Burimet natyrore

  • Prodhimi i energjisë

Sistemi Elektroenergjetik i Shqipërisë (SESH) trashëgon një sërë problemesh e sfidash me natyrë strategjike, tekniko-teknologjike e operacionale, tregtare e financiare që jo vetëm kanë vënë në rrezik zhvillimin e funksionimin normal të vetë SESH, integrimin e tij në sistemet rajonale të energjisë dhe investimet e reja për prodhimin e energjisë elektrike, por e kanë kthyer sektorin në pengesë serioze për një zhvillim ekonomik të lartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë.

Kjo gjendje e SESH manifestohet në :

  •     paqartësitë dhe subjektivizmin e theksuar në strategjitë e zhvillimit dhe reformat e domosdoshme strukturore të sektorit,
  •     zhbalancimin e kërkesës për energji elektrike dhe ofertës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet brenda vendit,
  •     humbjet e larta teknike dhe joteknike të energjisë elektrike,
  •     nivelin e ulët të arkëtimit të faturave të energjisë elektrike,
  •     treguesit cilësorë nën standardet teknikoekonomike të energjisë elektrike të furnizuar tek konsumatori,
  •     mungesën e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike të konsumatorëve,
  •     mosmarrjen e statusit të antarësisë në Tregun Rajonal të Energjisë,
  •     privatizimin e dështuar të sistemit të shpërndarjes së energjisë,
  •     kaosin juridik dhe financiar që e shoqëron SESH, duke e bërë sektorin e energjisë të ndodhet në prag të kolapsit financiar.

Qeveria do të synojë hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sistemin elektro-energjitik të Shqipërisë, me qëllim krijimin e një Sistemi Elektroenergjetik të qëndrueshëm operacionalisht, teknikisht dhe financiarisht, të aftë për të plotësuar kërkesën në rritje për energji elektrike brenda vendit duke e shndërruar Shqipërinë nga vend importues i energjisë elektrike, në vend eksportues të saj.

Njëherazi synohet rritja e efikasitetit në përdorimin e energjisë elektrike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, shërbime dhe përdorim individual e ulja e humbjeve teknike dhe joteknike në shpërndarjen e energjisë elektrike.

Qeveria synon integrimin e Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar (SESH) me Sistemet Rajonale dhe Evropiane të energjisë elektrike, si dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy sistemeve elektroenergjetike Shqipëri-Kosovë, duke mundësuar shfrytëzimin me efikasitet të lartë të burimeve energjetike të të dy vendeve.

Do të kryhet një reforme legjislative - strukturore në SESH dhe në tregun e energjisë elektrike, duke plotësuar kushtet për liberalizimin e shitjes së energjisë elektrike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Do të rritet pavarësia e Institucionit Rregullator, duke garantuar ushtrimin e kompetencave të ketij institucioni në mënyrë të paanshme dhe transparente, për të qënë gardian i interesave publike, konkurrencës së lirë e të ndershme dhe transparencës.

Do të vihen nën monitorim të plotë të veprimtarisë, sektori i prodhimit të energjisë elektrike dhe i investimeve për ndërtimin e burimeve të reja prodhuese të energjisë elektrike. Do të krijohet ambienti ekonomiko-ligjor që siguron një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit dhe do të futet një kulture e re në kuadrin e ekonomisë së energjisë dhe përdorimin efikas të saj në ekonomi dhe në konsum familjar.

Qeveria do të kujdeset në harmonizimin sa më të mirë të zhvillimit dhe të investimeve në sektorin elektroenergjitik me ruajtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore.

  • Hidrokarburet

Sektori i hidrokarbureve karakterizohet nga këto veprimtari jashtë monitorimit efikas shtetëror në sektorin e prodhimit të naftës e të gazit, duke dëmtuar interesin publik dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Tregu i importit dhe i shitjes me shumicë të hidrokarbureve është nën trysninë e situatës monopol. Veprimtaria e tregut për shitjen me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve kryhet në mungesë transparence për institucionet shtetërore dhe për publikun, duke dëmtuar rëndë interesat publike dhe private.

Plotësimi i kërkesës për hidrokarbure dhe lëndë energjitike hidrokrabure bëhet pothuajse tërësisht nga importi, kur Shqipëria është vend prodhues i naftës bruto, mospërpunimi i së cilës cënon interesin publik e privat në vend.

Qeveria do të synojë hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri, vënien nën një monitorim të plotë të veprimtarisë në sektorin e hidrokarbureve për të patur një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit, duke garantuar interesat publike në këtë sektor, forcimin e kapaciteteve shkencore dhe teknike në funksion të zhvillimit të sektorit hidrokarbur sot e në perspektivë.

Tregu i karburanteve dhe gazit të lëngët do të zhvillohet me standarde teknike cilësore, në nivelin e vendeve evropiane, duke prishur monopolet e krijuara në këtë treg.

Do të nxitim përpunimin e naftës bruto brenda vendit.

Do propozojmë ndryshime ligjore dhe institucionale të domosdoshme, si dhe një paketë masash nxitëse e stimuluese për përdorimin efikas të gazit në ekonomi, shërbime dhe përdorim individual në Shqipëri, në dekadën e ardhshme.

Do të sigurohet mbështetje për zbatimin e politikave efikase për të mbështetur ndërtimin e Gazsjellsit TAP, duke realizuar përfitimet maksimale prej këtij projekti, përfshirë dhe mundësinë e shtritjes në tregun e brendshëm.

  • Mineralet

Sektori i industrisë minerare karakterizohet nga veprimtari jashtë monitorimit shtetëror të aktivitetit në sektorin minerar, duke dëmtuar imazhin mirëqeverisës dhe seriozitetin e shtetit, madje edhe nga veprimtari të jashtëligjshme që dëmtojnë rëndë interesin publik.

Puna në miniera kryhet jashtë rregullave dhe standardeve për sigurinë në punë, duke dëmtuar shëndetin e punonjësve, si dhe duke marrë jetë njerëzish në punët e rënda nën e mbi tokë. Shkalla e përpunimit të mineraleve vazhdon të jetë mjaft e ulët dhe eksportet janë kryesisht në mineral bruto, duke dëmtuar interesin publik.

Investimet në sektorin minerar janë pothujase inekzistente, duke bërë që ky sektor të ketë sot një prapambetje teknike e teknologjike kolosale, çka reflektohet në produktivitetin minimal të tij.

Qeveria do të synojë:

  •     Zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit të gjeologjisë dhe minierave duke e shndërruar këtë sektor në një industri me kushte e standarde bashkëkohore.
  •     Hartimin e politikave specifike që nxisin, orientojnë dhe garantojnë investime e financime masive të brendshme e të huaja në industrinë minerare.
  •     Ndërmarjen e masave ligjore dhe strukturore për të mundësuar rritjen e shkallës së pasurimit dhe përpunimit të mineraleve në vend.
  •     Rritjen e eksporteve minerare si një element i rëndësishëm i rritjes ekonomike, punësimit dhe nivelit të jetesës në zonat minerare.
  •     Monitorimin e veprimtarisë minerare me synim garantimin e interesit publik në këtë sektor.

Do të kryejmë ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarive minerare të rrezikshme dhe të jashtëligjshme e ndërprerjen e veprimtarive minerare që nuk kanë respektuar detyrimet kontraktuale, që kanë dëmtuar e dëmtojnë rëndë mjedisin, sidomos të atyre veprimtarive pranë zonave urbane.

  •  Pyjet

Sipërfaqet me bimësi pyjore dhe kullotat mbulojnë rreth 60% të territorit të vendit por në 20 vitet e fundit përllogariten rreth 100,000 ha pyje të shkatërruar. Humbja e sipërfaqes në pyje është shoqëruar me fenomene të tjera si erozioni, humbja e habitateve për faunën e egër, rrëshqitjet e tokës, etj.

Për të ndryshuar situatën, qeveria, fillimisht do të ndalojë për një periudhë të caktuar eksportin e lëndës drusore të papërpunuar, të druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit, duke synuar të ulim me 30% prerjen e drurëve në pyje.

Do të hartohet e miratohet strategjia kombëtare për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore. Kompanitë që marrin lejet për shfrytëzimin e pyjeve do të kenë edhe përgjegjësinë e mirëmbajtjes së tyre, duke mbjellë një fidan për çdo dru të prerë.

Do të kryhet riinventarizimi kombëtar i pyjeve, duke mundësuar krijimin e një kadastre të re të pyjeve.

Do të hartohet një program kombëtar për pyllëzimet si dhe do të organizohet dita kombëtare e mbjelljeve në pyje.

Do të forcohet shërbimi i ekstensionit, me qëllim asistimin e komunitetit dhe pushtetit vendor në politikëbërjen dhe menaxhimin e zonave pyjore.

Do të hartojë një program të ri investimesh me qellim rehabilitimin e shpejtë të zonave pyjore me vlerë kombëtare si Lura, Qafshtama etj.