Niko Peleshi

Ministër i Mbrojtjes

Z. Niko Peleshi

Niko Peleshi, prej janarit 2021, mban funksionin e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.

Niko Peleshi ka lindur në Korçë, më 11 nëntor 1970. Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin inxhinier elektronik.

Në vitin 1989 ka përfunduar Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë me medalje të artë.

Z. Peleshi ka pasur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës: në vitet 2001 – 2004 ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Korçë.

Karriera politike e z. Peleshi fillon në tetor të vitit 2004, kur emërohet prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për një vit.

Në vitin 2005, ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007 z.Peleshi u zgjodh kryetar Bashkie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe një herë si kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Prej vitit 2012, ai është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.

Prej shtatorit të vitit 2013 z. Peleshi emërohet zëvendëskryeministër, pozicion të cilin e mban deri në maj 2017.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ai zgjidhet deputet në Qarkun e Korçës, duke kryesuar listën e Partisë Socialiste.

Gjatë periudhës shtator 2017 – janar 2019 z. Peleshi shërbeu si ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Z. Peleshi zotëron shumë mirë gjuhën angleze, si dhe flet rrjedhshëm gjermanisht dhe greqisht.
Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.