Fatmir Xhafaj

Ministër i Brendshëm

A A A

Z. Fatmir Xhafaj u lind më 17 maj 1959, në qytetin e Vlorës. Është i martuar me zonjën Mimoza Xhafaj (Berberi). Ata janë prindër të dy vajzave, Aulona dhe Amantia.

Ai është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982.

Në periudhën 1982-1985, z. Xhafaj ka punuar në rrethin e Krujës në detyrën e Këshilltarit Ligjor dhe Gjyqtarit, në Gjykatën e këtij rrethi (1982-1984) dhe Hetues në Hetuesinë e rrethit, pjesë e sistemit të drejtësisë, pranë Prokurorisë së rrethit Krujë (1984-1985).

Në periudhën 1986-1990, ai ka qenë drejtues i Organizatës së Rinisë, të rrethit Tiranë dhe në periudhën 1991-1992, drejtues i Federatës së Rinisë të rrethit Tiranë.

Z. Xhafaj mban titullin “Avokat” që nga viti 1992, profesion të cilin e ka ushtruar në periudhën 1993-1997, si dhe për disa kohë në periudhën 1999-2000.

Në periudhën 1997-1999, ai ka qenë Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Gjatë vitit 2002, ka qenë Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, ndërsa në periudhën 2004-2005, ka qenë Ministër i Drejtësisë.

Z. Xhafaj është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë në pesë legjislatura radhazi, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Në Legjislaturën e V (2001-2005) dhe VI (2005-2009) është zgjedhur deputet i rrethit të Pogradecit, Qarku Korçë, ndërsa në Legjislaturën e VII (2009-2013) dhe VIII (2013-2017), ai është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës.

Në dy legjislaturat, 2005-2009 dhe 2009-2013, ai ka mbajtur pozicionin e Zëvendëskryetarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, si përfaqësues i opozitës. Në legjislaturën 2013-2017, z. Xhafaj ka qenë Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, të Drejtat e Njeriut dhe Administratën Publike. Në të njëjtën periudhë, ai ishte edhe anëtar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri.

Gjatë karrierës së tij parlamentare, z. Xhafaj ka qenë anëtar dhe/ose drejtues i disa komisioneve të posaçme hetimore parlamentare (2003, 2006, 2009 etj.), si dhe anëtar dhe/ose drejtues i disa komisioneve të posaçme parlamentare për reformën zgjedhore (2003, 2007, 2008, etj.).

Ai është iniciues dhe autor i disa iniciativave kushtetuese e ligjore në Kuvendin e Shqipërisë. Z. Xhafaj ka drejtuar dhe koordinuar të gjithë procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë (2014-2017).

Prej vitit 2003, zoti Xhafaj është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në periudhën 2007-2016, ai ka qenë Sekretar i Partisë Socialiste për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore. Në periudhën mars-maj 2017, zoti Xhafaj ka ushtruar detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme.