Postuar më: 24. Janar 2014

Ministrat e qeverisë së Maqedonisë: Nuk ka projekt për Radikën

Konferencë e përbashkët për shtyp e Ministrit të Ekonomisë në Maqedoni Valon Saraçini, ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor në Maqedoni Abdilaqim Ademi, ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, pas takimit me Kryeministrin Edi Rama:

 

Ministri i Punëve të Jashtme, i Shqipërisë Ditmir Bushati:

Më lejoni të falënderoj dy ministrat që kanë ardhur nga Republika e Maqedonisë sot, që mbulojnë përkatësisht çështjet e energjisë dhe të mjedisit dhe të planifikimit hapësinor. Dëshiroj t’i falënderoj për prezencën e tyre sot këtu, për të njohur qytetarët e Shqipërisë, rreth disa fakteve konkrete dhe të dhënave në lidhje me çështjen e shumë përfolur të Radikës. Një çështje që ka arritur së fundi, edhe falë spekulimit të opozitës, të bëhet objekt diskutimi mediatik.

Para sëgjithash do të doja të informoja opinioni publik se rregullimi i kësaj çështje, pra i mënyrës se si menaxhohen ujërat dhe ndikimet ndërkufitare, janë çështje, të cilat adresohen në mënyrën më të plotë të mundshme, në një kuadër të mirëpërcaktuar nga e drejta dhe praktika ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet fqinje. E, këtu nuk ka asnjë rast përjashtimor!

Së dyti, të dy vendet tona, janë vende të cilat aspirojnë anëtarësimi në BE. Kanë një marrëdhënie kontratuale në BE, që është marrëveshja e Stabilizim Asoociimit dhe përkatësisht kanë detyrime, në lidhje me regjimin e ujërave dhe janë të detyruara që të zbatojnë normativën që burojnë nga direktivat e BE.

Është për të ardhur keq që edhe në ato raste kur ka një dialog dhe konsulta intensive, siç është rasti mes dy qeverive tona për të adresuar çështje që potencialisht kanë impakt ndërkufitar, sërisht ka spekulime për gjoja humbje të interesave kombëtare të “x” apo “y” shteti. Ne vlerësojmë se mbrojtja dhe përdorimi i ujërave ndërkufitarë dhe liqeneve janë çështje të rëndësishme, realizimi efektiv i të cilave mund të sigurohet vetëm me bashkëpunim të zgjeruar ndërmjet fqinjëve, në përputhje me konventat dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat janë jashtëzakonisht solide në të këtë fushë. Në bazë të konventave ndërkombëtare ujërat ndërkufitarë duhet shfrytëzohen në një mënyrë të arsyeshme dhe të barabartë, duke marrë në konsideratë të veçantë karakterin e tyre ndërkufitar, në rast se aktivitetet që shkaktojnë ose kanë të ngjarë të shkaktojnë, kanë një impakt ndërkufitar.

Pala shqiptare, qeveria e Republikës së Shqipërisë, dëshiron t’i diskutojë problemet që lidhen me shfrytëzimin tërësor të ujërave, jo thjesht me Maqedoninë, por me çdo vend tjetër me të cilin ka një problematikë përkatëse, veçse në frymën e së drejtës ndërkombëtare, veçse në frymën e mirëkuptimit në marrëdhëniet dypalëshe, të marrëveshjeve dypalëshe dhe të gjitha detyrimeve që shtetet kanë në këtë drejtim.

Të ashtuquajturat problematika të krijuara për administrimin e ujërave ndërkufitarë ndërmjet dy shteteve fqinjë, mund të rregullohen veçse nëpërmjet mekanizmave të së drejtës ndërkombëtare dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dypalësh.

Qeveria shqiptare ka një bazë të plotë të të dhënave, ka një bazë të plotë të konventave ndërkombëtare ku aderon, të parimeve kryesore të së drejtës ndërkombëtare që rregullojnë këtë çështje. Sikundër kemi gjithashtu përpara një “libër të madh gabimesh”, do të thoja, që na e kanë lënë kundërshtarët, në të ashtëquajturat negociata, për çështje edhe më sensitive se kjo që po flasim sot.

Jam këtu për të garantuar opinionin publik shqiptar, çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë se kjo qeveri do të mbrojë deri në ditën e fundit të detyrës së saj dinjitetin kombëtar, sovranitetin, integritetin territorial dhe gjithë interesat e kombit shqiptar.

 

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi:

Të nderuar të pranishëm!

Të nderuar kolegë ministra!

Jemi këtu sot për të informuar në mënyrë burimore, kryeministrin, ministrat, por edhe opinionin në Shqipëri dhe më gjerë rreth temës shumë aktuale në Shqipëri dhe në Maqedoni, pra temën e Radikës.

Ajo pse jemi sot këtu, nuk është vetëm për të informuar në mënyrë burimore, kryeministrin, ministrat dhe opinionin, por edhe për të sqaruar se kjo ide e vjetër ndoshta në letër, sot për sot nuk ka një projekt të caktuar dhe nuk ka një studim të përfunduar për impaktin në ambientin jetësor. Si e tillë, nuk mund të trajtohet  dhe nuk mund të ketë shqetësim as për opinionin dhe as për institucionet. Në bazë të konventave dhe të ligjeve ndërkombëtare, ashtu siç e sqaroi edhe ministri më herët, jo vetëm qeveria e Republikës së Maqedonisë, por çdo vend kur zhvillon një  projekt të tillë ose ka një ide të tillë, është e detyruar që në një fazë të caktuar, të kyçë opinionin në vendimmarrje, të kyçë institucionet relevante, por në raste të tilla të kyçë në vendimmarrje dhe në konsultime edhe vendet fqinje. Projekti ideor ose ideja për të cilën është ngritur shqetësimi, nëse eventualisht do të zhvillohej më tutje, sigurisht që impakt do të kishte për Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë. Jemi këtu për të garantuar të gjithë se ne si vend, por edhe si qeveri, nuk do të ndërmarrim asnjë vendim, pa patur konsultime me vendet fqinje, por në radhë të parë pa i shfrytëzuar ose pa i ndjekur të gjitha procedurat të cilat i parasheh realizimi i një projekti.

Meqë projekti për të cilin ka shqetësim, është i nociouar në kufijtë e parkut Kombëtar Mavrovë, për mua si ministër dhe për qeverinë ka një vëmendje të veçantë, sepse ai park është i shpallur park kombëtar në bazë të vlerave që janë në atë zonë. E për asnjë moment, ne nuk do t’i rrezikojmë ato vlera për të realizuar një projekt të tillë. Prandaj studimi i cili duhet të përfundojë, për impaktin në ambientin jetësor, do të jetë bazë për të marrë vendim, do të ndërtohet ose jo ky projekt. Ai studim është duke u përgatitur. Shqetësimin që kanë banorët  e Dibrës, ne disa herë e kemi sqaruar bashkë me ministrin Saraçini, kemi qenë dhe në Dibër dhe dibranët, por dhe i gjithë rajoni i Rekës, siç quhet ai rajon, do të jenë të kyçur edhe në përgatitjen ose në debatin publik, që do të realizohet për të njëjtin projekt, pra kur do të përfundojë dhe studimi për impakt në ambientin jetësor.

Në bazë të konventave ndërkombëtare, çdo lloj devijimi i ujërave është i ndaluar, kur konstatohet që ka impakt negativ, jo vetëm në ekosistemin dhe biodiversitet, por edhe në aspekte të tjera, siç janë ato socio-ekonomike.

Prandaj dua të bëj apel tek të gjithë se nuk ka nevojë për shqetësime. Jemi në bashkëpunim, jo vetëm me institucionet e vendit dhe pushtetin lokal në Maqedoni, por jemi në bashkëpunim edhe me vendet fqinje, me qëllim që të mos ketë asnjë vendimmarrje pa pasur konsultime burimore, ose konsultime mes vendeve tona.

Edhe njëherë duke ju përshëndetur, dua të përsëris që nuk ka nevojë për shqetësim. Vendimmarrja do të jetë transparente.

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, i Shqipërisë, Damian Gjiknuri:

Falenderoj ministrat për prezencën e tyre këtu. Duke qenë se jam ministër i Energjetikës dhe një pjesë e kësaj projektideje, lidhet edhe me një projekt energjitik, pra me atë çfarë synohet, si ministër i Energjetikës kam qenë i vëmendshëm, po ashtu dhe të gjitha institucionet tona, në lidhje me impaktet e mundshme mbi burimet energjetike që mund të ketë çdo lloj projektideje apo projekti në të ardhmen. Pikërisht, me këtë synim duke u nisur nga interesat e detyrës që përfaqësojmë dhe nga interesat e vendit, kemi kërkuar shpjegime nga ministria përkatëse në Maqedoni, në lidhje me ekzistencën dhe fazën e këtij procesi. Nuk kam nevojë ta përsëris, jemi në fazën e një projektideje e cila nuk është maturuar në një projekt. Siguroj publikun shqiptar se Ministria e Energjetikës, si pjesë e çdo lloj strukture ndërshtetërore, që mund të trajtojë çdo lloj impakti që kanë projektet me fqinjët, do të jetë në gjendje dhe është e gatshme që të vlerësojë edhe impaktet dhe pasojat që mund të lindin për territorin e Shqipërisë dhe burimet energjetike. Pra, është shumë e rëndësishme që vendet po dialogojnë në lidhje me këtë gjë.

I siguroj shqiptarët që përgjigjet gjenden tek tradita e regjimit të ujërave, tek marrëveshjet ndërkombëtare që e rregullojnë këtë. Qeveria shqiptare do të veprojë në përputhje me interesat më të mira të këtij vendi që të mos cenojë burimet energjetike, sigurinë energjetike, por njëkohësisht të japë kontributin e saj që gjërat të jenë të qarta nga pikëpamja teknike dhe shkencore dhe mos t’i lihet pre spekulimeve.

Fatkeqësisht, do të thoja një gjë, edhe si ironi në një farë mënyre, kur unë këtë çështje  e kam ngritur në nëntor me ministrin përkatës që ndodhet këtu, zotin Saraçini, asnjë media shqiptare nuk  e pasqyroi. Megjithëse interesi, gjoja ishte i lartë, asnjë media nuk e i dha rëndësi kësaj çështje. Qeveria shqiptare ishte e para që tregoi interes se çfarë problemesh mund të ketë në të ardhmen, nga një shqetësim i nisur nga banorët e Dibrës. Prandaj, spekulimi politik është më se i pastër dhe gjithkush e kupton. Ju faleminderit!

 

Ministri i Mjedisit, i Shqipërisë, Lefter Koka:

Unë dua të shpreh vlerësimin tim maksimal për zotin Ademi dhe zotin Saraçini, dy anëtarë të kabinetit të Republikës së Maqedonisë.

Në fakt, sot jemi këtu së bashku për të sqaruar një asgjë.

Është një gjë e shumëdiskutuar; Çdo shtet ka për detyrë  t’i referohet disa konventave dhe direktivave të BE, në rastin në fjalë, kur përshkohet nga lumenj e liqene të përbashkëta. Ajo që ndodh rëndom me ne në fakt, është se ne jemi shumë sensibël kur ka projektide dhe jo kur ka fakte. Këto janë gjëra të sqaruara kohë më parë. Kemi qenë në një kontakt të vazhdueshëm me kolegët. Kërkuam që të bëhemi sot për pjesën e opozitës, më të besueshëm, që të mos i dëgjojë nga ekranet e Maqedonisë ministrat, por t’i dëgjojë këtu nga kryeministria. Ndaj dua të garantoj edhe një herë të gjithë shqiptarët se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Hera herës duhet të mos bëhemi qesharakë. Kohë për të humbur s’kemi. Është një projektide. Nuk mundemi dot të gjykojmë projekt-idenë. Gjykojmë projekte konkrete.

Sot jemi mbledhur këtu për të diskutuar një projektide. Ju mendoni se ëndrrat dhe projektidetë gjykohen?! Ministrat e vendeve fqinj, Greqia, Kosova nuk kanë bërë asnjë veprim, siç kemi bërë dhe ne. Ndaj kërkoj mirëkuptimin sidomos të mediave, të mundemi të klasifikojmë dhe të dëgjojmë ata zëra, të së vërtetës, të respektit ndaj ligjit, dhe të konventave e direktivave të BE. Ju faleminderit!

 

Ministri i Ekonomisë, i Maqedonisë,  Valon Saraçini:

Jemi sot këtu në Tiranë, me ftesë të Kryeministrit shqiptar, Z. Edi Rama për të diskutuar për një ide, për një projektide, e cila kohëve të fundit është sensibilizuar shumë nga mediat dhe për të diskutuar për atë se çfarë, në të ardhmen, planifikohet të bëhet. Siç thashë dhe siç u shprehën deri më tani të gjithë ministrat, bëhet fjalë për një ide të hedhur në letër, për një projektide i cili ka qenë bazë që të fillohet të punohet për një projekt final.

Projekt final ende nuk ka!

Është duke u punuar nga një kompani ndërkombëtare dhe planifikohet të përfundojë në gjysmën e parë të këtij viti, apo deri në fund të muajit qershor. Pasi të përfundojë projekti final, por edhe studimi që do të tregojë ndikimin mbi ambientin jetësor, do të ketë debate publike ku do të jenë të përfshirë të gjitha institucionet përkatëse, njëkohësisht edhe përfaqësuesit e Dibrës së Madhe dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare. Ne shumë herë kemi thënë se çështjet e ekonomisë ujore duhet të trajtohen me konsensus të përbashkët, duke iu referuar konventave ndërkombëtare dhe nuk mund të ndodhë që një shtet të veprojë arbitrarisht, pa marrë pëlqimin e shtetit tjetër, çdo herë, duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Të nderuar përfaqësues të mediave, më lejoni që edhe në herë të njoftoj opinionin, se në momentin kur projekti do të jetë final dhe ne si qeveri e Republikës së Maqedonisë do ta kemi të gatshëm, atëherë do të njoftohet qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe do të kërkohet pëlqim nga Qeveria Shqiptare. Në qoftë se Qeveria Shqiptare nuk jep pëlqim në lidhje me projektin final, projekt i cili duhet të përfundojë në muajin qershor, ky projekt nuk mund të realizohet. E thashë edhe një herë, këto çështje të ekonomisë ujore duhet të trajtohen çdo herë më konsensus të përbashkët, duke iu referuar konventave ndërkombëtare. Në raste të tilla, shtetet, zakonisht, nuk veprojnë në mënyrë arbitrare. Gjithashtu, edhe komision i përbashkët i të dy qeverive, apo komisioni ndërshtetëror, do të debatojë mbi projektin, i cili do të përfundojë deri në fund të muajit qershor.

Së fundi, më lejoni të siguroj të gjithë shqiptarët, veçanërisht banorët e Dibrës së Madhe, se nuk duhet të kenë aspak shqetësim, nuk duhet të kenë panik në lidhje me këtë projekt, sepse ky projekt ende është në një fazë ideore, ende është në letër dhe ende është duke u studiuar.

Disa herë kemi thënë si ministra, se po qe se edhe dibrani i fundit është kundër këtij projekti, ky projekt nuk do të realizohet. Në fund, pëlqim për këtë projekt duhet të japë Ministri i Ekologjisë i Republikës së Maqedonisë dhe Qeveria Shqiptare.

Ju faleminderit!

 

Zoti Bushati, pavarësisht se ju akuzuat opozitën për spekulime në lidhje me këtë çështje, por  në fakt ka qenë një parti në qeverisje me ju, si Lëvizja Socialiste për Integrim, që ju ka kërkuar një interpelancë urgjente në Kuvend për këtë çështje, duke transmetuar së pari ajo tonet shqetësuese të një projekti që së paku nuk është diskutuar mes qeverinë shqiptare. Cili është komenti juaj për këtë?

Zoti Koka, ju e cilësuat si spekulim rritjen e toneve shqetësuese, por a ishit edhe ju viktimë e spekulimeve të ditëve të fundit, kur kërkuat me zotin Bushati interpelancë në Parlament?

Ministri Ditmir Bushati: Faleminderit për pyetjen! Sqarimi i sotëm, këtu, nuk e zëvendëson detyrimin tim si anëtar i kabinetit për t’u paraqitur në Parlament. Do të jem në Parlament në seancën e radhës, për të dhënë shpjegimet shteruese, për të listuar të gjitha konventat ndërkombëtare, gjithë legjislacionin, praktikën dhe atë se çfarë mund të bëjë qeveria shqiptare për një çështje, e cila, nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare nuk do t’i hiqja asnjë presje asaj që tha kolegu Koka apo kolegu Saraçini, nuk ekziston. Në mënyrë që të ekzistojë nga pikëpamja ndërkombëtare, duhet të ketë një projekt të miratuar, duhet t’i ishte paraqitur qeverisë shqiptare, qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Greqisë, vende të cilat mund të kenë ndikim nga ky projekt, duke qenë se janë vende kufitare.

Të thirret një ministër, një anëtar i kabinetit në interpelancë është shprehje e qartë e faktit që parlamentarizmi në Shqipëri funksionon. Të paraqitet anëtar i kabinetit në seancën e radhës në Parlament, në rastin konkret Ministri i Punëve të Jashtme, është shprehje e qartë e respektit të plotë që ka ekzekutivi ndaj parlamentit, ndaj sovranit. Një praktikë, të cilën, për fat të keq, ju e dini mirë, nuk ka ekzistuar me mazhorancën e shkuar. Sa i përket spekulimeve me këtë çështje, nga të ashtuquajturit “patriotë të detit”, të cilët sot na janë kujtuar për lumin, unë po ju them edhe një herë tjetër që kemi një libër të trashë me gabime. Vende me demokraci më të konsoliduar, dhe e ftoj gjithë opinionin publik që të bëjnë kërkime për këtë çështje, personat që bëjnë gabime të tilla konsiderohen deri dhe krime shtetërore. Në vendet që janë më parë se ne në këtë proces. Ju siguroj se gabimet trashanike apo të qëllimshme të qeverisë “Berisha”, nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen nga qeveria jonë. Përkundrazi, jemi në një konsultim të plotë dhe e kemi situatën të qartë dhe nën kontroll.

 

Ministri Lefter Koka: Ju faleminderit! Pyetja është shumë e drejtë. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së ka kërkuar në një interpelancë me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Është për t’u vlerësuar, pas shumë problematikave që e gjetëm vendin, tashmë është shtuar edhe një tjetër, mazhoranca duhet të bëjë edhe opozitën brenda vetes. Sepse opozita është shkëputur nga misioni i saj. Për t’i dhënë sqarim këtyre zërave, në Dibër të Madhe, kryesisht, por edhe në Shqipëri, kërkuam të mos ndodhemi në atë ritualin e vazhdueshëm të opozitës: ‘Pse nuk i keni sqaruar shqiptarët?!’ U vonuan dhe në këtë rast ne e kërkuam vetë, për të sqaruar shqiptarët. Prandaj jemi sot këtu, të sqarojmë shqiptarët. Pra, bëjmë dhe opozitën dhe qeverisjen.

 

Pyetje për zotin Ademi, ju deklaruat dje në një intervistë për një media shqiptar se 90 % jeni i sigurt se ky projekt nuk do të realizohet. Ku e bazoni 90 %, por edhe 10 %?

Zoti Gjiknuri dhe zoti Koka, a e ka marrë në konsideratë qeveria shqiptare të kryejë një studim për impaktin që mund të ketë një projekt i mundshëm, ashtu sikurse qeveria maqedonase e ka marrë në konsideratë këtë gjë?

 

Ministri Abdilaqim Ademi: Unë, në fjalimin tim hyrës, përmenda që ky projekt ose si edhe çdo projekt tjetër, duhet të ndjekë disa procedura për të ardhur deri tek vendimi përfundimtar, pozitiv ose negativ. Vendimi përfundimtar i imi do të jetë të jetë i bazuar në bazë të studimit për impakt në ambientin jetësor. Kam deklaruar që nuk mund ta paragjykoj që sot vendimin, sepse ai duhet të jetë i bazuar në argumente, por në kokën time e kam që, 90 % do të jetë negativ. Mirëpo nuk mund ta them 100 %,  sepse e thashë, duhet të thuhet në fazën kur duhet të jetë edhe studimi përfundimtar, ose studimi i ambientit jetësor i përfunduar, të shohim konkluzionet, por edhe debatin që do të hapet për të njëjtin studim.

Sa i takon pyetjes që ju i drejtuat edhe kolegëve të mi, ndoshta mund të bëhet studim edhe nga ana e Shqipërisë, mirëpo konsideroj që nuk ka nevojë, sepse i njëjti studim, për impakt në ambientin jetësor, do t’u shpërndahet edhe vendeve fqinje, në këtë rast edhe Republikës së Shqipërisë.

 

Ministri Damian Gjiknuri: Në lidhje me pyetjen tuaj, që në një farë mënyre është edhe krahasimi në eter, më kujtohet ajo shprehja e Arkimedit “më jep një pikë ku të vendos levën”. Normalisht, pa pasur një projekt nuk mundet që qeveria shqiptare të ketë një pikë referimi. Pra, nuk mund të bësh projekt duke u nisur nga supozimi. Detyra e qeverisë shqiptare, dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u theksuar dhe publiku shqiptar duhet të jetë shumë i kënaqur me këtë, sepse ndaj voton qeveri e cila t’i përfaqësojë, është që në momentin që një projekt mund të ketë impakt në interesat e këtij vendi, qeveria të jetë në lartësinë e duhur për të bërë ekspertizën teknike, për të dhënë pasojat që ka dhe në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe ligjet ndërkombëtare të mbrojë interesat dhe të mos i tregtojë ato, siç kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe siç duket këtu është edhe dyshimi i popullit shqiptar, ndaj e ngre këtë problem.

 

Ministri Lefter Koka: Besoj që nuk ka nevojë të ndalem në shumë detaje, por një aspekt dua ta sqaroj. Lumi Radika, nga ana ekologjike, do të thosha banorët e Dibrës së Madhe janë më ndjeshëm se ndoshta aty krijon  problemin më të madh në ekologji.

Po të ndalemi në pjesën shqiptare, të jemi më të drejtpërdrejtë, nuk ka dot Kryeministër, qeveritar, që të mos reagojë. Ndërtimi i këtij Hidrocentrali nesër, Shqipërisë i bën dëm ekonomik. Thënë drejtë dhe qartë. Ndaj që të gjithë jemi këtu për të thënë se nuk ka projekt, nuk do të bëhet projekt. Vazhdojmë dhe diskutojmë edhe bëjmë pyetje. Projektin ne e kemi. Në fakt, Z. Gjiknuri e di, Drinin e Zi vjen dhe furnizon, kemi hidrocentrale, kemi një sasi energjie të prodhuar. Nuk kemi luksin të tolerojmë, të bëjmë kompromise në kundërshtim me konventa, në kundërshtim me direktiva të Bashkimit Evropian. Palët kanë një detyrim ndërshtetëror, janë të detyruar ta respektojnë. Besoj që kjo është e gjitha çka kemi kërkuar.

 

Ministri Ademi: Meqenëse flasim për marrëveshje dhe bashkëpunim, dhe nuk është fjala vetëm për bashkëpunim për këtë projekt. Unë jam që nga viti 2008 në qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe kam përvojë pozitive bashkëpunimi, veçanërisht në aspektin e ujërave. Veçanërisht kur bëhej fjalë për vërshimet në Shkodër, ku ne si qeveri kemi ndihmuar Shqipërinë dhe shkodranët edhe në aspektin teknik, por edhe në aspektin e menaxhimit të sasisë së ujërave që duheshin të lëshoheshin edhe në Drinin e Zi, edhe më tutje në kaskadat që janë në Drinin e Zi. Kështu që ka bashkëpunime të mira dhe bashkëpunimi do të vazhdojë. Nuk ka nevojë për shqetësim. Desha ta ngre këtë, meqenëse ne po bisedojmë vetëm për një projekt, por ka dhe kemi shumë e shumë projekte të tjera, në të cilat bashkëpunojmë me Qeverinë Shqiptare.

Faleminderit!