Zhvillimi urban, rural dhe rajonal

  •  Planifikimi dhe zhvillimi i territorit

Qeveria synon të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale dhe të krijojë nje mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Do të garantohet transparencë në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe në proceset ligjore që rregullojnë planifikimin e zhvillimin.

Do të garnatohet që “ekuilibri midis interesave publike dhe private” në zhvillimin e tokës, si dhe interpretimi dhe administrimi i saktë i të “drejtës së zhvillimit”, të jenë pjesë integrale të mendësisë dhe realitetit të zbatimit.

Për të realizuar këto objektiva, do të zbatohen një seri politikash e do të ndërmerren një sërë masash që konsistojnë, në nisjen e punës për hartimin dhe miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar si përkthim i strategjisë kombëtare të zhvillimit në territor dhe bazë për zhvillimin e qëndrueshëm, investimet dhe kontrollin e territorit. Miratimi i planit, do të paraprihet nga miratimi i Zonave të Rëndësisë Kombëtare, mbi bazën e së cilave do të vendosen 3 Moratoriume të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në Bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për Turizmin.

Do të vlerësohet informaliteti në territor, do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin dhe do të ndërmerret procesi i legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme.

Do të shpallet Momenti ZERO, pas të cilit çdo ndërtim është subjekt prishjeje të menjëhershme.

Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale.

Do të hartojmë dhe zbatojmë Programin për Bregdetin e Jonit që konsiston në pastrimin e territorit nga informaliteti dhe keqpërdorimi e do të paraqesë modelet e para të rigjenerimit të qëndrueshëm të hapësirave urbane dhe natyrore me potencial turistik.

Do të rritim standardet e zhvillimit të tokës në bregdet dhe do të evidentojmë rrjetin ekologjik.

Do të ndërmarrim një program të thellë reformues për Rigjenerimin Urban dhe Zhvillimin cilësor të Tokës përmes projektesh-pilot për qendrat urbane, por edhe përmes mbështetjes së projekteve dhe agjendave të zhvillimit të lagjeve, mbi baza konkurruese.

Do të mbështetim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në zhvillimin e tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore, për të garantuar partneritet publik e privat në financimin e infrastrukturave dhe shërbimeve e duke administruar shpërndarjen e së drejtës së zhvillimit.

Do të percaktohen tiparet arkitekturore dhe urbanistike tradicionale te zonave dhe fshatrave e qendrave të banuara, veçanërisht ne zonat turistike.

  • Turizmi

Turizimi është një sektor prioritar i zhvillimit të ekonomisë së vendit, i rritjes së prodhimit dhe zbutjes së varfërisë.

Zhvillimi i turizimit do të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm, me potencial te madh rritjeje, por me një avitje të integruar dhe plotësuese ndërsektoriale, që menaxhon burimet në mënyrë të balancuar, gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim.

Ne synojmë të vendosim Shqipërinë si një destinacion të preferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit, duke krijuar një imazhi të ri për Shqipërinë turistike, duke shfrytëzuar potenciale dhe burime vendore, duke u fokusuar në atë çka është unike në Shqipëri dhe duke ofruar shërbim në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Krijimi i një modeli turizmi vjetor të integruar, aktiv dhe social, me fokus në dimensionin kulturoro-natyroro-ekologjik dhe si një kombinim midis turizmit familjar dhe elitar.

Hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së Turizmit, në përputhje me strategjinë kombëtare të zhvillimit dhe me Planin Kombëtar të Territorit.

Realizimin në mënyrë të pandërprerë të një fushate informuese dhe promovuese për imazhin e Shqipërisë turistike. Rol të rëndësishëm do të kenë jo vetëm institucionet publike, por edhe operatorët e industrisë dhe të gjithë agjentët e zhvillimit në vend, përfshirë median, shoqërinë civile, por edhe sistemin e shërbimit diplomatik.

Do të formalizojmë dhe standardizojme tregun e hotelerisë.

Do të krijojmë bazën e integruar të informacionit për turizmin, përfshirë operatorët, strukturat dhe sitet turistike dhe do të ndërmarrim një reformë fiskale që synon reduktimin e TVSH-së për operatorët turisitikë.

Do të krijojmë një paketë të veçantë turistike Shqipëri-Kosovë-Rajon, si bashkëpunim mes vendeve me popullsi shqiptare dhe fqinjëve në rajon, me qëllim kontributin në zhvillimin ekonomik të integruar.

Në përputhje me modelin e Turizmit, do të krijojmë tre programe kyç:

  • Programi për Turizmin Kulturoro-Historik, që fokusohet në zonat e mbrojtura dhe monumentet e kulturës; promovon traditat shqiptare; adreson veçanërisht turizmin e bazuar në ekonomitë familjare dhe biznesin e vogël, në bashkëpunim me operatorët e turizmit elitar.
  • Programi për Eko-Turizëm që ndërton mbi burimet natyrore, përdorimin ekologjik të tyre dhe pajisjen me infrastruktura dhe shërbime bazike, sigurinë e lartë dhe guida të përsosura profesionalisht.
  • Programi për Turizmin Malor dhe Bregdetar, i cili shoqërohet me projekte madhore të investimeve kapitale për infrastrutkura dhe shërbime, veçanërisht afër qendrave të banuara dhe përmes praktikave të partneritetit-publik-privat.

Përmes planifikimit rajonal, do të realizojmë dy programe të rëndësishme, Programin e 10 Poleve Turistike të Shqipërisë dhe Programin e fashës rajonale “Korridori i Kaltër”, nga veriu në jug. Për këto programe, në përputhje me Planin Kombëtar, do të hartohen vizione zhvillimi dhe plane të investimeve kapitale; do të krijohen dhe rigjenerohen nyje atraktive, gjeneruese të punësimit, të clusterave të turizmit dhe të aktiviteteve të specializuara. Do të konsolidohen qendrat urbane të fashës dhe të poleve.

  • Bujqësia

Ekonomia bujqësore vazhdon të jetë një veprimtari ekonomike e rëndësishme (me mbi 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto). Reforma 20-vjeçare e sektorit të bujqësisë ka mbetur në një strukturë shumë të vogël të ekonomive bujqësore, më pak se 2 hektarë/ferma. Shqipëria vazhdon të jetë një vend neto importues agrar, me 7 herë më shumë importe sesa eksporte, dëshmi kjo për vështirësi në rritjen e konkurrencës së sektorit bujqësor e ushqimor vendas. Prandaj nxitja e prodhimit bujqësor, nëpërmjet uljes së kostos dhe rritjes së konkurrueshmërise mbetet një objektiv parësor.

Inputet bujqësore dhe punimi i tokës, zënë një peshë kryesore në koston e përgjithshme dhe për këtë arsye :

  • Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanet, materialin gjenetik shtazor, plehërat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
  • Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.
  • Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
  • Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.
  • Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.

Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, përbën një tjetër përparësi. Ulja e kostos së lëndëve të para është thelbësore, prandaj do të përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit.

Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave. Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit. Për këtë arsye:

  •     Do të zgjerohet parku i mjeteve të nevojshme publike dhe private, të duhura për mirëmbajtjen e sistemit kullues dhe vaditës të vendit.
  •     Do të miratohen tarifat e reja të furnizimit me energji elektrike për sistemin e kullimit dhe të vaditjes.
  •     Do t’u jepet një rol më i madh komunave në mirëadministrimin e burimeve ujore dhe rrjetit ujitës dhe kullues. Synojmë të investojmë 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes.

Konsolidimi i titujve të pronësisë mbi tokën është baza e nxitjes së investimeve në bujqësi. Prandaj, zbatimi i Ligjit Nr. 7501, që është marrë vetëm me tokën bujqësore, do të marrë një afat të përfundimit të veprimit të tij me atë çka është ndarë deri tani. Më tej, do të zbatohet vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të drejtën e fitimit të pronës. Në funksion të ketij qëllimi do të modernizohet sistemi i kadastrës dhe verifikohen e regjistrohen titujt e pronësisë publike dhe private mbi tokën bujqësore.

Rritja e punësimit përbën një objektiv madhor në zhvillimin rural. Kjo do të arrihet edhe duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në agropërpunim si dhe punësim për fermeret në shërbime shumë të kërkuara në agro-turizëm, gjueti, peshkim turistik.

Mbështetja financiare e bujqësisë është e domosdoshme për të patur pritshmëritë e programuara për zhvillimin rural. Për këtë:

  •  Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin,
  •  Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural,
  •  Do të mbështeten me përparësi ngritja e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtise me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale,
  •  Do të mbështeten me fonde të garancisë, zbatimi i skemave të sigurimit të prodhimeve nga dëmtimet natyrore të kulturave bujqësore dhe blegtorisë,
  •  Do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim,
  •  Do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Në fushën e ushqimit dhe të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së tij, do të ndiqet një përqasje e integruar sipas parimit “nga ferma në tavolinë”. Për këtë do të merren masa për:

  •     Të vënë në funksion të plotë sistemin e identifikimit dhe të regjistrimit të blegtorisë;
  •     Të modernizuar sistemin e identifikimit, sinjalizimit të sëmundjeve infektive dhe parazitare në bimë dhe kafshë;
  •     Të zgjeruar mbulesën vaksinale në blegtori për të parandaluar dëmtimet në kafshë dhe shpendë dhe pasojat mbi shëndetin publik; 
  •     Të mbikëqyrur tregjet e kafshëve si dhe kontrolluar procesin e përpunimit dhe shpërndarjes te tyre për mish në tregjet e vendit;
  •     Të promovuar të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit, të cilat zbatojnë sisteme të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore si dhe për të caktuar afate mbi ndërmarrjet që ende nuk i përfshijnë këto standarde në teknologjinë e prodhimit;
  •     Të përfunduar akreditimin ndërkombëtar të qendrave kombëtare të referencës në fushën e sigurisë ushqimore.

Një përmirësim thelbësor do të ketë në informacionin bujqësor, hartografinë e kulturave dhe racave sipas rajoneve, si dhe përcaktimit të nevojave të specialiteteve të bujqësisë. Për këtë:

  •  Do të përfundojë harta e rajonalizimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe e racave të ndryshme që do të mbështeten me financime publike;
  •  Do të përcaktohen nevojat për specialitete të reja dhe do të plotësohen nevojat me specialistë të bujqësisë, si dhe do të hartohet një program 4-vjeçar i edukimit dhe i formimit profesional në fushën e bujqësisë;
  •  Do të zbatohet programi i promovimit dhe i shpërndarjes së pervojës së historive të suksesit në bujqesi, blegtori dhe agropërpunim;
  •  Do të kryhet një inventar i plotë, si dhe do të mbikëqyret shkalla e zbatueshmërisë për të gjithë projektet në fushën e bujqësisë.

Peshkimi, është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje. Për këtë kërkohet një rishikim i skemave të furnizimit me naftë pa akcizë, për t’i bërë më të efektshme. Do të mbështetet rifreskimi i flotave të peshkimit dhe pajisja e tyre me mjete të peshkimit në thellësi, për të bërë të mundur furnizimin me lëndë të parë, të fabrikave të përpunimit të peshkut në vend. Do të ngrihen markatat e peshkimit për të harmonizuar interesat e peshkatarëve dhe të tregtarëve. Do të zhvillohet akuakultura. Do të hapet eksporti për molusqet drejt vendeve të BE.

  • Mjedisi

Qeveria angazhohet të garantojë një mjedis të shëndetshëm për qytetarët, ta ruajë atë nga ndotja dhe dëmtimi, nga aktiviteti njerëzor dhe veprimtaritë ekonomike, ta trajtojë si vlerë të shtuar dhe pasuri për gjenerim aktivitetesh ekonomike, veçanërisht turistike, si dhe ta ruajë atë si trashëgimi për brezat e ardhshëm.

Mjedisi, shfrytëzimi i qëndrueshëm i tij, është një potencial i madh punësimi. Ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të përbashkët për të gjithë qytetarët, organizatat mjedisore, shoqërinë civile, median, shkollën, shkencëtarët dhe sektorët e biznesit privat.

Falë pozicionit gjeografik dhe shumëllojshmërisë së ekosistemeve në vendin tonë gjenden 3’200 specie bimësh që përbëjnë rreth 30% te florës evropiane. Gjuetia e paligjshme dhe shfrytëzimi pa kriter i natyres, e veçanërisht i parqeve kombëtare kanë shkaktuar dëme të mëdha. Ne do ta përmirësojme situatën nëpërmjet vendosjes së masave rigoroze për ruajtjen e zonave të mbrojtura, duke kontrolluar rreptë gjuetinë si dhe duke ndaluar përdorimin e armëve të gjuetisë nga persona të paautorizuar.

Shqipëria me rrjetin e saj hidrografik ështe një vend i pasur me pasuri të shumta ujore, por është e rëndësishme që të adaptojmë një përqasje të re në menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Kështu do t’i japim zgjidhje edhe pasojave të ndryshimeve klimatike, për të shfrytëzuar në mënyrë racionale ujin dhe evituar përmbytjet.

Ne do të realizojmë reforma dhe do forcojmë kapacitetet për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve ndaj publikut. Do të përgatitim plane për manaxhimin efektiv të baseneve kryesore ujore, në mënyrë të veçantë për Drinin, e Bunën dhe Semanin do të perfundojmë Kadastren e Ujit. Një përkujdesje e veçantë do t’i kushtohet lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre qe janë tepër të dëmtuar nga aktiviteti jashtëligjor ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike.

Cilësia e ajrit është një element themelor për shëndetin publik. Mjaft zona të vendit rezultojnë me nivel ndotjeje më të lartë se normat e lejuara evropiane. Qeveria do të synojë uljen me 30% të nivelit të ndotjes në zonat urbane nëpërmjet:

  •     Shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në zonat urbane;
  •     Kontrollit të emetimit të pluhurit në zonat urbane, duke aplikuar teknologji të reja monitorimi;
  •     Përdorimit të karburanteve konform kritereve të BE;
  •     Zbatimit të standardeve të rrepta në aktivitetet ekonomike që ndotin ajrin.

Publiku në përgjithësi nuk është i informuar mirë për situatën e ndotjes dhe për rrezikun e ndotjes, lidhjen ndërmjet mjedisit dhe shëndetit publik e përfitimet e një mjedisi të pastër për ekonominë dhe shoqërinë si një e tërë. Përpjekjet për fuqizimin e kapaciteteve të OJF-ve janë kryesisht të zbehta. Ne do ta ndryshojmë këtë situatë përmes:

  •         Pjesëmarrjes së OJF-ve në hartimin dhe zbatimin Për arritjen e këtij objektivi duhet kryer përafrimi e ligjeve mjedisore,
  •         Fuqizimit të rolit monitorues të Agjencisë së Mjedisit,
  •         Ndarjes së kompetencave për autorizimet, menaxhimin dhe inspektimin.