Ledina Mandija

Zëvendëskryeministër

Ledina Mandija

Znj. Ledina Mandija ka lindur në Tiranë, më 3 Qershor 1974.

Aktualisht znj. Mandija mban titullin e Doktorit të Shkencave në Drejtësi nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti i të Drejtës Civile.

Titullin Master në Drejtësi e mori në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 2005.

Studimet e larta i ka përfunduar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me rezultate të shkëlqyera në vitin 1996.

Në vitin 1992 ka përfunduar Shkollën e Mesme të Përgjithshme ”29Nëntori” në Shkodër, me rezultate të shkëlqyera.

Në vitin 1996, është përzgjedhur lektore, me kohë të plotë  Departamentit të së Drejtës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku më pas ka mbajtur edhe pozicionin e drejtueses së  këtij Departamenti .

Znj. Mandija, në vitin 1999 zgjidhet anëtare e Senatit të Universitetit të Shkodrës, ku ka mbajtur dhe pozicionin e drejtueses së Komisionit të Ligjeve.

Në këtë kohë ka qenë përfituese e bursave afatshkurtra dhe afatgjata nga  programi TEMPUS, JFDP etj. Ajo ka qenë koordinatore dhe eksperte në dy projekte dy vjeçare të financuara nga BE, ku Universiteti i Shkodrës ka qenë përfitues.

Ajo ka qenë kërkuese shkencore në të drejtën e procedurës civile dhe të së drejtës familjare pranë Universitetit të Bolonjës dhe në Graz Austri.

Aktualisht, ajo është duke ndjekur studimet e doktoratës në të drejtën ndërkombëtare dhe specialitet në të drejtën civile, Universiteti “Karl Franzens “, Graz.

Që prej vitit 1999 znj .Mandija është bërë anëtare e Dhomës së Avokatisë Shkodër. Në vitin 2001 është angazhuar në shoqërinë civile, ku ka konsultuar rrjetin e shoqërisë civile në përgatitjen e akteve të tyre të themelimit dhe organizimit. Gjithashtu, ka  qenë staf i QAG Shkodër dhe më pas Tiranë (QNLQ), duke ofruar shërbim përfaqësimi për klientët e qendrës dhe më pas si drejtuese projekti  të financuar nga BE.

Znj.Mandija është një nga ekspertet kryesore draftuese e ligjit të dhunës në familje dhe akteve të tjera nënligjore. Ajo është kontraktuar si eksperte ligjore nga UNDP dhe OSCE  dhe organizata të tjera jofitimprurëse.

Aktualisht ajo është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Procedurës Civile dhe të së Drejtës Familjare.

Znj.Mandija ka botuar artikuj, punime shkencore si dhe pjesëmarrëse në konferenca shkencore në fushat e lidhura me të drejtën familjare, procedurën civile, të drejtat e njeriut, arbitrazhin ndërkombëtar, organizatat jofitimprurëse etj.

Në vitet 2007-2010 znj. Mandija ka ushtruar funksionet e Avokatit të Shtetit, duke përfaqësuar me sukses R.SH-së në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar, ndërsa në vitin 2010 emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, funksion të cilin e ka ushtruar deri në Tetor të vitit 2013, ku përveç drejtimit të institucionit, ka përfaqësuar me sukses R.SH-së në arbitrazh ndërkombëtar, në procesin e negocimit të kontratave ndërkombëtare dhe projekteve madhore si dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në ndjekjen e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së, në Komitetin Drejtues për te Drejtat e Njeriut te Këshillit te Evropës.

Në Nëntor të vitit 2013 kthehet në pozicionin e Avokatit të Shtetit në nivel qendror për çështjet e arbitrazhit, por që ka përfaqësuar  dhe mbrojtur interesa e shtetit pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Nga Shtatori 2014 deri në 22 Maj 2017, znj. Mandija ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor të Presidentit të Republikës, ku ka përfaqësuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese, në tryezat e diskutimit në lidhje me reformën në drejtësi si dhe në shqyrtimin e ligjeve të dërguara për dekretim.

Nga viti 2007 znj. Mandija ka vazhduar të jetë lektore e së drejtës në disa universitete si dhe në Shkollën e Magjistraturës ku ka dhënë kontributin si lektore në formimin fillestar dhe si eksperte në trajnimin vazhdues.

Ajo zotëron gjuhën angleze dhe është njohëse e gjuhës frënge dhe italiane.