Shoqëria civile

Në 8 vitet e fundit është goditur rëndë shoqëria civile, e cila nuk ka pavarësinë e duhur për të shprehur hapur qëndrimet e veta me interes social e kombëtar. Sektori, Organizata Jofitimprurëse i shoqërisë civile ka pësuar rënie. Një ndër arsyet kryesore është presioni qeveritar, i cili shoqërohet me klientelizëm dhe mungesë transparence në ndarjen e fondeve publike, mungesë qartësie të kuadrit ligjor të OJF-ve dhe mungesë të mjedisit mbështetës. Kuadri ligjor ekzistues cënon rëndë pavarësinë e aktivitetit të sektorit jofitimprurës, duke vënë shenjën e barazimit mes tij dhe biznesit e rrjedhimisht duke e rënduar atë me taksa. Ky kuadër ligjor është krejtësisht i paqartë dhe abuziv për sa i përket marrëdhënieve të sektorit me shtetin, dhe si i tillë krijon pasiguri e i hap shtigje keqpërdorimit pushtetar.

Ne besojmë se fuqizimi i shoqërisë civile është një mjet i rëndësishëm në mbylljen e hendekut mes qytetarëve dhe institucioneve. Ne do të bëhemi promotorët e klimës së shëndetshme për pavarësinë, efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë civile.

Për t’i vënë OJF-të në shërbim të interesit publik, do të përmirësojmë legjislacionin dhe masat financiare që rregullojnë veprimtarinë e OJF-ve. Zhvillim i kuadrit ligjor të OJF- ve do të nxitë mbështetjen e këtij sektori nga biznesi vendas, filantropia dhe shërbimet vullnetare.

Për të siguruar paanshmërinë e shtetit ndaj shoqërisë civile do të rritim transparencën nga ana e institucioneve zyrtare, me anë të publikimit të mundësive të bashkëpunimit dhe rregullave për aplikimin e organizatave, në projekte të ndryshme.

Një proces i gjerë konsultativ do të realizohet me shoqërinë civile për nismat e reja ligjore, si dhe për monitorimin e vlerësimin e tyre. Shoqërisë civile do t’i ofrohet asistencë për të rritur kapacitetet e tij në fushën e shërbimeve, të cilat ende nuk përballohen nga shteti.