Siguria kombëtare dhe kontributi në sigurinë globale

Programi për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare do të vazhdojë të mishërojë standardet dhe parimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ndër parimet bazë të saj, siguria kombëtare përbën themelin për një zhvillimin demokratik dhe rritje të qenësishme ekonomike të vendit.

Reformimi i forcave të armatosura në përputhje me standardet e NATO-s, do të synojë rritjen e shkallës së profesionalizmit, depolitizim, dinjitet dhe integritet, duke e kthyer atë në një forcë aktive në shërbim të vendit dhe të denjë për standardet e vendeve anëtare të Aleancës.

Hapat kryesorë për arritjen e këtyre objektivave do të fillojnë nga angazhimi i institucional për përgatitjen e Dokumentit të Strategjisë Kombëtare. I mbetur i paripunuar që nga viti 2004, ky dokument i rëndësishëm do të hartohet në përputhje me kushtet e reja të mjedisit të sigurisë, si dhe bazuar në “Konceptin e ri Strategjik” të Aleances, të vitit 2010. Pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, qeveria do të përgatitë Dokumentin e Ri të Strategjisë Ushtarake, për të realizuar përputhjen e nivelit të ambicjeve kombëtare, me burimet financiare në fushën e mbrojtjes, të parashikuara këto në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes.

Qeveria do të mundësojë kryerjen e një reforme të thellë në Forcat e Armatosura nga pikëpamja doktrinare, konceptuale dhe strukturore, me qëllim që të rrisë profesionalizmin, të sigurojë depolitizimin e strukturave dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit.

Një platformë solide do të hartohet për rritjen e bashkëpunimit me NATO-n, me vendet anëtare dhe ato partnere, për një mbështetje më të madhe të tyre në arritjen e standardeve të kërkuara dhe realizimin e kontributit tonë në misionet e mbrojtjes kolektive dhe ato paqeruajtëse të drejtuara nga Aleanca.

Do të hartojë një plan afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të FARSH për periudhën 2013-2020. Synimi i hartimit e zbatimit të planit afatgjatë të zhvillimit do të jetë:

  • Krijimi i një strukture të re organizative të FA, duke ulur në mënyrë graduale numrin aktual të personelit;
  • Rishikimi i tërë sistemit të edukimit, arsimimit dhe trajnimit të Forcave të Armatosura, me qëllim përgatitjen e ushtarit profesionist, nënoficerit, oficerit të trupës dhe shtabit të Forcave të Armatosura, në përputhje me nevojat e strukturës së re të kësaj force.

Prioritet do të marrë realizimi i gatishmërisë operacionale të Grup Batalionit të Këmbësorisë së Mekanizuar si dhe Grupit të Forcave Tokësore për Operacionet Speciale, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimet ndaj NATO-s në kapacitetet ushtarake, të kërkuara për mbrojtjen kolektive dhe operacionet e ruajtjes së paqes.

Ne do të ripunojmë kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Në thelb të kësaj pune do të jetë përmirësimi i Statusit të Ushtarakut me synim, rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur dhe rritjen e besimit të tyre tek shteti.

Rishikimi i kuadrit ligjor për përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve aktivë është një domosdoshmëri për mbajtjen dhe tërheqjen e burimeve njerëzore cilësore në Forcat e Armatosura për të ardhmen, por edhe për trajtimin dinjitoz të ushtarakeve në rezervë dhe lirim.