Mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave

 Fjala e kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave e thirrur gjatë situatës emergjenteve të krijuar nga tërmetet në vend:

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Mblidhemi në këtë sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit të Ministrave për të adresuar vijimësinë e një situate, e cila fatkeqësisht ka një bilanc tragjik me deri tani 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe fatmirësisht deri tani 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat e një tërmeti shkatërrimtar për mijëra familje dhe sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, për qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë.

Pa asnjë ekzagjerim, dua të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës  të të gjithë Këshillit të Ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të policisë së shtetit, të FA, të zjarrfikëseve dhe Urgjencës shëndetësore kombëtare.

Në fund të një 24 orësh-i që ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë, mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar, është bërë një punë heroike.

Dua t’u shpreh të gjithë mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme, që nga ata, të cilët rrezikuan jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit, deri tek ata që pritën dhe trajtuan gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor, me qindra të plagosur, ndër të cilët një numër i vogël në kushte rreziku për jetën.

E në këto 24 orë të zymta ka patur padiskutim në të gjithë harkun kohor një fill të pandërprerë drite, si rezultat i një angazhimi, ata që kanë qenë të ekspozuar në vijën e parë dhe të një solidariteti mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë dhe nga miqtë e partnerët e vendit tonë.

Dua të shpreh mirënjohjen e pakufishme për reagimet thellësisht ngushëlluese të ambasadave të ShBA-ve dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre të plotë në mbështetje të popullit shqiptar, të të gjitha familjeve dhe të gjithë individëve të prekur nga kjo fatkeqësi. E në vijim, dua të shpreh mirënjohjen për Presidentin e Republikës së Kosovës, Kryeministrin e Italisë, i cili ndër miqtë dhe partnerët e pazëvendësueshëm të këtij vendi, ka qenë ai që ka çelur serinë e komunikimeve të drejtpërdrejta, duke u predispozuar plotësisht për t’i ardhur në ndihmë njerëzve dhe qeverisë sonë në përballimin e kësaj situate vërtet shumë sfiduese.

E më pas, kryeministri i Greqisë, i cili përveç të tjerave, ka sjellë menjëherë, duke devijuar programin, ministrin e jashtëm dhe një delegacion të gjerë në terren; Presidentin e Francës, i cili po ashtu pasi kam komunikuar disa here edhe pse në të njëjtën kohë është përballur me një fatkeqësi të madhe për Francën, humbjen e mbi një dyzine jetësh të ushtarëve francezë të angazhuar në misionin paqeruajtës në Mali,  ka vënë në lëvizje Ministrinë e brendshme të Francës dhe strukturat e posaçme, që më pas janë transmetuar në një paketë prej tre misionesh drejt Shqipërisë, duke nisur nga pasditja e djeshme dhe me gatishmërinë për të vazhduar edhe sot sipas nevojës; presidentin e Turqisë i cili ka komunikuar në fillim gjatë dhe pastaj edhe në mesnatën e ditës së djeshme, duke konfirmuar vijimësisht gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme në ndihmë të të plagosurve dhe të familjeve, përtej misionit special të parit të mbërritur po ashtu në buzëmbrëmjen e djeshme për t’u pasuar nga disa misione të tjera; kabinetin e Kancelares që ka vënë në lëvizje mekanizmin e solidaritetit; Presidentin e Serbisë, që po ashtu si të gjithë të tjerët ka shprehur të gjithë gatishmërinë dhe ka dërguar një mision special; kryeministrin e Kroacisë dhe ndërkohë dua ta rreshtoj për të mos harruar kurrsesi një shprehje të posaçme solidariteti nga miqtë e CDU-së partisë kryesore të koalicionit në Gjermani, të cilët jo vetëm kanë dërguar një seri impresionuese mesazhesh nga anëtarë të grupit parlamentar të Bundestagut, por dhe janë solidarizuar konkretisht, duke shprehur të gjithë gatishmërinë për të bërë çfarëdo që të jetë e mundur për ta, në kushtet e çfarëdo nevoje për ndihmë. E po ashtu, dua të falenderoj këtu, qeveritë e Rumanisë dhe të Zvicrës që pa asnjë komunikim të drejtpërdrejtë, kanë lëvizur menjëherë dhe kanë nisur drejt Shqipërisë dy misione të posaçme të kërkim-shpëtimit, së bashku me princin e kurorës të Arabisë Saudite që ka transmetuar si të gjithë të tjerët ngushëllimet më të sinqerta për popullin shqiptar, për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre apo që kanë të plagosur në familjet e tyre, duke shprehur të gjithë gatishmërinë për të ndihmuar me cfarëdoqoftë të jetë nevoja.

Por ky fill drite do të kishte qenë i paplotë nëse nuk do të ishte një solidarizim i jashtëzakonshëm, nga Shqipëria, nga Kosova, nga diaspora dhe  për “çudinë” time, nga një numër i konsiderueshëm i mediave italiane, jo për çfarë kanë bërë në aspektin e fushës së tyre profesionale, por për aq shumë mesazhe që kanë dërguar, duke shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në çfarëdo lloj procesi ndihme dhe solidariteti. Duke i falënderuar të gjitha trupat e jashtëzakonshme që menjëherë janë përfshirë në terren dhe i janë bashkuar trupave tona të sfilitura në orët e fundit të pasdites dhe në orët e para të mbrëmjes, e kanë marrë lidershipin e operacioneve, duke zotëruar dhe një ekspertizë shumë më domethënëse, sesa e jona, që në këtë fushë është fare fillestare për shkak se tërmetet janë një fenomen me të cilin nuk jemi hasur në të shkuarën për shumë e shumë dekada.

Më lejoni që të bëj një falënderim shumë të posaçëm për trupat speciale të Kosovës, të cilat kanë mbërritur të parat dhe kanë shfaqur një kapacitet domethënës dhe vërtet impresionues profesional, në mbështetje të trupave tona.

Tani ndërkohë që operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe këtu padashur të bëj asnjë dallim midis të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar, që secili dhe secila në vijën e vet të këtij fronti të vështirë kanë bërë më të mirën, dua që sidoqoftë t’i bëj një falënderim të veçantë zv/kryeministrit, ministrit të brendshëm, ministres së energjisë dhe të infrastrukturës, ministres së mbrojtjes, ministres së shëndetësisë, që për shkak të detyrës kanë qenë shumë më të ekspozuar drejtpërdrejtë në përballjen me situatën në çdo sekondë dhe patjetër dhe ministrit të turizmit, i cili paralelisht me asistimin e njerëzve dhe të trupave për çdo nevojë, si pikë koordinimi, ashtu si dhe gjithë të tjerët në terren, ka filluar menjëherë punën për atë që vjen dhe ku do të kemi një risi në raport me nevojën për të adresuar përditshmërinë e familjeve të prekura, siç do ta sqarojmë më pas.

Sot, qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare dhe këtu dua të shpjegoj se kjo ditë, duke qenë se pararend dy ditët e festave kombëtare të 28 dhe 29 nëntorit, na e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë se sa një ditë zie, sepse do të kishim dashur që të ishin tre ditë zie, duke patur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie, që deri në momentin që flasim ka marrë 24 jetë njerëzish, por që është një bilanc që sipas të gjitha gjasave nuk do të mbetet me kaq dhe na ka pamundësuar që të imagjinojmë flamurin kombëtar në gjysmë shtize në ditën e 28 nëntorit dhe 29 nëntorit, ashtu sikundër është një normë ndërkombëtarisht e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve, nuk mund të ketë zi, sepse janë ditë që kanë brenda përzishmërinë e një kujtimi të lidhur me jetë të dhëna për atdheun.

Por është e mirëkuptueshme që në këto rrethana, dy ditët e rëndësishme të kalendarit të vendit tonë, 28 dhe 29 Nëntori nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive, por me të gjithë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur asnjë sekondë vëmendjen nga situata akute aktuale. Prandaj, unë besoj se meritojnë të shihen dhe të përjetohen si dy ditë solidariteti kombëtar, ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që ka në zemër nevojën për të kontribuar në funksion të lehtësimit, kurimit dhe shërimit të plagëve të mëdha që ka hapur kjo tragjedi.

Për këtë, duke pasur parasysh edhe numrin e jashtëzakonshëm të kërkesave, të pyetjeve dhe interesimeve nga gjithë rruzulli tokësor i bashkëqytetarëve e bashkëkombësve tanë sesi dhe se ku mund të kontribuojnë dhe duke pasur parasysh edhe nevojën për të bërë maksimumin që asnjë kontribut të mos tretet në konfuzion, asnjë ndihmë të mos marrë drejtim të gabuar, ne kemi përgatitur një adresë të vetme në platformën e-Albania për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në të gjitha format. Një adresë të vetme që mundëson përqendrimin e të gjithë kontributeve dhe ndihmave tek struktura e posaçme shtetërore e emergjencave, mundëson inventar dhe transparencë të plotë për çdo ndihmë dhe lehtëson jashtëzakonisht shumë rrugën e të dhënies së ndihmës.

Në faqen hyrëse të platformës digjitale të shtetit e-Albania ka tre rubrika, ku njëra është rubrika e dhurimit online të çfarëdo shume, nga 1 euro, 1 dollar apo 1 lek, në varësi nga vendi ku jepet kontributi, deri në sadoqoftë i lind në zemër secilit, në një rrugë shumë të shpejtë e shumë thjeshtë, për të mos lënë vetëm rrugën e dytë të kontributeve në llogari bankare, sepse jo të gjithë kanë kohën dhe ngenë e kalimit në atë rrugë, plus është edhe numri i madh dhe rreshtat e gjatë të kontove bankare që mund ta bëjnë më të komplikuar. Megjithatë është përsëri fare e thjeshtë.

Kontributi i tretë është ai i çdo lloj kontributi tjetër. Ka pasur shumë njerëz që kanë dhënë kontribute materiale, ushqime, veshje, lodra për fëmijët dhe shumë të tjerë që kanë ofruar hapësira për të mikpritur njerëzit në nevojë, apo edhe gatishmërinë për të adoptuar për një periudhë një familje deri në adresimin e problematikës së humbjes së strehimit.

Kështu, ju lutem të gjithëve të fokusohen vetëm në një pikë, tek e-Albania në rrugë digjitale. Ashtu sikundër u lutem të gjithë atyre që kanë ndihma materiale, ndihma për fëmijët, që të adresohen vetëm tek emergjencat civile. Gjë që dua ta bëj si lutje edhe për deputetë tanë, të angazhuar në këtë aspekt, për të mos i çuar ndihmat në rrugë të shkurtra që pastaj dalin rrugë të gjata, ku ato nuk mirëadministrohen si duhet dhe ku nuk bëhet maksimumi me to.

Natyrisht nuk është koha për asnjë polemikë, por kam parë dhe kemi parë me keqardhje disa shfaqje mistrecllëku në raport me temën e gjendjes së jashtëzakonshme, të cilat kanë ndikuar një pjesë të opinionit publik me ide të çuditshme dhe të gabuara, sipas të cilave, ne qenkëshim duke evituar gjendjen e jashtëzakonshme, për të mos marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë tona.

Dua t’u them të gjithë qytetarëve që e kanë bërë të vetën këtë tezë pafajësisht, pa e ditur fare çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme dhe pa na dhënë kohën që t’i bëjmë gjërat me radhë, ashtu sikundër edhe shumë gazetarëve që e kishin të vetmen pyetje. Siç duket ndjenin instinktivisht, profesionalisht, se ishte një pyetje që mund të krijonte audiencë, se dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që kishte shpërthyer.

Dje kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, por vetëm në rrugë digjitale, sepse secili ka qenë në një pikë të frontit nga ku s’ka lëvizur për orë e orë të tëra. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës erdhi me vonesë në mbledhje, jo sepse u zgjua vonë nga gjumi, por sepse është gdhirë në atë rrugicën aty përballë njërës prej rrënojave që mbajnë ende brenda 6 trupa, që ne lusim Zotin të jenë ende në jetë, por që janë aty në errësirë.

Kështu që ne, sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme, bazuar në Kushtetutën dhe në legjislacionin përkatës. Ashtu si Kushtetua dhe legjislacioni e shtjellojnë dhe duke u nisur nga natyra e problematikës dhe perimetri i situatës, do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve që janë prekur drejtpërdrejtë dhe ku plagët janë të hapura, dy qarqet e Tiranës dhe Durrësit.

Por për ata që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjeshtë financash, sepse e thashë dje, e thotë dhe historia jonë, që në aspektin financiar ne nuk i kemi lënë gjë mangut askujt.

Gjendja e jashtëzakonshme është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme për t’ju nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet pse ne kemi reflektuar ose kemi marrë pak kohë për të reflektuar mbi këtë sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose me krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës, për një periudhë 30 ditore. Është e zgjatshme në Kuvend, por për një periudhë 30 ditore, gjendja e jashtëzakonshme ka disa hapësira dhe disa detyrime për ata që duhet ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme, që mbase nuk do t’u vijnë për shtat atyre që e kanë predikuar, duke menduar se ka qenë një temë  me të cilën mund të bënin politikë, ndërkohë që Shqipëria ishte në lot.

Tani, këtu ne marrim vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndërkohë nuk harrojmë që kjo është një ditë, kur plagët akute janë akoma aty dhe së pari prioriteti i prioriteteve, shpëtimi i të gjitha jetëve të shpëtueshme, mbetet prioriteti i ditës së sotme, 24 orëve të ardhshm. Mobilizmi i përgjithshëm për të adresuar problemet fizike të aq shumë njerëzve është pjesë e këtij prioriteti të prioriteteve, qoftë të atyre që tanimë janë nën kujdes shëndetësor dhe edhe në këtë aspekt ne kemi falënderimet më të mëdha për të gjithë partnerët që paralelisht me operacionet e shpëtimit, kanë vënë në dispozicion strukturat e tyre spitalore për çdo rast ku do të kërkohet një ndihmë e superspecializuar. Më pas, është sigurisht akomodimi i atyre që janë pa çati. Mbrëmë, ne kemi patur në dispozicion një infrastrukturë ndihme të shpejtë ose sistemimi të shpejtë për 1450 banorë në zonën e qytetit të Durrësit dhe për 700 banorë në zonën e Thumanës, pa llogaritur të gjithë pjesën tjetër të strukturave akomoduese në Tiranë. Por, ajo që na ka rezultuar, ka qenë që solidariteti dhe nevoja e njerëzve për të mos qenë vetëm, jo thjeshtë për arsye të kushteve atmosferike, por edhe për arsye psikologjike, ka zbrazur një pjesë të madhe të këtyre tendave dhe të këtyre infrastrukturave të përkohshme, sepse janë hapur shumë dyer të afërmish, fqinjësh të njohurish.

Ashtu sikundër, e kemi parë gjatë gjithë ditës së djeshme, – ne më shumë ndoshta – dhe kur them ne, unë, ministri i turizmit, dhe të tjerë këtu që kanë qenë në terren. E duke qenë në terren, duke qenë në ekran merrnim mesazhe nga sipërmarrës të hotelerisë, që nga Shkodra dhe Lezha e deri në Sarandë apo lart në anën tjetër në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut. E këtu më lejoni të korrigjoj me urgjencë një boshllëk që lashë në përmendjen e  të gjithë atyre që kanë ndihmuar, duke kujtuar se pjesë  e këtyre ndihmave dhe operacioneve kanë qenë edhe strukturat operacionale të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, dy fqinjë shumë të çmuar që shumë vëllazërisht kanë ofruar gjithçka. Kështuq ë ndjesë që nuk i përmenda, por edhe unë nuk kam ardhur nga krevati, por kam ardhur nga ballkoni, pasi kemi ndenjur deri shumë vonë thuajse deri në orët e para të mëngjesit me kolegët e tjerë që ishin në terren.

Pra, gatishmëria ka qenë shumë e madhe, por ne e dimë shumë mirë, që kjo nuk është një çështje e një jave apo një muaji. Pra këto familje nuk kanë nevojë për një javë apo një muaj, por kanë nevojë për shumë më tepër. E natyrisht që nuk  mund dot as ta mendojmë dhe jo më ta provojmë që sipërmarrësve të hotelerisë t’iu kërkojmë që me shpenzimet e tyre individuale të mbajnë gjithë infrastrukturën hoteliere me muaj të tërë në dispozicion, pa patur asnjë mbështetje financiare. Nga ana tjetër, ne nuk mund të pranojmë që familjet, të moshuar, fëmijë, gra të kalojnë dimrin në tenda. Është e pakonceptueshme. Apo tua lëmë si barrë familjeve të tjera, që në momentin e parë të shprehjes së solidaritetit mund ta bëjnë këtë gjë, por nuk mund të kalojnë një periudhë relativisht të gjatë me një barrë të tillë. Kjo është barra jonë, detyrimi jonë. Prandaj kemi filluar që dje me ministrin e Turizmit të bëjmë një marrëveshje me të gjithë infrastrukturën hoteliere të Durrësit dhe të Kavajës për t’i akomoduar të gjithë familjet pa çati.

Këtë herë, unë dua ta them shumë qartë nuk do të tolerojmë asnjë familje që do të kërkojë të qëndrojë në infrastrukturë vulnerabël ose të rrezikshme. Teoria që “unë nuk lë shtëpinë, unë nuk dal nga oborri” nuk do të funksionojë. Është një fakt, që të gjitha shtëpitë përshembull që në qarkun e Tiranës kanë rezultuar shtëpi të dëmtuara, por të riparueshme nga tërmeti i parë, sot janë jashtë funksionit.

Nuk janë më të riparueshme, duhen rindërtuar, që do të thotë që numri i familjeve që kanë nevojë për strehë nuk është i vogël. Natyrisht që kjo do të kërkojë një angazhim ekstrem për të cilin kemi filluar punën me ministren e Infrastrukturës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor që të kemi një organizim të transportit për fëmijët që duhet të shkojnë në shkollë dhe nga ana tjetër, me ministren e arsimit për të siguruar një asistencë për këta fëmijë në periudhën jashtë shkollës apo për të krijuar klasa në vijën akomoduese të bregdetit, në atë të Durrësit dhe Kavajës, duke iu dhënë mundësi këtyre familjeve të jetojnë në kushte optimale. Të jetojnë në hotele me gjithë kushtet optimale, të ushqehen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale dhe t’i kalojnë dhe festat e fundvitit në kushte optimale.

Mos harrojmë që pjesa dërrmuese e këtyre familjeve janë familje të varfra.

Kjo fatkeqësi, e kemi parë në terren gjerë e gjatë sepse çdo minut ka qenë një orë, ka goditur pjesën më të dobët, hallkën më të dobët, familjet më të  varfra, shtëpitë e vjetra apo shtëpitë e ndërtuara thjeshtë për të futur kokën, pa standarde sigurie të mjaftueshme. Ndërkohë që dua ta them dhe këtë njësoj si në tërmetin e shkuar dhe në këtë tërmet që ishte shumë më i fortë dhe shumë më i gjatë, është riprovuar dhe një herë që banesat në tërësi janë shumë të qëndrueshme. Përsëri dua ta them që askush të mos impresionohet nga çarjet e mureve. Jo çdo çarje muri do të thotë një problem sepse banesat kanë një strukturë të tyre, dhe kur flas për banesat kam parasysh shtëpitë individuale apo banesat me më shumë se një familje, kanë një strukturë të tyren dhe midis konsolave dhe kolonave mund të ketë  edhe xham jo më një mur që çahet. Midis konsolave dhe kolonave mund të ketë xham, mund të ketë kartonxhes, mund të ketë mur, mund të ketë parafabrikat. Nuk është pyetja sa u ça muri. Pyetja është sa është prekur kolona dhe në rast se nuk është prekur kolona, muri nuk përfaqëson asgjë në raport me sigurinë. E them këtë teknikisht sepse është diçka që është nga gjërat më të thjeshta për t’u ditur, jo se bën pjesë në profesionin tim, por dhe për të qetësuar njerëzit.

Të gjitha banesat edhe ato më të lartat e pas viteve ’90 në shumicën dërrmuese nuk kanë mure mbajtëse, nuk mbahen nga muret mbahen nga strukturat, nga kolonat, nga konsolat. Kështu që janë në tërësi banesa të ndërtuara, të projektuara për të provuar tërmete me ballë më të lartë jo me 6, as me 7.

Pavarësisht shkundjeve dhe ndjesisë së tmerrshme të tërmetit, rreziku real është larg, por në Thumanë kemi parë pallate 5 katëshe të rrënuara, pikërisht sepse struktura nuk ka qenë aty apo godina të rrënuara si rezultat i projektimeve dhe i ndërtimeve të bëra në mënyrë abuzive. Nuk është momenti për të shtjelluar më shumë në këtë aspekt.

Ajo që vlen të thuhet më shumë është se ne duhet të fillojmë që sot të bëjmë të gjitha listat dhe hartën e shpërndarjes së familjeve dhe të garantojnë transportin e tyre pak nga pak, drejt këtyre strukturave akomoduese ku do të kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme. Kjo, sic thashë,  nuk do të zgjasë disa ditë, nuk do të zgjasë as një muaj, por nuk do të zgjasë as me vite. Kjo është një fazë e ndërmjetme prej disa muajsh,  ndërkohë që sfida e madhe është programi i rindërtimit.

Duhet që familjeve në Thumanë t’u rindërtojmë banesat. Të gjithave, por familjeve në Thumanë duhet t’u rindërtojmë ato pallate që ishin dhe duhet të jenë natyrisht shumë më të forta dhe shumë më të mira.

Është një sfidë e madhe.

Do të bazohemi tek buxheti i qeverisë, do të bazohemi tek  buxhetet e bashkive sikurse  e imponon ligji  për gjendjen e jashtëzakonshme. Por, nuk mjafton. Dhe për këtë po punojmë për një skemë financimi që të  na mundësojë një mbulim tërësor, pa u kufizuar, apo pa u mbuluar thjeshtë me anën tjetër, që është mekanizmi  i financimit të jashtëm.

Me koleget evropianë unë kam folur edhe para sesa të vija këtu po komunikoja, po i shkruaja kryeministrit  të Danimarkës, e cila më kishte çuar një mesazh të gjatë dhe kështu me të gjithë.

Nëse Zoti nuk ka bërë ndonjë plan tjetër do të jemi për pak ditë në Samitin e NATO-s dhe aty me të gjithë kemi rënë dakord që, sigurisht jo në tryezën e Samitit po jashtë tryezës së Samitit, të bëjmë një diskutim  për si do të  adresohet  kjo plagë e hapur në Shqipëri dhe si do të ndihmohet shoqëria, shteti, njerëzit në nevojë në këtë proces rindërtimi. Nga ana tjetër, me presidentin e Turqisë kemi rënë dakord që të organizojmë një tryezë me vendet e rajonit lindor. Kështu që janë dy mekanizma. Mekanizmi i Bashkimit Europian është një mekanizëm i afirmuar dhe i konfirmuar për të mbështetur. Dhe kemi dhe një  komponent të tretë, që janë Shtet e Bashkuara të Amerikës që kanë ofruar gjithë gatishmërinë e tyre për të mbështetur. Na duhet një Komitet Kombëtar për rindërtimin, edhe si efekt i drejtpërdrejtë i situatës së gjendjes së jashtëzakonshme dhe ligjit, por dhe si nevojë. Një Komitet Kombëtar për rindërtimin, që unë mendoj se duhet t’ia besojmë drejtimin kryetarit aktual  të Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, për të pasur, së pari një individ që ka të gjithë eksperiencën, por nuk ka dhe gjithë ngarkesën e përditshme të një anëtari të kabinetit  qeveritar. Së dyti, për të pasur një ndërveprim shumë më aktiv dhe shumë më harmonik mes kabinetit dhe komisionit që janë dy shtyllat që mbajnë gjithë barrën e projektimit dhe monitorimit të buxhetit, si dhe për të krijuar një  rreth të ri me pjesëmarrës nga qeveria, me pjesëmarrës nga sipërmarrja dhe pjesëmarrës nga profesionistët. Do të na duhen të treja këto. Kur them profesionistët kam parasysh eksperiencë e krijuar nga tërmeti i parë, me inxhinierët, etj dhe me komponentin e katërt, që është komponenti ndërkombëtar. Është një punë e tërë që kërkon një institucion të ri, të përkohshëm për ta bërë programin e rindërtimit një program shembullor. Dhe përpara tërmetit ne u mblodhëm dhe unë prezantova shtatë prioritetet e periudhës për të mbyllur mandatin, por tani nuk janë shtatë, por janë një plus shtatë dhe njëshi është ky. Shtatë të tjerët, natyrisht do të mbeten prioritete. Natyrisht që ditën e hënë që vjen, ne do të kalojmë aktin normativ, ligjin special anti KÇK. Natyrisht që do t’i bëjmë të gjitha të tjerat, por programi i rindërtimit është sfida jonë, është nderi ynë, është detyrimi ynë ndaj gjithë popullit shqiptar dhe pa diskutim është domosdoshmëria jetike për ta lidhur mandatin tonë qeverisës me kurimin dhe shërimin e plagëve të hapura nga tërmeti.

Kështu që jam i bindur se, duke punuar me të njëjtën frymë, duke i dhënë kësaj pune të njëjtin shpirt që i dhamë përgjatë 24 orëve të para, duke u koordinuar duke vepruar si duhet, ne do t’ia dalim pa diskutim që të bëjmë një kapërcim historik, në mënyrën e trajtimit të plagëve dhe që plagët mbi të cilat sot janë fokusuar të gjithë të mos thahen nga dielli harresës në sipërfaqe, por kur dielli të dali dhe kur të gjithë tjerët të merren me punë tjera, ne të vazhdojmë të merremi me plagët.

Kur dielli të dali dhe politika rikthehet me gjithë gam-gamin e saj, ne të vazhdojmë të merremi me plagët.

Nuk i shkon as kësaj tryeze dhe as formimit dhe besimeve tona që të flasim për supersticione, por unë do të doja të thosha që, kjo nuk është fakt, nuk është as ndjesi, por është nevojë për ta thënë që ka shumë gam-gam në këtë vend, që sikur ndjell të keqen. Ka shumë gam-gam dhe gamgamistët na kanë përfshirë të gjithëve në gam-gam dhe kanë gamgamosur shpirtin e njerëzve të zakonshëm, duke i kthyer në skllevër të gamgamit.

E ky është një moment i artë që të reflektojmë edhe mbi këtë, jo për të shmangur ato që janë të shkruara gjetkë, kur thonë të vjetrit dhe nuk janë në dorën e robit, por së paku për të mos harruar që detyra jonë nuk është të hymë në korin e gam gamit por të merremi me njerëzit dhe me nevojat e tyre reale dhe në këtë rast me një plagë shumë të madhe që është në çdo shtëpi.

Fare mirë mund të kishte qenë secili prej nesh dhe larg qoftë mund të ishin fëmijët e secilit, mund të ishin familjet tona që sot mund të ishin gdhirë me një, dy e më shumë, më pak dhe detyra jonë në këtë tryezë është që pikërisht të mos kemi nevojë që ta kemi këtë në trupin tonë dhe ta kemi këtë në familjen tonë për të vepruar njësoj sikur të jetë në trupin tonë dhe familjen tonë. Kjo është detyra.

Po e mbyll tani se mu kujtua dikush që bënte mitingje në këtë tryezë, kështu që larg qoftë. E mbase mirë që më erdhi në mendje edhe e thashë sepse na duhet kundër syrit të keq.

Faleminderit, duke vazhduar me mbledhjen për të miratuar vendimet dhe pastaj për të ndarë punët!