Sporti

Historitë individuale të sportistëve shqiptarë janë dëshmia më e mirë e lënies pas dore të sportit në vend. Mbështetja e gjithanshme dhënë sportistëve dhe të angazhuarve në aktivitete sportive, si dhe ajo dhënë shumëllojshmërisë së aktiviteteve sportive është krejtësisht e mangët. Sot në Shqipëri nuk kemi partneritet mes qeverisë dhe institucioneve sportive dhe kemi një ligj për sportin që nuk zbatohet. Mangësitë legjislative reflektohen si barrë e shumëfishuar në sistemin sportiv të vendit nga mungesa e strategjive si nga ana e institucioneve qendrore ashtu dhe nga ato federative apo klubet. Keqmenaxhimi si rrjedhojë e paaftësisë së institucioneve qendrore dhe interesave të tyre klienteliste, kanë çuar në kolaps kapacitetin publik, institucional dhe infrastrukturor, të zhvillimit të sportit në vend.

Ne synojmë rikonstruktimin institucional, legjislativ dhe infrastrukturor të sportit, duke praktikuar modelet më të mira evropiane dhe duke synuar partneritetin me komunitetin për decentralizimin dhe promovimin e tij. Ne do ta kthejmë sportin në një faktor efikas të ndërtimit të mirëqenies për qytetarët dhe komunitetet në mbarë vendin.

Një ndër hapat me prioritet që do të ndërmerren në këtë sektor është nxjerrja e menjëhershme e legjislacionit sportiv nga gjendja kaotike, përshtatja e tij me standardet dhe normat ndërkombëtare dhe vendosja e masave administrative që sigurojnë zbatimin rigoroz të tij. Në kuadër të rishikimit dhe hartimit të një legjislacioni funksional për sportin, qeveria do të ndërmarrë hapat e mëposhtëm:

  •     Krijimi i “Këshillit të Lartë të Ekspertëve në Sport”;
  •     Krijimi i komisioneve sipas nevojave të sportit;
  •     Përcaktim i “Statusit të Sportistit të Nivelit të Lartë”;
  •     Qartësim i çështjeve të pronësisë së objekteve sportive;
  •     Sigurimi i fondeve themelore dhe dytësore për sportin;
  •     Përcaktimi i kompetencave midis pushteteve dhe lëvizjeve sportive (federatave, shoqatave, klubeve, etj.)

Krijimi i Statusit të Sportistit Elitar, bazuar në kriteret e arritjes dhe rezultateve të larta, do të sigurojë të tashmen dhe të ardhmen e sportistëve duke krijuar lehtësime në shkollim, punësim, stimulim financiar, sigurim shëndetësor, dhe pensione të veçanta, me qëllim konvertimin e sportit në punë. Qeveria do të ndërmarrë hapa për krijimin e një konfigurimi organizativ të Federatave Kombëtare Sportive, me synim qartësimin e strukturës organizative dhe rolit të aktorëve. Gjithashtu do të sigurohet autonomia e plotë dhe vetëmenaxhimi i Federatave Sportive, sipas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë të sportit, të ratifikuara nga parlamenti. Do të synohet rritja e fondeve për sportin, si dhe nxitja dhe sigurimi i kushteve për kryerjen dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive në nivel lokal. Në këtë kuadër, do të stimulohen politika fiskale në favor të sportit. Qeveria gjithashtu do të hartojë dhe zbatojë një Program Kombëtar Anti-Doping sipas standardeve ndërkombëtare dhe Kartës Evropiane të Sportit, si dhe do të marrë masa urgjente dhe të ashpra për ndalimin e dhunës në sport.

Do të ndërmerren politika në mbështetje të aktivitetit sportiv të personave me aftësi të kufizuara si dhe do të mundësohet sigurimi i një pensioni të veçantë për sportistët me aftësi të kufizuar me rezultate të larta në nivel ndërkombëtar dhe përfshirje në Statusin e Sportistit Elitar për ata që plotësojnë kriteret.

Krijimi i “Federatës së Sportit Universitar” dhe “Federatës së Sportit Shkollor”, do të shërbejë për të koordinuar dhe gjallëruar jetën sportive në të gjitha shkollat e vendit, me aktivitete sportive kurrikulare dhe jashtëkurrikulare. Gjithashtu, do të arrihet përfshirja në kurrikula e standardit shtetëror të vlerësimit të aftësive bazike motore të fëmijëve nga 3 deri në 6 vjeç.

Për sa i përket infrastrukturës sportive, Qeveria do të mbështesë ndërtimin dhe mirëmbajtjen sipas standardeve bashkëkohore të objekteve dhe terreneve sportive publike. Gjithashtu, Qeveria do të nxitë dhe mbështetë klubet sportive për krijimin dhe ngritjen e qendrave sportive, rajonale, zonale dhe kombëtare, të cilat do të shërbejnë për promovimin dhe organizimin e jetës sportive në vend dhe evidentimin e talenteve të reja.