Krimi i organizuar, terrorizmi e trafikimi

Qeveria do të angazhohet intensivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në goditje të krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore e substancave narkotike, në respekt të plotë të ligjeve të vendit dhe të angazhimeve të saj ndërkombëtare. Qeveria do të angazhojë të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare për një bashkëpunim të plotë dhe efektiv me partnerët rajonalë e ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar. Për këtë qëllim, qeveria do të themelojë Byronë Kombëtare të Hetimit, si një njësi e specializuar në luftën kundër krimit të organizuar, luftës kundër trafiqeve, veçanërisht trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, krimit ekonomik dhe luftës kundër korrupsionit, për të garantuar një standard të lartë të evidentimit dhe hetimit të veprave penale. Sofistikimi i veprimtarisë kriminale kërkon përgjigje të menjëhershme, ndaj ngritja dhe fuqizimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit do t’i japë një ritëm të ri luftës me krimin e organizuar dhe korrupsionin në çdo nivel. Ngritja e kësaj byroje do të jetë në zbatim të Strategjisë së re dhe Planit të Veprimit kundër Krimit të Organizuar, të cilën qeveria do ta hartojë gjatë vitit të parë të qeverisjes e do ta vërë në zbatim në vitet në vijim.