Kujdesi shëndetësor

Shërbimi i kujdesit shëndetësor është aktualisht nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë. Shëndetësia shqiptare nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton.

Sistemi kontributiv i sigurimit të kujdesit shëndetësor ofron mbulim për më pak se gjysmën e popullisisë aktive në moshë pune. Për këtë arsye rreth 1 milion shqiptarë në moshë pune duhet të paguajnë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor, duke e shtuar pabarazinë dhe padrejtësinë sociale. Në 100 lekë që shpenzohen për shëndetësinë, vetëm 40 lekë financohen nga paratë publike.

Financimi publik për shëndetsinë është i ulët dhe pjesa kontributive e tij është e ndërtuar mbi regresivitetin.

Sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, t’u japim atyre mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe t’u krijojmë profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi.

Ne e konsiderojmë kujdesin shëndetësor një të mirë publike dhe faktor themelor zhvillimi. Ne do realizojmë një sistem të kujdesit shëndetësor cilësor që ofron akses të plotë dhe garanton qëndrueshmëri financiare. Duke ndërmarrë një reformë radikale ne do të ofrojmë një mbulim universal për kujdesin shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare.

Ne do të zbatojmë një qasje të integruar në kujdesin shëndetësor, duke e bashkërenduar me politikat e sportit, mbrojtjes sociale, të sigurisë në punë, ruajtjes së mjedisit, të planifikimit dhe rregullimit të territorit, perfshire transportin dhe komunikacionin. Do të mbështesim funksionimin e mekanizmave koordinues ndërsektoriale për problemet madhore të shëndetit publik si përdorimi i drogës, abuzimi me alkoolin, duhanpirja, siguria rrugore, siguria ushqimore dhe kequshqyerja, sëmundjet infektive te reja si dhe ato te neglizhuara, menaxhimi strategjik i kimikateve, faktoret mjedisore, ndryshimet klimaterike.

Ne do të jemi promotorët e solidaritetit social midis të shëndetshmëve dhe të sëmurëve. Jemi të vetdijshëm se fillimisht duhet të dëshmojmë publikisht se çdo qindarkë e kontributit të përgjithshëm shpenzohet me efektivitet dhe jep përmirësim të matshëm të jetës së shëndetshme. Njëherazi do të kërkojmë zhvillimin e përgjegjësive individuale të çdo anëtari të shoqërisë për kujdes shëndetësor indivual, zhvillimin e përgjegjësive civile të ofruesve të mallrave dhe shërbimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e individëve, si dhe rritjen e përgjegjësive të aktorëve që krijojnë efekte anësore negative në shëndetin e individëve.

Do të heqim tatimin mbi vlerën e shtuar në shërbimet dhe mallrat mjekësorë me efekt nga fillimi i vitit 2014. Do të arrijmë tek financimi i kujdesit shëndetësor me taksimin e përgjithshëm, duke eleminuar fillimisht regresivitetin në pagesën e kontributeve të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Sistemi i sotëm i financimit të shëndetësisë stimulon korrupsionin, burokracinë e tepruar dhe diskriminimin në masë. Paratë publike, edhe pse të pamjaftueshme, shpërdorohen, ndërsa qytetarët paguajnë nën dorë për të marrë shërbime thelbësisht jetike.

Do të ndërtojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor, duke siguruar që askush të mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndestor.

Kujdesi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm.

Ne do të rrisim rolin e shëndetin publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor. Sëmundjet jongjitëse kanë rritur përhapjen në Shqipëri, ku veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale janë kthyer në ndikues të ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme. Synimi ynë primar është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.

Do të zhvillojmë programe kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumoriale dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë në intervalin moshor 40-60 vjeç si dhe në mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë.

Si rrjedhojë e politikave shëndetësore pa vizion, të disbalancuara e abuzive, konstatohet se shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor tek ne, tradicionalisht, mbetet i nënvleftësuar, si shtojcë e shërbimit shëndetësor spitalor dhe ndeshet me probleme te rënda. Aktualisht zgjidhen vetëm 25% të problemeve shëndetësore të popullatës dhe këto të fundit, me cilësi të pamjaftueshme. Megjithë milionat e harxhuara çdo vit për ndërtimin, ristrukturimin e pajisjen e qendrave shëndetësore, konstatohet se ato kanë probleme serioze në infrastrukturë, kushte higjieno-sanitare apo pajisje të vjetëruara e shpesh jashtë funksionimit. Kjo e detyron popullatën t’i drejtohet niveleve më të larta të shërbimit shëndetësor si poliklinikave dhe spitaleve, duke ulur efikasitetin e sistemit dhe rrënuar xhepat e qytetarëve. Mungesa e protokolleve të përshtatshme të mjekimit reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e varfër të kujdesit shëndetësor parësor. Prandaj, hartimi dhe zbatimi rigoroz i protokolleve bashkëkohore të mjekimit do të jetë një nga prioritetet kryesore të reformimit të kujdesit shëndetësor parësor.

Shërbimi i Urgjencës Mjekësore është në kushte të mjeruara; mbërrin me vonesë, është i pajisur keq pa mjetet e shpëtimit të jetës, personel të pakualifikuar, etj. Për pasojë është përgjegjës për humbje të dhjetëra jetëve pacientësh dhe paaftësi të niveleve të larta.

Do të ngrejmë një Shërbim Kombëtar të Urgjencës Mjekësore që të sigurojmë prezencë të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke iu përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për kujdes në sëmundshmëri dhe trauma.

Spitalet publike janë kthyer në vatra të shpërdorimit të parasë publike. Mungesa e barnave në spitalet tona është një dukuri kronike, aq sa shqiptarët po “mësohen” me faktin se në spital shkohet me barna me vete. Ne do të hapim kantierin e shëndetësisë, me qëllim modernizimin infrastrukturor dhe rritjen e sigurisë në spitale. Spitalet publike do të jenë jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore. Protokollet e mjekimit dhe procedurat standarde të punës nuk ekzistojnë akoma zyrtarisht në spitalet tona duke na rritur ndjeshëm keqpërdorimin dhe abuzimin në barna dhe materiale mjekësore. Hartimi korrekt e shkencor dhe zbatimi i protokolleve të mjekimit e procedurave standarde të punës është hap i domosdoshëm në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllimin final, rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor. Ky është një parakusht i domosdoshëm në përgatitjen e spitaleve që të kontraktojnë me paguesin e vetëm sipas metodave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Do të vendosen parimet e qeverisjes klinike në spitalet tona, duke synuar standarde të larta të kujdesit, shërbime të efekteshme, transparencë dhe llogaridhënie.

Spitalet do të administrohen në mënyrë efikase dhe do të financohen në bazë të paketave të shërbimit që paguesi i vetëm do të kontraktojë për kujdesin e nevojshëm spitalor të çdo individi. Më tej synojmë që të kalojmë nga pagesa e shërbimeve sipas kostove në zbatimin e “Algoritmeve Klinike” (Clinical Pathways) dhe më pas në vendosjen e DRG-ve (Diagnosis – Related Group). Të gjithë spitalet publike dhe jopublike do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit fillestar dhe rivlerësimit periodik. Shërbimet spitalore universitare do të kenë rol parësor edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin.

Shërbimi dentar ofrohet nga ofrues jopublikë jashtë vëmendjes së nevojshme të shtetit. Do të vendosen standarde profesionale në ofrimin e këij shërbimi, do të garantohet siguria e materialeve mjekësore dentare dhe do të kërkohet rivlerësimi periodik i aftësive profesionale të mjekëve stomatologë.

Çmimet e barnave janë shpesh më të larta se në vendet e Bashkimit Evropian. Në zonat rurale shërbimi farmaceutik mungon. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës. Ne do të rrisim cilësinë dhe sigurinë e barnave, duke shtuar kujdesin për indikacionet, në përputhje me standardet evropiane dhe njëkohësisht, do të rrisim kontrollin e cilësisë gjatë të gjithë zinxhirit të shpërndarjes të barnave. Ne do të zgjerojmë mbulimin me shërbim farmaceutik të kualifikuar në të gjithë vendin aty ku nuk ka mbulim me shërbim privat. Do të ngrejmë një sistem të plotë të gjurmimit (track and trace) të barnave në territorin e vendit, duke siguruar që barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme të arrijnë tek pacienti i duhur, në kohën e duhur, në dozën e duhur dhe nëpërmjet një kanali shpërndarjeje të autorizuar. Qendra e Kontrollit të Barnave do të shëndrrohet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore.

Informacioni për shëndetin, treguesit e shëndetit dhe kujdesin shëndetësor, lidhja e tyre me tregues bazë socialë, në nivel individual dhe kombëtar është i mangët, i pasaktë, i fragmentarizuar dhe jokoherent. Për pasojë, edhe vendimmarrja realizohet në mënyrë joprofesionale. Do të ngremë një sistem unik dixhital shëndetësor, me të cilin do të ndërlidhen të gjithë aktorët e sistemit shëndetësor, publikë dhe privatë. Në qendër të sitemit do të jetë individi dhe dosja e tij elektronike shëndetësore. Dixhitalizimi i infomacionit për shëndetin dhe kujdesin shëndetësor do të përdoret edhe për të rritur ndjeshëm transparencën në komunikimin me publikun për gjendjen e shëndetit të popullatës, për përdorimin e burimeve të disponushme, për të filluar zbatimin e standardeve të llogaridhënies së hapur të zyrtarëve publikë dhe të ofruesve të shërbimit si dhe të vendosjes së besimit midis popullatës, ofruesve të shërbimit dhe zyrtarëve të lartë. Do të zbatojmë periodikisht mbajtjen e Llogarive Kombëtare të Shëndetësisë.

Do të zgjerojmë më tej bashkëpunimin me shëndetësinë jopublike si komplementare në përmbushjen e qëllimit të përmirësimit të kujdesit shëndetësor. Institucionet jopublike do të zbatojnë të njëjtat rregulla dhe procedura të akreditimit, rivlerësimit periodik, këmbimit të informacionit shëndesor klinik dhe individual. Do të kërkohet zbatimi i protokolleve të mjekimit për shërbimet që paguesi i vetëm do të blejë në institucionet jopublike. Do të zgjerohet partneriteti publikprivat në kujdesin shëndetësor, duke synuar përfshirjen në shërbimet bazë, përveç shërbimeve mbështetëse.

Ne jemi vendosmërisht në krah të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin ata kujdesen për shëndetin e bashkëqytetarëve të tyre. Prandaj, do të vendosim një bashkëbisedim të përhershëm me ta, për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e tyre, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit. Urdhërat e profesionistëve të shëndetësisë do të reformohen duke u qeverisur me standarde të njëjta, duke u kërkuar të kenë rol më madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të profesionsitëve të shëndetësisë.