Dëgjesë me prindër e mësues të shkollës 9 vjeçare “Jani Minga”, në Vlorë, për bashkëqeverisjen me prindërit:
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Jani Minga’, Eralda Marku: Shkolla jonë është hapur në vitin 2001. Për vitin shkollor 2016-2017 jemi renditur si shkolla e parë për arritje në kartën e performancës. Shkolla jonë ka 863 nxënës, 47 mësues, 4 prej të cilëve janë mësues ndihmës, por ka dhe fëmijë me nevojat të veçanta që studiojnë në shkollën tonë. Në nismën “100% plane të bashkëhartuara me prindërit” kemi bashkëhartuar, bashkëmiratuar me të gjithë prindërit e shkollës, për 30 klasat mësimore, të gjitha planet e punës tonë. Janë marrë mbi 1200 mendime, të cilat janë vendosur si prioritete për vijimësinë e punës tonë.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla: Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit shumë, jo vetëm që jeni bashkudhëtarë të këtij momenti të ri, në të cilin është përfshirë çdo shkollë e Shqipërisë, për të bashkëqeverisur shkollat në të gjitha objektivat shkollore, duke u larguar nga një metodë tërësisht e vjetruar dhe e dalë kohe, ku në rastin më të mirë, planet shkolloret hartoheshin nga disa mësues të veçantë, në rastin më të keq ishin “copy-paste” nga njëri vit në tjetrin. Ajo që është shumë e rëndësishme, ne do të vijomë me një plan të dytë më pas, sepse do të ngremë të gjithë sistemin e prindërve që monitorojnë planet shkollore. DAR-i Vlorë do të ketë Këshillin e vet të Prindërve, ashtu sikurse çdo qark i Shqipërisë, për të përfunduar me përzgjedhjen e Këshillit të Prindërve në rang kombëtar. Është një moment i rëndësishëm, për të cilin jo vetëm keni mirënjohjen dhe falënderimin, por ajo që unë dua të ndaj me secilin prej jush, prindër të 807 nxënësve të kësaj shkolle, dëshirën që ne të vijojmë në këtë rrugë, çdo ditë të jetës shkollore.
Duke u angazhuar me një moment tjetër lehtësimi të punës së mësuesve të kësaj shkolle, por edhe ju prindërve, ne po diskutojmë me Bashkinë e Vlorës që ambientet e kësaj shkolle të shërbejnë për shkollën 9-vjeçare dhe të shikojmë një mundësi të re për 9 klasat e gjimnazit, në mënyrë që ne të ikim nga mësimi me dy turne dhe të kemi një shkollë 9-vjeçare me të gjitha parametrat e duhur. Ashtu sikurse do të mundësojmë edhe përmirësimin e infrastrukturës sportive.
Mësuesit meritojnë mbështetjen më të madhe dhe e tillë do jetë mbështetja, me kualifikime, me meritë, me transparencë. Portali “Mësues për Shqipërinë” do të përsoset më tej, ashtu siç edhe sistemi i kualifikimit do të jetë kah nevojave të mësuesve, në mënyrë që ata të performojnë më mirë për fëmijët tuaj, në çdo orë mësimore.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj! Është kënaqësi që të mund të diskutojmë sëbashku për gjënë më të rëndësishme, siç është edukimi i fëmijëve tuaj dhe edukimi i fëmijëve tanë, falë një procesi ku ne besojmë shumë se do kemi një përmirësim të ndjeshëm të standardeve dhe rritje të ndjeshme të përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies nga ana jo vetëm e trupës mësimore, por më shumë se kaq, e vetë qeverisë.
Ju e dini shumë mirë që ne jemi futur në një proces ku duam të ndërtojmë një urë solide me njerëzit, në një proces bashkëqeverisjeje dhe padiskutim, bashkëqeverisja me prindërit e shkollave është një komponentë, e cila, pavarësisht konceptit tonë të ri të bashkëqeverisjes në tërësi, duhet të jetë e pranishme në çdo hap dhe pavarësisht se kush dhe si e qeveris vendin nga pikëpamja politike.
Ne jetojmë sot në një kohë kur, falë teknologjisë dhe krijimit të mundësive për shumëkënd që të kenë me vete një kamera, ndeshemi në mënyrë të vazhdueshme me fenomene, të cilat kanë qenë prezente, nuk kanë lindur sot, të dhunës, agresivitetit e sjelljes së papërshtatshme të mësuesve, apo të sjelljes së papërshtatshme të nxënësve. Por duke qenë se sot është mundësia për t’i ekspozuar ato në kohë reale, atëherë edhe ngarkesa e këtyre fenomeneve në aspektin psikologjik në tërësi bëhet më e madhe. Ndërkohë që çka ne na takon të kuptojmë nga ky proces, është se kemi një mundësi të madhe më shumë për të nxjerrë në pah të meta, dobësi dhe probleme reale.
Ne besojmë shumë që teknologjia na ka krijuar kushtet që të hyjmë në një proces bashkëqeverisës në kohë reale dhe të drejtpërdrejtë, ku çdo qytetar të ketë mundësinë të alarmojë majën e piramidës shtetërore dhe të vërë në lëvizje qeverinë, pa pasur nevojën të kalojë nëpër filtra të tjerë dhe pa qenë i shtrënguar të shohë vetveten të padëgjuar e të papërfillur. Për këtë arsye, ne do të ndërtojmë në çdo shkollë, një stacion të bashkëqeverisjes që do të thotë, do të japim një akses dixhital përmes teknologjisë, për t’u informuar në kohë reale në platformën online të bashkëqeverisjes. Unë ju ftoj ju dhe të gjithë prindërit që të regjistrohen në platformë, sepse është një mënyrë për të qenë në kohë reale të lidhur drejtpërdrejtë me ministren e Arsimit për çdo problem që ka shkolla, që kanë fëmijët tuaj, që keni ju vetë në raport me shkollën.
Angazhimi i prindërve në hartimin dhe pastaj afishimin publik të të gjithë kalendarit të punës është një hap jashtëzakonisht pozitiv. Ashtu sikundër është shumë pozitive që çdo mësues kujdestar duhet t’i bëjë prindërve të njohur planin vjetor dhe atë të veprimtarive të shkollës në tërësi. Çdo drejtor shkolle të zhvillojë takime me prindërit e ardhur rishtas, ata të klasës së parë dhe të klasës së 10-të. Çdo institucion arsimor të përcjellë në Drejtorinë Arsimore, apo zyrën arsimore, raportin e këtyre takimeve, një raport i detajuar për nivelin e pjesëmarrjes së prindërve, për problematikat, bashkë me rekomandimet e propozimet përkatëse për fuqizimin e rolit të prindërve në shkollë.
Ministria, nën drejtimin e ministres, që do të jetë personalisht e angazhuar për t’i dhënë jetë këtij procesi, do të bëjë monitorimin e takimeve, në mënyrë që në fund të kemi një platformë të qartë bashkëpunimi me prindërit dhe po ashtu, duke krijuar një platformë komunikimi me prindërit, të cilët duhet të informohen në kohë reale dhe të dinë gjithçka ndodh. Përtej këtyre është shumë e rëndësishme që ne ta ndajmë me ju, se ne jemi në një fazë ku duam të çojmë përpara reformën dhe të adresojmë disa probleme. Problemi numër një është që ne duam ta objektivizojmë portalin “Mësues për Shqipërinë”, që është një bazë shumë e mirë për t’i mbrojtur mësuesit nga arbitrariteti i administratës. Sot, mësuesit janë të mbrojtur. Ka mbaruar koha, kur një mësues hiqej nga puna se i tekej drejtorit të zyrës, apo Drejtorisë Arsimore, apo se vinte një urdhër partie që mësuesi në fjalë nuk është i pëlqyeshëm për partinë. Ka mbaruar koha, kur mësuesi lëvizej për hesape dhe llogari jo transparente dhe korruptive, për t’i hapur vend dikujt tjetër. Por nuk ka mbaruar koha e abuzimeve, e kontratave jo transparente për angazhimin e përkohshëm të mësuesve dhe po ashtu nuk ka mbaruar koha e mungesës së transparencës në raport me ata që duan të bëhen mësues.
Ajo që ministrja po bën bashkë me një ekip të dedikuar është që, së pari, portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do jetë më thjesht një angazhim qeveritar, por do të jetë një angazhim ligjor. Ne do ta ligjërojmë portalin. Së dyti, ne do të largojmë përfundimisht drejtorët e drejtorive dhe të zyrave arsimore nga kontakti dhe mundësia për të pasur subjektivizëm në raport me emërimet dhe zëvendësimet e mësuesve. Gjithçka do ta bëjë elektronikisht portali “Mësues për Shqipërinë”, njësoj siç sot kemi sanksionuar në mënyrë elektronike të gjithë procesin e hyrjes në shkollën e lartë.
Ju e mbani mend vjet se çfarë u bë në Shqipëri, një rrëmujë e madhe, e orkestruar politikisht nga klubi qendror i Shqipërisë, që është Parlamenti, ku nuk u la gjë pa thënë për reformën dhe për mënyrën e re të hyrjes në shkollë. Të hënën fillojnë universitetet. Keni dëgjuar një zë të vetëm të dalë dhe të ankohet, “pse ma morën të drejtën?”, “e kisha kaq mesataren dhe po më hyn dikush tjetër”, “fëmija im po stresohet”. Asnjë zë. Sepse, së pari, procesi është krejtësisht i painfluencueshëm nga paraja, nga miqësitë dhe nga krushqitë. S’ka rektor, s’ka dekan, s’ka pedagog, s’ka drejtor drejtorie, s’ka ministër, s’ka Kryeministër që sot mund të fusë në universitet, përpara dikujt që e meriton, dikë që s’e meriton, sepse i gjithë procesi është i hapur dhe është elektronik. Çdo lëvizje e kësaj natyre që mund të bëhet, del aty. Sot, ne kemi garantuar që si fëmija i një ofiqari të lartë, si fëmija i një çobani në majë të malit, në universitet hyjnë vetëm me meritën e tyre dhe nuk ia kalon dot fëmija i ofiqarit, fëmijës së çobanit, nëse fëmija i çobanit i ka notat më të mira dhe ka rezultatet më të mira në Maturën Shtetërore.
Të njëjtën gjë duhet të bëjmë me platformën e portalit, e hapur, transparente. Testimi kombëtar i mësuesve bëhet në mënyrë të përvitshme. Kush ka një sasi pikësh e do ta rrisë, mëson gjatë vitit, e rrit sasinë e pikëve, vendos kandidaturën e vet atje dhe në kohë reale ndjek gjithë ecurinë. Hapet një vend diku dhe nuk është drejtoresha apo drejtori i zyrës së arsimit, apo i Drejtorisë Arsimore që vendos se kë do çojë në atë vend, apo që thotë “e thirra këtë, por s’donte”. Jo, kujt i vjen radha, klikon dhe thotë jam apo s’jam i gatshëm të shkoj të punoj aty ku është hapur vendi në lëndën time. Nëse thotë jam i gatshëm, automatikisht merret në punë e fillon pagesa. Në qoftë se thotë s’jam i gatshëm, vjen tjetri mbrapa dhe çështja është e zgjidhur. Kjo do të garantojë mësuesin.
Një problem tjetër është ai i drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shkollave. Nëse për mësuesit është ndërtuar një sistem, për drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave jemi në kushtet kur vendoset pa sistem. Bëmë testimin e të gjithë drejtorëve të shkollave dhe na kanë dalë rreth 300 drejtorë shkollash që duhen të largohen një orë e më parë, sepse janë të papërshtatshëm. Na kanë dalë të tillë, jo sepse i kemi parë nga teserat e partisë, por sepse në testim kanë dalë shumë më keq se mesatarja e mësuesve.
Së pari, do t’i bëjmë thirrje 300 mësuesve më të zotë, që rezultojnë të tillë nga testimi dhe do ju ofrojmë atyre të parëve, pa i parë nga tesera, nëse duan të zënë vendin e drejtoreshës apo drejtorit të shkollës, të nëndrejtorit apo nëndrejtoreshës së shkollës. Le të jene çfarë të duan dhe le të votojnë për kë të duan, mësuesit më të mirë të Shqipërisë, pavarësisht për kë votojnë, janë yje në ballin e këtij vendi dhe për çdo qeveri duhet të jenë të tillë dhe duhet të trajtohen si të tillë. Por kjo nuk mjafton, sepse ndërkohë nuk do të thotë që pjesa tjetër e drejtorëve janë në nivelin e kërkuar. Ne kemi bërë projektin, do të institucionalizojmë shkollën e drejtorëve të shkollave. Nuk është një shpikje e jona, e kanë vende të tjera. Aty, ata do mësojnë, do bëjnë provime dhe do marrin kreditet e tyre, mbi bazën e të cilave do vazhdojnë, ose nuk do vazhdojnë të drejtojnë shkollat. Nuk do ketë parti politike që t’i lëvizë për qejf dhe t’i kthejë nga drejtorë në roje, sipas teserës, sepse gjithçka do të bëhet me ligj. Ata do të mbrohen me ligj, siç do të mbrohen edhe mësuesit me ligj. Kështu, ne do të stabilizojmë njëherë e mirë këtë trupë kaq të rëndësishme për të sotmen dhe të nesërmen e vendit.
Nga ana tjetër, ne jemi larg së qeni të kënaqur me aty ku duam të jemi përsa i përket funksionimit të shkollave si qendra komunitare, ku nuk është thjesht çështja e cilësisë së mësimit, por ku është edhe aspekti tjetër i aktiviteteve sociale, kulturore dhe sportive. Jemi në kohën kur do përgatisim planet përkatëse, për të angazhuar maksimalisht burimet njerëzore nëpër shkolla për sportin, për kulturën, për aktivitetet sociale. Sapo vijmë me kryetarin e Bashkisë nga një inspektim në zonën e stadiumit, duke diskutuar për fillimin e projektit dhe pastaj për ndërtimin e stadiumit të ri të Vlorës. Këtu nuk është çështja thjesht për të bërë një stadium futbolli, por për të ndërtuar një kompleks sportiv në qendër, aty ku sot është stadiumi ekzistues, me Pallatin e Sportit dhe me mjedise sociale dhe sportive për fëmijët. E dimë shumë mirë që jo vetëm këtu, por në çdo qytet jemi larg së pasuri një qytet ku fëmijët kanë shumë zgjedhje jashtë mureve të shkollës. Maksimumi, sot mund t’i nxirrni shëtitje në Lungomare, por nuk është se ka pika ku mund t’i çoni, për të pasur aktivitet jashtëshkollor, sportiv, kulturor e social.
Kompleksi i ri sportiv me stadiumin, me Pallatin e Sportit do të mbajë në konsideratë domosdoshmërinë për të krijuar hapësira për prindërit dhe fëmijët. Nuk është fjala për të ndërtuar një stadium që të lozë Flamurtari dhe të shkojnë ata që bëjnë zhurmë ditën e diele, flota. Nuk është puna vetëm për Flotën. Flotën ta kemi me jetë dhe të rrijë dhe Flota atje. Por këtu është puna që çdo ditë, ajo zonë të funksionojë për fëmijët, për të rinjtë, për vajzat e djemtë, të funksionojë për prindërit, sepse është e domosdoshme për një qytet, që njerëzit të jetojnë në një bashkësi dhe kjo bashkësi ka nevojë për pika referimi. Nuk mund të jenë nga shtëpia në punë, nga puna në shtëpi, nga shtëpia në shkollë, nga shkolla në shtëpi dhe pastaj të gjithë te Lungomare. Shyqyr që është Lungomare, por nuk mjafton.
Po ashtu ne jemi shumë të vetëdijshëm për nevojat e infrastrukturës arsimore. Këtu në shkollë ka dy turne. Ne do ta zgjidhim, sepse do ta ndajmë shkollën e mesme nga 9-vjeçarja dhe shkollën e mesme do ta çojmë diku tjetër. Ndërkohë do vazhdojmë të investojmë për të transformuar në vijimësi shkollat ekzistuese dhe për të ndërtuar shkolla të reja, në mënyrë që të plotësojmë nevojat për shkollë të të gjithë fëmijëve të zonës, me standarde, jo me turne, jo me klasa kolektive, jo me histori të tilla të tmerrshme, që janë të trashëguara për vite të tëra, por që duhen adresuar. Për këtë arsye, në buxhetin e vitit të ardhshëm do të japim më shumë për arsimin, më shumë për infrastrukturën arsimore dhe më shumë për bashkitë që duan të ndërtojnë shkolla. Sigurisht, kjo nuk na bën të harrojmë nevojën për kopshte dhe çerdhe, që është edhe kjo, një nevojë më vete. Të jeni të bindur që do të bëjmë për arsimin në këto 4 vite, shumë më tepër se çfarë është bërë në 4 vitet e shkuara, sepse kemi vendosur një bazë solide. Për këtë arsye e konsiderojmë themelore që prindërit të jenë më të përfshirë, të jenë më aktivë dhe të na bëjnë me dije shqetësimet e tyre në kohë reale, që të mos lëmë që problemet të rëndohen, të mos lëmë që sëmundjet të rëndohen në këtë sistem, që ka nevojë shumë akoma për një operacion pastrimi nga të gjithë ato helme dhe problematika të funksionimit të sistemit, që ne kemi trashëguar nga e shkuara.
Kushdo që do fjalën për të bërë pyetje, për të shprehur një shqetësim, është i lutur që ta bëjë.
Unë jam një prej prindërve të kësaj shkolle. Jam nënë e 6 fëmijëve, shumica e të cilëve janë arsimuar në këtë shkollë. Doja t’ju falënderoja për prezencën tuaj dhe për faktin që këtë gëzim që morëm nëpërmjet lajmit të drejtoreshës, për rezultatet e mira të kësaj shkolle, ne e ndamë dhe sëbashku. Që në komunikimin që bëri zonja ministre më hoqi shumë merake që i kisha. Njëkohësisht dhe disa merake të tjera m’i hoqët ju zoti kryeministër, pasi duke qënë nënë e shumë fëmijëve, normalisht që organizmi i jetës së tyre jashtë ambienteve shkollore ngelet prioritet. Është pjesë e formimit të tyre. Ju falënderoj për nismat jashtëzakonisht pozitive që keni marrë, pasi unë si prind, gjithë jetën dëgjonim shprehjen “mësuesi, prind i dytë”, mirëpo prindi-mësues nuk na doli ndonjëherë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Keni të gjithë admirimin tim për 6 fëmijët. Nga ana tjetër, duke pasur 6 fëmijë, ju jeni e para që e dini se nga e thëna, në të bërë, është në mes një det i tërë. Kështu që, meraket me fjalë ne mund t’i kemi hequr, por që meraket të hiqen me fakte, është e domosdoshme që ju të jeni vazhdimisht në vigjilencë, për të parë zbatimin e tyre. Për këtë arsye, ne kërkojmë që prindërit të jenë të përfshirë jo thjesht për t’u takuar në fillim, për të bërë kalanderin, për të përcaktuar disa piketa, por edhe për të ndjekur në proces sa këto merake të hequra me fjalë, apo sa këto plane të shkruara në letër realizohen.
Për të bërë plane në letër, sidomos ne që merremi me politikë e dimë që është kollaj. A keni parë ndonjë parti politike në Shqipëri, që mos ketë një plan më të mirë sesa tjetra? Jo.
A keni parë ndonjë parti politike në Shqipëri që jo t’ju heqë meraket, por t’ju bëjë t’ju duket vetja, sikur jeta është një shëtitje për qejf? Jo.
Ama, ku dallohen? Dallohen se kush i bën ato realisht.
Në aspektin që flasim, është e domosdoshme që prindërit të jenë pranë shkollës. Ne do bëjmë çmos me këtë projekt, por duhet dhe aktivizmi juaj. Për këtë arsye, ju lutem, merrni në konsideratë seriozisht që të jeni pjesë e koalicionit tonë dhe të jeni të regjistruar në platformën online. Nuk është platformë partie, nuk është për simpatizantët, apo për votuesit tanë, por është platformë për çdo qytetar, që në kohë reale mund të ankohet për diçka dhe ankesa shkon drejtpërdrejtë në pikën më të lartë të fushës ku është prodhuar problemi, tek ministri apo ministrja. Në kohë reale, ministri apo ministrja kanë detyrimin të ndjekin problemin dhe t’i japin përgjigje dhe në të gjitha rastet kur duhet të japin zgjidhje, të japin zgjidhje. Kjo është shumë e rëndësishme. Kështu, nga ana jonë mbahemi në tensionin për të shërbyer sa më mirë, krijojmë mundësinë që të mos jemi të shkëputur nga njerëzit, të mos krijojmë atë botën tonë imagjinare, të mbyllur nëpër zyra, si dhe të mos ngushëllohemi me faktin që kundërshtarët, apo konkurrentët, apo alternativat i kemi të dobëta dhe ne jemi në rregull.
Ky nuk është kampionat futbolli. Nuk jemi flota socialiste me flotën demokrate, që luftojnë me njëra-tjetrën. Partitë janë alternativa, por ajo që është kryesore është që kush është në qeveri duhet të mos matet me hijen e mëngjesit, por të matet me rezultatet konkrete në funksion të njerëzve, të matet me sa njerëzit e prekin si rezultat, atë që ne predikojmë kur flasim, apo sa iu shërben njerëzve në fund të ditës, ajo që bëjmë ne, jo thjesht si spektakël në televizor, kush ia tha më bukur tjetrit, kush e bëri batutën më bukur, kush akuzoi më shumë tjetrin.
Për këtë arsye, ne jemi ta angazhuar në këtë proces, por na duhet ndihma dhe jo thjesht në këtë aspekt, por në çdo aspekt. Nuk i luftojmë dot nga Tirana, nuk i luftojmë dot nga zyrat, zyrtarët grabitqarë, nëpunësit grabitqarë, inspektorët grabitqarë. Sigurisht që ndërtimi i institucioneve, ndërtimi i sistemit është përgjigja e qëndrueshme e këtij procesi. Por në ndërkohë që ne ndërtojmë institucione, që duan kohën e tyre, në ndërkohë që ndërtojmë sisteme, që duan kohën e tyre, çdo ditë njerëzit ndeshen me grabitqarë. Nëse njerëzit bëjnë thjesht një lëvizje të vogël dhe thonë, unë këtij nuk ia jap atë që do të më marrë dhe nuk i takon, por e vë me shpatulla pas murit, për këtë mjafton vetëm një klik në platformë dhe problemi shkon drejt e tek ministri apo ministrja, duke i thënë jam përballë këtij grabitqari, që kërkon të më marrë para, për të më dhënë një shërbim. Pastaj, barra e provës, sesa e vërtetë është kjo që po them unë, na takon ne.
Nuk mund të ndodhë që të jetë më e lehtë që paratë e fituara nga puna juaj, ju t’i shpenzoni për dikë që nuk bën punën për të cilën paguhet, por, përkundrazi, në atë punë, për të cilën paguhet, abuzon dhe kërkon para nga ju. Paratë e një akulloreje për fëmijën, e një dhurate për fëmijën, e një libri për fëmijën, ju nuk mund t’ia jepni një grabitqari që në zyrën e shtetit ju thotë, më jep lekë, se ndryshe nuk ta jap këtë shërbim. Sikundër, paratë që ju fitoni në një biznes të vogël nuk mund t’ia jepni një inspektori, që ju bën presion dhe ju kërcënon se do ju vendosë gjobë. Pse duhet t’i paguani ato para, ndërkohë që mundimi që ju kërkohet është minimal, hyni në bashkëpunim me ne dhe na ndihmoni neve të bëjmë detyrën tonë. Ne duhet t’ju mbrojmë nga ata maskarenj, por nuk arrijmë dot, nëse ju nuk na ndihmoni. Është shumë e thjeshtë!
Është fantastike që njerëzit gjejnë kurajon t’i denoncojnë lloj-lloj fenomenesh e abuzimesh nëpër emisionet mediatike. Por besoj që, pa hequr fare atë pjesë, është më e thjeshtë që provën ta bësh drejtpërdrejtë dhe në vend se nëpërmjet një emisioni mediatik të sensibilizosh autoritetet, të jesh ti vetë autoritet dhe të bashkëpunosh me autoritetin zyrtar, që duhet të të shërbejë ty, për të mos lejuar që ty të të bëhet një padrejtësi. Vetëm kështu, ne mund të krijojmë një situatë komplet tjetër. Nuk duhen shumë raste, por mjafton që ata që janë nëpër zyra, kur shohin një qytetar, të thonë: ky mund të më bëjë hatanë, se mund të klikojë dhe të ma çojë direkt fytyrën, emrin dhe sjelljen tek eprori. Sigurisht duhet bërë në çdo rast që ju dëgjoni nga fëmija se një mësues, një mësuese nuk sillet mirë dhe duhet të alarmoni menjëherë të gjithë qeverinë. E duhet bërë në çdo rast tjetër në jetën tuaj të përditshme.
Nëse flasim për rroga që duhen rritur, nëse flasim për pensione që duhen rritur, nëse flasim për të ardhura nga biznesi që duhen rritur, atëherë si ka mundësi që këto të ardhura të pamjaftueshme t’i ndajmë me grabitqarët që fusin duart nëpër xhepa, për të marrë paratë e familjes për një shërbim që shteti i detyrohet familjes! Është e pamundur ta pranojmë këtë gjë!
Nuk ka asnjë arsye për të pasur asnjë frikë. Ka thjesht një kohë prove. Nëse këto fjalë rezultojnë propagandë, kjo gjë merret vesh shpejt dhe është çmimi ynë për të paguar për këtë gënjeshtër. Por duhet të na ndihmoni.
Në Vlorë kemi ndërruar 7 drejtorë ALUIZN-i dhe i kemi ndërruar, kur ka ardhur deri në majë, jehona e dëmeve që kanë bërë. Dëme të mëdha për komunitetin, legalizime skandaloze, por dhe dëme të “vogla” për buxhetin e të gjithë atyre që kanë nevojë të legalizojnë shtëpinë e tyre. Pse duhet të presim të bëhet kapicë dëmi dhe plehu që krijojnë këta lloj grabitqarësh dhe të mos jemi që në momentin e parë, bashkërisht, për t’i thënë “ik se nuk je për këtë punë!”
Pse duhet të vazhdojmë me idenë ku t’i gjej një mik deputetit, që deputeti të gjejë rrugën, që mua të më shpëtojë nga një gjobë, apo që të më jepet një e drejtë për vajzën a djalin. E padrejtë! Pse duhet bërë e gjithë kjo rrugë e gjatë, kur rruga që ne kemi ndërtuar tani, falë teknologjisë, është fare e shkurtër, është 30 sekonda. Edhe koha për të marrë përgjigje është shumë më e shkurtër, sesa koha për të gjetur mik. Pse të mos futni drejtpërdrejtë mik, qeverinë?
Ndërkohë na ndihmoni edhe ne, që të mos kalbemi, duke kujtuar se jemi duke lulëzuar. Për çfarë arsye zyra e Hipotekës Vlorë, – kemi ndërruar edhe atje nuk e di sa drejtorë, – duhet të bëjë gjëra të paimagjinueshme? Arrin puna që njerëzit presim të shërbehen, aty s’ka njeri fare, ikin të gjithë nga sporteli. “Kohë dreke”, – thonë. Kjo është një gjë që duhet denoncuar që në sekondën e parë.
Unë sot iu kam kërkuar të gjithë drejtorëve të administratës qendrore në Vlorë, që brenda 10 ditësh të bëjnë raportim se kë kanë në punë dhe sa përputhet vendi i punës me diplomën dhe eksperiencën e tyre. Nuk mund të vazhdojmë të paguajmë të gjithë bashkë taksa, për të mbajtur në punë njerëz, të cilët zënë një vend pune dhe në fakt, shkollën e kanë bërë për diçka tjetër. Është e paimagjinueshme! Në fund të ditës, ai institucion apo ndërmarrje nuk ka shans të bëjë rezultat. E mbushur Posta me njerëz pa lidhje fare. Të mbushura të gjitha institucionet me njerëz pa lidhje fare. Si mundet, në ndërmarrjet e elektrikut thuhet elektricist kryesor dhe ka mbaruar për psikologji! Apo biokimi! Një çmenduri!
Ndërkohë ka njerëz me shkollë, me eksperiencë për elektricist dhe janë pa punë. Ky i psikologjisë, nëse është i zoti, të futet në test, të konkurrojë, të bëhet mësues.
Si mund të kemi ndërmarrje që duhet të bëjnë shërbime, sikur janë për të paguar rroga për njerëz që shkojnë atje, thjesht për të marrë rroga! Ndërkohë kemi plot të papunë që mund të shërbenin. Ne duam që t’i gjejmë punës njeriut, jo njerëzve punë. Puna – mësues. 4 mijë gjetëm dhe pjesën më të madhe i kemi larguar, por janë një pjesë e vogël në zona shumë të largëta, atje ku ka klasa kolektive. Ka mbaruar shkollën për muzikë, jepte matematikë. Ka mbaruar shkollën për fizkulturë, jepte psikologji. Aty u hoqën, por duhet t’i heqim edhe nga të gjitha ndërmarrjet e shërbimeve, se ndryshe nuk kemi dot shërbime.
Ishte një drejtor patentash, eksperienca mobileri, shiste mobilie. Iu thoshte nëpunësve të tij, kush guxon të blejë një karrige në një dyqan tjetër, do ta heq nga puna. Kishte dyqanin e vet ku shiste mobilie. Është rast real. Në kurrikulumin që kishte dorëzuar dhe e kishin bërë drejtor, kishte karakteristika: “i shkathët në veprime”. Më i shkathët se kaq! Dyqan mobilierie përballë, drejtor patentash në shtet dhe iu thoshte të gjithë, shko bli karrige atje, të të jap patentë. Çfarë shteti është ky!
Të gjitha këto, krijojnë idenë, pse duhet të mësojmë ne? Në fund fare, më shkruante sot, dikush, mesazh, se iu ka nxirë jetën dy fëmijëve binjakë, duke iu thënë mos u bëni si gjitoni, mos u bëni shok i atyre që nuk shkojnë në shkollë, se do bëheni si ata. Tani, dy fëmijët e mi janë ta papunë, ai është drejtor juridik. Atëherë, ku shkoi e gjithë beteja? Ku ta gjenim të përfundonim ne si ai, drejtor juridik dhe ne të dy të papunë, – më thonë tani, fëmijët.
Këto janë gjëra që duhen adresuar.
Duke marrë edhe mirëkuptimin e të gjithë prindërve që janë këtu, është një begenisje për ne, unë besoj që trekëndëshi i mëparshëm i Bermudes mësues-prind-nxënës do fillojë të funksionojë dhe të japë rezultate. Një falenderim tjetër, posaçërisht për ministren, në emër të të gjithë prindërve. Ju arritët që fatmirësisht, këtë vit të plotësonim një prej nevojave. Jam i bindur që nëse do bashkëpunojmë fuqishëm, të gjitha nevojat që do ketë kjo shkollë do të plotësohen. Vlora ka ndryshuar tani vetëm falë jush. Ne e kemi të vështirë që faktin dhe mirënjohjen ta shprehim, por sot, të gjithë ata që e kanë sensin e shikimit dhe dëgjimit, është e mira që ta shprehin.
Prezenca e shkollës ka qenë një problem madhor dhe për të gjithë brezat. Është e pamundur që dy breza, një fëmijë e klasës së parë me një të vitit të parë, nuk mund të bashkëjetojnë. Është imediat ky problem. Unë e kam ngritur në të gjitha instancat. Shpresoj që ju ta merrni seriozisht. Unë jam një nga ata që nesër do vij të ta kërkoj dhe në Kryeministri. Ndërkohë terreni sportiv pas shkollës ka vite që pret. Është një investim modest. Problem tjetër janë ambientet për higjienën e fëmijëve, që është një investim modest. Unë desha të falenderoj stafin e shkollës “Jani Minga” për punën që ka bërë me fëmijët. Unë kam dy fëmijë, dy djem. Këtu, u diskutua për heqjen e gjimnazit. Kjo zonë këtu nuk ka gjimnaze afër. Ambientet e këtij gjimnazi ku do të shkojnë?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, të jemi të qartë që ajo që tha parafolësi është themelore. Fëmijët e 9-vjeçares nuk mund të rrinë bashkë me fëmijët e gjimnazit. Ky është një dëm i pallogaritshëm. Përsa i përket distancave, kur po flisje, mua mu kujtua ku e kisha shkollën dhe shkoja në këmbë çdo ditë, në Liceun Artistik. Ishte një distancë më e gjatë se distanca nga një cep i Vlorës në cepin tjetër. Kështu që djali nuk është më i vogël, megjithëse për nënën është gjithmonë i vogël. Unë e di nga eksperienca ime këtë, edhe sot që po flas. Dhe për nënat vlonjate është dhe më e rëndë kjo, se i konsiderojnë djemtë që nuk rriten kurrë, por ki besim, djalit do t’i bëjë mirë të ecë pak deri atje ku do jetë.
Kështu kemi këtë me një turn, kemi dhe gjimnazin në kushte normale. Kjo do jetë zgjidhja, se nuk ka një zgjidhje tjetër. Nuk mund të ndërtojmë për çdo bllok pallatesh, një gjimnaz. Besoj që dhe për numër nxënësish dhe gjimnazistësh, numri i gjimnazeve të Vlorës rezulton të jetë jo problematik. Ajo që na duhet është një ndarje më racionale dhe gjimnazet i kemi në kushte optimale. Siç kemi sot, gjimnazin e rindërtuar “Ali Demin”, do rindërtojmë “Halim Xhelon”, do vazhdojmë me të tjerat.