Politikat e jashtme

Programi ynë qeverisës për politikën e jashtme synon jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike.

Parimet bazë që udhëheqin politikën tonë të jashtme janë normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, të mirëkuptimit dhe të respektit të ndërsjellë midis kombeve, respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar. Politika jonë e jashtme do të udhëhiqet nga parimet e parashikueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë e ka në qendër të misionit të saj mbrojtjen e interesave kombëtare, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për stabilitetin demokratik në rajon e më gjerë.

Vizioni ynë mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e konsoliduara dhe strategjike me fqinjët tanë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, si Italia, Greqia dhe Turqia,  influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është e  pazëvendësueshme në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan, zgjerimin e bashkëpunimit më të thellë e të gjithanshëm me Gjermaninë dhe Austrinë, inkurajimin e rritjes së shkëmbimeve dypalëshe me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Vendet e Ulëta dhe Spanjën, forcimin e lidhjeve me të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe Izraelin, sikundër dhe të shkëmbimeve me vende të rëndësishme në rrafshin global si: Kina, Japonia, Rusia, India, Brazili.

Përmbushja e angazhimeve si vend anëtar i NATO-s dhe procesi i anëtarësimit në BE përbën për ne një objektiv kombëtar përcaktues për të ardhmen e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Akset kryesorë të politikës tonë të jashtme:

  • Partneritetet strategjike me SHBA dhe BE

Partneritetet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian përbëjnë dy themelet kryesorë të politikës sonë të jashtme. Ne zotohemi që të vëmë ne veprim një metodë konsultimi dhe bashkëveprimi intensiv me SHBA dhe BE në forumet dypalëshe, si dhe ato shumëpalëshe në mënyrë që të rritim cilësinë dhe të shumëfishojmë frytet e bashkëpunimit tonë strategjik me Uashingtonin dhe Brukselin.

Përmbushja e angazhimeve që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën për ne një prioritet. Ndërkohë që kontributin ushtarak në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse apo ndërtimin e paqes, do ta shoqërojmë me një kontribut civil e diplomatik në përputhje me mundësitë tona.

Marrëdhëniet me SHBA do të thellohen në të gjitha aspektet e politikës së jashtme, duke filluar që nga proceset informative të analizës dhe ato të parashikueshmërisë strategjike, deri tek diplomacia publike. Njëkohësisht, marrëdhëniet me BEnë do të fuqizohen nëpermjet konsultimeve të drejtpërdrejta me kryeqytetet e vendeve që luajnë një rol kryesor në vendimmarrjen e politikës së jashtme evropiane.

  •  Cilësi dhe ritëm dhe në procesin e aderimit në BE

Angazhimi ynë kryesor është marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Zbatimi me korrektësi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), 12 prioriteteve të identifikuara nga BE dhe perthithja e ndihmës financiare të BE, mbeten vendimtare në këtë drejtim.

Shërbimi ynë diplomatik do të jetë më efikas në përfaqësimin e agjendës evropiane të Shqipërise në kryeqytetet e vendeve që luajnë një rol kryesor në vendimmarrjen Evropiane.

Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë pjesë e rëndësishme e mekanizmit në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke drejtuar aspektet e jashtme të këtij procesi. Ndërkohë që aspektet e brendshme do të bashkërendohen nga Ministria e Integrimit Evropian

  • Shqipëria evropiane si model frymëzimi në rajon: përmirësimi i marrëdhënieve dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik me vendet fqinje

Ne besojmë tek Shqipëria evropiane si model frymëzimi, faktor paqeje dhe stabiliteti demokratik. Ky besim diktohet nga përgjegjësia jonë gjeostrategjike si një vend anëtar i NATO-s, nga pesha dhe hapësira që ka fituar faktori shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe perspektiva e integrimit euro-atlantik, e cila orienton doktrinën e sigurimit kombëtar në rajon. Ruajtja dhe konsolidimi i paqes dhe stabilitetit demokratik, sikundër thellimi i bashkëpunimit rajonal me pikësynim final, ankorimin e vendeve të Ballkanit  Perëndimor në NATO dhe BE, do të përbëjnë shinat kryesore, ku do të drejtohet politika jonë e jashtme në rajon.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës do të përbëjnë prioritet konstant të politikës sonë të jashtme në rajon. Ne do të synojmë trajtimin e çështjes çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Konsolidimi i marrëdhënieve me fqinjët tanë anëtarë të BE-së dhe NATO-s si Italia, Greqia dhe Turqia, influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është e pazëvendësueshme në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan, përbën për ne një prioritet. Ky konsolidim do të mbështetet në projekte strategjike për rimëkëmbjen ekonomike dhe lidhjen e rajonit tonë me Evropën. Përparësi kryesore në këtë drejtim do t’i jepet diplomacisë energjitike.

  • Bashkëpunim strategjik me Kosovën

Bashkëpunimi strategjik me Kosovën do të jetë në funksion të rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetës dhe përshpejtimit të procesit të integrimit euro-atlantik. Prania e dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, përbën një kapacitet qeverisës dhe administrativ shumë të madh për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët euro-atlantike. Do të vijojmë ndërmarrjen e hapave që ndihmojnë procesin e njohjeve të mëtejshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare .

Do të nënshkruajmë “Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë”, i cili do të instalojë praktikën e organizimit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë, ku do të orientojmë dhe mbikëqyrim strategjitë e bashkëpunimit të thelluara në planin politik, ekonomik dhe social.

  • Shqipëria evropiane me një rol të ri në bashkëpunimin shumëpalësh

Pavarësisht anëtarësimit të Shqipërisë në organizata të ndryshme ndërkombëtare, potenciali i saj nuk përfaqësohet denjësisht për shkak të problemeve të brendshme dhe mungesës së vizionit strategjik.

Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe përmbushim detyrimet në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OSBE, Këshillit të Evropës. Ne çmojmë bashkëpunimin me FMNnë, Bankën Botërore dhe OBT-në, si një shans për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social, konsolidimin makroekonomik dhe fuqizimin e urave tregtare përmes rregullave të harmonizuara me vendet e tjera pjesëmarrëse në këto organizata.

  • Diplomacia në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit

Shërbimi diplomatik do të vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, duke ndërmarrë një kurs iniciativash në fushën e promovimit të Shqipërisë pranë investitorëve të huaj dhe mbështetjes së biznesit vendas në arenën ndërkombëtare. Ekonomia dhe sektorët me avantazh të krahasuar do të jenë forca shtytëse e intensifikimit të kontakteve njerëzore dhe e  bashkëpunimit rajonal. Do t’i japim një shtysë të re bashkëpunimit rajonal përmes gërshetimit të “Evropës Juglindore 2020” me projektet e agjendës “Evropa 2020”, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në përmbushjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE.

  • Shqiptarët në botë

Ne do të mbështesim aktivisht shqiptarët që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit, duke i dhëne prioritet vendeve ku ka më shumë prezencë shqiptarësh. Do të ndërtojmë një politikë shumëkahëshe, e cila përfshin rrezatimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ofrimin e incentivave për ata që dëshirojnë të investojnë në ekonominë shqiptare, reformimin e shërbimit konsullor, duke krijuar shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira evropiane.

Shërbimi i jashtëm është sot pasqyra më e mirë e keqqeverisjes. Ky shërbim vuan nga politizimi i skajshëm, pemët familjare dhe rrjetet klanore, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe eliminimi i sistemit të karrierës në bazë të meritës. Në themel të këtij problemi qëndrojnë moszbatimi apo keqzbatimi i ligjit.

Reforma tërësore strukturore e shërbimit diplomatik dhe e financimit të tij do të shërbejë  si një shembull për ndërtimin progresiv të një shërbimi publik evropian në vendin tonë. Për përpilimin e kësaj refome ne do kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e partnerëvë ndërkombëtarë. Ne do të racionalizojmë përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në botë, në funksion të përmbushjes me efektivitet të prioriteteve të politikës sonë të jashtme.