Barazia gjinore

 Do të ketë një angazhim efektiv të të gjithë institucioneve publike në luftën kundër dhunës ndaj grave, forcim të rolit të sistemit të drejtësisë në parandalimin dhe mbështetjen e viktimave të dhunës dhe dënimin e duhur të dhunuesve. Do të krijojmë një sistem kombëtar online të regjistrimit dhe monitorimit të rasteve të dhunës në familje dhe do të sigurojmë funksionimin e një linje kombëtare për viktimat e dhunës në familje. Riintegrim i grave dhe vajzave viktima të dhunës nëpërmjet ofrimit të banesave sociale, punësimit, formimit profesional dhe ndihmës e shërbimeve sociale.

Ne synojmë të fuqizojmë pozitën e grave dhe vajzave përmes punësimit, nxitjes së sipërmarrjes, formimit dhe kualifikimit profesional të tyre. Do të afrojmë trajnime falas për të gjitha vajzat e papuna nën moshën 25 vjeç.

Do të zgjerojmë mbështetjen për nënat e reja në periudhën e parë të jetës së fëmijëve të tyre.

Përfitimi i lejes së lindjes do të jepet për çdo nënë, pavarësisht nga kontributet në sigurimet shoqërore. Shteti dhe shoqëria do të ofrojnë kujdesje për fëmijën e sapolindur dhe për nënën.