Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Tetor 2018

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Tetor 2018:

V E N D I M
PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 3.13 HA, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “DORUZ”, SH.P.K., PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT RANOR-PLLAKOR NË OBJEKTIN “BREGU I KALLMIT”, BASHKIA SKRAPAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Sipërfaqja pyjore publike prej 3.13 ha, që do të përdoret nga shoqëria “Doruz”, sh.p.k., për shfrytëzimin e mineralit ranor-pllakor në objektin “Bregu i Kallmit”, Bashkia Skrapar, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Të dhënat për sipërfaqet pyjore që zvogëlohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor e kullosor publik dhe koordinatat e poligonit të sipërfaqes, objekt minerar, janë sipas lidhjes dhe hartës topografike që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor, të produkteve të tjera pyjore e kullosore dhe të investimeve të kryera në vite në sipërfaqen, objekt minerar, paguhen nga shoqëria “Doruz”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Skrapar, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Doruz”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore dhe të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe pyjore prej 3.13 ha, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Bashkinë Skrapar.
4. Bashkia Skrapar dhe shoqëria “Doruz”, sh.p.k., nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes, së bashku me projektin e miratuar për pyllëzimin, të dërgohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e nënshkrimit të saj.
5. Sipërfaqet pyjore, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore, të identifikuar sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi nga kategoria “Tokë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt i aktivitetit minerar”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve nga shoqëria “Doruz”, sh.p.k., të përcaktuara në planin e rehabilitimit sipas lejes mjedisore, sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik të Bashkisë Skrapar.
8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Skrapar, Bashkia Skrapar dhe shoqëria “Doruz”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 4 HA, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “FONSANA GRIGGIO”, SH.P.K., PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT RANOR PLLAKOR, NË OBJEKTIN “GURI I ZI”, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Sipërfaqja pyjore publike prej 4 ha, që do të përdoret nga shoqëria “Fonsana Griggio”, sh.p.k., për shfrytëzimin e mineralit ranor pllakor në objektin “Guri i Zi”, Bashkia Elbasan, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Të dhënat për sipërfaqet pyjore që zvogëlohen në volum dhe të hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor publik, dhe koordinatat e poligonit të sipërfaqes, objekt minerar, janë sipas lidhjes dhe hartës topografike që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor, të produkteve të tjera pyjore dhe kullosore dhe të investimeve të kryera në vite, në sipërfaqen, objekt minerar, paguhen nga shoqëria “Fonsana Griggio”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Elbasan, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Fonsana Griggio”, sh.p.k. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore dhe të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe pyjore prej 1.05 ha, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Bashkinë Elbasan.
4. Bashkia Elbasan dhe shoqëria “Fonsana Griggio”, sh.p.k., të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes, së bashku me projektin e miratuar për pyllëzimin, të dërgohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e nënshkrimit të saj.
5. Sipërfaqet pyjore sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar sipas lidhjes bashkëlidhur, nga kategoria “Tokë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt i aktivitetit minerar”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve nga shoqëria “Fonsana Griggio”, sh.p.k., të përcaktuara në planin e rehabilitimit, sipas lejes mjedisore, sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik të Bashkisë Elbasan.
8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, Bashkia Elbasan dhe shoqëria “Fonsana Griggio”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KOEFICIENTËT E INDEKSIMIT TË PAGAVE, PËR EFEKT TË LLOGARITJES SË BAZËS SË VLERËSUAR PËR LLOGARITJEN FILLESTARE TË PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, paragrafi i dytë, e 59, pika 1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Koeficientët e indeksimit të pagave, mbi të cilat janë paguar kontributet për sigurimet shoqërore të detyrueshme, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve, me datë fillimi 1.1.2018 dhe në vazhdim, sipas viteve, të jenë, si më poshtë vijon:

Për pagat referuese deri më 1.1.1994 8.76;
Për pagat e vitit                    1994                   8.76;
Për pagat e vitit                   1995                   7.05;
Për pagat e vitit                   1996                   5.47;
Për pagat e vitit                   1997                   5.47;
Për pagat e vitit                   1998                   4.57;
Për pagat e vitit                   1999                   3.71;
Për pagat e vitit                   2000                   3.38;
Për pagat e vitit                   2001                   2.89;
Për pagat e vitit                   2002                   2.67;
Për pagat e vitit                   2003                   2.39;
Për pagat e vitit                   2004                   2.17;
Për pagat e vitit                   2005                   1.97;
Për pagat e vitit                   2006                   1.79;
Për pagat e vitit                   2007                   1.71;
Për pagat e vitit                   2008                   1.51;
Për pagat e vitit                   2009                   1.39;
Për pagat e vitit                   2010                   1.33;
Për pagat e vitit                   2011                   1.28;
Për pagat e vitit                   2012                   1.23;
Për pagat e vitit                   2013                   1.18;
Për pagat e vitit                   2014                   1.18;
Për pagat e vitit                   2015                   1.02;
Për pagat e vitit                   2016                   1.02;
Për pagat e vitit                   2017                   1.00;
Për pagat e vitit                   2018                   1.00.

2. Në vitin 2018, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2017, pas indeksimit të tyre me koeficientët vjetorë të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, nuk mund të jenë më të larta se:
a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2018, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2018, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.
3. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga 1.1.2018 e në vazhdim dhe përballohen brenda buxheteve vjetore, të miratuara për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
4. Koeficientët e indeksimit të pagave, të përcaktuar në vendimin nr.927, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për koefiçentët e indeksimit të pagave, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”, mbeten në fuqi dhe përdoren për indeksimin e pagave mbi të cilat janë paguar kontributet vetëm për pensionet me datë fillimi deri më 31.12.2017, përfshirë edhe këtë datë.

5. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2018.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KËSHILLAT MBIKËQYRËS TË SHOQËRIVE AKSIONARE SHTETËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, dhe të kreut III, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Numri i anëtarëve të këshillave mbikëqyrës të shoqërive aksionare shtetërore, që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore, të jetë:
a) tre, për shoqëritë jostrategjike, të vogla e të mesme;
b) gjashtë, për shoqëritë e sektorëve strategjikë me rëndësi të veçantë.
2. Anëtarët e këtyre këshillave propozohen, si më poshtë vijon:
a) 2/3 e numrit të anëtarëve propozohen nga përfaqësuesi i pronarit, për pronën shtetërore;
b) 1/3 e numrit të anëtarëve propozohen nga ministri i linjës administrative apo organi i vetëqeverisjes vendore, që përfaqëson shtetin, për shoqëritë shtetërore përkatëse.
3. Anëtarët e këshillave mbikëqyrës emërohen nga asambleja e përgjithshme e shoqërisë dhe i njëjti person nuk mund të marrë pjesë në më shumë se 2 (dy) këshilla mbikëqyrës.
4. Në përbërje të këshillave mbikëqyrës të shoqërive aksionare shtetërore mund të përzgjidhen:
a) nëpunës të institucioneve shtetërore, kur legjislacioni në fuqi nuk pengon pjesëmarrjen e tyre në funksione të tjera;
b) specialistë të institucioneve kërkimore e shkencore, të universiteteve, me vjetërsi në punë jo më pak se 5 vjet, dhe personat që gëzojnë autoritet profesional në fusha të caktuara;
c) njëri nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës duhet të jetë specialist në fushën e ekonomisë dhe të financës.
5. Nuk mund të emërohen anëtarë të këshillave mbikëqyrës punonjës të organeve qendrore a vendore që kryejnë funksione auditimi, punonjës të emëruar si administratorë të shoqërive tregtare, drejtorë të ndërmarrjeve shtetërore të patransformuara në shoqëri tregtare dhe kushdo tjetër, që ka konflikt interesash, në kuptim të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
6. Anëtarët e këshillit mbikëqyrës përfitojnë shpërblim për pjesëmarrje në këshillat mbikëqyrës, si më poshtë vijon:

a) Në shoqëritë aksionare shtetërore strategjike, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të sekretarit të përgjithshëm të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, ndërsa, për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page;
b) Në shoqëritë aksionare shtetërore jostrategjike kombëtare, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të drejtorit të Drejtorisë së Administrimit të Pronës Shtetërore në ministrinë përgjegjëse për ekonominë dhe, për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page;
c) Në shoqëritë aksionare shtetërore jostrategjike vendore, për kryetarin, në masën 30 për qind të pagës mujore të sekretarit të përgjithshëm të prefekturës dhe, për anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës, 20 për qind të kësaj page.
Për efekt të këtij vendimi, paga mujore përfshin pagën për funksion dhe pagën e grupit.
7. Shpërblimi i anëtarëve të këshillit mbikëqyrës është mujor dhe jepet nga mbledhja e parë e këshillit. Efektet përballohen nga vetë shoqëria anonime.
8. Në mbledhjen e tij të parë këshilli mbikëqyrës cakton sekretarin, i cili mund të jetë përfaqësues i pronarit ose i shoqërisë, si dhe masën e shpërblimit të tij. Masa e shpërblimit të sekretarit të këshillit mbikëqyrës në shoqëritë strategjike të jetë 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj, në shoqëritë jostrategjike kombëtare të jetë 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj dhe në shoqëritë jostrategjike vendore 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj.
9. Këshilli mbikëqyrës mblidhet jo më pak se katër herë në vit dhe u raporton, për veprimtarinë ekonomike e financiare të shoqërisë, institucionit administrativ të linjës dhe përfaqësuesit të pronarit, për pronën shtetërore, jo më pak se 4 (katër) herë në vit.
10. Këtij vendimi nuk i nënshtrohen shoqëritë aksionare të ujësjellës-kanalizimeve, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të akteve të veçanta nënligjore.
11. Vendimi nr.642, datë 11.10.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për këshillat mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore”, si dhe udhëzimi nr.318, datë 8.4.2009, i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e këshillit mbikëqyrës në shoqëritë anonime shtetërore”, shfuqizohen.
12. Ngarkohen ministria përgjegjëse për ekonominë, ministritë e linjës, organet e vetëqeverisjes vendore dhe shoqëritë aksionare shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI – KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET E VITIT 2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet e vitit 2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR. 3 TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN KOMBËTAR IPA 2011, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAZGJERIMIT IPA – KOMPONENTI PËR ASISTENCËN E TRANZICIONIT DHE FORCIMIT INSTITUCIONAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.3 të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, për programin kombëtar IPA 2011, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Parazgjerimit IPA- komponenti për asistencën e tranzicionit dhe forcimit institucional, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.253, DATË 6.3.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË PLOTËSIMIT TË AKTEVE TË MARRJES SË TOKËS BUJQËSORE NË PRONËSI PËR FAMILJET BUJQËSORE NË FSHATRAT E ISH-KOOPERATIVAVE BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.253, datë 6.3.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 2 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me AMTP, paraqesin në njësinë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës gjendet toka bujqësore: …”.
b) Në shkronjën “b” shtohet fjalia e dytë, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të tyre; …”.
2. Në pikën 21, fjalët “… nga një subjekt i licencuar …” hiqen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.337, DATË 22.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KRYERJES SË PROCESIT TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.337, datë 22.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me AMTP, paraqesin në njësinë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës gjendet toka bujqësore:”.
b) Në shkronjën “b” shtohet fjalia e dytë, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive, nëpërmjet topografëve të tyre.”.
2. Në pikën 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Paragrafi i parë i pikës 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“Subjektet e përcaktuara si bashkëthemeluese të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas vendimit nr.452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, të ndryshuar, të cilat nuk janë pajisur me AMTP për tokën bujqësore që kanë në përdorim faktik, paraqesin në njësinë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës gjendet toka bujqësore:”.
b) Në shkronjën “c” shtohet fjalia e dytë, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive, nëpërmjet topografëve të tyre.”.
3. Në pikën 22, fjalët “… nga një subjekt i licencuar …” hiqen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT E REFERIMIT E TË MENAXHIMIT TË RASTIT, HARTIMIN DHE PËRMBAJTJEN E PLANIT INDIVIDUAL TË MBROJTJES, FINANCIMIN E SHPENZIMEVE PËR ZBATIMIN E TIJ SI DHE ZBATIMIN E MASAVE TË MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 54, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e procedurave të referimit e të menaxhimit të rastit, hartimin dhe përmbajtjen e planit individual të mbrojtjes, financimin e shpenzimeve për zbatimin e tij si dhe zbatimin e masave të mbrojtjes, sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen mekanizmat këshillimorë e koordinues institucionalë dhe strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës në nivel qendror e vendor, sipas pikave 2, 3 dhe 4, të nenit 34, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DEKLARIMIN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË TIRANËS, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, shkronjat “a” e “ç”, pika 3, 62, pika 3, dhe 96, pika 1, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Deklarimin e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas hartës së zonifikimit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH BRENDA PROGRAMEVE BUXHETORE TË BUXHETIT TË VITIT 2018, MIRATUAR PËR FONDIN SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin vitit 2018, miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin “Programe zhvillimi”, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”, shtohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh;
b) Në programin “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”, pakësohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.714, DATË 29.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR KUKËS – KRUMË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.714, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
a) Pas tabelës së përmendur në pikën 3 shtohet tabela 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën 2, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “Truall”, me sipërfaqe 161 m2, me vlerë 321 839 (treqind e njëzet e një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë) lekë.”.
c) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, si më poshtë vijon:
“4/1. Vlerës totale të shpronësimit, për pasurinë e llojit “Truall”, i shtohet shuma 321 839 (treqind e njëzet e një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë) lekë, e cilat do të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2018, zëri “Shpenzime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.”.
ç) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Vlera e shpenzimeve procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krumë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” (TRUALL) TË PASURIVE NR.94/63, ZONA KADASTRALE 3221, BASHKIA MALIQ, DHE NR.17/13, ZONA KADASTRALE 3690, BASHKIA DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane” (truall) të pasurive nr.94/63, zona kadastrale 3221, Bashkia Maliq, dhe nr.17/13, zona kadastrale 3690, Bashkia Durrës, sipas lidhjes nr.1, certifikatave të pasurisë dhe hartave treguese, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Korçë dhe Qarku Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane” (truall) të pasurive nr.94/63, zona kadastrale 3221, Bashkia Maliq, dhe nr.17/13, zona kadastrale 3690, Bashkia Durrës.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Korçë, Këshilli i Qarkut Durrës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA