Postuar më : 27 Shtator 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 shtator 2017

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 shtator 2017

 

V E N D I M

PËR

 

SHPËRNDARJEN DHE DETAJIMIN E FONDIT TË INVESTIMEVE  PËR FUNKSIONIN E UJITJES DHE TË KULLIMIT PËR BASHKITË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 16, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpërndarjen dhe detajimin e fondit të investimeve për skemat ujitëse, me vlerë 380 000 000 (treqind e tetëdhjetë milionë) lekë, sipas bashkive, dhënë në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Tepricat eventuale të prokurimeve të fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, rishpërndahen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohen ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministri Brendshëm, ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

 

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË PERUSË, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, TË VEÇANTA OSE TË SHËRBIMIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Perusë, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, të veçanta ose të shërbimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.37, DATË 18.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 100/20 KV GJIRI I LALËZIT, DURRËS”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.37, datë 18.1.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

 

1. Tabela e përmendur në pikën 1 zëvendësohet me tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

 

2. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, me këtë përmbajtje:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë totale të shpronësimit prej 1 152 530.7 (një milion e njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e tridhjetë pikë shtatë) lekësh.

4. Vlera totale e shpronësimit, prej 1 152 530.7 (një milion e njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e tridhjetë pikë shtatë) lekësh, dhe vlera e shpenzimeve procedurale të përballohen nga fondet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.), si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.”.

 

3. Pika 5 ndryshon, me këtë përmbajtje:

“5. Shpronësimi të fillojë brenda muajit tetor 2017.”.

 

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Nr.

Pronari

ZK

Nr. Pasurisë

Lloji

Sipërfaqja

  m2

Çmim

lekë/m2

Vlera

lekë

Shënime

1

Thoma Çuni

2332

242/2

Arë

2903.1

397

1 152 530.7

Konfirmim nga ZVRPP

2

Shtet

2332

242/1

Kullotë

231.6

 

 

Konfirmim nga ZVRPP

 

 

 

 

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT TË PËRHERSHËM TË KALIMIT, PËR INTERES PUBLIK, MBI DISA PASURI TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA KORRIDORI I PUNËS (RRUGËT HYRËSE) DHE SISTEMI I GAZSJELLËSIT (MIKROTUNELI), PJESË  E  PROJEKTIT  TRANS ADRIATIK (TAP)

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG”, si dhe të neneve 5/1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit të përhershëm të kalimit, për interes publik, mbi disa pasuri të paluajtshme, pronë private, që preken nga korridori i punës (rrugët hyrëse) dhe sistemi i gazsjellësit (mikrotuneli) në zonat Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP).

2. Shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri të bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga ish-Ministria e Energjisë dhe Industrisë, aktualisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, të paraqitur në tabelën bashkëlidhur, për sipërfaqen prej  29 (njëzet e nëntë) m2 që shpronësohet; për sipërfaqen prej 7 433 (shtatë mijë e katërqind e tridhjetë e tre) m2 që merret në përdorim të përkohshëm; për sipërfaqen prej 1 511 (një mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë) m2 mbi të cilën vendoset servituti, me një vlerë të përgjithshme prej 29 102 690.65 (njëzet e nëntë milionë e njëqind e dy mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e pesë) lekësh.

4. Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë përkatësisht sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi:

a)       1 (një)-vjeçar, për pasuritë që preken nga “Korridori i punës për 1 vit”;

b)       2 (dy)-vjeçar, për pasuritë që preken nga “Sistemi i gazsjellësit (Mikrotuneli)”.           

5. Vlera e përgjithshme prej 29 102 690.65 (njëzet e nëntë milionë e njëqind e dy mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e pesë) lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i kësaj kërkese.

6. Për likuidimin, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit mbi pasuritë e përcaktuara në tabelën bashkëlidhur  të procedohet, si më poshtë vijon:

a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët të likuidohen, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, pas  dorëzimit të dokumentacionit të  pronësisë, që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG.

b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se mbi pasurinë është vendosur kufizim”, pronarët të likuidohen, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, pas heqjes së kufizimit dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, pranë shoqërisë TAP AG.

c) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se mbi këtë pasuri është vendosur sekuestroja”, pronarët të likuidohen, për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, pas heqjes së masës së sekuestros dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, pranë shoqërisë TAP AG.

7. Çdo pronar, për t’u likuiduar për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG, dega Shqipëri, dokumentacionin e plotë të pronësisë, vërtetimin bankar lidhur me numrin e llogarisë dhe IBAN-in, si dhe kopjen e kartës së identitetit, të shoqëruar me një kërkesë.

8. Çdo përdorues të likuidohet, për efekt të kompensimit të kulturave për shumat përkatëse, të pasqyruara në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në bazë të kopjes së dokumentit të identifikimit, vërtetimit bankar lidhur me numrin e llogarisë dhe IBAN-in, si dhe certifikatës familjare që do të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG.

9. Shoqëria TAP AG të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të bazë të pikave 6, 7 dhe 8, të këtij vendimi.

10. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë sipas listave që i bashkëlidhen këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.

11. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga shoqëria TAP AG.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar dhe Fier për zbatimin e këtij vendimi.

 

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.             

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI  

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE. 
Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik