Eglantina Gjermeni

Ministër i Zhvillimit Urban

Eglantina Gjermeni

Znj. Eglantina Gjermeni ka lindur në qytetin e Krujës, në vitin 1968. Ajo është e martuar me z. Marian Gjermeni dhe kanë 2 fëmijë, Erik dhe Megi.

Aktualisht znj. Gjermeni mban titullin e Doktorit të Shkencave në Punë Sociale.

Titullin Master në Punë Sociale e mori në Universitetin Grand Valley State University në Michigan, SHBA në vitet 1997-1998. Studimet pasuniversitare për degën Punë Sociale i kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës në vitet 1993-1994.

Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në degën Histori, në vitet 1986 – 1990.

Në vitin 2009 Eglantina Gjermeni u zgjodh për herë të parë deputete e Partisë Socialiste në legjislaturën XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Rizgjidhet në mandatin e saj të dytë në legjislaturën XIX, në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në vitin 2013.

Në vitin 2011, znj. Gjermeni zgjidhet si Anëtare Kryesie e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Gjatë mandatit të saj të parë si deputete, ka qënë anëtare e Komisionit të Shëndetit dhe Çështjeve Sociale.

Për dhjetë vite me radhë ka drejtuar në mënyrë të suksesshme Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”. Është një nga ekspertet më të njohura në vend për fushën e barazisë gjinore dhe çështjeve sociale. Znj. Gjermeni është autore e shumë botimeve dhe publikimeve në këtë fushë brenda dhe jashtë vendit.

Përgjatë karrierës së saj, znj. Gjermeni ka marrë pjesë dhe është kualifikuar në një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në tematika si: Barazia Gjinore, Menaxhim Projektesh, Lidership, Gratë në Politike. Çështjet Sociale, të organizuara nga institute prestigjoze ndërkombëtare si: Qëndra e Trajnimit ILO në Torino, Qëndra e Trajnimit për Zhvillimet Gjinore në Holandë, Grand Valley State University në SHBA, Central European University në Hungari, Fondacioni Soros,etj.

Prej vitit 1995 vijon të jetë Pedagoge pranë Departamentit të Punëve Sociale, në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe atë italiane.


www.zhvillimiurban.gov.al