Arsimi

Gjatë qeverisjes së mëparshme pesha e buxhetit për arsimin ndaj shpenzimeve buxhetore vjetore nuk e ka kaluar asnjë herë nivelin që kishte në vitin 2005. Shpenzimet publike për arsimin janë dy herë më të ulëta se niveli mesatar i vendeve të OECD. Qeverisja e djathtë ia la barrën e arsimimit buxheteve familjare. Analfabetizmi vlerësohet të ketë arritur në rreth 15%. Braktisja e shkollës në nivelin 9-vjeçar është në shkallën 10%. Jo rrallëherë, fëmijët në zonat rurale udhëtojnë me orë të tëra në këmbë dhe në dëborë, shi apo të ftohtë për të shkuar në shkollë. Të dhënat dëshmojnë se për çdo brez ka më shumë se 20 mijë të rinj që nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme. Veçanërisht duke filluar nga arsimi i mesëm, nxënësit dhe studentët lihen pa asnjë mbështetje për sa i përket këshillimit për vazhdimësinë e studimeve dhe karrierës së tyre.

Qeveria e konsideron arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike dhe si një sistem thelbësor që garanton zhvillimin tërësor të vendit.

Synimi është që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike.

Politikat arsimore do t’i mundësojnë çdo të riu deri në moshën 26 vjeç diplomim në universitet, formim në një profesion, ose sistemimin në një vend pune. Gjithashtu, institucionet arsimore publike do të gëzojnë mbështetjen maksimale në rritjen e funksionalitetit dhe rreptësisë ndaj rasteve të abuzimit dhe falsifikimit në arsim.

Do të krijohet një sistem arsimi parashkollor i konsoliduar që ofron akses për të gjithë fëmijët deri në moshën 5 vjeç. Gjithashtu do të reformohet tërësisht kurrikula e arsimit parashkollor, në kontekstin e reformës kurrikulare të arsimit bazë.

Nuk do të ketë asnjë shkollë me tre turne dhe asnjë klasë me më shumë se 30 nxënës. Prindërve dhe komunitetit do t’i krijohen mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, në rastet kur këta të fundit nuk i shërbejnë interesit më të mire të nxënësve. Krijimi i “Kartës së Performancës së Shkollës” do t’u ofrojë prindërve informacion mbi standardet, cilësinë e mësimdhënies, shkallën e kënaqësisë së prindërve me punën e shkollës, dhe renditjen e saj në performancë. Qeveria gjithashtu do të synojë përmirësimin e të ardhurave reale të mësuesve dhe do të vendosë kritere shpërblimi e emërimi bazuar në meritokraci.

Kujdes i veçantë do të tregohet në zbatimin e politikave sociale në ndihmë të nxënësve të dizavantazhuar dhe atyre në nevojë. Kështu, çdo nxënës që duhet të udhëtojë në këmbë mbi 20 minuta për të shkuar në shkollë, do të këtë transport falas të garantuar. Gjithashtu çdo fëmijë që është i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje do të ketë librat falas gjatë gjithë ciklit të shkollimit të detyrueshëm. Një tjetër angazhim i yni do të jetë kthimi i shkollës, në një mjedis pa barriera për të rinjtë me aftësi fizike të kufizuara. Do të sigurohet zgjerimi dhe forcimi i shërbimit të këshillimit psikosocial në shkolla, si dhe pajisja e çdo shkolle publike të ciklit të parë dhe të dytë me punonjësit përkatës të shërbimit këshillimor.

Deri në fund të mandatit të parë të qeverisjes do të rritet deri në 90% niveli i përfundimit të arsimit të mesëm. Në maturën shtetërore, do të arrihet rritja e numrit të provimeve me detyrim dhe konsiderim i maturës shtetërore si provim dalës, çka do të shërbejë në rritjen e cilësisë së pranimeve në shkollat e larta.

Qeveria do të realizojë ngritjen e qendrave këshillimore për karrierën në shkollat e mesme dhe vendosjen e programit të “mentorëve” (kurse pa pagesë pas orarit të mësimit). Gjithashtu do të mbështeten nismat për gjenerimin e modeleve bashkëkohore jotradicionale në arsimin e lartë (si maturë +2) dhe përfshirjen e kompanive të interesuara në financimin e disa profileve.

Prioritet i qeverisë është rritja e sigurisë në institucionet arsimore, veçanërisht për sa i përket eliminimit të rasteve të përdorimit të armëve dhe konsumit të narkotikëve apo substancave të tjera të dëmshme në shkolla.

Qeveria do të sigurojë ngritjen e një organizmi të drejtë e të pavarur vlerësimi, akreditimi, dhe renditjeje të universiteteve publike dhe jopublike.

Do të ndryshohet skema e financimit të arsimit të lartë duke rritur financimet që shkojnë drejt sistemit dhe duke mundësuar cilësinë që ai ofron. Sigurimi i autonomisë së universiteteve deri në njësitë bazë, shoqëruar me rritjen e kapaciteteve menaxhuese të njësive, do të jetë një tjetër prioritet i reformave që do të ndërmerren në arsimin e lartë.

Qeveria do të sigurojë kualifikimin korrekt dhe transparent të personelit akademik si dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe pagave të personelit akademik, drejt ngushtimit të hendekut me pagat në universitet jopublike.

Qeveria gjithashtu, do t’u ofrojë asistencë universiteteve publike në ngritjen dhe fuqizimin e qendrave të këshillimit për karrierën. Një vëmendje e veçantë, do t’i kushtohet arsimimit të të rinjve në shkencat natyrore, teknike, dhe bujqësore, përmes aplikimit të burimeve dhe incentivave të nevojshme.

Niveli i kërkimit shkencor dhe botimeve të dala nga ky kërkim në vend është mjaft larg standardeve ndërkombëtare. Si në shumë fusha të tjera, arritjet individuale ose të disa grupeve të vogla të kërkuesve shkencorë shqiptarë, brenda e jashtë vendit, janë mbresëlënëse, por drejtimi i kërkimit shkencor nga ana e instancave shtetërore dhe vizioni i zhvillimi të shkencës nuk ka tejkaluar qasjen dhe logjikën totalitare. Kërkimi shkencor është nën presionin e emërimeve nepotike dhe partiake, të cilat jo vetëm kërcënojnë të ardhmen e shumë kërkuesve shkencorë e studiuesve në vend, por dhe rezultojnë në uljen e cilësisë.

Ne e konsiderojmë progresin shkencor si paraprijës të zhvillimit shoqëror, ekonomik, e kulturor, si një faktor të konsolidimit demokratik, dhe si një pjesë themelore të imazhit të Shqipërisë Evropiane.

Mbështetja e zhvillimit të shkencës do të përfshijë subvencionimin e institucioneve akademike e shkencore në funksion të punës kërkimore. Ne do të krijojmë mundësitë për një kombinim të burimeve publike dhe private në shërbim të financimit të kërkimit shkencor si dhe do të sigurojmë sinergjinë midis zhvillimit shkencor dhe programeve të zhvillimit kombëtar.

Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, do t’i ofrohet mbështetje Akademisë së Shkencave për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore e shkencore në vend dhe përfaqësuese e denjë e komunitetit shkencor. Demokratizimi i drejtimit të instituteve shkencore dhe mbështetja e forumeve e grupimeve të kërkuesve shkencorë do të jenë një përparësi, me synim institucionalizimin e ndërhyrjes së tyre në politikat e shtetit për shkencën. Qeveria do të garantojë pavarësi të punës kërkimore dhe përforcojë profilin e kërkuesit shkencor.

Do të ndërmerren politika për sintetizimin e koordinimit të kërkimit shkencor në vend me zhvillimet ndërkombëtare. Do të ofrohet mbështetje për bashkëpunimin mes kërkuesve shkencorë vendas dhe atyre të huaj. Qeveria do të krijojë mundësitë për angazhimin e kërkuesve shkencorë shqiptarë në universitetet e huaja, në kuadrin e programeve shtetërore dhe bashkëpunimit efektiv të institucioneve shtetërore me organizatat ndërkombëtare që financojnë programe të tilla.