Kultura dhe trashëgimia kulturore

Kultura dhe Trashëgimia Kulturore do të drejtohen nga një ministri e dedikuar, pa shtojca të tjera dhe pa u kthyer vetë në shtojcë të askujt.

Arti e Kultura, kërkojnë një qasje të re të menaxhimit të institucioneve, për të rritur shkallën e pavarësisë së tyre artistike dhe krijuar hapësira për gjenerimin e të ardhurave nga burime të treta. Qasja e re do të arrihet me anë të një reforme që do të kryhet në dialog me komunitetin artistik të vendit, duke vendosur një mekanizëm i ri në projektimin, shpërndarjen dhe menaxhimin e fondeve publike të parashikuara për projektet kulturore dhe artistike. Do të ndërtohet kështu kalendari kulturor dhe artistik i institucioneve kulturore përgjatë gjithë vitit, të parashikuar e të planifikuar në respekt të konceptit të teatrit të repertorit. Nga ana tjetër do nxitet fort arti alternativ si dhe do të arrihet transparenca e plotë në caktimin, dhe përdorimin e fondeve publike.

Artet pamore do të jenë dyer të hapura për artistët e rinj dhe për krijimtarinë e hapësirave të hapura e të lidhura me gjinitë e tjera artistike. Ekspozitat do të qarkullojnë brenda Shqipërisë, por dhe jashtë në kuadër të kalendarit kulturor me Kosovën.

Do të nxiten agjendat kulturore mbarëshqiptare, ndërrajonale që kultivojnë dhe traditën, por edhe debatin kulturor dhe artistik aq të munguar. Me Kosovën do të ndërtohen kalendarë kulturorë të përbashkët si rruga më e mirë e komunikimit dhe hapësira më e sigurt e pandashme.

Krijimtaria e shkruar do të meritojë një vëmendje të posaçme. Politikat për librin do të jenë të orientuara drejt lexuesve dhe edukatës së leximit, duke mbështetur krijuesit autorë e përkthyes në harmonizim me interesat e botuesve.

Bibliotekat do të forcojnë e promovojnë rolin e tyre edukativ me programe proaktive për çdo grupmoshë. Në Bibliotekën Kombëtare do të përfundojë dixhitalizimi dhe do të rritet roli i saj në trajnimin e bibliotekave të tjera, në qasjen proaktive ndaj lexuesit dhe në nxitjen e kulturës së leximit.

Për përhapjen e kulturës shqiptare të shkruar, do të përpunohet një strategji për të promovuar letrat shqipe në hapësirën evropiane, duke u përfaqësuar në panairet më të mëdha ndërkombëtare dhe duke lidhur marrëveshje me rrjetet kulturore që bëjnë të mundur qarkullimin e këtyre vlerave në hapësirën evropiane. Politikat e mësipërme do të realizohen nëpërmet Qendrës Kombëtare të Letrave që do të jetë një ndër objektivat e programit kulturor.

Do të mbrohen më mirë interesat e krijuesve duke riformatuar Zyrën e të Drejtave të Autorit në luftë kundër piraterisë intelektuale dhe mbështetur me përmirësime të nevojshme ligjore.

Një theks i fortë do të vihet në politikat e edukimit artistik masiv që në moshat e vogla. Do të përgatiten atelietë e posaçme sipas grupmoshave dhe do të ndërtohet kalendari «Edukim përmes Kulturës» nga të gjitha institucionet qendrore dhe më tej vendore të Artit e Kulturës për t’i kthyer ato në aktivitete të programuara. Do të bashkëpunohet me Universitetin e Arteve si dhe me institucionet qendrore dhe vendore të kulturës për krijimin e skemës së klubeve artistike në shkolla.

Sot më shumë se kurrë, trashëgimia kulturore, ka nevojë për një vizion afatgjatë zhvillimi. Është e domosdoshme dhe urgjente të kryhet menjëherë diagnostikimi i detajuar dhe fizik i gjendjes së trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin.

Fokus të veçantë do të ketë ndërtimi i politikave të përbashkëta sidomos me Kosovën për trashëgiminë shqiptare.

Do të përpilohet harta e riskut për të gjitha monumentet e veçanta, por edhe për qendrat historike dhe parqet arkeologjike.

Do të realizohet përditësim i rregullt dhe rigoroz i listës, si dhe verifikimi i statusit të monumenteve të shpallura dhe atyre të propozuara për heqje nga lista.

Do të vlerësohen me përparësi të gjitha rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe do të hartohet një plan veprimi energjik në përputhje me skadencat e dhëna nga UNESCO.

Në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë do të përgatiten projektet për partneritetet publikprivat për rijetësimin e trashëgimisë kulturore, duke garantuar transparencë, monitorim dhe mbrojtje e restaurim.

Do të rivlerësohet trashëgimia kulturore jomateriale, thuajse e harruar deri më sot, jo vetëm si një rigjallërim i jetës kulturore në të gjithë territorin, por edhe si bazë e bashkëpunimit kulturor ndërkufitar dhe ndërrajonal.

Në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe median do të fillojë dhe vazhdojë në mënyrë permanente fushata sensibilizimi me shoqërinë civile për mbrojtjen e monumenteve të kulturës.

Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të kryhet verifikimi i denoncimeve të bëra në media lidhur me dëmtimet e trashëgimisë kulturore dhe do të ndiqen me rreptësi të gjitha ngjarjet; do të hartohet një marrëveshje për të specifikuar mekanizmat e represionit kundër krimit mbi trashëgiminë kulturore dhe për të trajnuar njësi speciale të policisë kundër kësaj figure krimi.