Postuar më : 14 Korrik 2014

Raport Publik - Qeveria në 300 ditë

 

Fjala e Kryeministrit Rama në raportimin publik për 300 ditët e qeverisjes:

Zoti Kryetar i Kuvendit,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar qytetare dhe qytetarë, që na ndiqni përmes ekraneve në këtë raportim publik,

Siç e tha edhe Zëvendëskryeministri, qëllimi i këtij raportimi nuk është një paradë suksesesh. Fryma e këtij aktiviteti, që është i dyti në radhë pas atij të 100 ditëve, nuk është ai i imponimit të publikut pas shifrash, faktesh, rezultatesh sado të dukshme, por është në radhën më të parë vetëdija jonë se gjithçka që është arritur në këto 300 ditë dhe gjithçka që ne kemi arritur dhe do të arrijmë së bashku nuk është merita jonë, por është në radhë të parë merita e të gjithë atyre që në 23 qershor me votën e tyre investuan tek ky projekt fitues.

Prandaj, nga njëra anë ne iu detyrohemi të gjithë atyre, por pa dyshim çdo qytetari shqiptar, llogaridhënie, transparencë, dialog dhe përgjegjshmëri, por nga ana tjetër sot iu detyrohemi shprehjen më të lartë të respektit dhe të falenderimit tonë. Pa të gjithë ju, asgjë nga këto që kemi arritur nuk do të kishte qenë e mundur.

Nuk dua të marr me radhë të gjitha arsyet pse ne sot jemi krenarë për punën që kemi bërë në këto 300 ditë dhe as të përsëris ato që thanë me radhë në mënyrë të sintetizuar ministrat dhe ministret.

Dua ta nis nga një fakt për të cilin ne bashkërisht si “Aleancë për Shqipërinë Europiane” kemi të drejtën e plotë që të jemi krenarë. Në këto 300 ditë ne kemi arritur diçka fare të thjeshtë, por që deri para 300 ditësh dukej fare e pamundur;

Kemi arritur që asnjë sipërmarrës të mos ndjehet në vështirësi me qeverinë dhe administratën për shkak të simpative të tij politike apo për shkak të përkatësive të tij të çfarëdolloj qofshin.

Kemi arritur që asnjë  media të mos ndihet  në vështirësi me pushtetin ekzekutiv për shkak të linjës editoriale apo për shkak të shumë keqinformimeve, disinformimeve të manipulimeve të qëllimshme apo të paqëllimshme të opinionit publik.

Kemi arritur që asnjë mësuese apo mësues, asnjë nëpunës apo nëpunëse në administratë të mos ndihet në vështirësi për shkak se çfarë mendon dhe kë takon në kohën e vet të lirë.

Kemi arritur që shoqëria civile të rifillojë të marrë frymë, të rifillojë të kërkojë shtigjet për të komunikuar opinionet e veta. Kemi arritur, madje përmes një momenti të paharrueshëm për të gjithë, që t’i japim shoqërisë mesazhin e qartë që ajo jo vetëm dëgjohet, por kur ka të drejtën me vete, ajo fiton.

E për të gjitha këto, besoj se ne jemi sot në drejtën tonë të themi që kemi justifikuar arsyen e parë pse shqiptarët na votuan Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe “Aleancën për Shqipërinë Europiane” në 23 qershor;  për të qenë njerëz të lirë në vendin e tyre dhe për ta bërë atdheun e tyre vendin ku askush nuk ndihet i tepërt për shkak të bindjeve të veta, për shkak të krahinës nga vjen, për shkak të fesë të cilës i përket, për shkak të gjinisë që ka, për shkak të mundësive dhe të pamundësive të veta fizike.

Ky është një fakt që bën që Shqipëria sot të jetë shumë më europiane se ç’ishte përpara 300 ditësh.

Kemi arritur të transformojmë, dhe mjafton këtë përsëri ta hedhim vështrimin pas 300 ditë më parë, marrëdhëniet e qeverisë me opozitën në komunikimin publik.

Kemi arritur t’u japim shqiptarëve një qeveri që flet për problemet e tyre, që zgjidh problemet e tyre dhe që nuk i bombardon me propagandë kundër opozitës.

Kemi arritur t’u japim shqiptarëve një qeveri që nuk i rraskapit duke sharë, duke fyer dhe duke u përpjekur të diskriminojë opozitën dhe opozitarizmin në Shqipëri.

Kemi arritur, - dhe këtu një meritë e veçantë i takon Kryetarit të Kuvendit për rrugën  e vështirë që zgjodhi qysh në krye të herës, - që t’i japë opozitës në sallën e Kuvendit, atë hapësirë dhe atë kohë që opozita nuk e ka pasur për 20 e kusur vite me radhë. Madje unë kam përshtypjen se po të mbledhim minutazhin e konsumuar opozita e sotme në këto 300 ditë, është i barabartë me minutazhin e konsumuar nga opozita në tre apo më shumë vite në të shkuarën.

Kemi arritur të ndërtojmë një marrëdhënie të re etike me institucionet e pavarura.

Ne nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, por ne në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk iu kemi dhënë shqiptarëve më shembullin e vjetër të degraduar dhe njëkohësisht degradues për shoqërinë dhe për shtetin tonë të një marrëdhënieje joetike sharjesh, akuzash dhe përpjekjesh për të diskriminuar institucionin e Presidentit të Republikës.

Ne nuk jemi të lumtur me Prokurorin e Përgjithshëm, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk kemi vazhduar në rrugën e vjetër të diskreditimit të një institucioni, tek i cili ne sigurisht shohim me shumë shpresë për të gjetur partnerin e duhur kushtetues në një betejë që mbetet për t’u zhvilluar për t’i sjellë këtij vendin drejtësinë, që kërkon dhe aspiron.

Ne padyshim nuk jemi të lumtur, madje në këtë rast palumturinë tonë e kemi shprehur publikisht jo vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, por edhe përmes të tjerëve për mënyrën se si funksion Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por as kemi rënë dhe as do të biem në batakun ku KLD na ka ftuar më shumë se njëherë me reagime, që nuk ka kanë asgjë të përbashkët me reagimet e një institucioni të pavarur kushtetues.

Për të gjitha këto, përsëri nuk është merita jonë, por është imponimi i votës së 23 qershorit. Është imponimi i një mandati që na është dhënë me një arsye të qartë; Të ecim më shpejt për të Rilindur Shqipërinë dhe jo të marrim zvarrë Shqipërinë, duke parë mbrapa dhe duke bërë çdo ditë një ditë të mundimshme, ashtu siç u bënë ditët e shqiptarëve në raport me këdo dhe me të gjithë ata që sot mendojnë ndryshe nga ne.

Sot, Shqipëria është një vend ku është e lehtë të mendosh ndryshe, është e lehtë të shprehësh mendimin tënd ndryshe dhe është e lehtë  të mos jesh dakord me qeverinë. Nuk të gjen asgjë, përkundrazi dëgjohesh me respekt. E kjo besoj, është një arritje që duhet ta kishim konsoliduar shumë vite më parë, por na takon të jemi krenarë që treguam se është një realitet i 300 ditëve të para të kësaj qeverie të krijuar edhe për të rilindur besimin e shqiptarëve tek demokracia, tek liria dhe tek disa vlera dhe parime që për vite të tëra u nëpërkëmbën dhe u vunë nën kërcënimin e asgjesimit.

Së dyti, ne kemi arritur që të bëjmë realitet një aspiratë, një qëllim dhe një objektiv për ta bërë Shqipërinë një vend kandidat për BE.

Padyshim që, kjo arritje nuk është një ekskluzivitet i këtyre 300 ditëve dhe asnjë ekskluzivitet i Aleancës së PS me LSI, por pa dyshim pa këtë aleancë, pa këto 300 ditë dhe pa votën e 23 qershorit, dhe pa në radhë të parë ministrin tonë të Jashtëm dhe ministren tonë të Integrimit në detyrë për 300 ditë rresht, statusin e kandidatit Shqipëria nuk do ta kishte marrë.

Po ashtu statusin e kandidatit, Shqipëria nuk do ta kishte marrë pa betejën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, pa rikthimin e Policisë së Shteti në krye të detyrës, pa gjithë ato operacione të vështira dhe të suksesshme dhe pa gjithë ato mundime dhe sakrifica që u deshën në 300 ditë për ta transformuar këtë vend, nga një vend që tregohej me gisht për vendin që kishte në organizmin e vet një republikë turpi, droge dhe pandëshkueshmërie, në një vend, që tanimë Lazaratin e ka një fshat si gjithë të tjerët dhe përfundimisht ka hequr nga vetja njollën e një vendi ku lulëzon droga, ku lulëzon pandëshkueshmëria.

Nuk ka dyshim se ne nuk do ia kishim dalë pa këto 300 ditë për të marrë statusin e vendit kandidat edhe pa ndërveprimin si asnjëherë më parë mes Qeverisë dhe Kuvendit. E këtu nuk kam parasysh vetëm rolin e posaçëm që mori përsipër dhe luajti Kryetari i Kuvendit si një pjesë integrale e skuadrës sonë për të trokitur në dyert e kancelarive europiane dhe për të avokuar të drejtën e Shqipërisë për të gëzuar statusin e vendit kandidat, por kam parasysh se pavarësisht se kemi një shumicë të lindur nga një plebishit popullor prej më shumë se 84 votash, asnjëherë më parë nuk kemi pasur një Qeveri që të jetë kaq e pranishme në llogaridhënien përpara Kuvendit. Asnjëherë më parë, komisionet kuvendore nuk kanë funksionuar kështu siç funksionojnë prej 300 ditësh dhe asnjëherë më parë, zëri i grupeve të interesit nuk është dëgjuar në këto komisione dhe përmes këtyre komisioneve, si në këto 300 ditë. Edhe ky është një zotim që bën pjesë në atë që thashë më parë, që bën pjesë në imponimin e publikut shqiptar, përmes votës së 23 qershorit, për ta kthyer Shqipërinë nga një vend që rrezikohej të kthehej në sulltanatin e një familjeje të vetme, në një vend ku çdo shqiptar ndjehet pjesë e barabartë e të njëjtës familje, që është familja e madhe e shqiptarëve.

Ne i dhamë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por e bëmë këtë, me një dinjitet të panjohur më parë në politikën tonë të jashtme dhe në marrëdhëniet tona ndërkombëtare. E bëmë këtë duke mos e lidhur statusin me qëllimet tona si Qeveri, pra, si pjesë, ose me përmbajtjen e punës sonë si Qeveri, por duke argumentuar me seriozitet dhe me dinjitet atë që Shqipëria, për vite të tëra, për fat të keq, nuk arriti dot të argumentojë; disa të drejta dhe disa arsye të forta pse Europa duhet t’i shohë shqiptarët jo si një problem, por si një aset shumë të çmuar, pse Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për Europën, po aq sa Europa ka nevojë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe pse Shqipëria dhe shqiptarët janë për Ballkanin, po aq të rëndësishëm sa ç’janë edhe për Europën dhe pse Ballkani për Europën është po aq i rëndësishëm, sa ç’është Europa për Ballkanin.

Të gjitha këto kanë qenë pjesë e një dialogu intensiv, e një dialogu që s’ka qenë gjithmonë i lehtë, e një dialogu, ju e dini shumë mirë dhe të gjithë e dinë shumë mirë, ku ne kemi zgjedhur në momente të caktuara të flasim edhe për gjëra që deri dje konsideroheshin tabu, për shkak se nuk kishte kurajo për t’i dhënë dinjitetin e duhur vendit. Kemi gjetur jo vetëm kurajën, por edhe argumentet e duhura për të folur edhe kundër atyre europianëve antieuropianë që luajtën një rol jo të vogël në vendimin negativ të dhjetorit. Shumëkush që na akuzoi se medemek po ktheheshim në  kohët e vjetra, kur Shqipëria donte t’i jepte  leksione të tjerëve, tani e ka përpara frytin e një pune që sapo ka nisur, statusin e një vendi kandidat, të marrë me një dinjitet, të marrë jo si një lëmoshë, por, nga njëra anë, si një meritë dhe nga ana tjetër, si një përgjegjësi shumë të madhe që ne e ndjejmë, për të çuar përpara projektin e Shqipërisë Europiane.

Nga ana tjetër, ne kemi bërë një hap që është vonuar për vite të tëra, duke kthyer partneritetin me Kosovën nga një partneritetit patriotiko-elektoral në një partneritet strategjik, nga një partneritet folklorik në një partneritet të strukturuar përmes disa aksesh, në të cilat, tanimë, qeveritë e dy vendeve bashkëpunojnë dhe po afrojnë të dyja vendet sëbashku. Sot ne jemi krenarë sepse në 300 ditë, ne kemi arritur të kalojmë nga politika e abetares që ishte si ngjarje e vetme e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në arsim, vajtjen në shtator, të Ministrit të Arsimit, për të çuar abetaren e radhës dhe në konferencën e shtypit të përbashkët, për të thënë që kemi gjithë një abetare, tek realizimi i marrëveshjes për sistemin e njehsuar arsimor Shqipëri-Kosovë, që do të na japë mundësi që duke filluar nga viti i ardhshëm, fëmijët shqiptarë, në Shqipëri dhe në Kosovë, t’i fusim në njëjtin sistem arsimor. T’i përgatisim si shqiptarët e gjeneratës tjetër të shqiptarëve të bashkuar, nën qiellin e Europës së Bashkuar.

Në 300 ditë hapëm autostradën energjetike me Kosovën, e cila u mbajt e bllokuar vetëm për arsye të një tenderi, për vite të tëra.

Në 300 ditë kemi vënë në vijë edhe një sërë projektesh të tjera, që do të bëjnë që brenda katër viteve të mandatit tonë si “Aleancë për Shqipërinë Europiane”, ne të realizojmë një bilanc përafrimi mes shqiptarëve, përmes aksit strategjik Shqipëri-Kosovë, të atillë që me siguri do të anojë shumë më tepër nga këto katër vjet, sesa në të gjithë vitet e tjera, të shkuara, të marra sëbashku.

 

Duke u kthyer tek rajoni, ne besojmë se është koha që shqiptarët të marrin një rol të ri. Është koha që roli i shqiptarëve të njihet si i tillë, duke, nga njëra anë, ne vetë qenë në lartësinë e atij neni Kushtetues të Republikës së Shqipërisë, që i imponon Qeverisë Shqiptare, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari kudo ku ai jeton dhe nga ana tjetër, duke bërë që ajo çka shqiptarët kanë bërë gjithë këto vite si faktori kryesor i paqes dhe stabilitetit në rajon, të triumfojë në opinionin ndërkombëtar, mbi imazhin negativ të krijuar mbi shqiptarët si njerëz të lidhur me krimin, si njerëz të lidhur me gjithë të këqijat e kësaj bote. Ne, këtë imazh do ta zhbëjmë. Ne do t’i themi botës me fakte, sigurisht dhe jo me rrahje gjoksi nacionaliste, se shqiptarët jo vetëm meritojnë të vlerësohen më shumë, por meritojnë të duhen më shumë dhe kush i do më shumë shqiptarët, sigurisht ka shumë më tepër arsye për të qenë i qetë dhe ka shumë më tepër arsye për të besuar se e ardhmja është më e sigurt. Kjo vlen për gjithë rajonin. Kjo vlen për gjithë Europën, që ka lidhje me rajonin.

Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm se gjithë këto rezultate janë parathënia e atij libri që “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të shkruajë në këto katër vite.

Ne i gjetëm spitalet pa ilaçe dhe ne sot kemi garantuar që të mos mungojnë ilaçet në spitale. Por, sigurisht, ne jemi zotuar për më shumë. Ne jemi zotuar për shërbimin shëndetësor që do të jepet falas për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta paguajnë. Ne do ta mbajmë këtë zotim.

Kjo llogaridhënie është dita edhe për t’ju thënë qytetarëve se ne nuk jemi këtu, të ngopur nga çfarë kemi arritur. Ne kemi shumë më tepër etje dhe uri për sukses, sesa mund të ketë cilido qoftë, jashtë Qeverisë, që ne na ka mbështetur.

Unë dua t’i siguroj të gjithë për këtë; Ne nuk kemi harruar asnjë zotim. Ne do t’i mbajmë një për një të gjitha zotimet dhe për çdo zotim që nuk do mund të mbajmë, ne do të ndajmë me shqiptarët, arsyet pse ndoshta s’do ta kemi mbajtur zotimin dhe do t’ia lëmë shqiptarëve të na gjykojnë nëse kemi qenë në vullnet të mirë, apo nëse i kemi prerë në besë. Ajo që vlen të thuhet është se ashtu si në shëndetësi, edhe në arsim dhe me radhë në të gjithë sektorët e tjerë, ne kemi vendosur gurë të rëndë themeli, për të vazhduar më tej punën me reformat.

Më lejoni të jap pak shifra që, ndoshta, ju shpëtuan nga vëmendja juaj. Krahasuar me të njëjtin moment të një viti më parë, jo në statistikat e diskutueshme, as në llogaritë e bëra nga Qeveria, por në librin e pagave, sektor publik dhe sektor privat bashkë, të Republikës së Shqipërisë figurojnë ekzaktësisht 43 879 më shumë njerëz. Janë 43 879 më shumë vende pune që figurojnë në librin e pagave dhe të sigurimeve shoqërore të Republikës së Shqipërisë, pas 300 ditësh. 

Ne kemi rritur të ardhurat, - shifra u tha, s’dua të përsëris shifra, - në mënyrë mbresëlënëse. Por ajo që është më e rëndësishme të thuhet është se, nëse krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur, ajo që shihet në strukturën e të ardhurave është se një vit më parë, 10% të të ardhurave e përbënin gjobat ndaj sipërmarrjes. Në kohën kur gjithë administrata tatimore-doganore ishte një lukuni e lëshuar ndaj biznesit, për të nxjerrë çfarë të mundej nga xhepat e biznesit, sa për të mbushur arkën e shtetit, aq edhe për të mbushur xhepat e pushtetit. Kjo shifër nuk ekziston më, në strukturën e të ardhurave. Politika  gjobave i takon së shkuarës. Politika e dialogut, e bashkëpunimit, e sqarimit dhe e mirëkuptimit me biznesin është politika jonë e të sotmes. Sigurisht që, administrata do të vendosë edhe gjoba, por gjobat nuk janë më një instrument për të mbushur arkën e shtetit dhe as nuk janë më një kërbaç, për t’i rreshtuar sipërmarrësit pas avazit të pushtetit. Dhe tjetra, në strukturën e të ardhurave përsëri, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të cilat tregojnë më shumë sesa shifrat e tjera, aspektin e informalitetit në ekonomi, një vit më parë përbënin në të ardhurat e përgjithshme mesatarisht 6%, sot përbëjnë mesatarisht mbi 20%. Kjo tregon se ekonomia shqiptare është në rrugën e një formalizimi që nuk e ka njohur më parë dhe kjo tregon se qeveria e Shqipërisë është në krah të gjithë atyre që paguajnë dhe të gjithë atyre që punojnë, për të cilët duam të garantojmë që janë të siguruar dhe të mirëtrajtuar nga gjithë pronarët e kompanive.

E dhëna tjetër dhe e fundit është se e gjitha kjo po ndodh në një klimë biznesi që po përmirësohet ditë pas dite.

Ne e dimë se kemi shumë për të bërë edhe në këto drejtime. Ne e dimë se kemi shumë për të bërë, për të krijuar kushte që investitorët, qofshin vendas, qofshin të huaj të kenë “zero” burokraci dhe mbi të gjitha, të kenë siguri të plotë juridike. Ky është një objektiv ambicioz, por ne do ta arrijmë. Për këtë nuk mungon as mbështetja e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, mbështetje që ne e çmojmë jashtëzakonisht shumë.

Ne, sot, jemi po ashtu krenarë që në 300 ditë kemi kthyer “timonin” e politikës për fshatin, duke bërë një kapërcim, që vitet do të tregojnë sesa i shëndetshëm është për të ardhmen e fshatit, për zhvillimin bujqësor dhe rural dhe për të garantuar ushqyeshmërinë e popullit tonë, bazuar mbi prodhimtarinë e vendit, në radhë të parë. Kemi kaluar nga bujqësia e mbijetesës përmes lëmoshave, të shpërndara nga Ministria dhe nga Qeveria si shpërblime partiake, në bujqësinë e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes financimit të shembujve të suksesit; përmes financimit të projekteve që garantojnë zinxhir vlerash; përmes financimit të të gjithë atyre fermerëve që kanë ambicie për të eksportuar dhe që kanë ambicie për të rritur eksportet e tyre ose për t’u  bashkuar me grupin e fermerëve që eksportojnë.

Kur u çel ky takim  ju patë një fermer, i cili është një eksportues i madh, deri dje i panjohur edhe për strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, sot i mbështetur, si shumë fermerë të tjerë. E ka qenë vërtetë, nga njëra anë për t’u kënaqur dhe nga ana tjetër për t’u ndjerë me përgjegjësi të lartë, përgjigja që kanë dhënë fermerët ndaj thirrjes së Agjencisë së Pagesave për skemat e para të politikës sonë të re. Shumë më tepër aplikime, sesa mundësi për të financuar. Kjo është një sfidë e përbashkët për të rritur vit pas viti mundësinë e financimit, duke rritur, njëkohësisht, dhe aftësinë për të thithur financimet.

Siç e tha edhe ministrja e Integrimit, ne sot nuk jemi më ata që ishim para 300 ditësh si vend dhe si shtet. Sot, decentralizimi i fondeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe po ashtu, rritja e volumit të fondeve potencialisht na vë në detyrimin që të bëhemi të aftë për t’i thithur këto fonde, duke rritur volumin e financimit, për bujqësinë, në rastin konkret, që është një nga zërat më të rëndësishëm të financimeve europiane. Por, të mos harrojmë eksperiencën e hidhur të vendeve të tjera përpara nesh, që kanë pasur miliarda në dispozicion nga Bashkimi Europian dhe në fund të vitit nuk kanë arritur të thithin asgjë. Ose vende si Bullgaria dhe Rumania që, në vitet e para, thithjen e financimeve në dispozicion të tyre e patën 1-3 %. Që do të thotë, na duhet një hap i madh përpara për të rritur kapacitetin e njerëzve tanë, qoftë në administratë, qoftë në sektorin privat, që të bëhen të aftë për të ndërtuar projekte që garantojnë thithjen e këtyre financimeve.

Bashkimi Europian nuk fal asgjë. Bashkimi Europian jep vetëm po të dish t’ia marrësh. E që të dish t’ia marrësh, duhet të jesh jashtëzakonisht i përgatitur. Ata që kanë më pak nevojë në dukje, gjermanët, në radhë të parë, janë ata që marrin më shumë nga Bashkimi Europian, sepse dinë më shumë se si t’i marrin paratë, duke pasur mbrapa një strukturë të tërë që është e përgatitur qoftë për të aplikuar për fonde direkte, qoftë për të përgatitur sektorin privat sesi të aplikojë drejtpërdrejtë. Ky është shembulli që ne duhet të ndjekim.

Duke folur për gjermanët, do të doja ta mbyll me dy reforma dhe duke u nisur nga reforma që, besoj, do të jetë beteja e madhe e Aleancës sonë në sesionin e II-të të kësaj Legjislature; Reforma në drejtësi!

Nuk është hera e parë që e them, por më besoni që e mendoj shumë më shpesh sesa ç’mund ta them, momentin kur Kalncelarja Merkel më ka parë në sy, pasi unë i fola për pse Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat.- E, ka qenë momenti kur, besoj, është marrë vendimi i Gjermanisë, në kokën e saj, për të na dhënë statusin e vendit kandidat. -Më tha: “Dakord, e lëmë mënjanë statusin e vendit kandidat. E zëmë se do ta merrni statusin e vendit  në qershor. Më shiko në sy dhe me po të njëjtën ndershmëri dhe kurajë që më fole për pse ne gabuam kur nuk e dhamë statusin në dhjetor, m’u përgjigj kësaj pyetje: A mund të më thuash që me atë sistem drejtësie që keni ju, me ato gjykata që keni ju, me atë nivel korrupsioni që keni ju në gjyqësor, mund të bëheni ndonjëherë vend i Bashkimit Europian?”

Sigurisht, që përgjigja është: “Jo!” Por, përtej përgjigjes “jo”, që mund të ishte fare e thjeshtë aty për aty, mbetet tek unë shija e turpit. Shija e turpit që ka, normalisht, po të mendojmë të gjithë sëbashku, e gjithë shoqëria, përballë kujtdo. Shija e turpit që nuk ia kanë lejuar vetes shqiptarët kur respektonin Kanunin. Kur dikush shkelte ligjin, mblidheshin në mes të fshatit dhe e dënonin. Nuk bënte vaki që dikush që shkelte ligjin t’i bënte karshillëk gjithë fshatit dhe fshati ta pranonte shkeljen e ligjit si të ishte diçka normale. Sepse, pastaj, duhet të pranonte që ishte një fshat që s’kishte as dinjitet dhe as të ardhme.

E, atë që shqiptarët nuk ia kanë lejuar vetes në kohën kur kishin thjeshtë një Kanun që e përcillnin në mënyrë gojore brez pas brezi, si mund t’ia lejojmë ne vetes, sot, si shoqëri, kur trokasim në dyert e Familjes Europiane, për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje dhe për t’u ulur në tryezën e kësaj familje?! Si mund t’ia lejojmë ne vetes që të tradhtojmë përpjekjet e të gjithë atyre që sot nuk jetojnë më, - merreni sa larg të doni, në kohë. Po të doni që nga Skënderbeu, vazhdoni me rilindësit, vazhdoni me heronjtë dhe dëshmorët e luftës, vazhdoni me martirët e komunizmit, - të cilët ëndërruan dhe punuan, shkruan me penë ose me gjak një histori të tërë që na bëri ne të gjithëve të ndjehemi europianë dhe të kërkojmë Europën në vitin ’90?! Si mund të tradhtojmë ne të gjitha këto, duke pranuar Gjin Gjonin?!

Po e them copë, sepse jam ndjerë dhe ndjehem i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër. Ç’arsye ka një zyrtar i lartë, të dijë emrin Gjin Gjoni, në anglisht?! E, ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë, që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjithë autoritetet që takon. Unë kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, është fenomenale. Se të ishte personale, do të ishte 1/100 e së keqes. Është fenomenale. E, pastaj, në këtë vend ku ka shumë martirë që ende nuk janë vënë në vendin e tyre, Gjin Gjoni bën martirin, që po e luftojnë për arsye politike. Është fenomenale.

E, është vetëm një nga mijëra rastet që ne nuk i shohim ose nuk i dimë, që pastaj na sjellin pasoja vdekjen në rrugë të njerëzve të pafajshëm. Janë 100 raste që Ministri i Brendshëm ia ka listuar Presidentit të Republikës, të cilit i ka kërkuar të veprojë si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si garant i Unitetit Kombëtar, si “Babai i Kombit” përballë gjykatësish që qartësisht kanë shkelur ligjin dhe kanë lëshuar rrugëve kriminelë që pastaj kanë ribërë krimet e mëparshme. Kanë rivrarë njerëz të tjerë.

Askush nuk do ta bëjë këtë për ne dhe rezistenca do të jetë shumë e fortë, por ne do ta bëjmë këtë me çdo kusht. Sesioni i ardhshëm do të jetë edhe sesioni kur Qeveria, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, shumica në Kuvendin e Shqipërisë do të vendosë edhe pjesën e munguar të profilit të vet, duke vazhduar t’i imponohet votës së 23 qershorit për reformën në drejtësi dhe luftën pa kompromis kundër të gjithë të korruptuarve dhe të gjithë atyre që marrin përsipër të bëjnë deklarata në emër të institucioneve, e t’i këndojnë ato nëpër ekrane kundër ministrit të Drejtësisë, kundër Qeverisë, kundër shumicës së zgjedhur nga popullit shqiptar, me një gjuhë që është e denjë vetëm për kohët më të errëta, kur me atë gjuhë kërcënoheshin individët. Por kurrkush në histori nuk guxon të kërcënojë një shumicë të zgjedhur nga populli. Këtu e kam fjalën për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kuptohet.

E, patjetër dhe Reforma Administrativo-Territoriale, e cila është  një reformë që do ta transformojë Shqipërinë në mënyrë të pakthyeshme. Është një reformë, ashtu si edhe ajo në drejtësi, të cilën ne duam ta bëjmë me opozitën. Opozita, sigurisht, është ende në një hall të madh, por është halli i saj, ne nuk mund t’ia zgjidhim hallin e saj. Kemi zgjedhur ta lëmë në hallin e saj, të mos ta ngacmojmë, duke shpresuar që do të gjejë rrugën për të zgjidhur hallin. Por do ta donim opozitën, qoftë te Reforma Territoriale, qoftë te Reforma në Drejtësi. E do të donim që vërtetë të mos besonim që pas këtyre gjykatësve të stërkorruptuar, pas këtij indiferentizmi në rastin më të mirë dhe këtij agresiviteti, në rast të përsëritur, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të jetë opozita. Ne nuk duam ta besojmë këtë. Ne duam të besojmë që opozita njësoj si ne do drejtësi, drejtësi të barabartë, drejtësi për të gjithë, që të gjithë të jenë njësoj para ligjit. Por sa më shumë opozita mungon në këto takime me historinë, aq më shumë vetëfajësohet, duke u shfaqur si mburoja e “Gjinit”, e “Gjonit” dhe e gjithë “Gjonëve” edhe “Gjinëve” që, fatkeqësisht, e kanë marrë peng për vite me radhë të drejtën në Shqipëri dhe e kanë kthyer çekiçin e gjykatësit në një armë për ta vrarë drejtësinë, kur dikush s’ka mundësi ta blejë dhe për ta shitur drejtësinë kur dikush ka mundësi ta blejë.

Fjalinë e fundit e kam për ku jemi ne, Qeveria. Ne nuk jemi fuqia ekskluzive e këtij vendi. E, besoj se një nga arsyet pse Qeveria po funksionon më së miri, në shumë drejtime, është se ne funksionojmë si një skuadër. E, jam i bindur që një nga arsyet pse “Aleanca për Shqipërinë Europiane” po funksionon në të gjitha drejtimet, është se ne funksionojmë si një skuadër. Në këtë skuadër Qeveria ka pjesën e vet, Kuvendi ka pjesën e vet, pushteti vendor ka pjesën e vet dhe padyshim, kanë pjesën e tyre ata 1 milionë njerëz që ne na dhanë mundësinë t’i shërbejmë këtij vendi dhe të lëmë pas emrin e mirë të kësaj Aleance, të lindur me detyrimin për të mbyllur një faqe të historisë sonë dhe për të hapur një faqe të re.

Një faqe e re e historisë sonë po hapet dhe jam i bindur se, së bashku, ne do ta shkruajmë atë, me të gjithë dinjitetin që na imponon vota e 23 qershorit. E, për mua është vërtetë kënaqësi kur shikojmë në të gjithë anketimet sistematike, që ne bëjmë javë pas jave të opinionit publik, se mbështetja për “Aleancën për Shqipërinë Europiane” dhe mbështetja për Qeverinë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, në këto 300 ditë shumë të vështira, po të kemi parasysh nga e filluam, nuk ka rënë asnjë pikë. Ajo është konsoliduar dhe pas nesh janë gjithë ata njerëz që vazhdojnë të presin dhe ne jemi këtu për të mos i zhgënjyer pritshmëritë e tyre.

Edhe njëherë, shumë faleminderit të gjithëve, për gjithçka është arritur në këto 300 ditë!

***

300 ditë qeverisje! - Një Raport Publik i punës dhe arritjeve të qeverisë  në 300 ditët  e aktivitetit së saj, u dha sot para qytetarëve shqiptarë nga ministrat e kabinetit, nëpërmjet prezantimit  të sfidave dhe sukseseve të arritura në fushat përkatëse.

“Shqipëria Europiane, destinacion brenda nesh”-  e konceptuar në 3 panele raportimesh dhe e moderuar nga Zv/Kryeministri Peleshi, solli në fokus të publikut, gjithçka është bërë së fundmi, për procesin e integrimit e vendit; luftën kundër drogës dhe trafiqeve; punësimin, arsimin, kulturën, turizmin, etj.

Në sallën e TOB, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, përfaqësues të trupit diplomatik, drejtues e punonjës të institucioneve të ndryshme në vend, secili prej ministrave paraqiti në mënyrë të detajuar rezultatet e punës 9 mujore të ministrisë që ai drejton, në përmbushje të objektivave të ndërmarra.

Shkruaj Mesazh

Kontakto me Kryeministrin

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapësira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

300 Ditë

Raport publik