Postuar më : 17 Maj 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Maj 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Maj 2017 
 
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORIVE TË UJITJES DHE TË KULLIMIT LEZHË, DURRËS, FIER DHE KORÇË 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të  ligjit nr.24/2017, “Për administrimin e ujitjes dhe të kullimit”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Krijimin e drejtorive të ujitjes dhe të kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, si struktura në varësi të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, të cilat financohen nga buxheti i shtetit, i miratuar për ministrinë. 
2. Zonat e shërbimit të ujitjes, të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, me infrastrukturën përkatëse në administrim të këtyre drejtorive të jenë, si vijon:
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë: Zona e shërbimit përfshin qarqet Lezhë, Shkodër dhe Kukës;
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës: Zona e shërbimit përfshin qarqet Durrës, Tiranë dhe Dibër;
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Fier: Zona e shërbimit përfshin qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër;
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Korçë: Zona e shërbimit përfshin qarqet Korçë, Elbasan dhe Berat.
3. Inventari i infrastrukturës së ujitjes, të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, në administrim të drejtorive të ujitjes dhe të kullimit, sipas zonave përkatëse të shërbimit, përbëhet nga inventari i përcaktuar në vendimin nr.1157, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme të bordeve të kullimit, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, me ndryshimet sipas vendimit nr.1108, datë 30.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin, nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave te bashkitë, të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit”.
4. Drejtoritë e ujitjes dhe të kullimit, përveç sa përcaktohet në nenin 13, të ligjit nr.24/2017, “Për administrimin e ujitjes dhe të kullimit”, bashkëpunojnë dhe koordinojnë punën me bashkitë, organet përkatëse të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, organet përkatëse të emergjencave civile, mbrojtjes së mjedisit etj., për planifikimin e nevojave për ujë për ujitje, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e sistemeve të ujitjes, të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
5. Strukturat dhe organikat e drejtorive të ujitjes dhe të kullimit miratohen nga Kryeministri, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
6. Rregulloret që përcaktojnë metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të drejtorive të ujitjes dhe të kullimit, miratohen nga ministri përgjegjës për bujqësinë.
7. Vendimi nr.1107, datë 30.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Bordeve Rajonale të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë”, shfuqizohet. 
Bordet Rajonale të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë do të vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre deri në momentin e fillimit të funksionimit të plotë të drejtorive të ujitjes dhe të kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë.
8. Nëpunësit aktualë të Bordeve Rajonale të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, të trajtohen sipas dispozitave të nenit 67, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësit civilë”, të ndryshuar.
9. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.7, DATË 11.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2017 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.7, datë 11.1.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 1, numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet “2 389 punonjës.”. 
2. Në lidhjen nr.1, përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhet kjo shtesë:
Në ndarjet “Gr.6, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës”, “Gr.10, Ministria e Financave”, “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”, dhe “Gr.16, Ministria e Punëve të Brendshme”, shtohen nënndarjet përkatëse, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
 
   Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
      
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.438, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET DHE RREGULLAT E SHFRYTËZIMIT TË PYJEVE DHE TË SHITJES SË MATERIALIT DRUSOR E TË PRODHIMEVE TË TJERA PYJORE E JOPYJORE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të pikës 10, të nenit 26, të  ligjit nr.9385,  datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, pika 1, shkronjat “a” e “c” dhe 4, të ligjit nr.5/2016, “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave  
 
V E N D O S I:
 
1. Në pikën 42, të kreut X, të vendimit nr.438, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, fjalët “…për vitin 2016...”, zëvendësohen me “…për vitin 2017...”.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.504, DATË 6.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Pika 3, e kreut II, të vendimit nr.504, datë 6.7.2016, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. AKUK-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për infrastrukturën. Drejtori i Përgjithshëm në veprimtarine e tij mbështetet nga 2 (dy) zëvendësdrejtorë të përgjithshëm.”.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.592, DATË 5.9.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE TË TJERA TË LARTA SHTETËRORE TË VENDIT, QË DO TË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË EDHE PAS LIRIMIT NGA FUNKSIONI”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të  ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Pika 2 e vendimit nr.592, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë:
“2. Personalitetet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ruhen dhe mbrohen me oficer e nënoficer shoqërues edhe 2 (dy) vjet pas lirimit nga funksioni.”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.389, DATË 19.5.2010, NR.901, DATË 12.12.2012, DHE NR.449, DATË 27.5.2015, PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, si dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.389, datë 19.5.2010, nr.901, datë 12.12.2012, dhe nr.449, datë 27.5.2015, për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, bëhen ndryshimet sipas tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.418, DATË 27.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në ndarjen “Ministria e Financave”, emërtesa “Këshilli i Menaxhimit të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës” shfuqizohet.
b) Pas ndarjes “Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara” shtohet ndarja “Kryeministria ‘Këshilli Mbikëqyrës i Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës’” dhe në ndarjen “Ministria e Kulturës” shtohet nënndarja “Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit” sipas  përcaktimeve të paraqitura në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
2. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për institucionet e përmendura në këtë vendim.
3. Ngarkohen njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
 
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET NR.1481, DATË 12.11.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.167, DATË 19.2.2009; NR.286, DATË 18.3.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.822, DATË 23.11.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.61, DATË 23.1.2013;  NR.345, DATË 24.4.2013; NR.490, DATË 18.6.2013; NR.501, DATË 10.6.2015; NR.279, DATË 1.4.2015; NR.615, DATË 7.7.2015;  NR.882, DATË 30.10.2015; NR.1094, DATË 28.12.2015; NR.871, DATË 14.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të  ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. Në vendimet nr.1481, datë 12.11.2008; nr.100, datë 27.1.2009; nr.167, datë 19.2.2009; nr.286, datë 18.3.2009; nr.450, datë 6.5.2009; nr.611,  datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.6.2009; nr.805,   datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.822, datë 23.11.2011; nr.513, datë 1.8.2012; nr.61, datë 23.1.2013; nr.345, datë 24.4.2013; nr.490, datë 18.6.2013; nr.501, datë 10.6.2015; nr.279, datë 1.4.2015; nr.615, datë 7.7.2015; nr.882, datë 30.10.2015; nr.1094, datë 28.12.2015; nr.871, datë 14.12.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: 
 
1. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 11/1160, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jenë sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 11/72, 5/10, 155/249, 155/245, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Tirana Veri dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 152/123, në Drejtorinë e ALUIZNI-t  Durrës, të jenë sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/376, 12/183, 150/163, 15/51, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana Jug dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/535, 3/516, 4/411, 11/318, 16/372, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana Jug, Durrës dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 9/268, 9/91, 9/291, 7/688, 9/191, 9/91, 9/286, 12/45, 3/659, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Tirana Jug dhe Tirana Veri,  të jenë sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 6/190, 6/346, 5/489, 5/488, 7/604, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Tirana Jug dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë, për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 6/303, 400/592, 15/590, 13/636, 400/225, 8/593, 2/700, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana Jug, të jenë sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Gjenealitetet e poseduesve të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 11/580, 11/590, 1/451, 7/350, 9/396, 8/381, 11/316, 90/12, 91/4, 2/33, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana Jug, Fier, Elbasan dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
10. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/370, 7/369, 436/154, 1/189, 7/414, 42/82, 5/1104, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana Jug, Tirana Veri  dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 60/86, 5/552, 136/241, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana Jug, të jenë sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 30/125, 7/448, 236/151, 1/657, 4/230, 3/205,  në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Tirana Jug, Tirana Veri, Tirana 2 dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 5/360, 3/272, 5/738, 2/95, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 2, Tirana Jug dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 5/234, 80/901, 5/824, 5/835, 8/715, 8/305, 15/420, 10/219, 10/220, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Tirana Jug, Fier dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 7/436, 80/1181, 8/629, 9/1607/1, në drejtoritë e ALUIZNI-t  Tirana Jug dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 14/143, 15/217, 1/682, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
17. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 4/394, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2, të jenë sipas lidhjes U, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
18. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/464, 3/388, 3/391, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2, të jenë sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 11/629, 1/421, 6/28, në drejtoritë e    ALUIZNI-t Shkodër, Tirana 2 dhe Dibër, të jenë sipas lidhjes Z, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 4/196, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Gjirokastër, të jenë sipas lidhjes AA, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 2/482, 2/484, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan, të jenë sipas lidhjes AC, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
22. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 8/134, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Kukës, të jenë sipas lidhjes AG, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
23. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 2/4, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës,  të jetë sipas lidhjes AI, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
24. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 28/162, 42/251/1, 30/236, në drejtoritë e ALUIZNI-t Kukës dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes AK, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
25. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/551, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2, të jenë sipas lidhjes AN, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
26. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 6/800, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2, të jenë sipas lidhjes AP, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
27. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/65/1, 30/330, 7/202/1, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes AQ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
II. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
RISHPËRNDARJE FONDESH, NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT URBAN NË AGJENCINË PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK RAJONAL, PËR GRANTIN “NËNPROGRAMI I MBËSHTETJES FINANCIARE PËR NDËRMARRJET MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME (NMVM)”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.14, DATË 21.3.2017, TË KOMITETIT PËR ZHVILLIMIN E RAJONEVE 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Fondet buxhetore, të miratuara në buxhetin e vitit 2017 për Ministrinë e Zhvillimit Urban, në programin “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, rishpërndahen për Agjencinë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal, në zbatim të vendimit nr.14, datë 21.3.2017, të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, “Për miratimin e financimit për grantin “Nënprogrami i mbështetjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM)”, të programit “Mbështetje për ekonominë”, si dhe të kalendarit me datën e fillimit të aplikimeve, për vitin 2017”, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Financave dhe Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE, TË KRITEREVE DHE PROCEDURAVE TË AKREDITIMIT TË OFRUESVE TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33/1, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave                                    
 
V E N D O S I:
 
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
1. Ky vendim përcakton standardet, kriteret dhe procedurat për akreditimin e institucioneve/organizmave private apo publike, këtu e më poshtë të quajtura “ofruesit”, që kanë si mision të ofrojnë aktivitete të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë në Republikën e Shqipërisë.
2. Akreditimi i një ofruesi është procesi i miratimit të tij si ofrues i akredituar i aktiviteteve të edukimit në vazhdim, bazuar në procedurat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim.
3. Institucionet përgjegjëse për procesin e akreditimit të ofruesve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim janë Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) dhe Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm.
4. Autoriteti akreditues i ofruesve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim është QKEV-ja. 
5. QKEV-ja ka këto përgjegjësi:
a) Merr në dorëzim dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga ofruesi, koordinon me ofruesin për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar dhe kryen verifikime/inspektime për të garantuar që situata në terren përputhet me kriteret e përcaktuara dhe me deklarimet e bëra nga ofruesi. QKEV-ja bën vlerësimin e aplikimit për akreditim të ofruesit dhe harton raportin e vlerësimit;
b) Monitoron në vazhdimësi ofruesin e akredituar dhe aktivitetet e edukimit në vazhdim të organizuara prej tij. QKEV-ja duhet të kryejë monitorime, të paktën, për 10 për qind të aktiviteteve të edukimit në vazhdim të çdo ofruesi të akredituar, si dhe verifikim të përmbushjes së kritereve të tjera, të paktën, një herë në vit;
c) Në rastet kur vihen re shkelje të kritereve, në varësi të formës dhe rëndësisë së tyre, merr masën e pezullimit të përkohshëm ose të anulimit të akreditimit të ofruesit të akredituar;
ç)  Publikon listën e ofruesve të akredituar dhe statusin e përditësuar të tyre.
6. Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm shqyrton ankesat e paraqitura nga ofruesit, në lidhje me akreditimin dhe vendos nëse ato merren parasysh ose jo. 
7. Ofrues të akredituar të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm janë të gjitha strukturat publike ose private, akademike ose joakademike, fitimprurëse ose jofitimprurëse, që kanë ekspertizën dhe eksperiencën e duhur në organizimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim në fushën e shëndetësisë dhe që plotësojnë standardet e kriteret e paraqitura në vijim në këtë vendim.
 
II. STANDARDET E AKREDITIMIT TË OFRUESVE
 
1. Ofruesi duhet të demostrojë një proces planifikimi të aktivitetit, i cili gërsheton nevojat e identifikuara për edukim në vazhdim me rezultatet e parashikuara të aktivitetit.
2. Ofruesi duhet të përdorë të dhëna të bazuara në vlerësimin e nevojave për hartimin dhe planifikimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim.
3. Ofruesi duhet të komunikojë qëllimin dhe objektivat e aktivitetit, në mënyrë që profesionistët pjesëmarrës të jenë në dijeni të tyre para ofrimit të aktivitetit. 
4. Objektivat e aktiviteteve të edukimit në vazhdim të shërbejnë për të orientuar hartimin e aktivitetit sa më pranë nevojave reale për zhvillim profesional të profesionistëve të shëndetësisë. 
5. Objektivat e aktivitetit të edukimit në vazhdim duhet të jenë objektiva të zhvillimit të njohurive dhe aftësive: 
a) tekniko-profesionale individuale, sipas fushave të veçanta të çdo kategorie apo specialiteti (objektiva të nivelit individual); 
b) për një cilësi, efikasitet, efiçencë dhe siguri më të lartë, në raport me institucionet ose shërbimet ku profesionistët e shëndetësisë punojnë; 
c) për një cilësi, efikasitet, efiçencë dhe siguri më të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor. Këto objektiva u drejtohen të gjithë profesionistëve të sistemit shëndetësor, duke pasur, kështu, karakteristika ndërprofesionale (objektiva të sistemit shëndetësor). 
6. Ofruesi duhet të bëjë një lidhje të drejtpërdrejtë e domethënëse të objektivave të paraqitura me përmbajtjen e programit dhe teknikat pedagogjike për çdo aktivitet të planifikuar prej tij.
7. QKEV-ja mund të kushtëzojë ofruesin e akredituar publik në hartimin e objektivave për aktivitete të caktuara, në varësi të përparësive dhe nevojave të sistemit shëndetësor.
8. Ofruesi duhet të garantojë pjesëmarrjen reale të profesionistëve të shëndetësisë në aktivitetin e edukimit në vazhdim. Kjo mund të realizohet në mënyra të ndryshme, si nënshkrim për pjesëmarrje, verifikim elektronik i pjesëmarrjes, formular vlerësimi për aktivitetin, i nënshkruar nga pjesëmarrësi.
9. Ofruesi duhet të garantojë vlerësimin e cilësisë së perceptuar të aktivitetit nga pjesëmarrësit, nëpërmjet një formulari të vlerësimit të aktivitetit.
10. Ofruesi duhet të sigurojë cilësinë e aktiviteteve, me anë të vlerësimit nga ekspertë të pavarur të fushave përkatëse të shëndetësisë, si dhe të vlerësojë shkallën e përvetësimit të njohurive nga ana e pjesëmarrësve, në fund të aktivitetit. 
11. Ofruesi duhet t’i pajisë profesionistët e shëndetësisë me certifikatën e pjesëmarrjes, ku duhet të jenë të paraqitura edhe kreditet përkatëse. 
12. Ofruesi duhet të respektojë kriteret për mbështetjen financiare dhe administrimin e duhur të promocionit tregtar, ashtu siç ato paraqiten në pikën 3, të vendimit nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të standardeve dhe procedurave për akreditimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”.
 
III. KREDITET E EDUKIMIT NË VAZHDIM
 
1. Kreditet e edukimit në vazhdim janë tregues të sasisë dhe cilësisë së ndjekjes së aktiviteteve të edukimit në vazhdim nga profesionistët e shëndetësisë.
2. Ofruesi i akredituar përcakton kreditet e edukimit në vazhdim, bazuar në kriterin 1 orë pjesëmarrje efektive (pa pushimet e ndërmjetme) me 1 kredit.
3. Një aktivitet i edukimit në vazhdim nuk mund të vlerësohet me më shumë se 50 kredite nga ofruesi i akredituar. Në rastet e aktiviteteve me kohëzgjatje efektive më shumë se 50 orë, ofruesi duhet të ndjekë procedurën e akreditimit të aktivitetit sipas vendimit nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të standardeve dhe procedurave të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”.
4. Një aktivitet i edukimit në vazhdim nuk mund të vlerësohet me më shumë se 6 kredite në ditë.
5. Për kreditet e aktiviteteve të edukimit në distancë, ofruesi i akredituar duhet të zbatojë përcaktimet e bëra për to në vendimin nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të standardeve dhe procedurave të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”.
6. Kreditet e edukimit në vazhdim jepen nga ofruesi, pasi ai ka kryer vlerësimin e marrjes së njohurive të duhura nga ana e pjesëmarrësit. Këtu përjashtohen aktivitetet me më shumë se 50 pjesëmarrës.
 
IV. KRITERET PËR AKREDITIM TË PËRKOHSHËM DHE AFATGJATË
 
1. Ofruesi duhet të ketë të përcaktuar “ofrimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë” në objektin e veprimtarisë së tij.
2. Ofruesi duhet të ushtrojë veprimtarinë e tij në ambiente me sipërfaqe jo më pak se 50 m2.
3. Ofruesi duhet të zhvillojë aktivitet e edukimit në vazhdim në mjedise:
a) me ajër të kondicionuar;
b) me normativa të shfrytëzueshme prej 7.5-8.0 m2/pjesëmarrës dhe, bazuar në këtë normë, ofruesi deklaron numrin maksimal të pjesëmarrësve të mundshëm. Përjashtim nga kjo normativë bëhet vetëm për konferencat;
c) me ndriçim të plotë dhe të garantuar edhe për raste emergjente; 
ç) të pajisura me aparaturat/mjetet e nevojshme për realizimin e aktivitetit
4. Ofruesi duhet të provojë një historik të organizimeve korrekte, në përputhje me kriteret dhe standardet e edukimit në vazhdim, siç përcaktohen në vendimin nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të standardeve dhe procedurave për akreditimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë.
5. Ofruesi duhet të provojë besueshmëri ekonomike, financiare, nëpërmjet bilancit të vitit të fundit.
6. Ofruesi duhet të provojë që ka burimet njerëzore që garantojnë stabilitet të veprimtarisë së tij dhe cilësi në organizimin e menaxhimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim. Këtu duhet të përshihen:
a) koordinatori shkencor përgjegjës për konceptimin dhe planifikimin e aktiviteteve;
b) komiteti shkencor, që bën miratimin e planit të aktiviteteve, përfshirë programet dhe lektorët. Komiteti shkencor duhet të ketë, minimalisht, tre pjesëmarrës;
c) dy persona me kohë të plotë: një profesionist kompetent për edukimin në vazhdim, përgjegjës për zbatimin dhe sigurimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve, dhe një person përgjegjës për menaxhimin/arkivimin e të dhënave dhe informacionit.
 
V. PROCESI I AKREDITIMIT
 
1. Ofruesi, bazuar në fushën e tij të ekspertizës dhe eksperiencës, mund të aplikojë për akreditim të kufizuar ose të pakufizuar. Akreditimi i kufizuar mund të kërkohet për specialitete specifike të shëndetësisë, për kategori të veçanta të profesionistëve të shëndetësisë ose për lloje specifike aktivitetesh të edukimit në vazhdim, si aktivitete institucionale, aktivitete të edukimit në distancë etj.
2. Procesi i akreditimit fillon me aplikimin për akreditim të përkohshëm. Ofruesi duhet të dorëzojë në QKEV kërkesën për akreditim të përkohshëm dhe dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
3. QKEV-ja, brenda 6 muajve nga data e marrjes në dorëzim të aplikimit dhe dokumentacionit shoqërues, duhet të:
a) verifikojë plotësimin dhe vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga ofruesi;
b) kërkojë dokumentacione plotësuese, nëse është rasti, apo të kryejë monitorime (inspektime) në vendndodhjen e ofruesit.
4. Akreditimi i përkohshëm është i vlefshëm për një periudhë 24-mujore.
5. Pas një periudhe prej 12 muajsh, nga marrja e akreditimit të përkohshëm, ofruesi mund të aplikojë për akreditim afatgjatë, duke përditësuar dokumentacionin e dorëzuar gjatë akreditimit të përkohshëm dhe duke e plotësuar atë me një raportim të aktiviteteve të edukimit në vazhdim të kryera gjatë kësaj periudhe.
6. QKEV-ja, brenda 6 muajve nga data e aplikimit për akreditim afatgjatë,:
a) vlerëson dokumentacionin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim, të zhvilluara nga ofruesi gjatë periudhës së akreditimit të përkohshëm, dhe verifikon përmbushjen e kritereve të tjera;
b) kryen monitorime në mjediset e ofruesit, për të verifikuar përmbushjen e kritereve që lidhen me to.
c) merr vendim për akreditim të përkohshëm/ose jo të ofruesit.
ç) harton një raport vlerësimi me gjetjet e konstatuara nga shqyrtimi i dokumentacionit e nga monitorimet dhe merr vendim për akreditimin afatgjatë/ose jo të ofruesit, i cili është i vlefshëm për një periudhë prej 5 vjetësh.
7. Për rinovimin e akreditimit afatgjatë, ofruesi duhet të dorëzojë në QKEV aplikimin për rinovim të akreditimit, jo më vonë se 8 muaj nga data e mbarimit të tij.
8. QKEV-ja, brenda 6 muajve nga data e aplikimit për rinovim të akreditimit, kryen detyrat e përcaktuara, harton raportin e vlerësimit dhe merr vendim për akreditim/ose jo të ofruesit për një periudhë prej 5 vjetësh.
 
VI.  PROCESI I MONITORIMIT TË OFRUESIT TË AKREDITUAR
 
1. Çdo vit, QKEV-ja duhet të kryejë monitorime të të paktën 10 për qind të aktiviteteve të edukimit në vazhdim të organizuara nga ofruesi i akredituar, për të garantuar zbatimin e kritereve gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
2. QKEV-ja kryen verifikim të përmbushjes së kritereve të tjera, të paktën një herë në vit.
3. Pas monitorimit dhe/ose verifikimit, QKEV-ja harton një raport monitorimi/verifikimi, ku paraqiten gjetjet e monitorimit/verifikimit, shkeljet e vërejtura, rekomandimet për eleminimin e këtyre shkeljeve dhe afatet kohore respektive.
4. QKEV-ja paraqet raportin e monitorimit/verifikimit në Bordin e Edukimit të Vazhdueshëm një herë në vit. Ky raport i dorëzohet, gjithashtu, edhe ofruesit të akredituar.
 
VII. REFUZIMI, PEZULLIMI DHE ANULIMI I AKREDITIMIT
 
1. Në rastet kur QKEV-ja nuk i vlerëson të përmbushura kriteret dhe standardet e kërkuara, merr vendim për refuzimin e kërkesës për akreditim të këtij ofruesi dhe ia bën atij me dije, duke paraqitur motivet e refuzimit.
2. Në rastet e refuzimit të kërkesës për akreditim, ofruesi ka të drejtë të riaplikojë pas një periudhe prej 3-muajsh.
3. Në rast se QKEV-ja, gjatë procesit të monitorimit të ofruesit të akredituar, konstaton shkelje të kritereve dhe standardeve të edukimit në vazhdim, merr vendim për:
a) pezullimin e përkohshëm të akreditimit, për një periudhë deri në 12 muaj;
b) anulimin, në rastet e shkeljeve të rënda apo në rast të mospërmbushjes së standardeve, pas periudhës së pezullimit.
4. Gjatë procesit të monitorimit:
4.1. konsiderohen shkelje të rënda:
a) moszhvillimi i aktivitetit të deklaruar, pa njoftim paraprak në QKEV;
b) shkeljet e kritereve për mbështetjen financiare, sipas përcaktimeve të pikës 3, të vendimit nr.788, datë 22.9.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të standardeve dhe procedurave të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”;
c) konstatimi i më shumë se tre shkeljeve të lehta;
ç) të gjitha shkeljet që nuk konsiderohen të rënda janë shkelje të lehta.
4.2. konsiderohen shkelje të lehta:
a) ndryshime në programin e aktivitetit, të cilat cenojnë cilësinë e tij dhe ndikojnë në përllogaritjen e krediteve të miratuara; 
b) mosraportimi i konflikteve të interesit të organizatorëve ose/dhe trainuesve në aktivitet; 
c) përdorimi i aktivitetit për promovim personal ose tregtar; 
ç) keqpërdorimi i emrit të institucionit akreditues dhe i krediteve të njohura prej tij; 
d) vlerësimi negativ i shumicës së pjesëmarrësve për organizimin e aktivitetit, përmbajtjen e temave të veçanta ose nivelin pedagogjik të paraqitjes së këtyre temave;
dh)  shkelje të kritereve të përshkruara në pikat 2 e 3, të vendimit nr.788, datë 22.9.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të standardeve dhe procedurave të procesit të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”.
5. Në rastet e anulimit të akreditimit, ofruesi ka të drejtë të riaplikojë pas një periudhe prej 12-muajsh.
 
VIII. E DREJTA E ANKIMIT
 
Ofruesit e aktiviteteve të edukimit në vazhdim kanë të drejtë të ankohen pranë Bordit të Edukimit të Vazhdueshëm për vendimin e akreditimit brenda 30 ditëve, nga momenti i marrjes dijeni për të. Çdo ankesë duhet të paraqitet me shkrim dhe të shoqërohet me të dhëna e argumente që mbështesin ankimin. Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm shqyrton raportin e vlerësimit dhe, kur ankesat janë të mbështetura, i reflekton në raportin përfundimtar dhe në vendimin e akreditimit.
 
IX. TARIFAT E AKREDITIMIT PËR OFRUESIT E EDUKIMIT NË VAZHDIM
 
Tarifat për akreditimin e ofruesve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim janë, si më poshtë vijon:
1. 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për akreditimin e përkohshëm të ofruesit;
2. 100 000 (njëqind mijë) lekë për procedurat e akreditimit afatgjatë dhe të rinovimit të akreditimit
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË SHËNDETËSISË 2016-2020
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2016-2020, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.  
2. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. 
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROCEDURËN E PAJTIMIT DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË ZYRAVE SHTETËRORE TË PAJTIMIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 189, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Pranë ministrisë përgjegjëse për punën të funksionojë Zyra Kombëtare e Pajtimit dhe pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në çdo qark të funksionojë zyra e pajtimit për pajtimin e konflikteve kolektive.
2. Ministri përgjegjës për punën ose organi administrativ i autorizuar prej tij, në rastin e dështimit të ndërmjetësit, brenda tri ditëve, njofton zyrën e pajtimit.
3. Nëse palët, gjatë shqyrtimit të konfliktit në zyrën e pajtimit, pajtohen, hartohet një procesverbal, i cili, pasi nënshkruhet prej tyre, merr fuqinë e kontratës kolektive, e detyrueshme për t’u zbatuar nga këto palë.
4. Në mungesë të një pajtimi të drejtpërdrejtë të palëve, gjatë debateve në seancat e shqyrtimit, zyra e pajtimit propozon pajtimin e tyre.
5. Nëse njëra nga palët, pa arsye të justifikuara, nuk paraqitet në seancat e shqyrtimit të konfliktit, zyra e pajtimit, pasi dëgjon palën e pranishme dhe mbledh të dhëna të nevojshme, ka të drejtë të propozojë pajtimin.
6. Nëse ky propozim nuk mund të bëhet pa dëgjuar palën, që nuk është e pranishme, zyra e pajtimit ka të drejtë të vendosë për thirrjen e palëve në një seancë tjetër, brenda 10 (dhjetë) ditëve.
7. Kryetari i zyrës së pajtimit pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në çdo qark ndihmohet nga specialisti përgjegjës për marrëdhëniet e punës dhe kryetari i Zyrës Kombëtare të Pajtimit ndihmohet nga specialisti përgjegjës për marrëdhëniet e punës në ministrinë përgjegjëse për punën, për analizën dhe administrimin e dosjes së konfliktit. 
8. Nëse anëtari i zyrës së pajtimit ka konflikt interesi në shqyrtimin e konfliktit, anëtari nuk ka të drejtë të marrë pjesë në procedurën e pajtimit. Kushtet kur anëtari është në konflikt interesi përcaktohen në rregulloren e zyrës së pajtimit.
9. Anëtarët e zyrës së pajtimit votojnë për propozimin e pajtimit, i cili vendoset me shumicën e votave të anëtarëve pjesëmarrës dhe, në rast barazimi votash, vota e kryetarit është përcaktuese. Zyra e pajtimit del me një propozim të nënshkruar nga anëtarët dhe kryetari i zyrës së pajtimit.
10. Kryetari i zyrës së pajtimit njofton me shkrim palët për propozimin e pajtimit dhe u kërkon atyre që brenda 4 (katër) ditëve pune të deklarojnë, me shkrim, pranimin ose kundërshtimin e këtij propozimi.
11. Nëse palët e pranojnë dhe e nënshkruajnë propozimin e zyrës së pajtimit, ky propozim merr fuqinë e kontratës kolektive, e detyrueshme për t’u zbatuar nga palët. Në rast të kundërt, kryetari i zyrës së pajtimit deklaron me shkrim dështimin e pajtimit të palëve në konflikt dhe brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së përgjigjes njoftohet pala e interesuar.
12. Zyra e pajtimit pajiset me një regjistër protokolli dhe me vulën përkatëse.
13. Shpërblimi i anëtarëve të Zyrës Kombëtare të Pajtimit dhe zyrës së pajtimit pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në çdo qark bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.
14. Shpenzimet për shpërblimin e anëtarëve të zyrave shtetërore të pajtimit mbulohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
15. Vendimi nr.741, datë 6.11.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e pajtimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të zyrave shtetërore të pajtimit”, shfuqizohet.
16. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1719, DATË 17.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË ANKANDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 45, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në rregullat e ankandit publik, miratuar me vendimin nr.1719, datë  17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pas paragrafit të fundit të pikës 4, të kreut IV, “Llojet dhe përzgjedhja e procedurës”, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“- Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit.”.
2. Pas pikës 4.3, të kreut IV, “Llojet dhe përzgjedhja e procedurës”, shtohet pika 4.4, me këtë përmbajtje:
“4.4. Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit
a) Kjo procedurë përdoret vetëm në rastet e parashikuara në nenin 20/1, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar.
b) Autoriteti shitës përdor procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit, për mallrat e konfiskuara dhe të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, natyra e të cilëve nuk lejon zbatimin e afateve të përcaktuara në nenin 28, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, dhe përcaktimin e çmimit të plotë, në veçanti:
- të shitjes së gjësë së gjallë;
- të shitjes së mallrave të konfiskuara (fruta, perime, bulmet, mish dhe çdo mall i këtij lloji) që ndryshojnë natyrë në një kohë relativisht të shkurtër apo që mund të jenë në prag skadence dhe që është i domosdoshëm tjetërsimi i tyre.
c) Urdhri për ankand, siç parashikohet në kreun V, shkronja “ç”, e pikës 5, e këtyre rregullave, përcakton edhe arsyet e përdorimit të kësaj procedure.
ç) Afati kohor minimal, për dorëzimin e ofertave në këtë procedurë, është 3 ditë nga data në të cilën është dërguar ftesa për ofertë kandidatëve.”. 
3. Në shkronjën “c”, të pikës 5.3, të kreut V, “Zhvillimi i procedurave”, pas fjalëve “...10 ditë...”, shtohen fjalët “...ndërsa për procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit, nuk duhet të kalojë 3 ditë.”.
 
   Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.321, DATË 28.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SIGURINË NË DET, PLAZHE, NË UJËRAT E BRENDSHME NË THELLËSI TË TERRITORIT DHE GJATË USHTRIMIT TË SPORTEVE UJORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, të ndryshuar, të nenit 4/a, të ligjit nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të nenit 3, të ligjit nr.8905, datë 6.6.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja dhe dëmtimi”, të ndryshuar, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Pas shkronjës “b”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.321, datë 28.5.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1. Lidhjen e marrëveshjeve me subjektet e interesuara që paraqesin një projekt konkret për përdorimin e sipërfaqes ujore bregdetare për vendosjen e strukturave të përkohshme, jo të lëvizshme, me qëllim argëtimin e turistëve. Këto marrëveshje lidhen për periudha deri në 4 muaj në vit, gjatë sezonit turistik veror, me të drejtë rinovimi. Tarifat për përdorimin e hapësirës detare, ujërave sipërfaqësore, për qëllime turistike, përcaktohen sipas vendimit nr.662, datë 21.9.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave të përdorimit të ujit dhe të shkarkimeve të lëngëta”. Në marrëveshje parashikohen detyrimet e subjektit për zbatimin me korrektësi të të gjitha masave të parashikuara për sigurinë, shëndetin, higjienën, mbrojtjen e mjedisit dhe kushte të tjera të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Inspektimi i këtyre zonave të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkon me përgjegjësi ky vendim.”.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
 
 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE. 

 

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik