall fituesit, të cilët shpërblehen me produkte në vlerë monetare ose shërbime.
6. Subjektet publike apo private mund të organizojnë lojë fati promocionale, vetëm pasi të jenë pajisur me autorizimin përkatës nga drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
7. Për lojërat e fatit promocionale jepet autorizimi i posaçëm. Autorizimi është i vlefshëm nga data e fillimit të lojës e cila nuk duhet të fillojë më vonë se 30 (tridhjetë) ditë pas datës së marrjes së autorizimit dhe vlen vetëm për një lloj të caktuar loje promocionale.
8. Kohëzgjatja e lojës promocionale përcaktohet me autorizim, bazuar në kërkesën e organizatorit të lojës, dhe miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (këtu e më poshtë referuar si AMLF), në varësi të llojit dhe formës së lojës promocionale, që do të organizohet.
9. Për marrjen e autorizimit, subjekti duhet të paraqesë pranë AMLF-së dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim, ku të evidentohen të dhënat e subjektit, objekti i veprimtarisë së tij dhe një përshkrim i shkurtër i lojës, që do të organizohet;
b) Ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, ku të vërtetohet se shoqëria është me status aktiv;
c) Vërtetim që shoqëria nuk është në procedura likuidimi dhe/ose falimentimi;
ç) Certifikatën e regjistrimit me numrin unik të identifikimit;
d) Vërtetim nga organi tatimor për shlyerjen e detyrimeve tatimore;
dh) Rregulloren në të cilën të jenë të parashikuara në mënyrë të detajuar mënyra e organizimit të lojës promocionale, kriteret që duhet të plotësojnë fituesit dhe çdo element tjetër që gjykohet i nevojshëm nga organizatori.
Përveç certifikatës së regjistrimit me NIUS-in, kriteret e sipërpërmendura vërtetohen nëpërmjet dokumenteve të lëshuara brenda 3 (tre) muajve të fundit nga data e miratimit/lëshimit të tyre nga organet përgjegjëse shtetërore dhe që duhet të jenë origjinale apo kopje të noterizuara.
10. Pas miratimit, AMLF-ja i përcjell një kopje të autorizimit organit tatimor, në juridiksionin e të cilit ndodhet subjekti organizator i lojës promocionale.
11. AMLF-ja merr në shqyrtim dhe vendos miratimin ose refuzimin e autorizimit brenda 20 (njëzet) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës së subjektit pranë AMLF-së.
12. Në rast mosplotësimi të njërit prej kushteve për pajisjen me autorizim sipas pikës 9, të këtij kreu, AMLF-ja vendos refuzimin e autorizimit, duke dhënë dhe arsyet përkatëse për këtë vendim. 
13. Përveç sa më sipër, subjektet tregtare që organizojnë lojëra fati promocionale zbatojnë dispozitat e ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorit”, të ndryshuar, lidhur me ndalimin e praktikave tregtare të padrejta, të lidhura me kategorinë e lojërave të fatit promocionale.
 
II. MËNYRA DHE KRITERET E ORGANIZIMIT TË LOJËRAVE TË FATIT PROMOCIONALE
1. Mënyra e organizimit të lojës promocionale përcaktohet nga organizatori në rregulloren e lojës.
2. Kriteret, që duhet të plotësojë pjesëmarrësi në lojë, përcaktohen nga organizatori në rregulloren e lojës.
3. Rregullorja e lojës duhet të përmbajë këto të dhëna të detyrueshme për:
a) llojin  e lojës promocionale, që do të organizohet;
b) kohëzgjatjen e lojës, sipas parashikimit të organizatorit;
c) numrin dhe mënyrën e shpërblimit të fituesve;
ç) vlerën monetare/çmimin, me dhe pa TVSH, që duhet të paguajë pjesëmarrësi në lojë, apo format e tjera të pagesës, në varësi të mënyrës së organizimit të lojës, në përputhje me përcaktimin e shkronjave “a” e “b”, të kësaj pike;
d) çmimin/bonusin që ofron organizatori i lojës, të konvertuar edhe në vlerë monetare;
dh) numrin e parashikuar të pjesëmarrësve në lojë;
e) pjesëmarrësit që kanë të drejtë të marrin pjesë në lojë;
ë) mënyrën e përzgjedhjes së fituesve dhe vendin ku do të bëhet përzgjedhja; 
f) mënyrën e njoftimit të fituesve;
g) informacion të plotë dhe të saktë lidhur me mekanizmin e lojës promocionale.
    Organizatori mund të përfshijë në rregullore çdo të dhënë tjetër që vlerësohet e nevojshme nga ana e tij.
4. Pjesëmarrësit në lojë duhet të jenë persona të identifikueshëm nga organizatori i lojës dhe detyrohen që në çastin e marrjes së çmimit të paraqesin pranë organizatorit të lojës dokumentin identifikues, kartë identiteti ose pasaportë.
5. Për kategoritë e lojërave promocionale, të përcaktuara më poshtë, organizatori, në varësi të llojit të lojës, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Për lojën promocionale me anë të mesazheve (sms), organizatori duhet të deklarojë për pjesëmarrësit në lojë informacionin e mëposhtëm: 
i. Koston e një mesazhi telefonik, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të kalojë vlerën 100 (njëqind) lekë me TVSH;
ii. Numrin, ku duhet të dërgohet mesazhi;
iii. Operatorin, që do të ofrojë shërbimin.
b) Për lojën promocionale me telefonata, organizatori duhet të deklarojë për pjesëmarrësit në lojë informacionin e mëposhtëm:
i. Koston e një telefonate, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të jetë më e lartë se 200 (dyqind) lekë/telefonata, pa TVSH;
ii. Numrin, ku duhet të dërgohet;
iii. Operatorin, që ofron shërbimin.
Të dhënat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, janë pjesë e rregullores së lojës.
c) Fituesit e çmimeve të ofruara përzgjidhen sipas mënyrës/ave, që detyrimisht përmbajnë elementin rastësor.
ç) Për marrjen e autorizimit, subjekti duhet të paguajë paraprakisht tarifën prej 200 000 (dyqind mijë) lekësh. Në rast refuzimi të autorizimit, shuma e paguar është e kthyeshme nga AMLF-ja, brenda 20 (njëzet) ditëve pune nga data e refuzimit të autorizimit.
    Të ardhurat nga tarifa e pajisjes me autorizim për lojë promocionale fati derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.
d) Çmimi/bonusi i ofruar nga organizatori i lojës së fatit, i konvertuar në vlerë monetare, nuk duhet të jetë më i vogël se 80 për qind e shumës së akumuluar prej pjesëmarrësve në lojë për lojërat e organizuara nëpërmjet mesazheve (sms) apo të telefonatave.
dh) Për tipet e tjera të lojërave promocionale, organizatori duhet të deklarojë në rregulloren e lojës së fatit çmimin, që do të ofrojë, të konvertuar edhe në vlerë monetare.
e) Tërheqja e çmimit bëhet në kohën, vendin dhe mënyrën e publikuar nga organizatori. Në çastin e hedhjes së shorteut dhe ndarjes së çmimeve merr pjesë një përfaqësues nga AMLF-ja dhe një përfaqësues nga organi tatimor, ku subjekti është i regjistruar, të cilët mbajnë procesverbalin përkatës dhe e depozitojnë në institucionin të cilin përfaqësojnë. 
ë) Organizatori i lojës, 20 (njëzet) ditë përpara datës së ndarjes së çmimeve, duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe organit tatimor ku subjekti është i regjistruar njoftimin për datën dhe orën e ndarjes së çmimeve.
f) Titullarët e organeve të parashikuara në pikën 10, të këtij kreu, pajisin me autorizim përfaqësuesit e tyre për të asistuar në ndarjen e çmimeve. Në rast mosparaqitjeje pa shkaqe të arsyeshme të përfaqësuesve të autorizuar gjatë ndarjes së çmimeve në rast depozitimi të kërkesës, organizatori informon titullarin e organit përkatës dhe vijon me procesin e ndarjes së çmimeve. 
g) Në rast se organizatori kryen ndarjen e çmimeve pa njoftuar organet e parashikuara në pikën 10, të këtij kreu, organizatorit i hiqet e drejta për pajisje me autorizim, për një periudhë 3-vjeçare, pas përfundimit të afatit të autorizimit të lëshuar.
gj) Organizatori i lojës duhet të ruajë, për një periudhë jo më pak se 6 (gjashtë) vjet nga data e përfundimit të lojës, të gjithë dokumentacionin e përdorur për organizimin e lojës promocionale të fatit, konkretisht, por pa u kufizuar në: mënyrën e zhvillimit të lojës, numrin e pjesëmarrësve, çmimet e shpërndara, emrat dhe adresat e fituesve.
 
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit raporton pranë ministrit të Financave brenda tremujorit të parë të çdo viti dhe sa herë që kërkohet prej tij për çështjet e lidhura me zbatimin e këtij vendimi. 
2. Ngarkohen Autoritetit i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, strukturat e kontrollit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtorive rajonale tatimore dhe organizatorët e lojërave të fatit promocionale për zbatimin e këtij vendimi.
3. Vendimi nr.770, datë 15.7.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrave, të formave, kritereve dhe të rregullave shtesë për organizimin e lojërave të fatit promocionale”, shfuqizohet.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE CASSA DEPOSITI E PRESTITI S.P.A., PËR “PROJEKTIN ME OBJEKT STUDIME FIZIBILITETI, HARTIM DHE PLANIFIKIM NË NIVEL PËRFUNDIMTAR, DHE STUDIM TË NDIKIMIT MJEDISOR NË FUSHËN E INFRASTRUKTURËS”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”,  dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665 datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për “Projektin me objekt studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar, dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”, me një hua të butë në shumën 2 100 000 (dy milionë e njëqind mijë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF019228, TË FONDIT TË BESIMIT ME SHUMË DONATORË “REPARIS”, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË PËRMIRËSIMIT TË CILËSISË SË RAPORTIMIT FINANCIAR, TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.749, DATË 16.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të  ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin e ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së grantit nr.TF019228, të Fondit të Besimit me Shumë Donatorë “Reparis”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të përmirësimit të cilësisë së raportimit financiar, të miratuar me vendimin nr.749, datë 16.9.2015, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KRIJIMIN E MUZEUT KOMBËTAR “GJETHI” 
  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, e 12, pika 3, të ligjit nr.9386, datë 4.3.2005, “Për muzetë”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Krijimin e Muzeut Kombëtar “Gjethi”, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
2. Muzeu Kombëtar “Gjethi” do të ushtrojë veprimtarinë si institucion i specializuar i veçantë, me status “Muze Kombëtar” në fushën arkivore, me seli në qytetin e Tiranës, rruga “4 Shkurti”, Tiranë.
3. Muzeu Kombëtar “Gjethi” ka tematikë kryesore përkujtimin e dhunës psikologjike të regjimit komunist e të kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve të kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit.
4. Numri i punonjësve dhe fondi i pagave për krijimin e Muzeut Kombëtar “Gjethi”, për vitin 2017, përballohet nga numri i punonjesve dhe buxheti i miratuar, për këtë vit, për Ministrinë e Kulturës.
5. Struktura dhe organika e Muzeut Kombëtar “Gjethi” miratohen me urdhër të Kryeministrit.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar “Gjethi” për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.152, DATË 29.2.2016,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT TE BASHKIA KORÇË, TË DISA MJEDISEVE TË PRONËS ME EMËRTIMIN “SHTËPIA E USHTARAKËVE”, ME VENDNDODHJE NË BULEVARDIN “REPUBLIKA””, DHE PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, TË MJEDISEVE TË KATIT TË PARË TEKNIK, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “SHTËPIA E USHTARAKËVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të nenit 8/a, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Revokimin e së drejtës së pronësisë për Bashkinë Korçë, të mjediseve të katit të parë teknik, të pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me sipërfaqe ndërtimi 348 (treqind e dyzet e tetë) m2, dhe heqjen e këtyre mjediseve nga formulari që i bashkëlidhet vendimit nr.152, datë 29.2.2016, të Këshillit të Ministrave.
2. Mjediset e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. 
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, Bashkia Korçë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.717,  DATË 23.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE DHE TË NËPUNËSVE TË DISA INSTITUCIONEVE BUXHETORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit  nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime e shtesa: 
a) Lidhja nr.I, “Nivelet e pagës bazë për klasë në administratën e Presidentit, të Kuvendit, në Kryeministri, institucione të pavarura, aparatet e ministrive të linjës, institucione qendrore, në varësi të Kryeministrit/ministrave të linjës dhe në prefektura”, që përmendet në pikën 1, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Lidhja nr.II, “Nivelet e pagës bazë për klasë në institucionet rajonale e vendore”, që përmendet në pikën 2, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Lidhja I/1, që përmendet në pikën 3, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
ç) Në lidhjen II/1, që përmendet në pikën 5, të vendimit, bëhen këto ndryshime: 
i. Në klasën XIV shtohet emërtesa: “Manovrator në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”.
ii. Në klasën X shtohet emërtesa: “Shofer në sektorin e helikopterëve të repartit special “Renea” në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes”.  
iii.  Në klasën IX shtohen emërtesat: 
- “Teknik i mesëm në strukturat e teknologjisë së informacionit në sistemin e Policisë së Shtetit”;  
- “Roje mjedisore me arsim të lartë”. 
iv. Në klasën VIII shtohet emërtesa: “Roje mjedisore me arsim të mesëm”. 
d) Në shkronjën “d”, të pikës 9, fjalët “... por jo më shumë se 16 000 (gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.” zëvendësohen me “ ... por jo më shumë se 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.”. 
dh) Pika 15 riformulohet, si më poshtë vijon:
 “15. Punonjësit mbështetës, që punojnë në Agjencinë e Inteligjencës dhe të Sigurisë së Mbrojtjes, të cilët trajtohen në pagë sipas lidhjeve përkatëse të këtij vendimi, përfitojnë një shtesë për kushte pune dhe shërbimi, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj.”.
e) Pas pikës 18 shtohen pikat 18/1 dhe 18/2, me këtë përmbajtje:
“18/1. Shoferët e urgjencës së spitaleve, për natyrë të veçantë pune, përfitojnë një shtesë, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.   
18/2. Rojet mjedisore të administratave të zonave të mbrojtura, për natyrë të veçantë pune, përfitojnë një shtesë mbi pagë, në masën 4 000 (katër mijë) lekë në muaj.”. 
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen, si më poshtë vijon:
-   Efektet financiare për shkak të politikës për rritjen e pagave të përballohen nga fondet e miratuara  në ligjin nr.130/2016 , “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.  
-   Efektet financiare që vijnë si pasojë e rregullimeve teknike të këtij vendimi janë të parashikuara në fondin e pagave të institucioneve buxhetore, për të cilat janë propozuar ndryshimet përkatëse për vitin 2017, dhe do të përballohen nga secili institucion.  
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.555,  DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE ME ARSIM TË LARTË NË SISTEMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE SPITALIN USHTARAK QENDROR UNIVERSITAR, NË SISTEMIN E MINISTRISË SË MBROJTJES, TË PUNONJËSVE TË INFERMIERISTIKËS NË SISTEMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË E MINISTRISË SË MBROJTJES, SI DHE PËR TRAJTIMIN E MJEKËVE NË STRUKTURAT E FORCAVE TË ARMATOSURA”, TË NDRYSHUAR  
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405,                       datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, si dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I: 
 
1.  Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
a) Në titullin e vendimit fjalët “…dhe Spitalin Ushtarak Qendror…”, zëvendësohen me “…dhe Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës…”;
b) Në shkronjën “c”, të pikës 1, të vendimit, fjalët “…në Spitalin Ushtarak të Forcës Tokësore”, zëvendësohen me “…në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës…”; 
c) Në pikën 1, të vendimit, pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) Punonjësit e Njësisë së Helikopterëve të Transportit Mjekësor të Shëndetësisë, në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.”; 
ç) Lidhja nr.1 (Kreu 1.1–1.9), e përmendur në pikën 2, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.1 (Kreu 1.1 - 1.10), që i bashkëlidhet këtij vendimi;
d) Lidhja nr.2 (Kreu 2.1–2.8), e përmendur në pikën 3, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.2 (Kreu 2.1- 2.8), që i bashkëlidhet këtij vendimi; 
dh) Lidhja nr.5, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit me tituj akademik, në Institutin e Shëndetit Publik”, e përmendur në pikën 2.1, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi; 
e)  Lidhja nr.6, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e tjerë me arsim të lartë në Institutin e Shëndetit Publik”, e përmendur në pikën 2.2, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ë)  Lidhja nr.7, “Strutkura dhe nivelet e pagave për punonjësit e laboratorit në Institutin e Shëndetit Publik”, e përmendur në pikën 2.3, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f)  Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon: 
“3. Paga e grupit, (Kolona 1 e lidhjes nr.1, kolona 1 e lidhjes nr.2, kolona 3 e lidhjes nr.6 dhe kolona 1 e lidhjes nr.7) sipas nivelit arsimor në të gjitha institucionet, pjesë përbërëse të këtij vendimi, është sipas lidhjes, nr.3 që i bashkëlidhet këtij vendimi.”;  
g)  Pika 3.1, shfuqizohet;
gj) Shkronja “a”, e pikës 12/1, ndryshon, si më poshtë vijon:
“a) Për çdo shërbim rojë 24 orë pa ndërprerje u jepet një shpërblim: 
 
Në qendrat spitalore universitare:   Mjek rojë i parë Mjek rojë i dytë
 
Për ditët e zakonshme 6 000 lekë   5 600 lekë 
Për ditët e shtuna 7 000 lekë               6 400 lekë              
Për ditët e diela e festat 8 000 lekë                         7 600 lekë              
 
Në institucionet e tjera: Mjek rojë i parë Mjek rojë i dytë
Për ditët e zakonshme 5 600 lekë                       5 200 lekë               
Për ditët e shtuna 6 000 lekë                   5 600 lekë               
Për ditët e diela e festat 7 000 lekë                   6 600 lekë               
 
h)  Pas pikës 12/4 shtohen pikat 12/5, 12/6 dhe 12/7, me këtë përmbajtje: 
“12/5. Mjekët e spitaleve në shërbimin e urgjencës, shërbimin e reanimacionit, shërbimin e hemodinamikës, në njësinë e aksidenteve cerebrale si dhe mjekët neonatë, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj. 
12/6. Infermierët dhe laborantët e spitaleve në shërbimin e urgjencës, shërbimin e reanimacionit, shërbimin e hemodinamikës dhe në njësinë e aksidenteve cerebrale përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në muaj.
12/7. Mjekët, të cilët në zbatim të sistemit të referimit dërgohen për konsulta dhe ndërhyrje kirurgjikale në spitale të tjera, përfitojnë për çdo ditë shërbimi një shtesë në page, si më poshtë vijon:
a) mjekët e institucioneve spitalore universitare 10 000 lekë;
b) mjekët e spitaleve rajonale 5 000 lekë.”.
i)  Lidhja nr.4, e përmendur në pikën 13, të vendimit, zëvendësohet me lidhjen nr.4, “Nivelet e pagave për mjekët me tituj e grada shkencore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2.  Efektet financiare, për paga e sigurime shoqërore, do të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave, dhe nga fondet e shpërndara për Fondin e Detyrueshëm të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2017 e në vijim.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017. 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, shkronja “b”, dhe 4, shkronja “b”, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të pikave 1, shkronja “a” dhe 2, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1.  Miratimin e strukturës së niveleve të pagave për gradë dhe të shtesave mbi pagë për punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas strukturave në të cilat ushtrojnë funksionet policore, trajtimin financiar të kursantëve, të punonjësve të policisë që kryejnë kurse shkollimi/trajnimi, si dhe trajtimin financiar të bashkëpunëtorëve të institucioneve arsimore të sistemit policor.   
2.  Struktura dhe nivelet e pagave bazë për gradë për punonjësit e Policisë së Shtetit janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
3.  Shtesat për natyrë të veçantë pune, për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë në strukturat e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, antiterrorit dhe në strukturat e policisë shkencore janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
4.  Shtesat për natyrë të veçantë pune, për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë në strukturat e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, janë sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
5. Shtesat për natyrë të veçantë pune, për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë në strukturat e policisë kufitare dhe migracionit, janë sipas lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Shtesat për natyrë të veçantë pune, për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë në strukturat e tjera policore, janë sipas lidhjes nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7.  Punonjësit e Policisë së Shtetit, për çdo vit vjetërsi shërbimi, përfitojnë shtesë mbi pagë, në masën 1 për qind për çdo vit, deri në 25 vjet. Llogaritja e shtesës për vjetërsi bëhet mbi pagën e gradës “Inspektor”. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Gardës së Republikës, e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
8.  Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare. 
9.  “Specialistët”, “Përgjegjësit e sektorit” apo “Drejtorët e drejtorive”, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i Shkencave/Master Profesional/Bachelor” apo të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Informatikë ekonomike”, “Inxhinieri telekomunikacioni” apo “Shkenca kompjuterike”, “Informatikë ekonomike” apo “Inxhinieri matematike informatike”, përfitojnë një shtesë mbi pagë në masën: 
- 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj, për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë me baza të të dhënave shtetërore (si punonjësit analogë civilë pa status policor), në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në nivel qendror; 
- 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj, për punonjësit e Policisë së Shtetit që nuk punojnë me baza të të dhënave shtetërore (si punonjësit analogë civilë pa status policor), në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në nivel qendror;
- 5 000 (pesëmijë) lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të strukturave vendore të Policisë së Shtetit.
10.  Punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë në vende pune të vështira e të dëmshme për shëndetin përfitojnë shtesë mbi pagë. Masa e shtesës për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin përcaktohet sipas lidhjes nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
11.  Kursantët që pranohen në kolegjin profesional “Kolegji i Policisë”, në Akademinë e Sigurisë, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë trajtim me pagesë në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj. 
12.  Punonjësit e Policisë së Shtetit mund të trajnohen brenda ose jashtë vendit, në kuadër të programeve të trajnimeve, të parashikuara e të organizuara nga institucioni. Gjatë kohës që kryejnë kurse shkollimi apo trajnimi, brenda apo jashtë vendit, me iniciativën e institucionit, përfitojnë trajtim me pagesë, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
a) Për periudhat e shkollimit/trajnimit që zgjasin nga një deri në gjashtë muaj, gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit punonjësi përfiton pagën bazë mujore për gradë që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit;   
b) Për periudhat e shkollimit/trajnimit që zgjasin më shumë se gjashtë muaj, gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit duke filluar nga muaji i shtatë e në vazhdim, punonjësit i ndërpritet paga dhe i jepet një kompensim, në varësi të pjesëtarëve të familjes që ka në ngarkim: 
- punonjësi pa ose me një pjesëtar të familjes në ngarkim, përfiton 40% të pagës bazë mujore për grade, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit;
- punonjësi me më shumë se një pjesëtar të familjes në ngarkim, përfiton 50% të pagës bazë mujore për grade, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit.
Në të gjitha rastet e përmendura më sipër, pagesat apo kompensimet e punonjësit kryhen nga njësia buxhetore ku është efektiv punonjësi, përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. 
13.  Në rastet kur punonjësi i policisë ka fituar një kurs shkollimi apo trajnimi në mënyrë individuale dhe jo me iniciativën e institucionit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit nuk përfiton pagesë nga institucioni. 
14.  Punonjësi i Policisë së Shtetit, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një pagë, si më poshtë vijon:
a) Në kurset e formimit bazë për punonjësit me gradë “Inspektor”, në masën 300 (treqind) lekë/për orë;
b)  Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit me gradë “Nënkomisar” deri në “Drejtues i Parë”, në masën 500 (pesëqind) lekë/për orë.
15.  Policia e Shtetit lejohet të përdorë fondin e pagave të planifikuar në programin vjetor buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të saj, në zbatim të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014. 
16.  Vendimi nr.1135, datë 5.8.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit”, i ndryshuar, si dhe të gjitha dispozitat e tjera në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen. 
17.  Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.  
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË BURGJEVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, shkronja “b”, 4, shkronja “d” dhe 5, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.10 032, datë 11.12.2008, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Burgjeve janë sipas lidhjes nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Burgjeve”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Paga bazë mujore për gradë (kolona 3), e lidhjes nr.1, është niveli i pagës së punonjësit në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës.
3. Shtesa për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi (kolonat 4, 5, dhe 6) të lidhjes nr.1, jepet sipas funksioneve/pozicioneve të përcaktuara në këtë lidhje.
4. Punonjësi i Policisë së Burgjeve me grada, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetërsi në punë, në masën 1 për qind, pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë të gradës pasardhëse. Përllogaritja e shtesës për vjetërsi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës së re, sipas ligjit nr.10032, datë 11.12.2008, “Për Policinë e Burgjeve”. 
5. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Burgjeve si dhe në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, sipas ekuivalentimit në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
6. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në punë, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
7. Vendimi nr.1061, datë 18.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve”, i ndryshuar, shfuqizohet.
8. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.  
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË KORÇËS  DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR MBROJTJEN, KONSERVIMIN E INTEGRUAR DHE ADMINISTRIMIN  E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29,                  të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Korçës, sipas hartës së zonifikimit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e Qendrës Historike dhe të zonës së mbrojtur në qytetin e Korçës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Vendimi nr.238, datë 23.3.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Korçës dhe miratimin e rregullorës për administrimin e saj”, i ndryshuar, shfuqizohet. 
4. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.18, DATË 13.1.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË  SË ADMINISTRIMIT TË DISA MJEDISEVE, NGA MINISTRIA   E BRENDSHME AUTORITETIT KOMBËTAR PËR CERTIFIKIMIN ELEKTRONIK” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Shfuqizimin e vendimit nr.18, datë 13.1.2010, të Këshillit të Ministrave,  “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të disa ambienteve, nga Ministria e Brendshme Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
                                        
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM URBAN, SHESH, PARK PUBLIK, TEATRI ‘PETRO MARKO’”, NË BASHKINË VLORË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të    ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban, shesh, park publik, teatri ‘Petro Marko’”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall”, me një vlerë të përgjithshme prej   81 331 044 (tetëdhjetë e një milionë e treqind e tridhjetë e një mijë e dyzet e katër)  lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 81 331 044 (tetëdhjetë e një milionë e treqind e tridhjetë e një mijë e dyzet e katër)  lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Detyrimet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij projekti të përballohen nga buxheti i shtetit.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhen këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.678, DATË 16.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,   “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI, VËNIA NË PUNË, ADMINISTRIMI DHE MIRËMBAJTJA E HIDROCENTRALEVE TË GOJANIT, GJEGJANIT, PESHQESHIT, URA E FANIT, FANGUT”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.678, datë 16.8.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në tabelën që përmendet në pikën 1, bashkëlidhur vendimit, shtohen nënndarjet nr.393, 394, 395, 396, 397, 398, 399 dhe 400, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pikat  3 dhe 4, të vendimit, ndryshohen me këtë përmbajtje:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 346 011 639.70 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë) lekësh.
4. Shuma e shpronësimit, prej 346 011 639.70 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondet e shoqërisë “AYEN AS Energji”, sh.a.”.
3. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mirditë dhe shoqëria “AYEN AS Energji”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.547, DATË 9.8.2006, TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE  TË BURIMEVE NATYRORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000,    datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit  të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. Në vendimin nr.547, datë 9.8.2006, të ndryshuar, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:
1. Në fund të pikës 3 bëhet shtesa me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“- Kryen, brenda fushës së veprimtarisë së vet, oponencën teknike për projektet e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, sipas tarifave të përcaktuara në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi, me përjashtim të oponencës teknike për punimet e ndërtimit, që kryhet nga institucionet e përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.”. 
 
II.  Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI  RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
 NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ZHVILLIMIT URBAN, DHE TRANSFERIMIN E TIJ NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT URBAN TE BASHKIA TIRANË, PËR REALIZIMIN E PAGESËS SË DETYRIMIT TË PRAPAMBETUR PËR SHOQËRINË “URBAPLAN”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban, të shtohet fondi prej 27 374 082 (njëzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e katër mijë e tetëdhjetë e dy) lekësh, në zërin “Studime, projektime”, për pagesën e detyrimit të prapambetur për projektin “Hartimi i planit rregullues të qytetit të Tiranës”.
2. Fondi, sipas pikës 1, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017. 
3. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban për transferimin e fondit prej  27 374 082 (njëzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e katër mijë e tetëdhjetë e dy) lekësh te Bashkia Tiranë.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Financave dhe Bashkia Tiranë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
 DISA SHTESA NË NUMRIN E PUNONJËSVE PËR MINISTRINË  E TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS DHE MINISTRINË  E ENERGJISË DHE INDUSTRISË, PËR VITIN 2017
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës shtohet me 15 veta dhe bëhet 448 punonjës.
2. Numri i punonjësve të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë shtohet me 10 veta dhe bëhet 437 punonjës.
3. Numri i punonjësve rezervë, i parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit, reduktohet me 25 veta, duke e çuar numrin rezervë të punonjësve në 0. 
4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E TAVANEVE PËRGATITORE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2018-2020
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936,    datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2018-2020, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe të institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.  
2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
            
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
TRAJTIMIN ME USHQIM TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË STUDENTËVE DHE TË KURSANTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE TË POLICISË SË SHTETIT SI DHE TË SHTETASVE TË NDALUAR OSE TË ARRESTUAR, DERI  NË SQARIMIN E POZITËS SË TYRE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 67, të  ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Trajtohen me ushqim, pa pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit, si më poshtë:
a) Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, ato të Forcave Speciale e të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe struktura të tjera që me akte normative njehsohen me to:
i. Me një vakt “drekë”, për ditët kur kohëzgjatja e punës është 8 (tetë) orë;
ii. Me tri vakte për ditët kur punonjësit janë të angazhuar në veprime operacionale apo gatishmëri, kur kohëzgjatja e punës është më shumë se koha normale e punës prej 8 (tetë) orësh;
iii. Me tri vakte për ditët kur punonjësit e policisë janë të angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, të shkaktuara nga faktorë natyrorë, teknologjikë, industrialë, socialë ose veprime të shkaktuara nga njerëzit, kur kohëzgjatja e punës është mbi kohën normale të punës prej 8 (tetë) orësh.
b) Të gjithë studentët, kursantët dhe instruktorët në institucionet arsimore dhe në institucionet e Policisë së Shtetit brenda vendit: 
i. Me një vakt “drekë”, kur kohëzgjatja e trajnimit është 1 (një) ditë pune, 8 (tetë) orë;
ii. Me tri vakte, kur kohëzgjatja e trajnimit është më shumë se një ditë pune. Për ditën e parë të trajnimit, trajtimi me ushqim do të bëhet për vaktet “drekë” e “darkë” dhe për ditën e fundit të trajnimit, trajtimi do të bëhet për vaktet “mëngjes” e “drekë”.
c) Trajtohen me tri vakte ushqim, pa pagesë, edhe kategoritë e mëposhtme:
i. Shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
ii. Shtetasit shqiptarë të kthyer nga vendet e tjera, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
iii. Shtetasit e ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre ose deri në transferimin e tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP).
2. Normat e ushqimit ditor të k/kalorive për të gjitha strukturat përfituese të përmendura në pikat e mësipërme të këtij vendimi përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Shëndetësisë, ku përcaktohen:
a) normat e artikujve ushqimorë, brenda limitit të miratuar të k/kalorive, duke ruajtur raportin e njësive ushqimore;
b)  normat e pajisjeve dhe të materialeve të shërbimit të ushqimit.
3. Shërbimi i ushqimit bëhet i gatuar në mensa si dhe me shërbim shpërndarjeje (katering), i cili i nënshtrohet të gjitha procedurave të prokurimit, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Për rastet kur kategoritë përfituese sipas pikës 1.1, të këtij vendimi, për shkak të detyrës janë larg qendrës së punës e të shërbimit dhe kur shërbimi i shpërndarjes (katering) nuk mund të realizojë furnizimin me ushqim në atë terren, bëhet kompensimi në vlerë (në lekë), për ditët efektive të punës. Vlera e kompensimit (në lekë) të ushqimit bëhet bazuar në normën e përcaktuar ushqimore dhe miratohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit.
5. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim planifikohet për çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Shtetit.
6. Vendimi nr.702, datë 21.8.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Gardës së Republikës, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në shkolla të Policisë së Shtetit si dhe të shtetasve të ndaluar deri në sqarimin e pozitës së tyre”, nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe për shtetasit e ndaluar apo të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre.
7. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI  RAMA 
 
 
 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

 
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik