Postuar më: 30. Shtator 2018

Rilindja e Pazarit të Gjirokastrës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë inauguruese të përmbylljes fazës së parë të restaurimit të Pazarit të Gjirokastrës:

Faleminderit të gjithë atyre që kanë ardhur këtu, bashkë me ne dhe qëndrojnë në këmbë pas të ftuarve të nderit, ose, le të themi, miqve të vendit të nderit, që janë anëtarët e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan, të cilët gjej rastin t’i falënderoj edhe njëherë, këtu, sot, pas një tjetër pune të mbarë që është kryer me sukses.

Kur sheh rezultatet e kësaj pune, nuk mund të mos mendosh për një moment se në vitin 2013, kur ne morëm detyrën, Gjirokastra ishte në listën e pasurive botërore në rrezik dhe Shqipëria rrezikonte të merrte nga UNESCO një vulë turpi për mungesë të plotë vëmendjeje dhe përgjegjësie ndaj një trashëgimie kulturore si kjo, por jo vetëm si kjo këtu, por edhe si Berati, që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Natyrisht që, duke thënë këto, nuk jam aspak duke u përpjekur të them se çka kemi bërë mjafton, por nuk ka diskutim se, qysh nga 2013-ta deri sot kanë kaluar vetëm 5 vjet, por në fakt duket sikur ka kaluar një epokë e tërë, pasi Gjirokastra është nxjerrë nga lista e rrezikut eminent të UNESCO-s. Gjirokastra është kthyer në qendër të vëmendjes së qeverisë përsa i përket trashëgimisë kulturore. Gjirokastra ka parë investime të kryera në 5 vjet që janë më shumë sesa në 20 e kusur vite pararendëse, të marra të gjitha sëbashku dhe jo vetëm sot s’është më një pasuri në rrezik përsa i përket UNESCO-s, por ka hyrë në një fazë të re. Ky projekt i realizuar në bashkëpunim me Fondin është një kartëvizitë e kësaj faze të re.

Sot, në Gjirokastër, turizmi nuk është më një dëshirë, por është një shpresë reale e materializuar në rritjen shumë të konsiderueshme të numrit të turistëve dhe në zgjerimin e mundësive të banorëve për të jetuar me turizmin. Mjafton të kemi parasysh një shifër; Në vitin 2013 numëroheshin 6900 vizitorë në Gjirokastër, zyrtarisht. Sot, vetëm në Kalanë e Gjirokastrës numërohen nga janari deri tani në shtator, 85 mijë vizitorë.

Është një ndryshim i shumëfishtë, ashtu sikundër në 2013-ën ishin vetëm 4 vende ku mund të shkoje dhe të kaloje natën në Gjirokastër, sot, nëse i referohemi www.booking.com, janë shumë e shumë e shumë më tepër se kaq. E shumë më tepër do të jenë vit pas viti dhe pastaj muaj pas muaji, sepse ne do vazhdojmë investimet, nga njëra anë, por, edhe njerëzit këtu dhe sidomos ata që janë në emigracion kanë filluar ta shohin konkretisht se po hapet një rrugë mundësish për gjithsecilin, për të rijetësuar shtëpinë e tyre, duke e transformuar në një bujtinë, ashtu sikundër edhe për të kthyer sytë në të gjithë hapësirën rreth e rrotull qytetit, në hapësirën rurale të Gjirokastrës ku ka një trashëgimi kulturore po ashtu fantastike, një natyrë të jashtëzakonshme, tradita dhe histori të lakmueshme dhe ku me kthimin e syve nga agroturizmi realisht mund të kalohet nga një situatë mbijetese në një situatë jetese me standarde normale.

Restaurimi i Pazarit, që është dhe pjesa më domethënëse dhe më piktoreske e Gjirokastrës, është edhe fundi, mendoj unë, i një historie shqetësuese përsa i përket të ardhmes së trashëgimisë kulturore, siç është edhe thjesht faza e parë që do të pasohet nga ndërhyrja në të gjithë infrastrukturën e rrugicave, nga transformimi i zonës së hyrjes, që sot vazhdon të mbetet një parkim autobusësh dhe makinash në asfalt, duke i shtyrë më poshtë automjetet dhe duke krijuar një parkim nëntokësor nën Sheshin e Çerçizit, nga ndërtimi i rrugës alternative për t’i dhënë fund kalimit të automjeteve në të gjithë këtë zonë historike, sepse kjo tani është sfida kryesore. Është anormale që, ndërkohë që ne duam që e gjithë kjo zonë të popullohet me turistë në një sezon që duhet synuar të zgjatet vit pas viti, turistët të jenë vazhdimisht të shqetësuar nga automjetet që kalojnë nëpër zonë, përveçse edhe dëmin që ato bëjnë mbi investimin që ne do të kryejmë.

Besoj që së shpejti do të jemi në gjendje ta nisim investimin për rrugën alternative, ashtu sikundër, besoj se shumë shpejt do të mund të shohim rezultate konkrete të ndërhyrjeve edhe jashtë kufirit të vogël të qytetit. Jam i bindur që harmonizimi midis trashëgimisë kulturore këtu në qytet dhe mundësive për të dalë nga qyteti, për 1001 arsye që jep zona, mund të na japin një instrument plus në përpjekjen për zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë këtë hapësirë.

Nuk po zgjatem më tutje me të gjitha projektet që janë në vazhdim, apo që do të nisin përsa i përket pikave të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të cilat do të zgjerojnë hartën e lëvizjes së vizitorëve dhe kështu do të zgjerojnë edhe harkun e kohës së qëndrimit të vizitorëve në Gjirokastër, por dua vetëm të nënvizoj se ne do vazhdojmë të punojmë me një vëmendje shumë të madhe për të gjithë këtë hapësirë. Do kërkojmë të kombinojmë Gjirokastrën me Libohovën, me Dropullin, me Përmetin, me Tepelenën, me Memaliajin, por duke u mbështetur tek boshti Gjirokastër-Tepelenë që ka një potencial shumë të madh, gjithmonë për të zgjeruar dhe harkun e kohës së qëndrimit në këtë territor dhe për të marrë më shumë nga kurioziteti dhe nga gatishmëria e turistëve për të shpenzuar gjatë qëndrimit në këtë territor.

Falënderoj, – jo për fomalizëm, apo për diplomaci, se nuk jam diplomat i talentuar, e dinë të gjithë, s’do isha bërë kurrë një ambasador i mirë, – Majkëllin, Presidentin e Bordit, me të cilin kemi ardhur këtu në vitin 2014 dhe përpara se të fillonte ky aktivitet po kujtonim atë kohë, kur erdhëm për ta parë vendngjarjen ku do të zhvillohej projekti dhe me të cilin kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të frytshëm në funksion të zhvillimit të vendit dhe në funksion të mbështetjes së komuniteteve të ndryshme. Janë një sërë projektesh që kemi mundur të finalizojmë sëbashku, duke bashkuar forcat, duke bashkuar opinionet dhe duke bashkuar dhe financimet. Jam i bindur që të gjitha këto projekte të realizuara janë një arsye më shumë që të fuqizojmë këtë bashkëpunim dhe si gjithmonë në këto raste, – Majkëlli sapo e vuri buzën në gaz se e di se çfarë do them tani në fund, – nuk është e mundur që unë ta evitoj kërkesën që Fondi të japë dhe më shumë fonde, se saç ka dhënë deri sot.

Shumë faleminderit të gjithëve, edhe njëherë!

Faleminderit për të gjithë ju që jeni këtu rastësisht, apo keni ardhur dhe qëndruat në këmbë gjatë të gjithë kësaj ceremonie!

Shumë faleminderit!