Senida Mesi

Zëvendëskryeministre

Senida Mesi

Senida Mesi lindi në Shkodër, më 16 dhjetor 1977. Ajo është e martuar me Dr. Artan Mesi dhe kanë tre fëmijë. Erlind, Iris dhe Edan.

Znj. Mesi ka përfunduar suksesshëm në vitin 2009 studimet Master ekzekutiv për Financë dhe Bankë në Frankfurt, Gjermani. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000. Në vitin 2013 certifikohet si Kontabiliste e Miratuar dhe në 2016-ën certifikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, një projekt i financuar nga Këshilli i Evropës dhe qeveria zvicerane e për të njëjtën fushë është certifikuar edhe nga Qendra e Ekselencës në Universitetin “Xhorxh Uashington”. Është trajnuar në fusha të ndryshme, si ato të bankingut, burimeve njerëzore, administrimit, menaxhimit të riskut, kredidhënies, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjes, financave publike, qeverisjes vendore dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Senida Mesi ka qenë autore e disa publikimeve dhe ligjëruese në Konferencën Ndërkombëtare të EFSE (Fondi Evropian për Evropën Juglindore për Zhvillimin e SME-ve) e pjesëmarrëse në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg. Zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Ka një eksperiencë 17-vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës. Njëkohësisht, ka qenë lektore e jashtme në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ka shërbyer me eksperiencën e saj si konsulente biznesesh për zhvillimin e tyre. Deri në korrik 2017, ka qenë administratore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Zonja Mesi ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur dhe u zgjodh anëtare e Këshillit bashkiak Shkodër. Gjatë zgjedhjeve të legjislaturës IX të Kuvendit të Shqipërisë, ishte kandidaturë përfaqësimi e Partisë Socialiste e Shqipërisë për qarkun e Shkodrës, ku dhe u zgjodh deputete më 25 qershor 2017.