“OSBE është e mirëpozicionuar për të mbështetur lehtësimin e dialogut”

Fjala e Kryetarit të radhës së OSBE-së, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në mbledhjen e posaçme të Këshillit të Përhershëm të OSBE- së për situatën në Bjellorusi:

 

Shkëlqesi, zonja e zotërinj!

Një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë ju, ata që gjenden këtu në sallë dhe ata që janë me ne përmes internetit në këto kohëra të çuditshme e të vështira!

Sikur të mos kishte mjaftueshëm probleme në botë, ashtu siç është, pandemia na ka detyruar të gjithëve, gjithë popujve dhe gjithë vendeve që të bëjmë ndryshime, por jam kaq i kënaqur që ky takim po zhvillohet e gjithmonë jam i lumtur të gjendem në Vjenë e më lini ta them që këtë herë, në një Vjenë mesa duket pa maska.

E kam thirrur këtë takim për të trajtuar një tjetër çështje madhore, që janë ngjarjet në Bjellorusi. Bjellorusia është vetëm një vend, është një prej 56 vendeve tona pjesëmarrëse e të mos harrojmë asnjëherë një prej objektivave drejtuese, një prej premtimeve themelore për të cilat OSBE-ja ekziston të përmbushë, që është siguria dhe bashkëpunimi për secilin prej nesh e mes nesh, pra, të gjithëve ne, nga Vladivostoku në Vankuver, nga skajet kufitare lindore e perëndimore të kësaj Organizate të madhe, të krijuar për t’u kujdesur për 1 miliardë njerëz, duhet të kujdeset e duhet të bëjë atë çka mundet për të ndihmuar.

OSBE-ja duhet të bëjë atë çka mundet për të ndihmuar Bjellorusinë dhe popullin bjellorus në këtë udhëkryq mjaft të rrezikshëm në historinë e tyre. Është e vështirë kur ndasitë janë qartësisht kaq të thella, dhuna kaq gati të shpërthejë që të kuptohet kjo e vërtetë kaq e thjeshtë, por që vendi të ecë përpara në mënyrën më të sigurt e të mbrojtur të mundshme do të duhet mirëkuptim i ndërsjellë dhe bashkëpunim brenda Bjellorusisë. E pra, roli ynë duhet të jetë që të ndihmojmë që kjo të ndodhë.

Që në fillim dua të bëj tre gjëra të qarta;

Së pari, sado të forta të jenë opinionet që kemi, nëse duam të luajmë këtë rol konstruktiv, nuk na takon të ndërhyjmë në çështjet e brendshme midis autoriteteve të larta të Bjellorusisë dhe shoqërisë bjelloruse që doli në rrugë.

Së dyti, sado të forta të jenë ndjenjat që ne si individë apo shtete individuale mund të kemi ndërkohë që shohim të tilla skena, nëse duam të luajmë këtë rol konstruktiv, nuk na takon ne të marrim anë.

Së treti, ne nuk po kërkojmë e as nuk duhet të kërkojmë rolin e vjetërsuar të ndërmjetësimit midis dy palëve. Ne thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë si një prej nesh në këtë moment mjaft kritik. Siguri për secilin prej nesh dhe bashkëpunim me secilin prej nesh.

Shqetësimet lidhur me zgjedhjet presidenciale dhe arsyet për këto janë të qarta. Zgjedhjet nuk mundën të vëzhgoheshin nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe kjo në vetvete ishte shqetësuese dhe ato analiza që janë kryer për votimin kanë theksuar arsyet për këtë shqetësim. Më pas vijoi përgjigja e qeverisë për protestat që pasuan. Një përdorim shpërpjesëtimor i forcës,, ndalim në masë, kufizim i lirisë së medias dhe i qasjes në informacion dhe komunikime. Monitorimi nga zyra e përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e medies tregon që mbi qindra gazetarë janë arrestuar, janë dëbuar, apo i janë nënshtruar dhunës dhe kjo është thellësisht alarmuese. Edhe më alarmuese e trishtuese ka qenë humbja e jetëve, plagosje të rënda dhe raportet e përhapura për persona të zhdukur. Tabloja është e shëmtuar, për të thënë më të paktën. Është një makth potencial për Bjellorusinë dhe popullin bjellorus, për të gjithë ata. E dua ta them qartësisht, pa asnjë dallim.

Më lini të citoj një dokument të OSBE-së për të cilin është rënë dakord në mënyrë konsensuale këtu shumë më parë. “Angazhimet ndaj të drejtave të njeriut janë çështje e interesit të drejtpërdrejtë dhe legjitim të të gjitha shteteve anëtare dhe nuk u përkasin ekskluzivisht punëve të brendshme të shteteve të përfshira”. E qartë, të gjithë ne kemi një interes legjitim këtu, të drejtën për t’u dëgjuar. Ne nuk mundemi, nuk duhet të rrimë mënjanë.

Bjellorusia është këtu, është me ne, si një mike, por miqtë duhet t’i kujtojnë njëri-tjetrit të vërtetat e rëndësishme dhe autoritetet në Minsk duhet ta dëgjojnë këtë. OSBE-ja është themeluar mbi parime që përfshijnë respektimin e plotë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Fuqia jonë mbështetet tek OSBE-ja si organizatë e të gjitha shtetet e saj, të mbështetura vendosmërisht në respektimin e këtyre parimeve. Të gjithë jemi të angazhuar karshi tyre, gjithmonë duhet të jemi të angazhuar karshi tyre e nuk mund të ketë tërheqje prej tyre. Nuk mund të ketë asnjë “nëse” apo “por” lidhur me këtë. Këto janë parime e duhen respektuar.

Bjellorusia nuk është vendi i parë që arrin në këtë lloj momenti dhe për fat të keq nuk ka të ngjarë të jetë i fundit. Kjo është arsyeja pse nisma që po propozoj sot, oferta që OSBE-ja të bëhet lehtësuese e dialogut të nevojshëm për të ndihmuar Bjellorusinë për të dalë nga ky makth shkon përtej Bjellorusisë sot për sot, pra, që ne të zhvillojmë brenda Organizatës sonë këtë lloj mjeti në funksion të lehtësimit përgjithësisht në mënyrë që të jemi të gatshëm të luajmë një rol pozitiv kur gjërat ecin keq. OSBE-ja është e mirëpozicionuar për të mbështetur lehtësimin e dialogut, për të ofruar hapësirën për reflektim dhe për uljen e tensioneve, për të ofruar një proces për këshillim të palës së tretë, të qetë dhe pa tensione.

Kemi mes nesh kaq shumë përvojë e kaq shumë ekspertizë, kaq shumë energji demokratike e kaq shumë angazhim demokratik të shteteve tona anëtare. Le ta përdorim këtë për të mirë. Duhet të ketë dialog midis qeverisë dhe forcave të radhitura kundër saj e ne mund të luajmë një rol për ta ndihmuar këtë dialog. Sa më shpejtë të nisë, aq më mirë do të jetë për të gjithë në Bjellorusi e në këtë organizatë gjithashtu, për të parandaluar si përshkallëzimin e mëtejshëm, dhunën e mëtejshme dhe për shkak se ne e dimë që sado keq të jenë gjërat sot, duhet të ketë pajtim. Do të vijë një moment që duhet të shohim përpara e jo pas. Ne mund të ndihmojmë për këtë, por nuk mund ta zgjidhim këtë, duhet zgjidhur në Minsk dhe midis popullit të Bjellorusisë, në respektim të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtave të tyre të njeriut.

Në këtë moment, shenjat nuk janë të mira aspak, nuk ka dëgjesë, nuk ka shkëmbim, nuk ka aspak dialog. Nuk ka një mirëkuptim se si të ndihmohet vendi që të tejkalojë këtë udhëkryq të rrezikshëm dhe të gjendet një rrugë e përbashkët për këtë.

Në cilësinë time si kryetar i radhës i OSBE-së, sëbashku me kryetaren e ardhshme të OSBE-së, miken e dashur dhe kolegen e shquar, ministren e Jashtme suedeze mbetem i gatshëm për të ndihmuar që ta krijoj këtë mundësi e do doja që të jem në gjendje të ndihmoj shpejt, pasi koha vrapon më shpejt kur ngjarjet duket se janë jashtë kontrolli, për të ndihmuar që të shkrihet akulli që po shtohet midis palëve dita-ditës, për të ndihmuar që të nisë një proces dëgjimi midis të dyja palëve për të ndihmuar në ndërtimin e një mirëkuptimi të ndërsjellë hap pas hapi, për të mbështetur popullin e Bjellorusisë që të zgjedhë vetë për vendin e vetë se si do të ecë përpara, për t’i ndihmuar ata menjëherë, tani, në çdo moment që ata do duan ta shfrytëzojnë këtë ofertë tonën dhe me respektim të plotë.

Shpresojmë vërtetë që do të ketë një përgjigje pozitive ndaj kësaj oferte nga qeveria e Bjellorusisë që pas zgjedhjeve shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në dialog konstruktiv me homologët e huaj. Kjo është ajo çka duam të ndihmojmë që të ndodhë me Bjellorusinë, një dialog konstruktiv që mund të ndihmojë në zgjidhje të krizës e të formësojë rrugën përpara.

Ne nuk jemi të motivuar përpos nga dëshira për të ndihmuar. Është shumë larg së qeni imponim, kjo nuk është imponim i OSBE-së mbi Bjellorusinë, është krejt e kundërta. Është OSBE-ja që ofron vullnetarisht veten, ndikimin e saj, vullnetin e saj të mirë për Bjellorusinë që ta përdorë këtë. Bjellorusinë si një anëtar aktiv, sovran dhe i barabartë i komunitetit tonë.

Kjo ofertë vjen nga një organizatë, e cila krenohet se është gjithëpërfshirëse, që krijon një urë midis lindjes dhe perëndimit, që ka një mandat të konsoliduar që lidhet me demokracinë, të drejtat e njeriut dhe parandalimin e konfliktit dhe që për një kohë të gjatë ka qenë a angazhuar ndaj një vizioni të një komuniteti sigurie gjithëpërfshirës, bashkëpunues e të pandarë. Besoj fort se këto sëbashku e bëjnë OSBE-në të jetë në një pozitë unike për të ndihmuar Bjellorusinë në këtë moment të vështirë e të rrezikshëm.

E di që disa kanë ngritur çështjen e marrëveshjes së shkurtit 2014-të të Ukrainës dhe asaj çka erdhi më pas. E vërtetë, ajo çka erdhi më pas nuk ishte ajo për të cilën u ra dakord mes gjithë pjesëmarrësve dhe tensionet dhe gjakrat u ndezën, por le të jemi të kujdesshëm për të mos rinisur lojën e fajit nga ajo kohë, për të mos qenë kaq pesimistë, që për shkak të zhgënjimit që vijoji prej përpjekjeve të atëhershme, ne të rrimë mënjanë e të mos përpiqemi tani. Le të mësojmë të nxjerrim mësime nga dështimi e jo të mendojmë që gjithmonë do të hasemi me dështim.

Zonja e zotërinj,

jam mjaft i ndërgjegjshëm për detyrën, për të qenë përfshirës i balancuar dhe transparent si kryetar i radhës i OSBE-së. Më lini që ta shfrytëzoj këtë mundësi për të ngritur disa pika shtesë, nëse roli për OSBE dhe vizita në Minsk do të pranohen.

Së pari, Kryesia Shqiptare do t’i qaset kësaj përpjekjeje pa asnjë agjendë të paracaktuar politike. E përsëris, është apo u takon bjellorusëve të bien dakord për mënyrën si do të ecë përpara Bjellorusia.

Së dyti, kryesia do të punojë pa rreshtuar dhe me durim për të krijuar kushte të favorshme për një proces ndihmës. Ne do të sigurohemi që të mbetet kështu gjatë gjithë kohës, duke shoqëruar miqtë tanë bjellorusë në përpjekjen e tyre, pa u përpjekur të imponojmë asgjë mbi ta.

Së fundi e në mënyrë thelbësore, Kryesia beson se çdo marrëveshje e arritur dhe garanci e ofruar duhet respektuar nga të gjitha palët dhe gjithë komuniteti, pra, nëse biem dakord për diçka, duhet t’i përmbahemi asaj. Në të kundërt, progresi i fituar me mund të zhbëhet e do duhet të luftojmë që të rikuperojmë.

Duke pasur parasysh atë që thashë më parë për parimet tona, diçka duhet të jetë absolutisht e qartë e të gjithë duhet të biem dakord për këtë, se duhet të ketë një përmirësim të menjëhershëm dhe domethënës në situatën kombëtare të të drejtave të njeriut. Tani, jo në të ardhmen, por tani dhe pa “nëse” dhe pa “por”. Është e pakonceptueshme të mendohet se mund të ketë një proces të besueshëm dialogu, nëse njëra prej palëve është e prirur të zhbëjë vetë thelbin e shoqërisë pluraliste.

Kur çela Kryesinë Shqiptare në janar, rendita ndërtimin e stabilitetit përmes dialogut dhe zbatimin e angazhimeve tona sëbashku si dy prej objektivave tona kyçe për 2020-n. Duket se këto dy objektiva kanë një rëndësi të posatshme tani, e sidomos temën për të cilën po flasim. Lehtësimi i një dialogu të mirëfilltë e përfshirës nuk do të jetë proces i lehtë, megjithatë është e vetmja mënyrë përpara në çdo demokraci të qëndrueshme. Organizata jonë mund ta bëjë të mundur këtë perspektivë pozitive. Jam i gatshëm që ta bëj të funksionojë, të angazhohem, të dëgjoj, të kuptoj e të mbështes në çdo mënyrë të mundshme që jam në gjendje të bëj. Unë jam i gatshëm që ta bëj të funksionojë dhe të gjithë ne jemi të gatshëm ta bëjmë të funksionojë në çdo mënyrë që mundemi.

Kështu u bëj thirrje autoriteteve bjelloruse, ju lutem, jepini një mundësi kësaj oferte. Përfitoni nga ky moment mundësie që Bjellorusia t’i largohet përballjes e të përpiqet për dialog dhe pajtim. I bëj thirrje të gjithë anëtarëve të OSBE-së, le të përpiqemi ta bëjmë të funksionojë edhe pse e dimë sa e vështirë do të jetë. Ua detyrojmë burrave, grave e fëmijëve të Bjellorusisë, që zërat e tyre të dëgjohen në mënyrë që përmes dialogut e jo nëpërmjet dhunës, ata të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Faleminderit shumë!

 

*Përkthim simultan