Infrastruktura

  • Transporti

Në katër vitet e ardhshme transporti dhe infrastruktura do të jenë në shërbim të objektivave madhore të zhvillimit ekonomik e social të vendit, por edhe kontributorë të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike dhe të punësimit. Në këtë sektor do të realizohet në mënyrë thelbësore partneriteti publik-privat.

Qeveria e mëparshme ka realizuar investime të mëdha në infrastrukturën rrugore e sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, por sot përballemi me një situatë, ku impakti i këtyre investimeve ka qenë inferior, veprat janë realizuar jashtë standardeve teknike, investimet e realizuara si rezultat i mosmirëmbajtjes janë të papërfunduara dhe në degradim (përfshirë edhe Rrugën e Kombit), shërbimet që u ofrohen qytetarëve janë të një cilësie të ulët edhe transport, impakti në mjedis është shumë i rëndë, veprat janë realizuar me një kosto të lartë financiare për vetë kompanitë realizuese, si rezultat i mospagimit të faturave për punimet e kryera.

Shumë pak është bërë për të futur inovacionin, teknologjine e lartë, kursimin e energjise, dhe ruajtjen e mjedisit.

Po kështu, Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për këtë sektor flet për mungesë progresi, për afrim të dobët të legjislacioni, për kapacitete administrative e teknike të ulëta.

Objektiv kryesor në fushën e transportit është përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit, ngritja e një tregu të integruar, të përbërë për infrastruktura dhe transport me tokë, me det dhe me rrugë ujore të brendshme që të mbështetë në mënyrë efikase kërkesën zhvillimore për transport. i legjislacionit kombëtar me atë të BE-se, duke harmonizuar rregullat mbi sigurinë, ruajtjen e mjedisit, dhe shërbimet e transportit.

Masë e rëndësishme themelore është miratimi i Planit Kombëtar të Transportit.

Rritja e sigurisë rrugore përbën gjithashtu një prioritet madhor. Kjo do të realizohet në tri ndërhyrje kryesore: në drejtim të përfundimit të veprave të papërfunduara sipas standardeve si dhe eleminimit të pikave të zeza të aksidenteve; forcimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe zbatimit të tyre pa kompromis; si dhe një fushate ndërgjegjësuese e edukative që fillon në bankat e shkollës.

Numri i aksidenteve rrugore synohet të ulet në masën 20%, vetëm gjatë vitit të parë të këtij mandati qeverisës.

Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër Autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe duke i dhënë prioritet përfundimit të akseve që shkojnë në qendrat administrative të qarqeve të vendit.

Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit.

Do të realizojmë gjithashtu investime në rrugët rajonale, të fshatrave dhe qyteteve me qëllim lidhjen me të mirë të tregut me qendrat e prodhimit duke gërshetuar kritetin ekonomik me atë të impaktit social.

Një domosdoshmëri përbën përcaktimi i metodave dhe hartimi i programit për mirëmbajtjen e rrugëve duke shtuar fondet dhe do të përmirësohet edhe administrimi i tyre. Investime do të bëhen edhe në sinjalistikën rrugore në rrugët ekzistuese dhe garantimi i standardit të lartë të saj në investimet në proces apo të reja.

Krijimi i një sistemi të integruar transporti kërkon përmirësim thelbësor në menaxhimin e këtij sistemi të transporteve, rritje të efikasitetit dhe kursimin e energjisë prej tij, si dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike, me vëmendje të veçantë drejt intermodalitetit si dhe heqjes së pengesave administrative.

Prioritet madhor përbën përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë dhe sigurisë së transportit publik.

Me rëndësi në sektorin e transportit është përcaktimi i strategjisë kombëtare për hekurudhat shqiptare. Ne synojmë modernizimin e rrjetit hekurudhor, duke rritur cilësinë e tij, veçanërisht në drejtim të intermodalitetit, duke realizuar lidhjen me Republikën e Maqedonisë, si dhe duke synuar intregrimin me korridoret evropiane hekurudhore.

Hartimi i Planit Kombëtar për Zhvillimin e Porteve dhe realizimi i projekteve për rritjen e kapaciteteve të tyre, është gjithashtu një drejtim i rëndësishëm në këtë sektor. Plani Kombëtar për Zhvillimin e Porteve synon rritjen e aftësive përpunuese të tyre, rritjen e punësimit në transportin detar dhe projektimin e një sistemi modern të transportit detar. Do të realizohet specializimi i funksioneve të porteve dhe rritja e intermodalitetit të tyre, veçanërisht përmirësimi i lidhjes së tyre me hekurudhë.

Një vëmendje të veçantë do të marrë zgjerimi i Portit të Shëngjinit, si dhe ndërtimi i porteve turistike, mbështetur nga infrastruktura e logjistika e nevojshme për këtë qëllim.

Në transportin ajror, do të realizojmë hapjen e tregut dhe uljen e kostos së tarifave të udhëtimit për pasagjerët. Investimet e bazuara në partneritetin publik-privat do të realizohen edhe në transportin ajror për qëllime të brendshme e turistike.

  • Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit

Kapacitetet e ulëta vendase dhe një pasqyrë jo e qartë e përmasave të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) pengojnë vlerësimin faktik të tij. Zhvillimi ekonomik dhe social i Shqipërisë, i përshtatur me tregun konkurrues botëror kalon detyrimisht nga përshpejtimi dhe përdorimi masiv i TIK që janë sot faktori kyç i rritjes së produktivitetit ekonomik në administratë, në biznes, në prodhimin industrial, në tregjet financiare. Për të mundësuar edhe në Shqipëri rritjen ekonomike të dhjetëvjeçarit të ardhshëm, falë inovacionit dhe TIK, lipset të përforcohen kushtet ligjore, ekonomike dhe te aftësohen kapacitete të rëndësishme njerëzore.Qeveria do të punojë në 3 drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme:

Së pari, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve dixhitale, e-shërbimeve, për qytetarët dhe biznesin. Prioritet do të jetë rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership.Së dyti, në futjen masive të shërbimeve në arsim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të jenë të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në mënyrë që të rritet si numri i përdoruesve ashtu edhe numri i ofruesve vendas të e-shërbimeve. Në këtë mënyrë do të nxitet krijimi i vendeve të punës në këtë fushë për tregun shqiptar, rajonal e më gjerë.

Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet evropiane të konkurrencës së lirë e të ndershme.

  • Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet

Për një cilësi me të lartë shërbimi për qytetarët dhe në shërbim të zhvillimit të sektorëve të tjerë të ekonomisë, kërkohet një përqasje e re e integruar në drejtim të furnizimit me ujë, trajtimit të ujrave të ndotura si dhe mbetjeve urbane.

Në këta sektorë do të përfundojnë reformat strukturore si dhe do të investohet edhe duke përfshirë partneritetin publik-privat.

Për sistemin e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizime do të realizohet agregimi dhe rajonalizimi i tyre, për të ulur kostot e operimit, rritjen e efikasitetit, veçanërisht duke ulur humbjet teknike dhe mospagimin e shërbimit, realizimin e investimeve dhe shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve.

Do të realizohen me prioritet projektet për Ujësjellës-Kanalizime në zonën e Durrësit dhe atë turistike të bregdetit të jugut.

Qëllimi është të realizohet një situate optimale në garantimin e furnizimit të vijueshëm me ujë të pijshëm dhe në përmirësimin e ndjeshëm të funksionimit të sistemit të kanalizimeve.

  •  Administrimi i mbetjeve

Ndotja e mjedisit nga mbetjet është problem kryesor për shëndetin publik dhe për mjedisin në tërësi.

Nuk ka ndarje në grumbullim dhe sisteme trajtimi ndërmjet mbetjeve urbane dhe mbetjeve të rrezikshme.

Do të krijojmë e zbatojmë standarde të reja në administrimin dhe menaxhimin e intergruar të mbetjeve urbane, duke përdorur mekanizma ekonomikë për të stimuluar grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim, duke vendosur një partneritet sërish të ngushtë privat-publik. Do të bashkëpunojmë ngushtë me pushtetin vendor, duke e mbështetur në këtë proces.

  • Do të ndalojmë importin e mbetjeve.
  • Do të eliminojmë venddepozitimet e mbetjeve që janë buzë lumenjve dhe do të përcaktojmë vende të tjera të përshtatshme për depozitim.
  • Do të pastrohen ne menyre prioritare akset kryesore rrugore nga mbetjet dhe ndotës të tjerë.
  • Do të ndalojmë në mënyrë urgjente zjarret në vendgrumbullimet e plehrave pranë qyteteve.
  • Do të përfundojë hartimi i të gjitha planeve rajonale për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe do të monitorohet zbatimi i tyre
  • Do të nxitim riciklimin e mbetjeve dhe me synim pakësimin e landfilleve e për të mundësuar incinerimin e tyre me qëllim prodhimin e energjisë elektrike.