Qeverisja vendore

Vizioni dhe programi ynë për qeverisjen vendore përputhet me parimet dhe standardet e mishëruara në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Qeveria e re do të mbështesë fuqizimin e pushtetit vendor dhe procesin e decentralizmit në funksion të rritjes së efikasitetit të qeverisjes vendore përmes:

(i) zbatimit të reformës administrativo-territoriale;
(ii) përmirësimit të procesit të decentralizmit të financave publike;

(iii) rritjes së cilësisë dhe modernizimit të shërbimeve publike në nivel të qeverisjes vendore, bazuar në standardet evropiane;
(iii) rritjes së transparences dhe llogaridhënies së qeverisjes vendore në raport me komunitetin; dhe

(iv) rritjes së përfshirjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në vendimmarrjen në nivel të qeverisjes vendore. Prioritetet e qeverisë në këtë fushë janë si më poshtë vijon.

Reforma administrativo-territoriale. Prioriteti kryesor i qeverisë do të jetë rishikimi i ndarjes administrativo-territoriale, duke synuar konsolidimin territorial të njësive vendore të nivelit të parë dhe nivelit të dytë. Kjo reformë do të zbatohet nëpërmjet një procesi të hapur gjithëpërfshirës dhe në bashkëpunim me të gjithë faktorët politikë në vend, komunitetet vendore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Ajo do të konceptohet dhe zbatohet në përputhje me praktikat më të mira të reformave të tilla që janë zbatuar në vende të BE-së.

Reforma do të synojë rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e cilësisë e të aksesit të qytetarëve në shërbimet publike vendore; rritjen e burimeve financiare dhe të mjeteve për qeveritë vendore; përmirësimin e mekanizmave të demokracisë përfaqësuese dhe fuqizimin e instrumentave të demokracisë direkte; rritjen e kapaciteteve të administratës publike vendore, si dhe forcimin e strukturave komunitare në nivel njësie vendore, lagje dhe fshati.

Qeveria do ta vërë në zbatim ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2015 dhe do ta shoqërojë atë me një paketë reformash fiskale dhe ligjesh mbështetëse, si dhe me ngritjen e mekanizmave konkrete për fuqizimin e njësive të reja vendore.

Reforma e decentralizimit fiskal. Autonomia financiare është thelbi i autonomisë vendore. Duke përkrahur decentralizmin e mëtejshëm të financave publike, qeveria qendrore do të krijojë mundësi që qeveritë vendore të kenë më shumë burime financiare, në mënyrë që ato të kryejnë funksionet dhe kompetencat e tyre në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.

Për të arritur këtë synim, qeveria do të ndërmarrë nisma të rëndësishme ligjore, duke përfshirë hartimin e ligjit të ri integral për financat e qeverisjes vendore, të paketës së re të decentralizimit fiskal, i cili do të përfshijë zbatimin e konceptit të ndarjes së taksave kombëtare (tax sharing), si dhe përmirësimin e kritereve të ndarjes së transfertës së përgjithshme nga buxheti i shtetit për qeveritë vendore. Ne do të rishikojmë mekanizmin financiar të transfertave të kushtëzuara nga buxheti i shtetit, duke synuar financime të integruara sipas instrumentit të “Kontratave Rajonale të Zhvillimit”, duke rritur transparencën dhe efikasitetin në shpërndarje, si dhe në bashkërendim me objektivat kombëtare.

Rajonalizimi dhe reforma e qarqeve. Qeveria do t’i japë prioritet zbatimit të një reforme të posaçme për nivelin e dytë të qeverisjes vendore që do të synojë krijimin e rajoneve dhe rikonfigurimin e qarqeve sipas modeleve evropiane të Rajoneve Vetëqeverisëse. Kjo reformë do t’u japë një drejtim të ri politikave kombëtare dhe rajonale të zhvillimit, hartimit dhe zbatimit të strategjive rajonale të zhvillimit; do t’i hapë rrugë zgjerimit të funksioneve dhe kompetencave të institucioneve dhe agjencive qeveritare në nivel rajonal; do të sjellë rritjen e burimeve financiare dhe aseteve për rajonet; dhe do të krijojë një model të ri dhe më efikas organizimi dhe funksionimi të autoriteteve qëndrore dhe vendore në nivel rajonal. Kjo reformë bëhet veçanërisht e domosdoshme në kuadër të përfshirjes së pritshme të Shqipërisë si vend kandidat në BE dhe do t’u japë rajoneve mundësinë që të përfitojnë drejtpërsëdrejti ndihmë teknike dhe financim nga instrumentat e ndihmës së BE-së.

Përmbyllja e procesit të decentralizimit të kompetencave në funksionet e përbashkëta dhe të deleguara. Qeveria e re angazhohet të përmbyllë procesin e përcaktimit të qartë dhe përfundimtar të përgjegjësive dhe kompetencave në funksionet e përbashkëta dhe të deleguara, midis qeverisë qëndrore dhe vendore, bazuar në parimin e subsidiaritetit. Ne do t’i japim përparësi ushtrimit të kompetencave në nivelin e qeverisjes vendore dhe në rastet kur qeverisja vendore nuk është në gjendje të arrijë plotësimin e standardeve kombëtare, qeveria qëndrore do ta mbështesë atë financiarisht.

Përmirësimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale midis qeverisjes qëndrore dhe asaj vendore. Qeveria e re do t’i japë përparësi ndërtimit të mekanizmave formalë dhe funksionalë të dialogut ndërinstitucional midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore. Asnjë vendimmarrje me impakt në qeverisjen vendore nuk do të merret pa u konsultuar më parë me përfaqësuesit e qeverisjes vendore. Kjo do të arrihet nëpërmjet krijimit të Këshillit Konsultativ Qeveri Qendrore - Qeverisje Vendore, përfshirjes së përfaqësuesve vendorë në instrumentat dhe mekanizmat vendimmarrës të politikave sektoriale, që kanë pikëprerje me qeverisjen vendore, si dhe forcimit të bashkëpunimit institucional me shoqatat e të zgjedhurve vendorë dhe organizata të tjera të shoqërisë civile.

Zhvillimi vendor. Qeveria do të punojë me përparësi për të ndërtuar një model të harmonizuar të zhvillimit socialo-ekonomik dhe territorial në Shqipëri, duke synuar uljen e pabarazisë në zhvillim midis zonave dhe territoreve të ndryshme të vendit dhe mbështetjen e qeverisjes vendore në nismat për zhvillim vendor. Ky prioritet do të zbatohet nëpërmjet ndërtimit të një kuadri ligjor koherent që do të realizojë harmonizimin vertikal dhe horizontal të Planeve Strategjike të Zhvillimit, të hartuar nga çdo njësi e qeverisjes vendore.

Politikat e decentralizimit fiskal do të garantojnë mbështetjen dhe financimin e duhur për zbatimin e strategjive rajonale dhe lokale të zhvillimit.

Mirëqeverisja në nivelin vendor. Rritja e autoritetit vendimmarrës të njësive të qeverisjes vendore, me ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit, do të bazohet dhe do të respektojë parimet e mirëqeverisjes dhe të llogaridhënies publike në nivel vendor. Përparësi do të ketë forcimi i transparencës dhe pjesëmarrjes së komuniteteve, biznesit dhe shoqërisë civile në vendimmarrjen publike në nivel vendor, nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor. Llogaridhënia e administratës publike dhe efikasiteti i shërbimeve në nivel vendor do të garantohet nëpërmjet ngritjes së një sistemi të veçantë për “monitorimin e performancës në nivel vendor”.

Fuqizimi i administratës vendore. Qeveria e re do të mbështesë konsolidimin një administrate vendore të çburokratizuar, të paanshme politikisht, profesioniste dhe transparente. Ajo do t’i përgjigjet pritshmërive të komuniteteve dhe biznesit për shërbime publike; e aftë që të përballojë sfidat e integrimit evropian të vendit, duke respektuar gjithmonë standardet dhe absorbimin e fondeve të BE-së në nivel vendor. Qeveria qendrore do të përkrahë ngritjen e një sistemi të favorshëm dhe të përshtatshëm për trajnimin e administratës publike vendore.

Sistemi i adresave. Qeveria angazhohet t’i japë fund një herë e mirë kaosit në administrimin e Regjistrit të Gjendjes Civile dhe sistemit të adresave. Në bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen vendore, do të angazhohemi në projekte konkrete për të sistemuar përfundimisht administrimin e Regjistrit të Gjendjes Civile dhe Regjistrit të Adresave, duke synuar përputhjen dhe administrimin e unifikuar të të dhënave të shtetasve.