Postuar më : 26 Prill 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Prill 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Prill 2017
 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “ARKIVI DIGJITAL I ARKIVIT QENDROR TEKNIK TË NDËRTIMIT” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325,  datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (AQTN), “Arkivi Digjital i Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit” (ADAQTN).
2. Sistemi i ADAQTN-së përmban të dhëna për:
- hartat plansheta;
- projekte ndërtimore dhe plane rregulluese;
- dosje pronësie (para viteve 1964);
- dokumentacione teknike (grafike) dhe shkresore (preventiva, recensa, detyra projektimi, korrespondenca, dorëshkrime, parashkresa teknike, vendime të këshillit teknik, vendime të këshillit të institucionit, procesverbale dhe llogaritje statike). 
3. Institucioni administrues i bazës së të dhënave ADAQTN është Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, nëpërmjet strukturës përkatëse, që mbulon çështjet e AQTN-së.
4. Të dhënat parësore dhe dytësore të ADAQTN-së janë, si më poshtë vijon:
4.1. Të dhëna parësore:
- Hartat plansheta;
- Projekte ndërtimore dhe plane rregulluese;
- Dosje pronësie (para viteve 1964);
- Dokumentacion teknike (grafike) dhe shkresor (preventiv, recensë, detyrë projektimi, korrespondencë, dorëshkrime, parashkresë teknike, vendime të këshillit teknik, vendime të këshillit të institucionit, procesverbale dhe llogaritje statike).
4.2.  Të dhëna dytësore:
- Të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (NID, emri, mbiemri, atësia, rruga, gjinia, vendlindja, datëlindja, mëmësia, kodZGJC, gjendja civile, emriNJQV, lidhja me kryefamiljarin, rrethi, qarku), sipas akteve ligjore në fuqi;
- Të dhënat që merren nga Regjistri Tregtar (NUIS, emri i subjektit, aktiviteti, data e regjistrimit, statusi i subjektit, adresa e subjektit).
5. Dhënësit e informacionit, sa i përket ADAQTN-së, janë:
- Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit; 
- institucionet shtetërore; 
- njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë).
6. Baza e të dhënave e ADAQTN-së ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile (Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile) dhe me bazën e të dhënave shtetërore të Qendrës Kombëtare të Biznesit (Regjistri tregtar), sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”. 
7. Baza e të dhënave të ADAQTN-së ka 3 nivele përdoruesish ( user’s levels):
- Administrator;
- Përdorues; 
- Sportelist.
Funksionet dhe të drejtat e secilit përdorues janë në përputhje me pozicionin e punës dhe të përcaktuara në procedurat e punës, të miratuara nga drejtori i AQTN-së për secilin nga punonjësit e tij.
8. Subjekte të interesuara për ADAQTN-në janë:
- qytetarët;
- bizneset;
- institucionet publike;
- AQTN-ja.
9. Subjektet e interesuara kanë nivel aksesi si lexues, lidhur me informacionin e vënë në dispozicion nëpërmjet portalit e-albania.
10. Ngarkohet Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT TË BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE TË PRODHUAR NGA BURIMET E VOGLA TË RINOVUESHME NGA DIELLI DHE ERA 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave   
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli dhe era, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Enti Rregullator i Energjisë të miratojë çmimin e blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli dhe era, në përputhje me çmimin e mesatarizuar për vitin 2017, sipas parashikimeve të kësaj metodologjie.
3. Ngarkohet ministria përgjegjëse për energjinë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES MINISTRISË SË KULTURËS, PËR BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË SHQIPËRISË, TË DISA OBJEKTEVE DHE TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 4 930 M2, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.108, ME EMËRTIM “BATALIONI I MBËSHTETJES, (ISH-REPARTI USHTARAK NR.1070)”, ME VENDNDODHJE TE RRAPI I TRESHIT, TIRANË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 901 e vijues, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Kulturës, për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, për një periudhë 30-vjeçare, të disa objekteve dhe të një sipërfaqeje trualli funksional, me sipërfaqe të përgjithshme prej 4 930 (katër mijë e nëntëqind e tridhjetë) m2, brenda territorit të pronës nr.108, me emërtim “Batalioni i Mbështetjes (Ish-reparti ushtarak nr.1070)”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, sipas planvendosjes dhe planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’i përdorur për depozitimin e titujve dhe kolanave të librave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
2. Ministrisë së Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e objekteve dhe të truallit funksional, pjesë të pronës nr.108, me emërtim “Batalioni i Mbështetjes (Ish-reparti ushtarak nr.1070)”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojnë ato ose t’ua japin në përdorim të tretëve. 
3. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nëpërmjet Batalionit të Mbështetjes të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe Ministria e Kulturës, nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të lidhin marrëveshje të përbashkët për zbatimin e këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Kulturës, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOLEGJIT PROFESIONAL TË LARTË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kolegji profesional i lartë organizohet si institucion i arsimit të lartë ose si njësi kryesore e universiteteve apo kolegjeve universitare dhe përfaqëson një strukturë të përbërë nga, së paku, dy departamente.
2. Kolegji profesional i lartë vepron në fushën e arsimit të orientuar profesional dhe përgatit profesionistë me aftësi praktike.
3. Departamenti i kolegjit është njësi e zhvillimit të mësimdhënies dhe trajnimit, i cili përfshin fusha të përafërta dhe grupon disiplinat mësimore trajnuese të përafërta. Ai është përgjegjës për programet e studimit që ofron.
4. Departamenti i kolegjit nxit, programon, bashkërendon, zhvillon, organizon dhe administron veprimtarinë e mësimdhënies dhe atë të trajnimit.
5. Departamenti i kolegjit ka në përbërje të tij, të paktën, pesë anëtarë, të punësuar me kohë të plotë si personel mësimdhënës, nga të cilët, të paktën, një me gradë shkencore ose titull akademik. Kolegjet profesionale të larta, departamentet e të cilave kanë programe studimi që zgjasin dy vite akademike, me 120 kredite (ECTS), kanë, të paktën, dy pedagogë me gradë shkencore ose titull akademik për çdo departament. Departamenti mund të ketë në përbërje edhe personel ndihmës mësimdhënës. 
6. Kolegji profesional i lartë ofron programe të akredituara që zgjasin një ose dy vite akademike, me 60 ose 120 kredite (ECTS) dhe për të cilat lëshohet certifikatë ose diplomë profesionale.
7. Kolegji profesional i lartë, kur organizohet si institucion i arsimit të lartë, ka organe dhe autoritete drejtuese. Organet drejtuese janë Senati Akademik, Asambleja e Personelit Mësimdhënës dhe Bordi i Administrimit, ndërsa autoritetet drejtuese janë rektori, drejtuesi i departamentit dhe administratori i kolegjit.
8. Kolegji profesional i lartë, kur organizohet si njësi kryesore e universiteteve ose kolegjeve universitare, ka vetëm autoritete drejtuese. Autoritetet drejtuese janë drejtori, drejtuesi i departamentit dhe administratori i kolegjit.
9. Në kolegjet profesionale të larta, publike, organet dhe autoritet drejtuese zgjidhen sipas përcaktimeve të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
10. Në kolegjet profesionale të larta, jopublike, organet dhe autoritetet drejtuese përzgjidhen/emërohen dhe shkarkohen sipas përcaktimeve në statutin e institucionit, të miratuar nga ministri përgjegjës për arsimin. 
11. Në kolegjet profesionale të larta, Senati Akademik përbëhet nga jo më pak se pesë anëtarë dhe rektori është kryetari i Senatit Akademik. 
12. Në kolegjet profesionale të larta, rektori ose drejtori mban titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar”.
13. Anëtarët e Senatit Akademik të kolegjit i përkasin kategorisë “Profesor” ose kanë gradën shkencore “Doktor” (“PHD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së. Në mungesë të autoriteteve drejtuese me këtë titull/gradë shkencore dhe për efekt të përfaqësimit, kategoria e tyre mund të zbresë, sipas përcaktimeve të bëra në statutin e institucionit.  
14. Në kolegjet profesionale të larta, drejtuesi i departamentit i përket kategorisë “Profesor” ose ka gradën shkencore “Doktor” (“PHD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së. Në mungesë të autoriteteve drejtuese me këtë titull/gradë shkencore dhe për efekt të përfaqësimit, kategoria e tyre mund të zbresë, sipas përcaktimeve të bëra në statutin e institucionit.  
15. Bordi i Administrimit të kolegjit përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme. Në institucionet publike të arsimit të lartë një nga anëtarët zgjidhet nga Senati Akademik, ndërsa dy anëtarët e tjerë përzgjidhen/emërohen nga ministria përgjegjëse për arsimin. Në institucionet jopublike të arsimit të lartë, anëtarët e Bordit të Administrimit zgjidhen sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
16. Administratori i Kolegjit emërohet nga Bordi i Administrimit ose nga administratori i universitetit/kolegjit universitar. Administratori duhet të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i Shkencave” në fushën e drejtësisë ose të ekonomisë dhe përvojë pune, së paku pesë vjet, në këto fusha.
17. Për veprimtarinë e kolegjeve profesionale të larta dhe të studentëve në këto kolegje respektohen dispozitat e ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
18. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482,  datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Veri, Tiranë shtesat, Vlorë, Elbasan dhe Durrës.
2. Masa e kompensimit është 20 872,79 (njëzet mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy presje shtatëdhjetë e nëntë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 417 065 686,31 (katërqind e shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë presje tridhjetë e një) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:
a) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1: 9, 20, 21, 22, 24, 40, 48, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
b) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1: 12 e 47, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave.
4. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Durrës të kryejë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
    
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E KONTRATËS NR.5758 PROT., DATË 25.4.2017, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE BASHKIMIT TË SHOQËRIVE “ADMIRAL SPORTWETTEN”, GMBH, “ATSI”, SPOLKA AKCYJNA, “MC NETWORKING”, SH.P.K., “PËR NDËRTIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E SISTEMIT QENDROR TË MONITORIMIT ON-LINE (SQMO) PËR INDUSTRINË E LOJËRAVE TË FATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 12, të nenit 70, të ligjit nr.155, datë 21.12.2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.647, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) si dhe autoritetin përgjegjës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e kontratës nr.5758 prot., datë 25.4.2017, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të shoqërive “Admiral Sportwetten”, GmbH, “ATSI”, Spolka Akcyjna, “MC Networking”, sh.p.k., “Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) për industrinë e lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË KUADËR TË BREZIT EKONOMIK TË RRUGËS SË MËNDAFSHIT DHE NISMËS SË SHEKULLIT TË 21-TË PËR RRUGËN DETARE TË MËNDAFSHIT 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për bashkëpunimin në kuadër të brezit ekonomik të rrugës së mëndafshit dhe nismës së shekullit të 21-të për rrugën detare të mëndafshit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.274, DATË 6.4.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS QË LIDH NDËRTESËN E RE TË QENDRËS DISPEÇER DHE ZYRAT E “OST”, SH.A.-SË, ME NËNSTACIONIN 400 KV KASHAR”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.274, datë 6.4.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime: 
a) Tabela e përmendur në pikën 1 zëvendësohet me tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.
b) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon: 
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen prej 6 330 (gjashtë mijë e treqind e tridhjetë) m², “tokë bujqësore arë”, vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 2 702 225 (dy milionë e shtatëqind e dy mijë e dyqind e njëzet e pesë) lekësh. 
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 702 225 (dy milionë e shtatëqind e dy mijë e dyqind e njëzet e pesë) lekësh, të përballohet nga fondet e “OST”, sh.a.-së.”.
2. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, “OST”, sh.a.-ja, dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.308, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE QË DO TË FINANCOHEN NGA FONDI  I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË SHËRBIMIN SPITALOR”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit  nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.308, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Shtojcat e përmendura në pikën 1, që i bashkëlidhen vendimit, ndryshohen, përkatësisht: 
a) Shtojca nr.1, “Paketa e shërbimit të dializës”, zëvendësohet me shtojcën nr.1, “Paketa e shërbimit të dializës, të vendosjes së fistulës së thjeshtë, vendosjes së grafitit të thjeshtë”, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Shtojca nr.2, “Paketa e shërbimeve të kardiologjisë”, zëvendësohet me shtojcën nr.2, “Paketa e shërbimeve të kardiologjisë”, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Shtojca nr.3, “Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë”, zëvendësohet me shtojcën nr.3, “Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë”, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Shtojca nr.4, “Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës”, zëvendësohet me shtojcën nr.4, “Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës dhe flakjes akute”, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
d) Shtojca nr.5, “Paketa e shërbimit të implantit koklear”, zëvendësohet me shtojcën nr.5. “Paketa e shërbimit të implantit koklear”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pikat 5 dhe 6 ndryshohen, me këtë përmbajtje:
“5. Paketat e shërbimeve zbatohen në bazë të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
6. Fondi administron Regjistrin Kombëtar të Paketave të shërbimeve shëndetësore. Rregullat, kriteret dhe mënyra e organizimit të Regjistrit Kombëtar të Paketave, të financuara nga Fondi, hartohen nga ky i fundit dhe miratohen nga Këshilli Administrativ i tij.”.
3. Në pikën 8, fjalët “…nga shërbimet shëndetësore publike dhe private…” zëvendësohen me “…nga shërbimet shëndetësore publike…”.
4. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Për të gjitha institucionet shëndetësore publike, përdorimi i marzhit të fitimit, i përcaktuar sipas shtojcave përkatëse, do të bëhet me vendim të posaçëm të Këshillit Administrativ të Fondit.”.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.488, DATË 22.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT FAVORIZUES TË SHITJES SË PARCELËS NDËRTIMORE PËR NDËRTIMET PA LEJE, ME FUNKSION BANIMI DHE TË PËRZIER, TË SUBJEKTEVE  QË PËRFITOJNË FALJE TË PAGESËS, SI DHE TË MËNYRËS  E AFATEVE TË PAGESËS”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 17, të  ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.488, datë 22.7.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në kreun III bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
a) Pika 11 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“11. Pas zbatimit të rregullave, sipas këtij kreu, mbi vlerën e mbetur të parcelës ndërtimore aplikohet një zbritje 10 për qind, për të nxitur poseduesit të zbatojnë detyrimet kontraktore të furnizimit me energji elektrike.”. 
b) Pas pikës 11/1 shtohen pikat 11/2 dhe 11/3, me këtë përmbajtje:
“11/2. Në përputhje me nenin 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, rregullat e parashikuara në kreun III, të këtij vendimi, aplikohen mbi vlerën e plotë të detyrimit financiar për parcelën ndërtimore. Me “vlerë të plotë” kuptohet vlera që i përket sipërfaqes së përgjithshme të parcelës ndërtimore, pas zbatimit të rregullave të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit të sipërpërmendur.
11/3. Rregullat e parashikuara në kreun III, të këtij vendimi, zbatohen edhe për objektet e tjera, sipas nenit 25, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar.”.
2. Për subjektet, të cilat përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi e kanë përfituar zbritjen si garanci për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike, kjo garanci falet. Në zbatim të kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t njoftojnë zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të hequr kufizimin mbi pasurinë e legalizuar. 
3. Pikat 22 dhe 23, të kreut IV, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”,  shfuqizohen.
 
   Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1013, DATË 10.12.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PROVIMEVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Në vendimin nr.1013, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimi “Agjencia Kombëtare e Provimeve” zëvendësohet me “Qendra e Shërbimeve Arsimore”. 
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. QSHA-ja është institucion i posaçëm për organizimin, monitorimin, mbikëqyrjen e problemeve të reformës arsimore për sigurimin e cilësisë në fushën e vlerësimit të arritjeve dhe të provimeve. Ajo ushtron funksion teknik, profesional, mbështetës dhe rekomandues të politikave të vlerësimit dhe të organizimit të provimeve të maturës e të shtetit.”.
c)  Pikat 4, 5, 6 dhe 7 shfuqizohen.
ç) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
       “8. QSHA-ja kryen këto funksione:
a) Zhvillon provimet kombëtare, kryen procesin e vlerësimit të arritjes së nxënësve dhe administron bazën e të dhënave të këtyre rezultateve. 
b) Kryen dhe administron vlerësime të jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe/ose me kampionim për arritjet e nxënësve të sistemit arsimor parauniversitar.
c) Ofron kontribut në hartimin e politikave arsimore e të strategjive dhe në zbatimin e tyre.
ç) Përpunon dhe analizon rezultatet e provimeve kombëtare, të vlerësimeve, të provimeve të shtetit, sipas standardeve bashkëkohore, dhe raportet vjetore të cilat i publikon.
d) Organizon dhe administron Provimin e Shtetit, që zhvillohet përmes teknologjisë digjitale, duke bashkëpunuar me autoritetet kompetente përkatëse, sipas ligjit për profesionet e rregulluara. 
dh) Krijon bazën shtetërore të të dhënave për kandidatët e regjistruar në Provimin e Shtetit.
e) Digjitalizon fondet e pyetjeve të miratuara nga komisionet e Provimit të Shtetit dhe e zhvillon këtë provim, përmes teknologjisë digjitale.
ë) Trajnon periodikisht personelin organizues dhe mbikëqyrës të Provimit të Shtetit dhe të provimeve kombëtare. 
f) Publikon on-line programin orientues të këtij provimi dhe fondet e pyetjeve për çdo profesion të rregulluar.
g) Administron bazën e të dhënave për arsimin parauniversitar.
gj) Krijon, arkivon, përditëson dhe administron bazën elektronike të të dhënave për arritjet e nxënësve në provimet kombëtare.
h) Kontribuon në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, të cilat janë pjesë e objektit të veprimtarisë së saj.”.
d) Pikat 9, 10 dhe 11 shfuqizohen.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA KOMISIONERI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT DHE MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE, MINISTRISË SË ZHVILLIMIT URBAN, PËR ENTIN KOMBËTAR TË BANESAVE, TË ZYRAVE NË KATIN E PESTË TË GODINËS SË ISH-SHTËPISË BOTUESE “NAIM FRASHËRI”, TIRANË 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të      ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrisë së Zhvillimit Urban, për Entin Kombëtar të Banesave, të zyrave në katin e pestë të godinës së ish-shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, për t’u përdorur si mjedise pune nga ky institucion.  
2. Ministrisë së Zhvillimit Urban, Entit Kombëtar të Banesave u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë atë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministria e Zhvillimit Urban, Enti Kombëtar i Banesave dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
 
       Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15, pika 2, e 94, të    ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
2. Vendimet nr.123, datë 4.3.2004, nr.157, datë 25.3.2005, nr.158,   datë 25.3.2005, nr.159, datë 25.3.2005, dhe nr.160, datë 25.3.2005, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohen.
3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për zbatimin e kësaj rregulloreje.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I KOLEKTORIT KRYESOR TË UJËRAVE TË ZEZA DHE I.T.U.P NË ZONËN TURISTIKE GJIRI I LALËZIT, DURRËS”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i kolektorit kryesor të ujërave të zeza dhe I.T.U.P në zonën turistike gjiri i Lalëzit, Durrës”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “arë” me sipërfaqe të përgjithshme 10 475 (dhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë) m², me vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 4 158 575 (katër milionë e njëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasurinë “arë”, prej 4 158 575 (katër milionë e njëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri shpronësime për objektet buxhetore, për programin furnizimi me ujë dhe kanalizime, me kodin M063141.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurisë, për të cilën është bërë shënimi “Konfirmuar nga  ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve si dhe  me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasurinë e shpronësuar, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij  vendimi.
 
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.  
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I BLLOKUT TË KUFIZUAR NGA RRUGËT ‘SULEJMAN DELVINA’, ‘MEDAR SHTYLLA’, ‘SKËNDER LUARASI’, ‘GRIGOR HEBA’  DHE ‘GJIK KUQALI’, TIRANË”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar nga rrugët ‘Sulejman Delvina’, ‘Medar Shtylla’, ‘Skënder Luarasi’, ‘Grigor Heba’ dhe ‘Gjik Kuqali’, Tiranë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 115 185 048 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyzet e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 115 185 048 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyzet e tetë)  lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë me mbylljen e punimeve.
7.  Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë. 
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
*** 
 
V E N D I M
 
PËR
 
TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 30 PËR QIND TË KUOTAVE TË SHOQËRISË “SUPERBETON”, SH.P.K., TIRANË, NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES BASHKISË TIRANË
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, nenit 4, të ligjit nr.7926,   datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Transferimin e pronësisë së 30 për qind të kuotave të shoqërisë “Superbeton”, sh.p.k., Tiranë, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Bashkisë Tiranë.  
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
 
 
 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik