Olta Xhaçka

Ministër i Mbrojtjes

A A A

Znj. Olta Xhaçka, prej shtatorit 2017, mban funksionin e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë

Znj. Olta Xhaçka, lindi në qytetin e Tiranës më 25 dhjetor 1979. Ajo është e martuar me z. Artan Gaçi dhe ka një vajzë, Hana. Znj. Xhaçka ka përfunduar studimet e larta me titull nderi në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe studimet pasuniversitare Master në Administrim Publik, pranë Clark University në Masaçusets të SHBA-së.

Përpara angazhimit të saj politik, znj. Xhaçka ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes, si dhe ka punuar lektore e shkencave politike në Universitetin e New York Tirana.

Prej vitit 2009, znj. Xhaçka është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, fillimisht si përfaqësuese e Qarkut të Korçës për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qershor 2017 është zgjedhur përfaqësuese e Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

Si aktiviste e të drejtave të njeriut, kryesisht në fushën e barazisë gjinore dhe si kryetare e Forumit të Grave Socialiste, znj. Xhaçka ka drejtuar prej vitit 2014 Nënkomisionin Parlamentar për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe ka qenë anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Në mars 2017, znj. Xhaçka emërohet ministre në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Znj. Xhaçka është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste, Kryetare e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste, që prej vitit 2010, si dhe drejton Fondacionin Qemal Stafa që prej vitit 2015.