Postuar më: 16. Korrik 2018

Lind Akademia e 100 Fshatrave

Në Sallën e Hartave në Kryeministri u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Programin “100 Fshatrat” ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe institucioneve publike dhe private të Arsimit të Lartë [Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomisë; Universiteti Politeknik i Tiranës; Universiteti Bujqësor i Tiranës; Universiteti Epoka, Fakulteti i Arkitekturës dhe i Inxhinierisë; Universiteti Polis, Fakulteti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Fakulteti i Planifikimit të Mjedisit dhe Menaxhimit Urban; Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale].

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje!

Faleminderit për praninë, në radhë të parë, miqve të universitetit!

Është një hap i rëndësishëm firmosja e një memorandumi bashkëpunimi me universitetet që u përmendën më parë, për të bërë të mundur krijimin e një rrjeti ndërveprimi mes institucioneve shtetërore, ministrive dhe agjencive të përfshira në Programin e Rilindjes Rurale dhe pedagogëve dhe studentëve të këtyre universiteteve, që do të sjellin një fuqi të madhe dhe një vlerë të rëndësishme të shtuar në një proces, i cili ka domosdoshmërinë e të qenit i shpejtë, i thellë dhe i saktë.

Unë besoj shumë që sot, çka ne po shohim si rezultate të drejtpërdrejta të Programit të Rilindjes Urbane, me në rritje të konsiderueshme të aktivitetit të sipërmarrjes dhe të aktivitetit tregtar në të gjitha zonat ku kemi ndërhyrë dhe me një rritje të konsiderueshme të turistëve në ato zona, është një shembull kuptimplotë për atë çka do të shohim së shpejti edhe falë Programit të Rilindjes Rurale. Fokusi tek këto 100 fshatra nuk do të thotë se ne do të merremi vetëm me 100 fshatrat, pasi nevojat për shumë ndërhyrje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës në Shqipërinë rurale janë shumë më tepër sesa nevojat e këtyre 100 fshatrave, por kjo do të thotë që këto 100 fshatra do t’i kthejmë në destinacione të mirëfillta turistike, për t’i dhënë hov një zhvillimi ekonomik dhe social aty ku deri sot, kjo duket e pamundur dhe për të nxjerrë në pah potencialet e mëdha të një qasjeje të ndryshme ndaj të nesërmes, kudo ku mundësitë për të zhvilluar një bujqësi, apo një blegtori intensive janë objektivisht të kufizuara.

Ne besojmë shumë që turizmi dhe në rastin konkret, agroturizmi, si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë bukurive të jashtëzakonshme natyrore, falë vlerave të trashëgimisë kulturore, falë historisë dhe historive për t’u treguar, është një instrument shumë efikas dhe i papërdorur deri më sot për daljen nga varfëria, për kthimin e vëmendjes së emigrantëve ndaj vendlindjes me investime që sjellin të ardhura dhe për krijimin e një efekti zinxhir që, njësoj siç ndodh me akupunkturën, do të çlirojë energji jo thjesht aty ku ne prekim, por në të gjithë hapësirat rreth e rrotull.

Shqiptarët e kanë treguar më shumë se njëherë në historinë e tyre të vjetër dhe të re aftësinë për t’u adaptuar, aftësinë për ta ndjekur fillin e imagjinatës së tyre, duke iu referuar shembujve dhe modeleve të prekshme të suksesit që i kanë parë nëpër botë, apo që i kanë gjetur mes tyre. Ky është pikërisht edhe objektivi, të krijojmë shembuj të prekshëm suksesi, që t’i hapim sytë shumëkujt, lidhur me atë çka e ka përpara syve dhe nuk e shikon për 1001 arsye, që në radhë të parë janë arsye të lidhura me një politikë dritëshkurtër të zhvilluar në dekada ndaj fshatit, por janë arsye të lidhura edhe me një kontekst social jo të lehtë.

Ne patëm një eksperiencë të parë bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për skemat e financimit. Një eksperiencë e parë me plot boshllëqe, sepse ishte e para herë që ndodhte, por me plot arsye për ta zhvilluar më tutje, në vitet në vijim. Më në fund në sektorin e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, ne po bëjmë realitet një ndërveprim të munguar mes qeverisë dhe botës akademike, po krijojmë rrugë dhe mundësi për shumë studentë të sotëm, që të jenë nesër aktorë dhe protagonistë të zhvillimit dhe ta shikojnë jetën e tyre profesionale, jo të lidhur domosdoshmërisht me një vend pune në shtet, por me një aktivitet privat në funksion të zhvillimit. E patjetër po shfrytëzojmë edhe dijen dhe eksperiencën e shumë pedagogëve, që kanë mundësi të pafundme t’i vihen në shërbim praktikës konkrete të jetës, duke bërë lidhjen mes auditorit dhe realitetit, por edhe duke krijuar për veten e tyre mundësi që të përshihen në një rrjet konsulencash, që nesër mund t’u japë një vlerë të shtuar në të ardhurat e tyre.

Besoj se shumë shpejt, ne do të shohim frytet e para të këtij programi, ku kemi përfshirë edhe të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë përmes përfaqësive të tyre këtu në Tiranë, por dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare të zhvillimit, duke iu vënë përpara Programim e 100 fshatrave, duke iu kërkuar që të ndajmë forcat dhe t’i sintetizojmë përpjekjet në të gjitha drejtimet, që nga financimet e ujësjellësve, deri tek financimet për aktivitete të vogla sipërmarrjeje, në mënyrë që çdo qindarkë që hyn në ekonominë shqiptare apo në komunitete, falë bashkëpunimit ndërkombëtar, të jetë pjesë e një plani simfonik dhe jo e copëzuar, e pakoordinuar, e paorientuar, siç ka qenë për dekada me radhë.

Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme Koordinatoren Kombëtare të Programit dhe drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit për sforcon e tyre për t’i mbledhur bashkë këto gjëra. Ministria e Bujqësisë është Ministria lider në këtë proces. Tre ministritë e tjera janë pjesë e këtij procesi. E gjithë qeveria është e fokusuar në këtë proces.

Po ashtu u jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të lartë të universiteteve, këtu të pranishëm, i bindur që sëbashku do të mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe mbi të gjitha, sëbashku do mund të japim një produkt, i cili do të jetë një vlerë e shtuar në ekonomi, një vlerë e shtuar në fuqizimin e kohezionit social në zona ku kohezioni social duket sot i pamundur dhe një vlerë e shtuar në hartën turistike të Shqipërisë. Kemi një hartë turistike të shfrytëzuar në bregdet, të shfrytëzuar në disa qytete me trashëgimi kulturore të fortë, të zhvilluar pjesërisht në pak pika të Shqipërisë malore, ndërkohë që kemi një hapësirë pafundësisht me potenciale të jashtëzakonshme dhe tërësisht të pashfrytëzuar në të gjithë pjesën tjetër.

Kam bindjen se sa më shumë të zgjerojmë hapësirën e shfrytëzuar të Shqipërisë turistike, aq më shumë do të kemi familje dhe komunitete që do të kuptojnë se në këtë vend nuk është pasuria, por është dija pengesa jonë kryesore. Nuk na mungon pasuria, na mungojnë rrugët e dijes. Kjo Akademi është një rrugë e re e dijes që iu vihet në dispozicion njerëzve e familjeve të zakonshme dhe do të ndihmojë shumëkënd të mësojë jo vetëm sesi të bëjë më mirë, më shpejt dhe më me sukses aplikimet për të marrë financime për prodhimin bujqësor e blegtoral, jo vetëm sesi të aplikojë për të transformuar shtëpinë në një bujtinë apo për të ndërtuar një agroturizëm, por mbi të gjitha sesi të shikojë të ardhmen aty ku është toka e prindërve.

Jam i bindur që ky program do të jetë programi i një kthese të rëndësishme në marrëdhëniet mes emigrantëve shqiptarë që kanë ikur nga fshati dhe që sot punojnë në Greqi, në Itali apo gjetke dhe fshatit të tyre, jo si nostalgji, jo si detyrim për të çuar disa lekë çdo muaj për të ndihmuar prindërit apo të afërmit, por si një instrument fitimprurës, si një instrument ku secili që do të investojë, do të fitojë në një vit dhe çdo vit, më shumë saç fiton me punën e tij në emigracion, cilado qoftë ajo.

Shumë faleminderit!