Kujdesi dhe përfshirja sociale

28% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në familje të varfra që përfitojnë ndihmë ekonomike. Një në tre fëmijë është aktualisht në nevojë, por vetëm një e treta përfitojnë shërbime dhe përkujdesje. Mbi 50 mijë fëmijë të moshës së arsimit të detyrueshëm janë të detyruar të punojnë në punë familjare. Gjendja e fëmijëve romë e egjiptianë është e mjerueshme. Varfëria reale në Shqipëri është rreth 40%. Në zonat kodrinore e malore është mbi 50%. Varfëria reale e matur në kontekstin e fuqisë blerëse është mbi 62%, më e larta në rajon. Shqipëria është një nga vendet me indeks të ulët të barazisë gjinore, duke u gjendur në të njëjtën renditje me Zimbabvet, Libanin, Kamboxhian dhe Bangladeshin. Shumë gra dhe vajza shqiptare përballen më shumë se burrat me varfëri e papunësi. Diskriminimi gjinor është i gjithëpranishëm në vend.

Ne besojmë në energjinë e pashtershme dhe forcën transformuese e krijuese të secilit qytetar shqiptar. Ndaj me një agjendë sociale që na ngarkon të drejta e detyra të gjithëve, duam të ndërtojmë shoqërinë, ku energjia, kreativiteti e mundi i secilit të gjejë hapësirë jetësimi, përmes shtetit që ofron shërbime publike sipas nevojës. Është mision i qeverisjes socialiste që t’i sigurojë çdo qytetari shqiptar pavarësisht të ardhurave, origjinës, moshës, gjinisë, etnisë, edukimit, orientimit seksual, identitetit kulturor, bindjeve politike e fetare, shërbime publike cilësore.

Kujdes i veçantë për fëmijët dhe adoleshentët jetimë socialë dhe biologjikë, që në moshën 16-vjeçare dalin nga institucionet e përkujdesit. Brenda mandatit të parë, strehim dhe punësim në kushte të përshtatshme për të gjithë jetimët që aktualisht janë të papunë e të pastrehë. Brenda mandatit të parë, strehim dhe punësim në kushte përshtatshme të jetimëve që dalin periodikisht nga institucionet rezidenciale.

Do të hartojmë paketën rregullatore për transformimin e Programit të Ndihmës Ekonomike në një Program për e Riintegrimin Social. Përcaktim i masës së pagesës nga Programi i Riintegrimit Social për individë dhe jo për familje. Masa e pagesës nga Programi i Riintegrimit Social do të synojë kapërcimin e vijës së varfërisë.

Programi i Riintegrimit në zonat rurale do të zëvendësojë pagesat e Ndihmës Ekonomike me Programin “Punë në Vend të Asistencës.” Kjo do të gjenerojë punë për përfituesit e Programit të Riintegrimit Social pranë komuniteteve të tyre, njësitë e qeverisjes vendore apo projekte të qeverisjes qendrore.

Fondi Social do të jetë vëmendje e veçantë dhe sigurim i burimeve të nevojshme për grupet më të rrezikuara nga përjashtimi. Krijim i Fondit Kombëtar për Shërbimet Sociale dhe Fondeve Rajonale për Shërbimet Sociale si pjesë e Fondit Social.

Do të anulojmë të gjitha ndryshimet ligjore që kanë sjellë kufizimin e të drejtave të përfaqësimit të Personave me Aftësi të Kufizuar.

Do të organizohen shërbimet e parandalimit, ndërhyrjes dhe riintergrimit të fëmijëve në familje e komunitet, brenda mandatit të parë të qeverisjes. Nxitje e programeve të sigurimit të ushqimit për fëmijët e varfër dhe të zonave të thella e të vështira klimaterike, pavarësisht të ardhurave të familjes. Shërbime për fëmijët që do të mbështesin përgjegjësinë e përbashkët prindërore dhe do të lehtësojnë prindërit në tregun e punës.

Do të identifikojmë të gjithë fëmijët në situatë rruge, sigurojmë të drejtën e tyrë për identitet, dhe organizojme lëvizjen e tyre të mënjëhershme nga rruga në bashkëpunim me pushtetin vendor, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe organizatat e shoqërisë civile. Do të krijojmë një program elektronik për regjistrimin në lindje të të gjithë fëmijëve dhe sigurim i regjistrimit të të gjithë fëmijëve nga shtresa vulnerabël ne Regjistrin e Gjendjes Civile.

Do të themelojmë zyrën për partneritet me organizatat me bazë besimi, e cila do të synojë forcimin e organizatave komunitare dhe me bazë besimi dhe zgjerimin e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve sociale.

Do të institucionalizojmë sistemin shtëtëror për mbledhjen e të dhënave për komunitetin rom dhe egjiptian, si dhe do të sigurojmë regjistrimin e tyre në Regjistrin e Gjendjes Civile në mënyrë që të lehtësojmë procedurat për përfitimin e Ndihmës Ekonomikë për këtë shtresë.