Frida Krifca

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Znj. Frida Krifca është ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej shtatorit 2021.

Ajo ka përvojë 22-vjeçare në administrim e menaxhim, me fokus të veçantë ndaj zhvillimit dhe forcimit të sektorit financiar, përdorimit të shërbimeve financiare si dhe zhvillimit të biznesit, duke përmbushur objektiva ekonomike, ligjore e strukturore kombëtare, ndërkombëtare dhe integruese.

Gjatë periudhës korrik 2017 – shtator 2021 ajo ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, ku ishte përgjegjëse për administrimin e skemave mbështetëse të buxhetit të shtetit në mbështetje të fermerëve, duke siguruar transparencë dhe garantuar mekanizma kontrolli në investime dhe pagesave direkte, të cilat nën udhëheqjen e saj janë transferuar në procese online dhe me zero dokumente. Nën drejtimin e znj. Krifca, institucioni ka mundur të administrojë buxhetin më të lartë të vënë në dispozicion të fermerëve, si dhe ka mundur të akreditojë AZHBR për administrimin e fondeve Europiane në dispozicion të fermerëve. Znj. Krifca mundësoi zbatimin e programit IPARD, duke i vënë në dispozicion fermerëve shqiptarë 94 milionë euro për mbështetje në investime në fermë, investime në agropërpunim dhe zhvillim rural. Ajo ka rritur kapacitetet e agjencisë cilësisht dhe ka bërë të mundur të ketë përthithje të plotë të fondeve IPARD, fonde te cilat me pare digjeshin ne masën 50%. Gjithashtu, ka zgjeruar aktivitetin e shërbimeve duke hapur 20 Agropika, dritare shërbimi ndaj fermerëve në të gjithë vendin.

Gjatë periudhës nëntor 2020 – shkurt 2021, znj. Krifca ishte Pedagoge e Ftuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës në Kursin e Zhvillimit Rural, për lëndën Ekonomia Rurale.

Në periudhën tetor 2013 – korrik 2017, znj. Krifca ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Trupave Vullnetare të Shërbimeve Financiare të USAID, ku ka ofruar asistencë teknike për institucione financiare publike dhe ka identifikuar, zhvilluar e menaxhuar projekte të shumta me karakter zhvillues, financiar, fiskal e ligjor në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit. Ka menaxhuar buxhete grantesh e programesh disa milionë dollarësh, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit, financat bashkiake, pagesat nëpërmjet internetit, reformat ligjore e rregullative duke përmirësuar e forcuar institucionet. Znj. Krifca ka vlerësuar progresin e Shqipërisë kundrejt objektivave të vendosura për reformën financiare, ka hartuar propozimet buxhetore për USAID-in e donatorë të sektorit privat dhe ka qenë bashkautore e raporteve të shumta të fizibilitetit dhe vlerësimit.

Në përvojat e tjera të punës, ajo rendit pozicionin e Drejtores së Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun në Tirana Bank, Piraeus Bank Group gjatë periudhës mars 2011 – shtator 2013, Drejtore e Përgjithshme në On Time Concept, Agna Group gjatë shtator 2007  – prill 2011, Kërkuese Tregu me kohë të pjesshme në Performance Research Company, SHBA në nëntor 2005 – maj 2007 dhe oficere programi në Trupat Vullnetare të Shërbimeve Financiare të USAID gjatë periudhës nëntor 2001- gusht 2005 si dhe asistente programi me World Learning, USAID gjatë periudhës gusht 2000 – mars 2001.

Znj.Krifca është diplomuar në Degën Administrim Biznes, pranë Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, ku ka studiuar gjatë viteve 1996 – 2000.

Ajo mban edhe titullin Master në Administrim Biznesi nga Fakulteti i Administrim-Biznesit në Universitetin Akron, Ohio. Ky shkollim, të cilin ajo e kreu në periudhën 2005 – 2007 iu mundësua përmes programit të bursave Fulbright të Departamentit të Shtetit.

Znj. Krifca është ithtare e zhvillimit të vazhdueshëm personal dhe profesional dhe është gjithnjë në kërkim të përmirësimit. Ka marrë pjesë në programe të ndryshme zhvillimi personal e profesional brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka ndjekur programe leadership-i, për rritjen ekonomike nga Universiteti Harvard në Boston.

Ajo është nënë e dy vajzave.