Elisa Spiropali

Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Znj. Elisa Spiropali ka lindur në Tiranë, më 15 mars 1983. Që prej janarit 2019 ajo shërben si MInistre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021.
Znj. Spiropali ka kryer dy vitet e para të shkollimit të mesëm në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë për të vazhduar më pas në “Lester B. Pearson College”, United World College (UWC) of the Pacific, në Kanada, pasi fitoi bursën si një nga pesë gjimnazistet më të mira në Shqipëri. Pasi fitoi Bursën në “Mount Holyoke College” (2001), ndoqi studimet e larta në Massachusetts, SHBA ku u diplomua në vitin 2005 me dy tituj nderi në dy degë universitare BA Ekonomi (Economics) dhe BA Politikë (Politics). Një semestër e kreu në Buenos Aires, në programet e shkëmbimit me bursë ekselence nga Universiteti “Mount Holyoke College” për studimin e krizës ekonomike Argjentinase.
Në vitin 2007 fitoi bursën “Chevening/OSI” për studime pasuniversitare në Politikë Ekonomike Evropiane, në Universitetin “Sussex” në Britaninë e Madhe.
Ajo po shërben në mandatin e dytë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 znj. Spiropali është zgjedhur deputete e Qarkut të Korçës, ndërsa në 2021, znj. Spiropali është zgjedhur deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për Qarkun e Tiranës.
Para emërimit në detyrë si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Spiropali ka mbajtur rolin e nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetarit të Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë nga viti 2017 deri në vitin 2019.
Znj. Spiropali ka pasur një karrierë të spikatur në Partinë Socialiste, ku bën pjesë prej vitit 2009. Ajo ishte kandidate për deputete në zgjedhjet e vitit 2009, e më pas, u zgjodh kryetare e FRESSH-it në një garë kombëtare dhe anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Po ashtu, Znj. Spiropali ka mbajtur pozicionin e Sekretares për Rininë dhe Sekretares për Bashkëqeverisjen, këshilltare bashkiake në Tiranë dhe zëdhënëse e Kryesisë së Partisë Socialiste.
Nga tetori 2013 deri në mars 2015, znj. Spiropali ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Gjatë punës së saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, znj. Spiropali ka ndërmarrë një sërë reformash, ndryshimesh në favor të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare, posaçërisht lehtësimit të procedurave doganore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo është vlerësuar pozitivisht edhe nga partnerët për efiçencën e treguar në drejtimin e këtij dikasteri, luftën ndaj informalitetit si dhe performancën e lartë ne realizimin e detyrave. Në krye të këtij institucioni ajo gjithashtu ka zhvilluar një numër të madh takimesh me përfaqësues biznesesh, kolegë të shteteve të tjera dhe konferenca me qëllim optimizimin e perfomancës në doganë, duke përqasur eksperiencat dhe modelet më të mira të vendeve evropiane.
Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë, Naltën dhe Krenin.