Ekonomia

  • Modeli i ri ekonomik

Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se ne do të gjejmë e identifikojmë “burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe « zëvendësuesit » e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afatshkurtra e afatmesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri më tani.

Nëpërmjet politikave tona ekonomike e financiare ne :

  • do ta mbushim “gropën” që po krijon tkurrja e disa sektorëve të ekonomisë, zvogëlimi i remitancave, apo “mbarimi” i privatizimeve;
  •  do ta eliminojmë apo ngushtojmë deficitin tregtar dhe atë të bilancit të pagesave?
  •  do ta ristrukturojmë hapësirën rurale ku mbizotërojnë mini-fermat dhe përmirësojmë tendencën drejt një tregu toke aktiv, apo thellimit të kooperimit në formën e shoqatave që është akoma i ulët?
  • do ta zhvillojmë, ristrukturojmë e modernizojmë biznesin shqiptar që dominohet nga bizneset e vogla familjare dhe reflekton akoma elementë arkaikë e informalë?

Nëpërmjet politikave tona ekonomike dhe të zhvillimit, do t’i japim përgjigje konkrete pyetjeve, si:

  •     Cilat janë politikat strukturore që na konvergojnë më mirë e më shpejt me ekonominë evropiane?
  •     Cilët do jenë sektorët që do përbëjnë « motorin » e ekonomisë shqiptare në vitet në vazhdim?

Do të vendoset një dialog i përhershëm me komunitetin e sipërmarrjes, vendas dhe të huaj, si dhe me ekspertizë të spikatur të huaj dhe vendase. Ky dialog do të institucionalizohet në ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili do të operojë pranë kryeministrit.

  •  Sektorët prioritarë

Ne jemi të qartë në objektivat themelore të zhvillimit dhe modelit të rritjes ekonomike për 15-20 vitet në vazhdim. Do të ndërtojmë “profilin” e ekonomisë shqiptare të dy dekadave në vazhdim, të identifikuar nëpërmjet disa sektorëve prioritarë si manifaktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agroindustria, arsimi dhe shërbimet. Ndodhemi në një moment thelbësor për të saktësuar një koncept e një politikë të qartë për modelin e rritjes ekonomike dhe faktorët jetësorë të saj. Mbyllja e “periudhës 22-vjeçare të tranzicionit” dhe kriza ekonomiko-financiare na ka vënë përballë një fakti të pakundërshtueshëm. Modeli i deritashëm i rritjes ekonomike në Shqipëri (i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni, donacionet si vend i varfër e në zhvillim që kemi përfituar me shumicë, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj që kanë qenë një arterie e rëndësishme që furnizonte rregullisht ekonominë tonë, privatizimet masive që i kanë krijuar buxheteve tona luksin e të qenit në ekuilibër dhe me deficit minimal, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom-i” mbi 15-vjeçar i sektorit të ndërtimit, shkarkimi i papunësisë nëpërmjet emigracionit, etj.), duket se po shkon drejt shterimit total ose të pjesshëm. Edhe politikat 22-vjeçare me prioritet “ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë” duke krijuar mundësi për rritjen ekonomike, duket se nuk mund të jenë më të vetmet. Do të bëjmë politika më të strukturuara, të mirëadresuara e të gjera për nxitjen maksimale të rritjes ekonomike, për garantimin faktorial të qëndrueshmërisë së saj, për rritjen e prodhimit vendas dhe eksporteve, për hapjen masive të vendeve të reja të punës.

Do të identifikojmë qartë faktorët e rinj të rritjes ekonomike që me anë të mbështetjes së sektorëve prioritare dhe politikave e masave specifike t’i kthejmë në avantazhe konkurruese.

  •  Strategjia për rritjen ekonomike

Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të vazhdojë të nxitet në tre mënyra:

  •  Nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë;
  •  Nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para, të disa produkteve të gatshme dhe një kategorie të caktuar shërbimesh;
  •  Nëpërmjet ristrukturimit ekonomik dhe reformave të vërteta strukturore, rritjes me prioritet të prodhimit të brendshëm, diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve, adoptimit masiv të teknologjive të reja.

Dy mënyrat e para ne i gjykojmë se janë me nivel të lartë risku dhe jo të qëndrueshme. Ta mbështetësh rritjen vetëm tek investimet apo kreditë e huaja, gjë që na ka pëlqyer ta përmendim si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë:

  •     të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete,
  •     të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapriçot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare,
  •     të prodhosh një rritje ekonomike jo reale, të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara, të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë.

Në kushtet kur borxhi publik në Shqipëri është në nivelet 64% e PBB dhe me tendencë rritjeje, kur deficiti buxhetor është gjithashtu në tendencë rritjeje, mundësitë për ta konsideruar këtë rrugë janë të vogla. Aq më tepër që aktualisht, sfida dhe frika e çdo qeverie në botë është “tejkalimi i borxhit publik”. Edhe rritja ekonomike e bazuar ekskluzivisht tek lëndët e para dhe eksporti i tyre, apo “eksporti i krahut të punës” vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afatmesme e afatgjata, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare dhe luhatjeve që pëson ky sektor nga evolucionet gjeopolitike, rajonale e ndërkombëtare.

Mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në botë, ka prodhuar një rritje konstante afatgjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, duhet që Shqipëria të bëjë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus. Kryefjala mbetet “rritja e prodhimit të brendshëm dhe shtimi i eksporteve”, shtimi i PBB nga prodhimi dhe jo nga konsumi siç ka qenë modeli dominues i deritashëm.

  •  Prodhimi vendas dhe nxitja e eksporteve

Meqenëse duam të nxisim rritjen ekonomike afatgjatë, duhet të mos mbetemi vetëm tek “politikat fondamentale” të programeve të ndreqjeve e përshtatjeve strukturore (si p.sh. stabiliteti makroekonomik, thellimi i privatizimeve, hapja e liberalizimi ekonomik), por:

  • të fokusohemi maksimalisht drejt politikave prodhuese e sidomos politikave energjetike, industriale dhe agrare,
  • të ndërtojmë politika specifike për mbështetjen dhe nxitjen e eksporteve;
  • të jemi të kujdesshëm me stabilitetin financiar,
  • të jemi maksimalisht të prirur për futjen masive të inovacioneve dhe teknologjive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të biznesit tonë,
  • të kemi realisht në fokus zgjerimin e kapitalit human dhe përfshirjen sa më të gjerë të popullsisë aktive të territorit në “kontributin dhe përfitimet nga/për rritjen ekonomike”.

Rritja ekonomike që ekziston në një terren ekonomiko-financiar, të dominuar nga deficiti i bilancit të pagesave, deficiti i konsiderueshëm tregtar, tregu ushqimor i varur dukshëm nga importet, nxitja subjektive e kërkesës së brendshme, mospërfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme sociale dhe tërësia territoriale në kontributin e përfitimet nga rritja, nuk vlerësohet si rritje ekonomike e qëndrueshme dhe efikase.

Kolona vertebrale e këtij ndryshimi duhet të jetë biznesi privat, ristrukturimi dhe modernizimi i tij.

Ne jemi të bindur se kaq nuk mjafton. Shqetësuese në mjaft raste është “cilësia” e biznesit, është brishtësia dhe “amatorizmi” i tij, është informaliteti i lartë. Në gjuhën e politikave ekonomike ne do ta përkthejmë këtë si “domosdoshmëri akute për politika që zhvillojnë, zgjerojnë dhe konsolidojnë biznesin” dhe jo thjesht “përmirësimi i klimës së biznesit”.

  •     Mbështetje për biznesin e vogël e të mesëm
  •     Do të thellojmë reformën rregullatore për reduktimin në maksimum të barrierave administrative dhe kostot e biznesit, për eleminimin e informalitetit dhe korrupsionit;
  •     Do të punojmë për thellimin e lirisë së tregut, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe eleminimin e monopoleve;
  •     Do të hiqet taksa e biznesit të vogël dhe do të reduktohet barra fiskale e biznesit të vogël brenda vitit të ardhshëm;
  •     Do të rrisim efikasitetin e shërbimeve të administratës publike në favor të biznesit të vogël e të mesëm duke krijuar një partneritet të qëndrueshëm e të suksesshëm shtet-biznes;
  •     Do të përputhim plotësisht politikat tona të zhvillimit të biznesit të vogël e të mesëm me politikën evropiane për ndërmarrjet e vogla e të mesme me theks të veçantë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe të punësimit;
  •     Do të nxitim dhe mbështetim kulturën moderne të sipërmarjes për biznesin, me theks të veçantë përmirësimin e menaxhimit, kualifikimin e punonjësve, standardet e cilësisë dhe konkurrueshmërinë, thithjen e investimeve, thellimin e inovacioneve dhe teknologjitë e reja, etj.
     
  •  Sektori financiar

Shumicën dërrmuese të sektorit financiar në Shqipëri e dominon sektori bankar. Madhësia e sektorit bankar ka rreth një vit e gjysmë që është në nivelin rreth 12 miliardë dollarë (me rritje dhe rënie të ulëta momentale). Nga këto, rreth 5.4 miliardë dollarë janë të huaja e i janë dhënë biznesit dhe individëve. Ky nivel huaje ka rreth 2 vite qe nuk ndryshon, duke rezultuar në një bllokim thuajse tërësor të kreditimit. Faktorët kryesorë ndikues përfshijnë, në njërën anë, mungesën e kërkesës së shëndoshë nga biznesi dhe individët dhe nga ana tjetër, kujdesin më të lartë të sektorit bankar ndaj rrezikut të moskthimit të kredisë.

Cilësia e portofolit të kredive është përkeqësuar; kreditë me probleme zënë afro 25% të portofolit të kredive. Ndërsa për sektorin bankar mund të themi që nuk po financon sa duhet ekonominë me kredi të reja edhe pse në kushte të kënaqshme të likuiditetit dhe kapitalizimit, për institucionet e tjera financiare, tregu kërkon përmirësim të ndjeshëm, si nga pikëpamja rregullative, mbikëqyrëse ashtu edhe në sasinë e cilësinë e shërbimeve.

Angazhimi ynë për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare kredidhënëse, institucioneve të tjera financiare jobanka dhe krijimin e një banke në dobi të zhvillimit bujqësor, do të shoqërohen nga reforma e ristrukturimit të sistemit financiar, duke krijuar një institucion mbikëqyrës për të gjithë sistemin financiar. Mbështetje funksionimit të sistemit shumëkolonësh të pensioneve, duke nxitur sidomos për brezin e ri, pjesëmarrjen edhe në skemat private, suplementare e vullnetare të pensioneve. Zgjerim dhe thellim të tregut financiar me njësi e produkte të reja dhe aktivizim real të ekzistuesve, sidomos të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë etj. Zhvillime më cilësore do të synohen edhe në tregun e sigurimeve.

  • Rregullimi dhe mbikëqyrja e tregjeve

Monopolet sundojnë furnizimin dhe tregtimin e disa mallrave të domosdoshëm për shqiptarët dhe ekonominë tonë si gruri, sheqeri, orizi, vaji, barnat, karburantet, çimento, hekuri. Të kontrolluara janë edhe tregjet e shërbimeve të telekomunikacionit dhe të tregtimit të titujve financiarë, të lëshuar nga Qeveria e Shqipërisë.

Ndryshimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen në tregun vendas vetëm përmes rritjes së çmimeve me shumicë. Autoritetet rregullatore janë të pafuqishme dhe në më të shumtën e rasteve nuk kanë për qëllim të nxitin konkurrencën e ndershme, as edhe kur konstatojnë prezencën e monopoleve. Qeveria e sotme e ka orientuar me qëllim punën e këtyre autoriteteve vetëm drejt kapjes së “peshqve të vegjël”.

Qeveria i ka shtrirë monopolet edhe në shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit, duke vënë shumë të mira publike në shërbim të një pakice sipërmarrësish, ngushtësisht të lidhur përmes interesave politike dhe financiare me familjen në pushtet. Shumë projekte koncesionare kanë injoruar në mënyrë të plotë impaktin në mjedis, duke instaluar një sistem, ku për fat të keq, avantazhi konkurrues që ofron Shqipëria e sotme është dumpingu mjedisor. Ky sistem do të thotë përfitim përmes shkatërrimit.

Do të punojmë për një funksionim sa më transparent e efikas të tregjeve në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Me masa e politika konkrete, do të nxitim e mbështetim lirinë e tregjeve, eleminimin e monopoleve dhe informalitetin, si dhe çdo formë tjetër që cënon funksionimin normal të tregjeve.

Do rritim në maksimum efikasitetin e masave dhe strukturave të mbikëqyrjes së tregjeve.

Do të përmirësojmë rrënjësisht mënyrën e organizimit dhe funksionimit të enteve të ndryshme rregullatore në funksion të rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.

  •  Partneriteti publik-privat

Partneriteti publik-privat vlerësohet si një marrëdhënie efikase bashkëpunimi mes dy sektorëve, e cila në shtete të ndryshme të zhvilluara apo në zhvillim të shpejtë ka dhënë rezultate mbresëlënëse.

Ndryshimet ligjore të viteve të fundit që synonin të nxitnin partneritetin publik-privat, janë kompromentuar nga mbizotërimi i tejskajshëm i “koncesionit të pakërkuar”. Përdorimi në mënyrë të mbrapshtë i kësaj forme koncesionare të partneritetit publik-privat rrezikon të ardhmen e pasurive nëntokësore minerare, burimeve ujore, të drejtave publike mbi frekuenca numerike televizive e të telekomunikacionit, të avantazheve që ofron relievi, klima dhe pozicioni gjeografik i vendit.

Partneriteti publik-privat nuk do të konsiderohet si privatizim, shitje, kalim i pronësisë apo ndonjë formë tjetër e kësaj natyre, por si bashkëpunim ndërmjet dy sektorëve për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në infrastrukturë, energji, mjedis dhe shërbime publike.

Do të punojmë që Shteti dhe sektori privat të ndërgjegjësohen maksimalisht për nxitjen dhe zgjerimin e këtij modeli.

Do ta konsiderojmë PPP si një politikë specifike dhe efikase për tërheqjen e kapitalit privat në ekonomi.

Do të ndërmerren masa e politika specifike për një promovim sa më të plotë të PPP në Shqipëri.

  •  Zhvillimi ekonomik dhe kultura e re politike

Ne do të punojmë për krijimin e një kulture të re politike, të orientuar nga konsensusi dhe qëndrueshmëria kur është fjala për:

  •     prioritetet strategjike dhe politikat thelbësore strukturore të zhvillimit,
  •     reformimin institucional të politikës dhe ekonomisë së orientuar nga respektimi i kulturës së konsensusit dhe ligjit,
  •     konsolidimin e rregullave bazë të tregut të punës dhe konkurrencës në sensin e privilegjimit të “tregjeve të koordinuara” në raport me “tregjet tërësisht të liberalizuara”,
  •     fiksimin e nivelit të mbrojtjes sociale,
  •     raportet ndërmjet bankave dhe tregut financiar në financimin e ekonomisë dhe zhvillimit, në mënyrë që të pershtatet sa më mirë dhe vetë biznesi,
  •     raportet ndërmjet modelit të kapitalizmit dhe “fuqisë ndryshuese” apo dhe përmbysjes së këtij modeli nga qeverisja,
  •     “specializimin” e sistemit arsimor, edukativ në funksion të modelit të zhvillimit,etj.

   

  • Politika fiskale

Baza e politikës fiskale do të jetë taksimi i ndershëm. Zhvendosja nga politika e taksimit të sheshtë, drejt politikës së taksimit progresiv, ku “kush përfiton më shumë, të kontribuojë më shumë”, do të jetë lëvizja më e rëndësishme për të filluar një fazë të re të vendosjes së marrëdhënieve midis tatimpaguesve dhe tatimmbledhësve, të një politike tërësisht transparente dhe në harmonizim të interesave të grupeve me të ardhura të ndryshme me ato të shoqërisë në tërësi, të stabilizimit e përmirësimit të politikave fiskale në papajtueshmëri me arbitrarizmin dhe arrogancën e punonjësve të administratës fiskale. Politika fiskale do të garantojë respektimin e deficitit buxhetor për të siguruar kontrollin e borxhit dhe sjelljen e tij në nivelin e pranueshëm për një vend në zhvillim, që nuk rrezikon zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë.

Pra, politika fiskale që prodhojnë më shumë qëndrueshmëri fiskale. Kjo politikë do të ketë në fokus rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, prioritarizimin e shpenzimeve me efekte sa më të gjera dhe të shpejta, hapjen e perspektivave të reja për investime nga sektori privat, të prirura nga perfitime e rritje ekonomike, dhe punësimi.

Politika fiskale që do të zbatohet nga qeverisja jonë ka si pikësynim të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të rrisë punësimin. Objektivat dhe mbështetësit e politikave afatmesme do t’i orientojmë:

  •     për përmirësimin e klimës së biznesit,
  •     për uljen e taksave dhe thjeshtimin e sistemit tatimor e fiskal,
  •     për lehtësimin e presionit fiskal,
  •     për konsolidimin e biznesit dhe krijimin e një “kolone vertebrale” të qëndrueshme e të strukturuar të biznesit shqiptar e cila do të përbëjë dhe skeletin bazë të ekonomisë së qëndrueshme shqiptare, etj.
  •     për pagimin e borxheve publike ndaj bizneseve për shërbime apo kontrata të realizuara;
  •     për realizimin e pagesave të TVSH-së së rimbursueshme të papaguar;
  •     për nxitjen e investimeve të brendshme dhe të huaja në sektorin privat dhe zhvillimin e vendit.

 

  •     Mbrojtja e konsumatorit

Në situatën e rënieve ekonomike, një kuadër i fortë ligjor për konsumatorët dhe zbatueshmëria e tij merr një vlere të shtuar, sepse krizat çojnë në rritjen e vulnerabilitetit të konsumatorëve dhe një zbatueshmëri efektive e kuadrit ligjor, rrit besimin e tyre ne treg. Kjo sjell rritjen e blerjeve që është motori për rigjenerimin e ekonomisë.

Të drejtat e konsumatorëve të shprehura në një kuadër të shëndetshëm ligjor, përkthehen në detyrime për operatorët ekonomike, të cilët duhet të operojnë në një fushë me të njëjtat rregulla loje, gjë që rrit drejtpërsëdrejti konkurrencën e ndershme, hapjen e tregut dhe rritjen e punësimit dhe nxit mallra dhe shërbime më cilësore dhe me çmime konkurruese për konsumatorët.

Për të mundësuar një mbrojtje sa më të mirë të të drejtave të konsumatorëve do të ngrihet dhe do të funksionojë Inspektoriati i Mbikëqyrjes së Tregut, i mirëorganizuar dhe i pajisur me burimet e domosdoshme njerëzore dhe financiare, i cili duhet të maksimizojë efektin e aktiviteteve të tij zbatuese, për të garantuar një nivel të kënaqshëm të sigurisë së produkteve në treg, dhe për të ndihmuar në funksionimin e një tregu të lirë konkurrues.

Do të fuqizohet më tej Komisioni per Mbrojtjen e Konsumatoreve dhe rifreskimi i tij për shmangien e situatave problematike të vërejtura vitet e fundit.

Ministria përgjegjësë për tregëtinë do të realizojë koordinim më të mirë të të gjithë politikave ndërsektoriale në mbrojtjen e konsumatorëve.