Profili makroekonomik dhe fiskal

Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën 2008 – 2012 është ulur nga 7.5% në rreth 1.5%. ¾ e rritjes nominale për këtë periudhë vjen nga rritja e nivelit të borxhit publik. Kjo prirje duket e ngjashme edhe për vitin 2013. Rritja ekonomike parashikohet sipas Moody’s 1.7%; sipas FMN 1.8%; sipas BERZH 1.8%.

E rëndë është situata edhe në treguesit fiskalë. Për herë të parë në këto 20 vjet, që nga viti 2010 deri në vitin 2013, të ardhurat publike kanë qenë rreth 325-330 miliardë lekë, pavarësisht se parashikimi fillestar i buxhetit të 2013-s ka qenë në nivelin e 360 miliardë lekë. Për pasojë, të ardhurat gjithsej në përqindje ndaj PBB kanë pësuar një rënie të vazhdueshme nga 26.6% në vitin 2010 në rreth 23% në fund të vitit 2013. Mosrealizimi i të ardhurave ka çuar në rritje të pakontrolluar të borxhit publik, i cili është në nivelin rreth 64% të PBB.

  • Borxhi publik

Ne jemi të vendosur që gradualisht të fillojmë ta ulim borxhin publik, ta sjellim atë në parametra të kontrollueshëm dhe të mos ia lëmë barrë brezave të ardhshëm. Objektivat tona kryesore janë:

  •  Ulje graduale e borxhit nëpërmjet kontrollit të deficitit fiskal dhe përshtatjes me rritjen ekonomike (vendosja e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm).
  •  Në periudhën afatmesme synohet një borxh publik në parametra të përshtatshëm për nxitjen e ritmeve pozitive të rritjes, për strukturën ekonomike të vendit, si dhe për t’i lënë hapësira të mjaftueshme financimi sektorit privat.
  • Fillimi i uljes së borxhit publik në pjesën e dytë të mandatit do të realizohet nga një qeverisje e përgjegjshme e kontrollit mbi deficitin buxhetor.

Në një periudhë relativisht të shpejtë, borxhi publik do të plotësohet dhe me pjesën “e fshehur” të tij: në bashkëpunim me institucione të njohura financiare do të bëjmë transparencë të plotë të gjithë detyrimeve të bartura dhe të pakontabilizuara në borxhin publik të deritanishëm.

  •  Përdorimi efikas i parave publike

Që politika fiskale të sjellë përmirësim gradual dhe të shëndetshëm të treguesve makroekonomikë, duhet të sigurohet efikasiteti i realizimit të shpenzimeve publike. Ne do të garantojmë mirëmenaxhimin e shpenzimeve publike nëpërmjet:

  •  Analizës së harmonizuar të zhvillimeve makroekonomike dhe fiskale;
  •  Planifikimit dhe monitorimit të kujdesshëm të Programit Buxhetor Afatmesëm dhe Buxhetit Vjetor;
  •  Bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare financiare dhe ato të Bashkimit Evropian;
  •  Menaxhimit të borxhit publik dhe ankorimit në mbështetje të borxhit publik nën kontroll;
  •  Harmonizimit të menaxhimit financiar dhe kontrollit efektiv të shpenzimeve në institucionet publike;
  •  Bashkëpunimit efektiv me të gjitha institucionet e tjera buxhetore në nivel qendror dhe vendor në lidhje me planifikimin e financimeve publike.

Përdorimi efikas i parave publike do të garantohet nga:

  • forcimi i zbatimit të disiplinës financiare në menaxhimin e fondeve publike, nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe të kujdesshme të aktiviteteve të njësive shpenzuese;
  •  zhvillimi i sistemit të plotë të kontrollit të brendshëm financiar publik, për përmirësimin e menaxhimit financiar;
  •  kontrollit dhe auditimit të brendshëm në sektorin publik, për përgjegjshmëritë menaxheriale dhe për harmonizimin e metodologjisë dhe standardeve;
  •  përshtatja graduale e të dhënave të financave publike me metodologjinë ESA95 të BE.

     
  •  Administrimi fiskal

Gjatë 8 viteve të shkuara, ligjet fiskale janë ndryshuar mbi 70 herë dhe më së shumti, duke evituar konsultimet paraprake serioze me komunitetin e biznesit dhe aktorë të tjerë të interesuar. Kjo formë e ndryshimeve rezultoi në humbjen e peshës së paketës fiskale. Ne do të rikthejmë rëndësinë e paketës fiskale dhe ndryshimet kryesore do të bëhen në fillim të çdo viti buxhetor.

Administrata tatimore do të bashkohet me atë doganore si dhe do të përthithë edhe administratën tatimore vendore, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe një kontroll edhe më të arsyeshëm të tatimpaguesve. Shkëmbimi i informacionit do të mund të bëhet në kohë reale, duke siguruar bashkëpunimin për luftimin e evazionit nga mosrakordimi institucional. Rritja e të ardhurave buxhetore nuk do të bazohet kryesisht në rritjen e nivelit të taksave.

Për tatimet indirekte politikat tona 4-vjeçare përmbledhin:

  •     Do të kemi një përgjysmim të TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit.
  •     Përjashtimi/ ulja nga ky tatim për barnat dhe shërbimet shëndetësore.
  •     Realizimi i premtimit për heqjen reale të TVSHsë për importimin e makinerive dhe pajisjeve.
  •     Ulja/ kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër.
  •     Për të nxitur prodhimin bujqësor do mundësohet përjashtimi ose vendosja e një norme të ulur, për plehrat kimike, farat e fidanët dhe për lëndët e tjera të para që përdoren në bujqësi dhe blegtori.
  •     Heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit të naftës për bujqësinë dhe peshkimin.
  •     Do të rishikohet me kujdes projektligji i ri i TVSH-së për të pasur një heqje graduale të skemave speciale të shtuara gjatë viteve, të cilat nuk janë në linjë me Direktivën e TVSH-së së Bashkimit Evropian.

Për tatimet direkte politikat tona 4-vjeçare përmbledhin:

  •  Tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël do të jetë rreth dy herë më i vogël se tatimi mbi fitimin e biznesit të madh, ndërsa do të hiqet taksa mbi biznesin e vogël.
  •  Tatimi mbi fitimin për biznesin e madh do të ketë një normë më të lartë se ajo aktuale, për të reflektuar parimin e taksimit të ndershëm dhe nevojën që kompanitë e mëdha të kontribuojnë më shumë se bizneset e vogla që funksionojnë nëpërmjet vetëpunësimit.
  •  Tatimi mbi të ardhurat personale të individëve do të ndryshohet në një skemë të normave progresive, duke rritur ngarkesën fiskale për pagat më të larta dhe duke e ulur për pjesën tjetër.

Do të përdoret legjislacion i ri në lidhje me transferimin e çmimit në përputhje me modelet e OECD-së.
Veprimet rregullative dhe organizative synojnë të arrijnë:

  •     Përpjekje serioze për uljen e kohës që i duhet biznesit për të paguar tatimet si dhe për uljen e kostove rregullative dhe korruptive për të paguar tatimet dhe doganën apo uljen e numrit të pagesave vjetore. Një kompani e huaj e njohur në tregun ndërkombëtar do të ftohet për të ndihmuar në këto drejtime.
  •     Përmirësim të dukshëm të kapacitetit dhe pavarësinë e njësisë së apelimeve, Avokatit të Tatimpaguesve dhe cilësisë së shërbimit të klientelës në tatime e dogana.

Sistemi i apelimit tatimor është një shqetësim i përhershëm i komunitetit të biznesit që duhet rishikuar, të paktën për pjesën e procedurave brenda administratës fiskale. Ky sistem duhet të ofrojë apelim të paanshëm dhe një shkallë më të mirë transparence.

  •  Edukimi fiskal do jetë një tjetër element shumë i rëndësishëm i administrimit fiskal. Edukimi nuk do kufizohet vetëm tek tregtarët dhe shoqëritë tregtare, por do të orientohet edhe tek konsumatori final si hallka përfundimtare e sistemit.
  •  Statistikat

Që sipërmarrja të jetë e suksesshme, i nevojitet edhe informacion ekonomik i bollshëm, i saktë dhe transparent për vendimmarrjen. Aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit. Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qyetarëve dhe faktorëve ekonomikë. Do të kthejmë seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë. Në një periudhë afatmesme, drejtimi i përditshëm i aktivitetit profesional të Institutit të Statistikave do të realizohet nëpërmjet binjakëzimit me një institucion të ngjashëm të një vendi të Bashkimit Evropian.