Evis Kushi

Ministër i Arsimit dhe Sportit

Evis Kushi ka lindur më 7 tetor 1975 në Elbasan. Që prej shtatorit të vitit 2020, znj. Kushi mban pozicionin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Znj. Kushi është diplomuar në vitin 1997 në degën administrim ‐ biznes (Marketing), në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës. Ndërsa në vitin 2008, ajo mori gradën shkencore “Doktor” (PhD) në Ekonomiks-Turizëm, Universiteti “Staffordshire”, Angli.

Ndërkohë, në nëntor të 2010, ajo fitoi titullin akademik “Profesor i asociuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Gjashtë vjet më vonë, më 26 korrik 2016, znj. Kushi mori edhe titullin akademik “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Znj. Evis Kushi e nisi karrierën e saj në vitin 1998 si lektore në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në lëndët kryesore “Bazat e marketingut” dhe “Ekonometri” (1998‐2012). Ndërkohë, mes viteve 2010‐2012, ajo mbajti pozicionin e përgjegjëses së Departamentit “Ekonomia dhe e Drejta”, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

Më pas, në vitet 2012‐2013, ajo ka shërbyer si dekane e Fakultetit të Ekonomisë, në po këtë universitet. Znj. Kushi ka shërbyer edhe si pedagoge me kohë të pjesshme në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Nga viti 2013 e në vazhdim, znj. Kushi është deputete e Qarkut të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë.

Për sa u përket aktiviteteve shoqërore politike, znj. Evis Kushi është anëtare e Partisë Socialiste që prej marsit 2013 dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste që prej prillit 2016. Deri në momentin e marrjes së pozicionit të ministrit, ajo ka qenë Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Znj. Kushi ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është autore e bashkëautore e një sërë artikujsh shkencorë në revista brenda e jashtë vendit.

Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze, franceze dhe atë italiane.

Ajo është e martuar dhe ka 2 vajza.