Mirela Kumbaro Furxhi

Ministre e Kulturës

Mirela Kumbaro Furxhi

Znj. Mirela Kumbaro Furxhi ka lindur në Tiranë, më 4 mars 1966.

Në vitin 2013, emërohet Ministër i Kulturës i Republikës së Shqipërisë dhe qëndron në këtë post deri në vitin 2017. Znj. Kumbaro nuk erdhi nga radhët e politikës, por nga një karrierë akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, znj. Mirela Kumbaro Furxhi u zgjodh deputete e Qarkut Gjirokastër, nën siglën e Partisë Socialiste.

Ajo mban titullin Profesore e Asociuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T - Paris III, Universiteti i Sorbonne - Nouvelle, në Paris, Francë.

Znj. Kumbaro ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, në vitin 1988. Znj. Kumbaro është përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare për projekte ndërkulturore dhe për programe kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë.

Në vitin 2017 ajo u nderua me urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

Znj. Kumbaro zotëron shumë mire gjuhën angleze, frënge dhe atë italiane.