Zhvillimi Ekonomik

Zhvillimi Ekonomik

Njëzetë e dy vjet mbas fillimit të “shock therapy” dhe ndërtimit të “ekonomisë së tregut” kemi shkuar drejt “mbylljes” përfundimtare të një cikli të rëndësishëm të tranzicionit “nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë”. Kemi shfrytëzuar e përdorur shumë mundësi për vendosjen dhe performancën e ekonomisë së tregut në kuadrin e paketës së axhustimeve strukturore, kemi zbatuar me rigorozitet “rekomandimet specifike” dhe “recetat për ekonominë shqiptare” të FMN-së dhe Bankës Botërore për privatizimin e ekonomisë dhe hapjen e saj, jemi treguar ortodoksë në çështjen e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë duke u etiketuar si “nxënës të mirë”, jemi fokusuar pothuajse plotësisht te rritja ekonomike si treguesi i vetëm i suksesit e performancës së politikave ekonomike e qeverisjes.

Kemi ndërtuar një model ekonomik tipik të tranzicionit, një profil të vetë ekonomisë shqiptare që me të mirat dhe defektet e tij u bë “lokomotiva” që na tërhoqi deri në fund të dekadës së dytë të këtij tranzicioni radikal, ndoshta nga më radikalët në gjithë grupin e vendeve të Europës Qëndrore e Lindore.  Por, kohës dhe përmbajtjes së këtij modeli duket se i ka ardhur fundi, pasi shumë nga elementët dhe energjitë e tij e arritën maksimumin e tyre dhe tashmë rezultojnë të ezauruara për një periudhë tjetër 15-20 vjeçare të ardhme që shkon deri në horizontin 2025-2030.

 

Kriza ekonomiko-financiare globale na evidentoi probleme thelbësore me natyrë strukturore:

  • sa e qëndrueshme është rritja jonë ekonomike?
  • sa të qëndrueshme janë burimet dhe furnizuesit e kësaj rritjeje?
  • a kemi modelin e përshtatshëm për të garantuar ritmet e kësaj rritje në vitet që vijnë?
  • a kemi një ekonomi të strukturuar e rezistente me të cilën mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afat-gjatë?

Ekonomia

  • Modeli i ri ekonomik

Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se ne do të gjejmë e identifikojmë “burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe « zëvendësuesit » e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afatshkurtra e afatmesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri më tani.

Punësimi

Të dhënat vërtetojnë pohimin e pakundërshtueshëm se në Shqipëri janë 1 milion të papunë. Sipas të dhënave zyrtare në Shqipërinë e 2013 ka më  shumë se 51 mijë vetë më pak të punësuar se në vitin 2008. Rritja ekonomike relativisht e qëndrueshme e periudhës 2000-2008 nuk u shoqërua  me rritje të punësimit, zvogëlim të ekonomisë joformale, dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.

Burimet natyrore

  • Prodhimi i energjisë

Sistemi Elektroenergjetik i Shqipërisë (SESH) trashëgon një sërë problemesh e sfidash me natyrë strategjike, tekniko-teknologjike e operacionale, tregtare e financiare që jo vetëm kanë vënë në rrezik zhvillimin e funksionimin normal të vetë SESH, integrimin e tij në sistemet rajonale të energjisë dhe investimet e reja për prodhimin e energjisë elektrike, por e kanë kthyer sektorin në pengesë serioze për një zhvillim ekonomik të lartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë.

Zhvillimi urban, rural dhe rajonal

  •  Planifikimi dhe zhvillimi i territorit

Qeveria synon të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale dhe të krijojë nje mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Infrastruktura

  • Transporti

Në katër vitet e ardhshme transporti dhe infrastruktura do të jenë në shërbim të objektivave madhore të zhvillimit ekonomik e social të vendit, por edhe kontributorë të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike dhe të punësimit. Në këtë sektor do të realizohet në mënyrë thelbësore partneriteti publik-privat.

Profili makroekonomik dhe fiskal

Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën 2008 – 2012 është ulur nga 7.5% në rreth 1.5%. ¾ e rritjes nominale për këtë periudhë vjen nga rritja e nivelit të borxhit publik. Kjo prirje duket e ngjashme edhe për vitin 2013. Rritja ekonomike parashikohet sipas Moody’s 1.7%; sipas FMN 1.8%; sipas BERZH 1.8%.