Barazia para ligjit dhe sundimi i tij

Shteti i së drejtës është në një krizë të thellë në Shqipëri, ndërkohë që forcimi i sundimit të ligjit është kushti më themelor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror në vend. Suksesi i reformave në drejtësi varet në një shkallë të lartë nga bashkëveprimi mes disa institucioneve të pavarura, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Qeveria jonë angazhohet të mobilizojë të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike e financiare që ajo ka në dispozicion, në shërbim të hapjes së një faqeje të re në sundimin e ligjit në Shqipëri, në përputhje edhe me standardet e pritshme për një vend kandidat për anëtar të BE-së. Në katër vitet e ardhshme, ne angazhohemi:

(i) të ndërmarrim të gjitha nismat ligjore dhe masat në kompetencën tonë për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor;

(ii) të ndërmarrim reforma rrënjësore, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë;

(iii) të krijojmë të gjitha kushtet e domosdoshme për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë shqiptare në përputhje me standardet e BE-së;

(iv) të sigurojmë respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë aksesin e plotë dhe të barabratë në drejtësi për të gjithë;
(v) të krijojmë një kuadër ligjor penal modern;
(vi) të garantojmë bashkëpunimin e plotë dhe efektiv me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë;

dhe

(vii) të përmirësojmë procesin e hartimit të legjislacionit.

Qeveria do të ndërmarrë nisma strategjike dhe të mirëpërllogaritura për të përmirësuar strukturën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në pajtim me praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE-së dhe në bashkëpunim të plotë me aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë në vend. Për këtë qëllim, qeveria do të iniciojë:

(i) ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe në ligjin “Për organizmin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, me qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave të qarta që duhet të ndjekin strukturat inspektuese përkatëse pranë këtyre dy institucioneve;
(ii) ndryshime në ligjin për Gjykatën Kushtetuese;

dhe

(iii) amendimin e Kodit të Procedurës Penale.

Qeveria do të ndërmarrë disa nisma të rëndësishme për ta bërë sa më funksional administrimin e drejtësisë në Shqipëri. Disa nga këto nisma janë:

(i) hartimi dhe miratimi i ndryshimeve në të drejtën materiale e procedurale civile dhe administrative, me qëllim harmonizmin me ligjin “Për Gjykatën Administrative”;
(ii) sigurimi i burimeve financiare të nevojshme për zgjerimin e shërbimit të provës;

(iii) reforma e sistemit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si garanci në rritjen e besimit të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve tek sistemi i drejtësisë;

dhe

(iv) përfundimi i instalimit të sistemit të audio-regjistrimit në të gjitha gjykatat.

Qeveria do të ndërmarrë nismat ligjore dhe rregullatore për të siguruar ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut apo në raste të tjera kur shteti shqiptar është palë përgjegjëse. Po ashtu, qeveria do të nënshkruajë marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ndihmën e ndërsjelltë juridike në fushën civile dhe penale edhe me vendet me të cilat nuk ekziston ende një marrëdhënie në këto fusha.

Për të kontribuar në përmirësimin e performancës së prokurorëve, gjykatësve dhe avokatëve, qeveria do:

(i) t’i japë mbështetje të plotë Prokurorisë së Përgjithshme për të përfunduar vlerësimin e prokurorëve;
(ii) t’i japë mbështetje të plotë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të përfunduar vlerësimin e gjyqtarëve;

(iii) të ndërmarrë nisma ligjore për t’i dhënë të drejtën gjykatave dhe/ose Avokatit të Popullit të monitorojnë dhe penalizojnë avokatët që nuk respektojnë procesin gjyqësor, duke përfshirë edhe rastet e mosparaqitjeve në seancat gjyqësore;

(iv) të ndërmarrë nisma për të mundësuar aplikimin e parimit të karrierës, bazuar në vlerësimet periodike të gjyqtarëve për emërimet në shkallët e gjyqësorit dhe shndërrimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë karriere.

Qeveria do të hartojë dhe miratojë Strategjinë kundër Korrupsionit në Sistemin e Drejtësisë, duke përfshirë si subjekte të saj jo vetëm gjyqtarët, prokurorët dhe administratën e tyre, por edhe policinë, avokatët, noterët, si dhe agjencitë e tjera të ngarkuara me zbatimin e vendimeve gjyqësore (përmbarimin, burgjet, hipotekat, etj.) si dhe të një plani veprimi me masa konkrete e transparente për publikun. Në zbatim të kësaj strategjie, qeveria do të krijojë një Grup të Posaçëm Pune për evidentimin dhe hetimin e sjelljeve dhe akteve korruptive në administratën dhe sistemin e drejtësisë, duke bërë ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale

Për të garantuar akses të plotë në drejtësi për grupet në nevojë, qeveria do të rishikojë tarifat për trajtimin gjyqësor të pretendimeve të qytetarëve edhe nëpërmjet harmonizimit të ndryshimeve të kushteve të përcaktuara për ndihmën juridike falas. Po ashtu, qeveria do të hartojë, miratojë dhe zbatojë në bashkëpunim me institucione të tjera publike dhe me shoqërinë civile një Strategji të Drejtësisë për të Miturit. Në funksion të sigurimit të transparencës së plotë të punës së saj dhe të rritjes së pjesëmarrjes së publikut në çështje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, qeveria do t’i ofrojë medias mundësinë e informimit të shpejtë, profesional, kritik e real lidhur me ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë.

Qeveria do të hartojë dhe zbatojë një reformë rrënjësore në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale, të shoqëruar me trajnime të vazhdueshme të personelit të këtyre institucioneve dhe përmirësim të kushteve të jetesës e sidomos të kujdesit shëndetësor ndaj të dënuarve. Për këtë qëllim, qeveria do të miratojë ndryshime në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, me qëllim përmirësimin e trajtimit të të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, konkretisht përcaktimin e rregullave të qarta për trajtimin e kërkesave dhe ankesave të të dënuarve, shërbimin mjekësor, masat disiplinore dhe procedurat e ndryshme për leje, në përputhje me kriteret dhe rekomandimet e Komitetit për parandalimin e dhunës e të torturës të Këshillit të Evropës. Po ashtu, qeveria do të miratojë ndryshime në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”, me qëllim përmirësimin e procedurave të punësimit, transferimit, trajnimit dhe rritjes së përgjegjshmërisë së punonjësve të policisë së burgjeve. Qeveria do të sigurojë kapacitetet e nevojshme financiare për trajtimin e duhur të personave që vuajnë dënimin penal me fonde nga buxheti i shtetit dhe donacionet e huaja.