Demokracia parlamentare

Qeveria jonë do të jetë llogaridhënëse ndaj Kuvendit dhe do të punojë për të përligjur besimin e tij.

Ne besojmë se fuqizimi i parlamentarizmit do të arrihet përmes shndërrimit të Kuvendit në një platforme të përbashkët politike dhe jo thjeshtë si një certifikues i akteve të Qeverisë.

Lënia e mandatit të deputetit, nga ata të cilët si të tillë do të jenë në funksionin e ministrit, synon që sigurojë dhe të realizojë më mirë të drejtën e Kuvendit për kontroll kundrejt qeverisë.

Kjo shumicë qeverisëse e konsideron detyrim kushtetues raportimin e informimin para Kuvendit dhe do t’i përgjigjet me efikasitet dhe seriozitet institucional kërkesave të Kuvendit kundrejt saj.

Për të patur me Kuvendin një komunikim e marrëdhënie më dobiprurëse, tërësisht në përputhje me përcaktimet kushtetuese, është vendosur që një ministër i kësaj qeverie të ketë detyrë funksionale të tij lehtësimin e këtij raporti. Qëllimi është që veprimtaria e Kuvendit të mos zhvillohet sipas interesit politik të momentit të qeverisë.

Kjo qeveri do të bashkëpunojë ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë, si institucion në tërësi, për të gjitha reformat ligjore dhe kushtetuese, të cilat do të synojnë vendosjen dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.