Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2025:

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN E FORMIMIT PROFESIONAL PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

  1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për institucionet ofruese të formimit profesional publik. Baza e të dhënave të institucioneve ofruese të formimit profesional publik quhet Sistemi i Formimit Profesional (SFP).
  1. Autoriteti përgjegjës për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore të SFP-së është Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
  1. Të dhënat e SFP-së, të parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat parësore konsiderohen të dhënat e mbledhura nga AKPA-ja që kanë të bëjnë me:

i.të dhënat e institucioneve ofruese të formimit profesional publik;

ii.të dhënat për programet që ofrohen nga institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iii.  të dhënat për kurset që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iv. të dhënat e regjistrimit dhe certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik.

b) Të dhënat dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga ndërveprimi me sistemet informatike: Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; Sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; Sistemi i Shërbimeve të Punësimit. Të dhënat dytësore në SFP, të siguruara nga ndërveprimi, janë si më poshtë vijon:

i. Të dhëna për stafin dhe mësimdhënësit, si: NID, emri, mbiemri, atësia, datëlindja, adresa, gjinia, vendbanimi aktual, adresë e-mail-i dhe telefoni;

ii. Të dhëna kryesore për bizneset që kanë marrëveshje bashkëpunimi, si: NIPT-i, emri i biznesit, aktiviteti ekonomik, adresa, statusi, tipi i biznesit;

iii.  Të dhënat për statusin e punësimit të kursantëve që referohen nga zyrat e punësimit, si: kategoritë që i përkasin (punëkërkues i papunë në pagesë papunësie, punëkërkues i papunë në ndihmë ekonomike).

  1. Dhënësit e informacionit për SFP-në janë institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe drejtoritë rajonale të AKPA-së.
  1. Të dhënat personale të grumbulluara ruhen në një formë që lejon identifikimin e subjekteve, në përputhje me qëllimin për të cilin janë mbledhur. Këto të dhëna kanë vlerë të përhershme ruajtjeje, pasi konsiderohen dokumente me rëndësi historike kombëtare.
  1. Të dhënat e dokumentuara nuk përdoren për qëllime të tjera, që nuk janë në përputhje me qëllimin e grumbullimit. Ndalohet njohja ose çdo përpunim i të dhënave të regjistruara në SFP për një qëllim të ndryshëm nga ai fillestar, i përcaktuar në momentin e mbledhjes së të dhënave.
  1. Niveli i aksesit në bazën e të dhënave në sistemin e SFP-së është, si më poshtë vijon:
  1. a) Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave në rolet, si:

i. administrator sistemi për krijimin, shkrimin dhe leximin e përdoruesve, listave me konfigurime në sistem, të dhënat e institucioneve ofruese të formimit profesional publik, të dhënat për programet që ofrohen nga institucionet ofruese të formimit profesional publik;

ii. editues, lexues për të dhënat për kurset që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iii.  lexues për të dhënat e regjistrimit dhe certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

b) Institucionet ofruese të formimit profesional publik kanë të drejta mbi bazën e të dhënave në rolet, si:

i. krijues për të dhënat e mësimdhënësve, bizneseve që kanë marrëveshje bashkëpunimi, kurseve që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe për të dhënat e regjistrimit e të certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

ii. editues për të dhënat e mësimdhënësve, bizneseve që kanë marrëveshje bashkëpunimi, kurseve që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe për të dhënat e regjistrimit e të certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iii. lexues për të dhënat e mësimdhënësve, bizneseve që kanë marrëveshje bashkëpunimi, kurseve që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe për të dhënat e regjistrimit e të certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik.

  1. Rolet e nivelit të aksesit dhe të drejtave të çdo përdoruesi do të jenë në përputhje me pozicionin e punës, të përcaktuar në përshkrimet e punës të miratuara, sipas rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore për Sistemin e Formimit Profesional”, e cila miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së.
  1. Të gjitha veprimet e kryera në bazën e të dhënave janë të gjurmueshme dhe të dokumentuara. Veprimet e kryera në bazën e të dhënave regjistrohen dhe ruhen nga AKPA-ja, duke përdorur kodin identifikues të personit të ngarkuar që ka kryer veprimin, datën e orën e konsultimit, fjalët kyçe të përdorura për kërkimin, numrin e dosjes dhe të dhënat e konsultuara. AKPA-ja është përgjegjëse për menaxhimin e aksesit në bazën e të dhënave dhe në rast të konstatimit të veprimeve të paligjshme pezullon menjëherë aksesin e personit, i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo udhëzimet e procedurat për administrimin e bazës së të dhënave. Pezullimi i aksesit nuk përjashton përgjegjësinë disiplinore, civile ose penale.
  1. Palët do të ndërmarrin masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj. duhet të lërë gjurmë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe të konfidencialitetit të të dhënave.
  1. Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale kryhen në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
  1. Infrastruktura software dhe hardware për sistemin SFP mundësohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Të gjitha ndryshimet në infrastrukturë dhe arkitekturë SW dhe HW, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e formimit profesional, do të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  1. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucionet ofruese të formimit profesional publik, si dhe drejtoritë rajonale të AKPA-së për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PËRBËRJES DHE FUNKSIONIMIT TË KOMITETIT KOMBËTAR TË SIGURISË SË AVIACIONIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 114, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

  1. Miratimin e përbërjes së Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil (në vijim, Komiteti). Komiteti kryesohet nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe përbëhet nga:

a) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit – zëvendëskryetar;

b) drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit, Policia e Shtetit– anëtar;

c) drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit, Policia e Shtetit – anëtar;

ç)  komandanti i Forcës Ajrore, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë – anëtar;

d) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;

dh) kryetari i Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;

e) drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;

ë)  drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit  – anëtar;

f) drejtori i Përgjithshëm i Doganave – anëtar;

g) drejtori i Përgjithshëm i Ofruesit të Shërbimeve të Lundrimit Ajror, Albcontrol – anëtar;

gj) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike – anëtar;

h) drejtori i Sigurisë së Aviacionit, Autoriteti i Aviacionit Civil – anëtar.

  1. Komiteti ka një sekretar, i cili është përfaqësues nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
  1. Komiteti ka për detyrë koordinimin e aktiviteteve të sigurisë ndërmjet departamenteve dhe organizatave të tjera shtetërore, aeroporteve dhe operatorëve ajrorë, ofruesve të shërbimeve të lundrimit ajror dhe entiteteve të tjera të lidhura ose që janë përgjegjëse për zbatimin e Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe standardeve për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjeve të paligjshme.
  1. Komiteti mblidhet jo më pak se 2 (dy) herë në vit, me kërkesë të kryetarit, ose sa herë kërkohet me shkrim nga të paktën 1/3 e anëtarëve të tij. Për çdo mbledhje përcaktohen çështjet për diskutim.
  1. Komiteti mund të ngrejë grupe pune ose komisione teknike për të raportuar mbi qëndrueshmërinë operacionale të programeve kombëtare të sigurisë së aviacionit dhe masave të reja, me qëllim përmirësimin e tyre.
  1. Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë, pa të drejtë vote, dhe përfaqësues të subjekteve operuese në aeroporte ose që kanë lidhje me veprimtaritë në aeroporte, të tjerë përfaqësues të misioneve apo organizatave ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri e që kanë lidhje me sigurinë e aviacionit, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e qëllimit të Komitetit.
  1. Data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 7 (shtatë) ditë përpara mbledhjes. Në rastet e jashtëzakonshme, data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 1 (një) ditë përpara mbledhjes.
  1. Për çdo mbledhje, sekretari i Komitetit mban procesverbal, i cili përmban të dhëna, të paktën, për datën e mbledhjes, pjesëmarrjen, diskutimet, votimin, për rastet kur ka vota kundër, miratimet, mosmiratimet, me shpjegimet përkatëse, si dhe nënshkrimet e anëtarëve pjesëmarrës në mbledhje dhe të sekretarit.
  1. Kur Komiteti del me një vendimmarrje, sekretari i Komitetit, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga data e mbledhjes, harton vendimin e Komitetit, i cili përmban të detajuara konkluzionet përkatëse.
  1. Vendimi nr.74, datë 2.2.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil”, shfuqizohet.
  1. Ngarkohen Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE  PËR KOMPENSIMIN E MENJËHERSHËM FINANCIAR, NË RAST TË DËMTIMIT TË RËNDË TË PRONËS, PËR SHKAK TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “dh”, e 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

  1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, përfiton kompensim të menjëhershëm financiar deri në 1 000 000 (një milion) lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
  1. Punonjësi i policisë e përfiton kompensimin e menjëhershëm financiar kur:

a) prona i është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori, ose prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë për përmbushjen e detyrave zyrtare;

b) punonjësi i policisë disponon dokument, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë mbi pronën e dëmtuar, ose provon që këtë pronë e ka në proces legalizimi;

c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.

  1. Për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;

b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në prokurori, në rastin kur prona është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij, për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori;

c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë së pronës së dëmtuar, apo që provon se këtë pronë e ka në proces legalizimi;

ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.

  1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ngre komisionin, i cili përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

b) Një punonjës nga Drejtoria e Mbështetjes Logjistike;

c) Një punonjës nga Drejtoria e Financave;

ç) Një punonjës nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;

d) Një punonjës nga Drejtoria Juridike.

  1. Komisioni kryen vlerësimin e përputhshmërisë së dokumentacionit të paraqitur me kriteret për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vendimin përkatës.
  1. Pagesa për kompensim të menjëhershëm financiar për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
  1. Bashkëlidhur me urdhrin e përmendur në pikën 6 të këtij vendimi, për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar, në rast dëmtimi të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, duhet të gjendet dokumentacioni i përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi.
  1. Në rast se komisioni vendos për refuzimin e dhënies së kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi ka të drejtë të ankimojë vendimin e komisionit pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
  1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendos për pranimin ose refuzimin e ankimit të punonjësit. Në rast pranimi, kërkesa për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar i kthehet për rishqyrtim komisionit.
  1. Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë, që ka përfituar kompensim të menjëhershëm financiar, është i detyruar të kthejë në masën 100 % shumën e përfituar.
  1. Vendimi nr.169, datë 8.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare punonjësit të policisë, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës”, shfuqizohet.
  1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.
  1. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KORNIZËS KOMBËTARE TË NDËRVEPRIMIT PËR REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ë”, të nenit 27, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e Kornizës Kombëtare të Ndërveprimit për Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
  1. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ministritë dhe institucionet e tjera publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, LIDHUR ME FAZËN E TRETË TË PROGRAMIT PËR FORCIMIN E POLICIMIT NË KOMUNITET NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, lidhur me fazën e tretë të programit për forcimin e policimit në komunitet në Shqipëri, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse  e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të  ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, përmasat e pronës nr.202, me emërtimin “Ish-grup-depo AM”, me vendndodhje në Pajet, Bizë, Tiranë, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin 1 (një) fletë dhe në planin e rilevimit 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
  1. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.600,  DATË 9.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E SHËRBIMIT TË SIGURISË PUBLIKE NË INSTITUCIONET E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR DHE TË KRITEREVE PËR OFICERËT E SIGURISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të  nenit 81, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.600, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

  1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Miratimin e shërbimit të sigurisë publike në institucionet e arsimit parauniversitar, si më poshtë vijon:

a) Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar, që kanë mbi 80 (tetëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie;

b) Institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 350 (treqind e pesëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie;

c) Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, institucionet e arsimit të mesëm të orientuar, institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 900 (nëntëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie;

ç)  Institucionet e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbi   700 (shtatëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie.

Institucionet e arsimit parauniversitar, që përfitojnë shërbim të sigurisë publike, përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, përveç institucioneve të arsimit të mesëm profesional, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional. Shërbimi i sigurisë publike konsiston në monitorimin nga oficeri i sigurisë në institucionet e arsimit parauniversitar, të përcaktuara në këtë vendim, nëpërmjet ndërveprimit të vazhdueshëm të nxënësve, personelit mësimor dhe komunitetit.”.

  1. Në pikën 2, pas fjalëve “… institucionet e sistemit arsimor parauniversitar, …” shtohen “… të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, …”.
  1. Në fund të pikës 3 shtohen fjalët “… të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.”.
  1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit, konkurrimit dhe shpallja e rezultateve të konkurrimit përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, përveç institucioneve të arsimit të mesëm profesional, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional.”.

  1. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Numri i oficerëve të sigurisë dhe shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Për institucionet e arsimit të mesëm profesional, shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional.”.

II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.710, DATË 12.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KËRKESAT DHE KRITERET  PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË OPERATORIT TURISTIK””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 51, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.710, datë 12.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

  1. Në pikën 2 të vendimit bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Emërtimi “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”;

b) Emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut” zëvendësohet me fjalët “Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e turizmit”.

  1. Në shkronjën “dh”, të pikës 4, të nenit 2, të rregullores, që i bashkëlidhet këtij vendimi, fjalët “… pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në përputhje me nenin 17, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, dhe rregulloren për trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave …” zëvendësohen me “… pranë strukturës përgjegjëse për inspektimin në fushën e turizmit.”.
  1. Neni 3 i rregullores ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 3

  1. Operatori turistik përfaqësohet gjatë ushtrimit të veprimtarisë nga përfaqësuesi ligjor (administratori) dhe drejtuesi teknik, të cilët përveç kritereve të përcaktuara në shkronjat “b” e “c”, të pikës 2, të nenit 51, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, plotësojnë kërkesat e mëposhtme:

a) Përfaqësuesi ligjor (administratori) dhe drejtuesi teknik të vërtetojnë se kanë pasur eksperienca pune në veprimtari të tilla turistike, si: agjenci udhëtimi, strukturë akomoduese, operator turistik, operator turistik detar, udhërrëfyes turistik apo dhe në aktivitete të tjera të lidhura me turizmin;

b) Drejtuesi teknik të jetë i punësuar vetëm në një operator turistik, në cilësinë e drejtuesit teknik;

c) Drejtuesi teknik, për nevoja të ushtrimit të veprimtarisë së tij, të vërtetojë se zotëron të paktën një gjuhë të huaj nëpërmjet një dëshmie, certifikate, diplome ose një dokumenti të ngjashëm me to, lëshuar nga subjekti i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin për organizimin e testimeve ndërkombëtare, në nivelin B2, ose nga institucioni i arsimit të lartë publik apo privat, që është miratuar nga ministria përgjegjëse për arsimin, për të ofruar programe të akredituara të gjuhëve të huaja, me vlerësim mbi/edhe notën 7 (shtatë).

2. Përfaqësuesi ligjor dhe drejtuesi teknik, në çdo rast, janë përgjegjës për zbatimin e dispozitave të kësaj rregulloreje.

II. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.926,   DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PROCEDURËN E SHITJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

  1. Në kreun I bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha pronat e paluajtshme shtetërore dhe pasuritë e luajtshme, objektet e veçanta, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros të ndërmarrjeve shtetërore, të cilat plotësojnë kriteret për privatizim, sipas këtij vendimi.”.

b) Paragrafët i parë dhe i dytë, të pikës 2, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“Institucionet qendrore dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore dërgojnë kërkesat e tyre për privatizimin e pronave shtetërore që kanë në administrim ose në pronësi në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin për fillimin e procedurave të privatizimit, sipas kërkesave të përmendura më sipër. Në rast se ministria përgjegjëse për ekonominë u kërkon institucioneve qendrore apo organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore kërkesën për prononcim privatizimi për pronat e paluajtshme shtetërore që kanë në administrim ose në pronësi, këto institucione janë të detyruara që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, të dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive.

Nëse institucionet qendrore apo organet e njësive të vetëqeverisjes vendore shprehen për mosprivatizimin e pronave shtetërore në administrim apo në pronësi apo pronave shtetërore të institucioneve që kanë në varësi administrative, atëherë ato duhet ta argumentojnë qartë këtë fakt.”.

c) Në pikën 3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i. Në paragrafin e parë, fjala “… kryetarin/kryetari …” zëvendësohet me “… përfaqësuesin/përfaqësuesi …”;

ii. Në paragrafin e dytë, fjalët “… ekspert kontabël …” zëvendësohen me fjalën “… auditues …”.

ç) Pika 4 ndryshohet si më poshtë vijon:

“4. Ekspertët vlerësues, në përbërje të komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjës për ekonominë. Pagesa e ekspertëve dhe çdo shpenzim për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit përballohen nga ministria përgjegjëse për ekonominë, përveç rasteve kur ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron pagesën nga institucione, ndërmarrje dhe/ose shoqëri të varësisë. Kjo pagesë do të jetë 2 (dy) për qind e vlerës së objektit të vlerësuar, por jo më pak se 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë dhe jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë, me TVSH.”.

  1. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë për ngritjen e komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore që do të privatizohet apo që do të përfshihet në fondin e kompensimit, komisioni i vlerësimit inspekton dhe verifikon gjendjen reale të pronës shtetërore dhe, më pas, ekspertët vlerësues të këtij komisioni, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, përgatitin në 5 (pesë) kopje origjinale genplanin e pronës shtetërore që do të privatizohet, ku përcaktohen qartë trualli nën objekt, trualli funksional dhe sipërfaqja e përgjithshme. Kur objekt privatizimi është trualli, përcaktohet vetëm sipërfaqja e truallit dhe eksperti vlerësues mban përgjegjësi për hartimin e saktë të këtij genplani. Dega e shoqërive publike përkatëse vendos një njoftim në mjediset e organit të qeverisjes vendore në territorin e të cilit ndodhet objekti, për efekt të ish-pronarëve të truallit, nëse ka.”.

b) Paragrafi i parë, i pikës 4, shfuqizohet.

c) Në pikën 5 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i. Para fjalës “… ekspertët …” shtohet “… eksperti/ …”.

ii. Paragrafi i dytë numërtohet pika 6.

ç)  Fjalia e parë, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Pas marrjes së genplanit të pronës shtetërore, të konfirmuar nga prefektura, dega e shoqërive publike i kërkon drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, të dhëna për pronën shtetërore që privatizohet, kartelën dhe hartën kadastrale, certifikatën e pronësisë apo vërtetimin për pasuritë në një zonë kadastrale që nuk i është nënshtruar regjistrimit fillestar.”.

d) Në pikën 8 bëhen këto ndryshime:

i. Fjalët “… nga kjo agjenci, dhe …” hiqen;

ii. Fjalia e fundit shfuqizohet.

dh) Në pikën 9, fjala “… të objektit …” hiqet.

e) Paragrafi i parë, i pikës 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së pronës shtetërore që do të privatizohet. Eksperti vlerësues përcakton çmimin e shitjes së pronës shtetërore, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së pronave  dhe të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së truallit të pronës që do të privatizohet sipas çmimit të tregut.”.

ë) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Afati i plotësimit të dokumentacionit të vlerësimit për ndërtesat, ndërtimet dhe linjat e prodhimit/shërbimit kur ato shiten së bashku me ndërtesën duhet të jetë jo më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e marrjes së urdhrit për ngritjen e komisionit të vlerësimit nga titullari. Për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit etj. ky afat duhet të jetë jo më shumë se 20 (njëzet) ditë, nga data e marrjes së urdhrit. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi për respektimin e këtij afati.”.

f) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“12. Pas plotësimit të dokumentacionit, sipas afatit të parashikuar në pikën 11, të këtij kreu, procedohet, si më poshtë vijon:

a) Komisioni i Vlerësimit, pasi përgatit dokumentacionin e plotë ligjor i dërgon drejtorisë përgjegjëse për privatizimin pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë me shkresë përcjellëse të nënshkruar e të vulosur nga dega e shoqërive publike përkatëse dokumentacionin për objektet ndërtimore dhe linjat e prodhimit/shërbimit, ku përcaktohen vlera e objektit, sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt dhe ajo funksionale;

b) Drejtoria përgjegjëse për privatizimin pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë, pasi kontrollon nëse dokumentacioni  i marrë nga institucionet përkatëse është i plotë dhe në përputhje me përcaktimet ligjore, ia përcjell atë Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës, së bashku me vlerësimin përmbajtësor, për verifikimin formal në kuadër të transparencës së procedurës së dokumentacionit të privatizimit të pronës shtetërore, që dërgohet për shitje.”.

g) Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:

“12/1. Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ka në përbërje 5 (pesë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për ekonominë. Komisioni drejtohet nga zëvendësministri. Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës i rekomandon ministrit përgjegjës për ekonominë vijimin e procedurës së privatizimit nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, bazuar në vlerësimin përmbajtësor të drejtorisë përgjegjëse për privatizimin dhe nëse konfirmohet se dokumentacioni i kërkuar ligjor ka kaluar në të gjitha strukturat e parashikuara në këtë vendim. Në rast të kundërt, Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës kërkon plotësimin e dokumentacionit, duke e rikthyer dosjen në drejtorinë e përgjegjëse për privatizimin.”.

gj) Në pikën 18, fjala “… (tunele) …” hiqet.

  1. Në kreun III bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Në pikën 2 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i. Në paragrafin e tretë, të shkronjës “a”, fjalët “… komisioni i ngritur nga drejtori i strukturës për shitjen e pronës publike, në Ministrinë e Financave.” zëvendësohen me “ … struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për ekonominë.”.

ii. Në shkronjën “b”, fjalët “… komisioni i ngritur nga drejtori i strukturës për shitjen e pronës publike, në Ministrinë e Financave …” zëvendësohen me “… komisioni i ngritur nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrisë përgjegjëse për ekonominë …”.

iii. Në shkronjën “ç”, fjalët “… nuk është në gjendje të konfirmojë …” zëvendësohen me “… nuk konfirmon …”.

b) Në pikën 6 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i. Në fjalinë e fundit, të shkronjës “a”, fjalët “… në një Buletinin e Njoftimeve Zyrtare …” zëvendësohen me “… në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare”.

ii. Në shkronjën “c”, fjalët “… në prefekturë, …” hiqen.

c) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. Pjesëmarrësit në ankand, pas regjistrimit të kërkesës në strukturën përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, kanë të drejtë të njihen me dokumentacionin e vlerësimit, që ndodhet i depozituar në këtë strukturë, si dhe me gjendjen fizike të objektit.”.

ç)  Shkronja “b”, e pikës 9, shfuqizohet.

d) Shkronja “b”, e pikës 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) mandatpagesën apo garancinë bankare, që vërteton derdhjen ose ngurtësimin e 20 (njëzet) për qind të vlerës fillestare të ankandit në lekë, vetëm për objektin, për llogari të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, detyrimisht, brenda afatit të pranimit të kërkesave;”.

dh) Në pikën 17, fjalët “… të drejtorit të …” hiqen.

e) Në shkronjën “a”, të pikës 18, emërtimi “Ministria e Financave” hiqet.

ë)  Në pikën 19, nënndarja “-përfaqësuesin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë.” zëvendësohet me “-përfaqësuesin e strukturës përgjegjëse për shitjen.”.

f) Në fund të paragrafit të dytë, të pikës 32, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Në rast se nga informacioni zyrtar i marrë nga  Agjencia Shtetërore e Kadastrës rezulton se  objekti i kontratës së qirasë me tarifë 1 euro/kontrata nuk është në regjistrat kadastralë, sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse, nëse plotësohen rrethanat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 34, të këtij kreu, trualli do të shitet nga struktura për shitjen e pronës publike dhe lidhja e kontratës bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil, pasi të jetë bërë pagesa e plotë sipas vlerësimit të objekteve, bazuar dhe në vendimin e Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës.”.

g) Pika 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“33. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin për përfshirjen në procedurë privatizimi të pronës shtetërore, objekt kontrate të dhënë me qira me tarifë 1 euro/kontrata, me sipërfaqe mbi 500 (pesëqind) m2, përpara përfundimit të kontratës së qirasë.”.

gj) Pas pikës 34 shtohen pikat 34/1, 34/2 dhe 34/3, me këtë përmbajtje:

“34/1. Në rastet kur prona shtetërore ka përmbushur rrethanat e pikës 34, të këtij kreu, dhe në të ka dhe objekte ndërtimore shtetërore , procedura e shitjes së pronës bëhet sipas procedurave të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.

34/2. Kur prona shtetërore ka përmbushur rrethanat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 34, të këtij kreu, dhe objekt i kontratës është vetëm trualli, subjektit i lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë, sipas procedurës së mëposhtme:

a) Drejtoria përgjegjëse për monitorimin e kontratave, pasi ka marrë miratimin e ministrit, në zbatim të akteve nënligjore në fuqi për fillimin e procedurave të privatizimit të drejtpërdrejtë, e përcjell dosjen te struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike për vijimin e procedurave;

b) Dosja duhet të përmbajë dokumentacionin, si më poshtë vijon:

i. Kontratat dhe anekset e kontratave të qirasë me tarifë 1 euro/kontrata, shoqëruar me dokumentacionin kadastral, geplanin dhe procesverbalin e dorëzimit;

ii. Aktmonitorimet e qirasë;

iii. Urdhrin e ministrit përgjegjës për ekonominë për miratimin e vlerës së investimit dhe fillimin e procedurave të privatizimit të drejtpërdrejtë së pronës shtetërore, objekt i kontratës së qirasë.

34/3. Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike i drejtohet Agjencisë së Trajtimit Pronave për të marrë konfirmimin nëse ka pronar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave dhe çmimin e truallit objekt privatizimi. Pas marrjes së konfirmimit nga ATP-ja, ministri përgjegjës për ekonominë emëron ekspertin vlerësues të pasurisë, të licencuar, i cili harton genplanin e pronës, objekt kontrate me tarifë 1 euro/kontrata dhe përcakton vlerën e pronës. Eksperti vlerësues, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dalja e urdhrit të ministrit, përgatit në 5 (pesë) kopje origjinale genplanin përkatës, ku përcaktohen qartë sipërfaqja e përgjithshme dhe raporti i vlerësimit të pronës, objekt i kontratës së qirasë me tarifë 1 euro/kontrata, ku përcaktohet vlera e truallit që do të privatizohet, i cili përcaktohet, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, eksperti vlerësues përcakton çmimin e shitjes së pronës shtetërore të  truallit që do të shitet, bazuar në vlerën e tregut. Eksperti vlerësues mban përgjegjësi për hartimin e saktë të këtij genplani dhe vlerën  e pronës.”.

  1. Në kreun III/1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Shkëmbimi i pronës shtetërore”.

b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Kërkesa për kryerjen e shkëmbimit paraqitet nga institucionet qendrore dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërmarrjet shtetërore në varësi të tyre, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi, pronësi ose përdorim pasurinë shtetërore, në vijim të quajtura bashkërisht “Organe propozuese”.”.

c) Në fund të shkronjës “ç”, të pikës 8, shtohet fjalia, me përmbajtje:

“Në rastet kur prona që përfitohet nga shkëmbimi nuk plotëson kriteret e kërkuara nga organi propozues, por në të do të investohet deri në plotësimin e këtyre kritereve sipas raportit të vlerësimit të investimit, atëherë organi propozues, me propozim të komisionit të vlerësimit të pasurisë, mund të nënshkruajë marrëveshje me kusht për realizimin e investimit. Shkëmbimi do të përfundohet sipas pikave 14, 15, 16 dhe 17, të kreut III, të këtij vendimi. Organi propozues regjistron këtë marrëveshje në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.”.

ç)  Në shkronjën “a”, të pikës 12, fjalët “… të dëshmojë aftësinë financiare …” zëvendësohen me “… të vërtetojë se ka aftësi financiare …”.

d) Shkronja “c”, e pikës 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) raportet e vlerësimit të pronave që do të shkëmbehen, ku të jetë përcaktuar qartë plotësimi i të gjitha kritereve të përcaktuara për pronën që ofrohet të shkëmbehet;”.

dh) Pas shkronjës “b”, të pikës 18, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:

“c) çdo shpenzim tjetër në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 15, të këtij kreu.”.

  1. Kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimet “Ministria e Financave” dhe “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohen me fjalët “ministria përgjegjëse për ekonominë”, sipas kuptimit të fjalisë.

II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe çdo institucion tjetër, që preket nga dispozitat e tij, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR QËLLIME TË SIGURISË, QËNDRUESHMËRISË DHE SAKTËSISË NË REGJISTRIMIN E TË DHËNAVE PËR DOMAIN-NAME-T “.AL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 133, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e rregullave për qëllime të sigurisë, qëndrueshmërisë dhe saktësisë në regjistrimin e të dhënave për domain-name-t “.al”, sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  1. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

 PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR KOHËN E PUNËS, PUSHIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSIT TË POLICISË, KUR NUK KRYEN PUSHIMET, LEJET PA TË DREJTË PAGE DHE KUSHTET E POSAÇME TË PUNËS PËR PUNONJËSET SHTATZËNA TË POLICISË SË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 76 deri në 108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 100, pika 7, 101, pika 5, e 102, pika 4, të  ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

KREU I

KOHËZGJATJA E PUNËS/SHËRBIMIT

Neni 1

Koha e punës

  1. Koha normale e punës/shërbimit për punonjësit e Policisë së Shtetit është 40 (dyzet) orë në javë. Për efekt të llogaritjes së pagës orare, muaji llogaritet, mesatarisht, me 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune.
  1. Punonjësit të policisë i sigurohet një pushim ditor i pandërprerë, prej 11 (njëmbëdhjetë) orësh, para marrjes së shërbimit/punës.
  1. Shërbimet e policisë, si rregull, organizohen sipas një planifikimi 24-(njëzet e katër) orësh, me turne, nga 8 (tetë) orë secili.
  1. Kohëzgjatja e punës natën nuk mund të jetë më shumë se 8 (tetë) orë pa ndërprerje. Ajo duhet të paraprihet ose të pasohet me pushim ditor të menjëhershëm.

Neni 2

Shtesa mbi pagë për shërbim jashtë orarit

  1. Punonjësi i policisë që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale ditore të punës, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:

a) 20% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00;

b) 50% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00;

c) 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.

  1. Shtesa mbi pagë, sipas pikës 1 të këtij neni, paguhet bashkë me pagën mujore, brenda një muaji nga dita kur është kryer shërbimi.

Neni 3

Zgjatja e kohës së punës/shërbimit

  1. Për nevoja pune/shërbimi, me urdhër të titullarit të njësisë shpenzuese, punonjësit të policisë mund t’i ndërpritet koha e pushimit ditor/javor, duke urdhëruar zgjatjen e kohës së punës/shërbimit.
  1. Zgjatja e kohës së punës/shërbimit urdhërohet nga titullari i njësisë shpenzuese pas kërkesës së eprorit të drejtpërdrejtë të punonjësit të policisë. Në rrethana të jashtëzakonshme, eprori i drejtpërdrejtë mund të urdhërojë zgjatjen e kohës së punës/shërbimit, por ai duhet të njoftojë titullarin e strukturës përkatëse brenda 2-4 orësh.
  1. Urdhri për kohën shtesë të punës/shërbimit mbi kohën normale duhet të përcaktojë:

a) arsyen e zgjatjes së orëve të punës/shërbimit;

b) kohën e fillimit dhe të përfundimit;

c) numrin e punonjësve;

ç)  koston financiare.

  1. Orët shtesë të punës/shërbimit kompensohen me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune, apo me orët shtesë plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00 – 6:00. Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës dhe i shërbimit bëhet brenda 2 (dy) muajve nga dita kur janë kryer ato.
  1. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës/shërbimit me pushim, punonjësi i policisë kompensohet me shtesë page në masën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni.

Neni 4

Zgjatja e kohës normale të punës/shërbimit gjatë sezonit turistik veror

  1. Aktivizimi i punonjësve të policisë në punë/shërbim me zgjatje të kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe realizohet gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator.
  1. Zgjatja e kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator, kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi.

KREU II

PUSHIMET VJETORE

Neni 5

Pushimet vjetore të paguara për punonjësit e policisë

  1. Punonjësi i policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë:

a) 40 (dyzet) ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën “drejtues” deri “drejtues madhor”;

b) 35 (tridhjetë e pesë) ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën “nënkomisar”, “komisar” dhe “kryekomisar”;

c) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike për punonjësit e policisë me gradën “inspektor”.

  1. Të gjithë eprorët kanë për detyrë që të sigurojnë kushtet për kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve që kanë në varësi.
  1. Planifikimi dhe koha e kryerjes së pushimeve vjetore miratohet nga titullari i strukturës përkatëse, pas konsultimit me punonjësin, pa cenuar vijueshmërinë e punës, deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.
  1. Punonjësi ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor edhe në periudha të ndryshme e të ndara, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, me miratimin e titullarit përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.
  1. Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore, punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që ai merr kur është në punë/shërbim.

Neni 6

Kompensimi financiar për pushimet vjetore të pakryera

 

Në rastet kur punonjësi i policisë nuk e ka kryer pushimin vjetor të paguar, kompensimi financiar llogaritet mbi bazën e pagës mujore referuese, duke përfshirë elementet e mëposhtme të përhershme të pagës:

a) paga për gradë;

b) shtesa për funksion (për punonjësit e rolit zbatues);

c) shtesa për natyrë të veçantë pune;

ç) shtesa për vjetërsi në shërbim;

d) shtesa për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin.

Neni 7

Kompensimi i pushimeve vjetore pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës

  1. Punonjësi, i cili ndërpret marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit, trajtohet menjëherë financiarisht për ditët e pushimit vjetor të pakryera, të llogaritura në raport me kohëzgjatjen e tij të punës brenda vitit kalendarik.
  1. Kur punonjësi nuk ka kryer një vit të plotë kalendarik pune, kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës së kryer brenda vitit kalendarik.
  1. Në çdo rast, pushimi vjetor jepet me urdhër të titullarit në nivel komisariati, drejtorie apo strukture të veçantë, në bazë të planifikimit vjetor.

 

KREU III

PUSHIME TË TJERA TË PAGUESHME

Neni 8

Rastet e pushimeve të tjera të pagueshme për punonjësit e policisë

Punonjësit të policisë i jepet leje e pagueshme për rastet, si më poshtë vijon:

a) Martesa e tij, 5 (pesë) ditë;

b) Lindja e fëmijës (baballarët), 3 (tri) ditë;

c) Vdekja e bashkëshortit/bashkëjetuesit, e paraardhësve ose e pasardhësve të drejtpërdrejtë të tij, 5 (pesë) ditë.

 

KREU IV

LEJE PA TË DREJTË PAGE DERI NË 2 (DY) MUAJ

Neni 9

Procedura e miratimit të lejes pa të drejtë page deri në 2 (dy) muaj

  1. Punonjësit e policisë gëzojnë të drejtën e lejes, pa të drejtë page, për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj, për arsye personale, jo më shumë se 1 (një) herë brenda një viti.
  1. Miratimi i lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj jepet nga drejtuesi i strukturës qendrore, vendore apo të veçantë.
  1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gëzojnë të drejtën e lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj. Në këtë rast, miratimi i lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj bëhet nga ministri përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.

 

Neni 10

Kushtet për lejen pa të drejtë page

  1. Periudha e lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.
  1. Kërkesa për leje pa të drejtë page, deri në 2 (dy) muaj, dorëzohet 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara fillimit të lejes.

Neni 11

Rikthimi në detyrë

Pas përfundimit të lejes pa të drejtë page, për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj, punonjësi i Policisë kthehet në të njëjtën detyrë.

KREU V

LEJE PA TË DREJTË PAGE DERI NË 6 (GJASHTË) MUAJ

Neni 12

Procedura e miratimit të lejes pa të drejtë page deri në 6 (gjashtë) muaj

  1. Punonjësit e policisë gëzojnë të drejtën e lejes pa të drejtë page, për një periudhë afatgjatë deri në 6 (gjashtë) muaj, vetëm për studime, kualifikime (brenda ose jashtë shtetit) ose arsye personale të argumentuara.
  1. Kërkesa për përfitimin e saj dorëzohet të paktën 1 (një) muaj para dhe miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Neni 13

Përjashtime

  1. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk përfitojnë leje pa të drejtë page deri në 6 (gjashtë) muaj.
  1. Periudha e lejes pa të drejtë page, për një periudhë afatgjatë deri në 6 (gjashtë) muaj, nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.

KREU VI

KUJDESI PËR PUNONJËSET E POLICISË SHTATZËNA

Neni 14

Rregullat për punonjëset e policisë gjatë shtatzënisë

  1. Punonjësja e policisë nuk mban uniformë policore në muajt e dukshëm të shtatzënisë.
  2. Punonjësja e policisë, gjatë shtatzënisë, në pamundësi të kryerjes së detyrave funksionale në terren, mund të caktohet në detyra të tjera përveç atyre në terren.
  3. Punonjësja e policisë paraqet në strukturën e burimeve njerëzore dokumentacionin ligjor, që vërteton statusin, si më poshtë vijon:

a) Ekzaminim mjekësor, që vërteton shtatzëninë, të firmosur edhe nga drejtuesi i strukturës shëndetësore;

b) Certifikatë familjare, në rastet kur është kryefamiljare e vetme.

Neni 15

Punët e rënda ose të rrezikshme për punonjëset e policisë shtatzëna ose me fëmijë në gji

Në Policinë e Shtetit konsiderohen punë të rënda ose të rrezikshme, për punonjëset e policisë  shtatzëna apo me fëmijë,  që ende nuk ka arritur moshën 1 (një) vjeç, si dhe punonjëset e policisë me fëmijë në gji:

a) Puna në turnin e natës në të gjitha objektet;

b) Truprojë apo truprojë-shofer në strukturat, që ofrojnë shërbim për sigurinë fizike të personaliteteve;

c) Automekanik;

ç)  Operator, specialist i pajisjeve nën rrezatim (skaner, urë detektorët, bllokues i valëve telefonike, pajisje antidron);

d) Magazinier i lëndëve kimike;

dh) Instruktor në poligonin e qitjeve;

e) Specialist në strukturat e ruajtjes nga incidentet me lëndë eksplozive dhe kimike;

ë)  Shërbimi i sigurimit të brendshëm i të arrestuarve/ndaluarve në ambientet e dhomave të sigurisë.

Neni 16

Transferimi i punonjëseve shtatzëna

Struktura e burimeve njerëzore i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit transferimin e punonjëseve, që përfshihen në nenin 14 të këtij kreu, në funksione të përshtatshme me statusin e tyre.

Neni 17

Rikthimi në punë pas lejes së lindjes

Pas përfundimit të lejes së lindjes ose ndërprerjes së saj, punonjësja ka të drejtë të kthehet në të njëjtin vend pune. Në rast të ndërprerjes së lejes së lindjes, punonjësja duhet të njoftojë 1 (një) muaj përpara drejtuesin e njësisë shpenzuese dhe strukturën e burimeve njerëzore.

 

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 18

Dispozita përfundimtare

  1. Pushimet vjetore, lejet e pagueshme, lejet pa të drejtë page deri në 2 (dy) muaj, lejet pa të drejtë page deri në 6 (gjashtë) muaj, si dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të punonjësit me gradë policore.
  1. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
  1. Vendimi nr.101, datë 15.2.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për kohën e punës dhe të pushimit në Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 19

Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të nenit 6, i cili hyn në fuqi nga data 1 janar 2026.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR OFICERËT NDËRLIDHËS  TË ATASHUAR NË VENDET E TJERA APO NË ORGANIZATA E MISIONE NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 130, të   ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e rregullores për oficerët ndërlidhës të atashuar në vendet e tjera apo në organizata e misione ndërkombëtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
  1. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE,  QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM  DEPO NË ZONËN E KODËR-KAMZËS”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtim depo në zonën e Kodër-Kamzës”.
  1. Shpronësimi bëhet në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.
  1. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 34 891 230 (tridhjetë e katër milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e një mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh.
  1. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 34 891 230 (tridhjetë e katër milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e një mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh përballohet nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a.
  1. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a.
  1. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
  1. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.
  1. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a, kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
  1. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a.
  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Bashkisë Tiranë, për   Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a., sipas këtij vendimi.
  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Bashkisë Tiranë, për Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a., sipas këtij vendimi.
  1. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.132, DATË 6.3.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.132, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve”, bëhen këto shtesa:

  1. Pas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:

“a/1) të kryejë detyrat e autoritetit kontraktor për ministrinë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve për projektet/kontratat ekzistuese dhe të ardhshme të infrastrukturës së mbetjeve.”.

  1. Pas shkronjës “c”, të pikës 7, të kreut III, shtohet shkronjat “c /1”, me këtë përmbajtje:

“c/1) shqyrton, autorizon e miraton, për ministrinë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve, në cilësinë e autoritetit kontraktor, procese që kanë të bëjnë me projektet/kontratat ekzistuese dhe të ardhshme të infrastrukturës së mbetjeve të lidhura sipas legjislacionit në fuqi për koncesionet e partneritetin publik dhe të atij të prokurimit publik dhe mban korrespodencën e koordinon me të kontraktuarit, institucionet dhe subjektet, të cilat janë palë në kontratat e lidhura.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.